E enjte, 01.05.2025, 12:14 PM (GMT+1)

Faleminderit

Aurel Plasari: Mbi ''moralin politik'' të Gjergj Kastriotit

E hene, 08.12.2008, 08:01 PM


Mbi ''moralin politik'' të Gjergj Kastriotit

Nga Dr. Aurel Plasari

Që historia mund të na shërbejë për të mësuar ne prej saj dhe jo që t’i japim ne asaj mësime – ky parim i historiografisë u ngulitet fort studentëve të degëve të Historisë nga libra themelorë të disiplinës së filozofisë së historisë: atyre të shkollës frënge nga “Apologji për historinë ose Mjeshtëria e historianit” të Marc Bloch-ut (1886-1944), atyre të shkollës anglo-saksone nga “Ç’është historia?” e Edward H. Carrit (1892-1982) etj. Kurrfarë befasimi që, ndoshta edhe më parë se autorë të tillë zëmëdhenj, këtë parim ta formulonte qysh në vitet ’30 Zef Valentini, kur në një studim për domosdonë e nxjerrjes nga legjenda në histori të jetës dhe bëmave të Gjergj Kastriotit vinte si parakusht: “Në daçim me e marrë historín për mësuese të jetës e jo m’u bâ na mësuesa të historís...” (“Si do studjue historija e Kastriotit” në “L.E.K.A.”, 1937/ 8-12). Nxjerrja nga legjenda në histori e të jetës dhe bëmave të Gjergj Kastriotit paraqet interes jo aq nga pikëpamja jetëshkrimore e tij si person dhe personazh, sesa për të kthjelluar situatën që ka të bëjë me motivimet, në kuptimin e drejtpërdrejtë politik, të qëndresës dhe luftërave të tij. Posaçërisht për të skajuar një skepticizëm tradicional, që e zë fillin së paku nga Gibboni e këndej, dhe që do të diskutohej sot ende simbas skemës së Machiavellit: si marrëdhënie mes politikës dhe moralit. Edward Gibboni (1737-1794) ishte historiani më i madh anglez i shek. XVIII dhe, pa fjalë, njëri ndër historianët më në zë europianë të “shekullit të dritave”. Te një përfaqësues si ai i racionalizmit iluminist dhe, njëherësh, i skepticizmit po aq iluminist, skepticizmi spikat si tipar edhe i veprës madhore “Historia e teposhtjes dhe e rënies së Perandorisë romane” (6 vëll.). Nuk është fjala vetëm për idetë e tij mbi historinë, – “Historia nuk është veçse pak më shumë se regjistri i krimeve, çmendurive dhe fatkeqësive të njerëzimit” etj., – por për faktin që pesha më e rëndë e skepticizmit të tij, si dhe e një pjese të iluministëve të tjerë të asaj epoke, do të binte mbi Kishën dhe klerin e saj, si dhe mbi dogmën e saj “irracionale”. Kisha – në veçanti ajo katolike – u  kujtonte atyre të ashtuquajturit “shekuj të errët” të Mesjetës. Gibboni ngulmonte në kritikën e tij ndaj Kishës për rolin që kishte luajtur në minimin e themeleve të qytetërimit pagan duke u ngritur ajo vetë mbi to. Rrekja për t’i ikur traditës së krishterë të qytetërimit europian e shtynë atë në simpati (të kuptueshme) për fetë jashteuropiane, përfshirë edhe islamin. Për një historian me ide të tilla të parakonceptuara një figurë si ajo e Gjergj Kastriotit, aleat i thuajse gjithë Fuqive të krishtera të Europës së kohës së tij dhe luftëtar për sipërmarrjet antiturke të të cilit u interesuan shtjellimisht gjithë papët e kohës së tij (Eugjeni IV, Nikolla V, Kaliksti III, Piu II, Pali II), do të ishte pré e lakmueshme. Duke zbrazur skepticizmin e tij të njohur edhe ndaj një figure si ajo e Gjergj Kastriotit ai nuk e pati për gjë ta akuzojë atë për “tradhti”, “pabesi”, “skuthëri” etj., si edhe t’ia njollosë bashkëluftëtarët si “aventurierë”. Ka pasë vërejtur Gibboni: “Në sytë e të krishterëve rebelimi i Skënderbeut përligjet me dëmet shkaktuar t’et, me vdekjen e dyshimtë të tre vëllezërve të tij, me poshtërimin [degradation] e tij vetë dhe skllavërimin e vendit të tij; dhe admirojnë zellin e lartë, ndonëse të vonët, me të cilin Skënderbeu mbrojti besimin dhe pavarësinë e të parëve të tij. Por prej moshës nëntëvjeçare ai kishte thithur doktrinën e Kuranit; Ungjillin nuk e njihte aspak; fenë e një ushtari e përcaktojnë autoriteti dhe zakoni; është mjaft e vështirë të ftillosh se ç’dritë e re erdh’ e e ndriçoi në të dyzetat shpirtin e tij” (The Decline and the Fall, VI, kr. LXVII). Nxjerrja nga legjenda në histori e rrethanave që kanë të bëjnë me mënyrën dhe kushtet e dërgimit të Gjergjit në Oborrin e sulltanit në një moshë rreth të 20-ave dhe jo nëntëvjeçar, si iç-ogllan dhe jo si jeniçer, – ai nuk pati qenë asnjëherë jeniçer, sepse rezulton bir i dhënë peng i një zoti që kishte pranuar të vihej vasal nën sulltanin simbas sistemit të gulamit, i cili parakuptonte rritjen e djemve të tillë, nga radhët e bujarëve të krishterë, si “çuna nderi” (iç-ogllanë) në oborrin e sulltanit, ku ata aty arseheshin, merrnin formimin karakteristik ushtarako-fetar osman, ushtroheshin për luftëra dhe, më në fund, ngarkoheshin me detyra të rëndësishme në administratën feudale-ushtarake osmane, shpesh në vendet e tyre (e ka argumentuar tanimë bindshëm historiani Hali Inalcik (Fatih Devri, 158 dhe vij.), – me specifikat e shërbimit të tij të herëmbashershëm në fushatat e sulltanit, me emërimin e tij qysh më 1426 si tirmarli në një nga timaret e Arbërisë, me dërgimin e tij prej Muratit II në ish-zotërimet atërore si “subash i Akçahisarit” (Krujës) së paku prej 1438-s më 1440 etj., e heqin m’anësh këtë farë skepticizmi dhe shtyjnë t’i besohet, fjala vjen, një jetëshkruesi dhe njëherësh bashkëluftëtar i tiji i afërt në detyrën e thesarmbajtësit (tezorier), siç është Demetrio Franco : “Skënderbeu kishte mbajtur gjithmonë dhe mbante ende pranë vetes një numër të madh luftëtarësh të krishterë të t’et, të cilët oreçast e stërvisnin fshehurazi në fenë e krishterë të marrë nëpërmjet pagëzimit të shenjtë” (Gli Illustri et Gloriosi Gesti, 3 verso). Ndërkaq skepticizmi i Gibbonit të kujton pikërisht të kundërtën e situatës së kushtit të vënë nga Valentini: kur dikush do që të bëhet mësues i historisë, në vend që ta marrë historinë si “mësuese të jetës”. Ka vijuar tezën e tij Gibbon skeptiku: “Nëse Skënderbeu qe kthyer në fenë e krishterë dhe kishte bërë mend një rebelim prej kohësh, çdo shpirt i drejtë do ta dënojë këtë dredhi të ulët që mund të shërbejë vetëm për të tradhtuar, që mund të premtojë vetëm për të shkelur benë, dhe që mund të ndihmojë vetëm për rrënimin tokësor e shpirtëror të aq mijërave vëllezërve të tij fatkëqinj. Do ta lavdërojmë letërkëmbimin e tij të fshehtë me Hunyadin, ndërsa komandonte pararojën e ushtrisë osmane?” (po aty, IV, kr. LXVII). Gibboni me këtë qëndrim të kujton anshmërinë e skajshme të kronikanit të vjetër osman Mustafa b. Ahmed b. Abd al-Mavla Çelebi (Ali): “Një njeri i pavlerë nga fisi arbër i quajtur me emrin Iskender, i cili mbasi u rrit dhe u edukua në oborrin intim të nderuar [të sulltanit], doli jashtë si një gulman që mori rrugë të shtrembët. Meqenëse ky djalë që ushqeu tradhtinë dhe intrigën ishte i biri i njërit prej banditëve të famshëm të asaj popullsie të keqe, ndëshkimi me të vërtetë serioz nga ana e pallatit shtetëror nuk e përmirësoi gjendjen e tij. Ai nuk e ngriti dot famën midis shokëve me rrugën përçarëse. Duke u kthyer në fenë e vjetër, i hyri rrugës së dezertimit...” (Künh-ûl-ahbâr, 124 b., Lufta shqiptaro-turke, 284). Siç shihet, skepticizmi i historianit të “shekullit të dritave” ndaj të sjellit politik të Gjergj Kastriotit ka të bëjë jo vetëm me botëvështrimin e vet ideologjik, me kuptimin e vet për “mirëbërësit” dhe “tradhtarët” etj., por edhe me njohjen e vet të përciptë të historisë së Skënderbeut. Përveç Historisë së Barletit, për Gjergj Kastriotin ai nuk pati për duarsh tjetër burim informimi, as edhe atë të Francos. “Do të kisha dashur të gjeja disa Kujtime të thjeshta dhe autentike, të shkruara prej një miku të Skënderbeut, që të më përshkruanin vendin, njeriun dhe kohët, - shënonte ai. -  Në Historinë e vjetër kombëtare të Marin Barletit, prift nga Shkodra, në veshjet e tij [të Skënderbeut] kaba dhe të larushitura janë ngjitur shumë xhevahirë të rremë” (po aty). Që të mos lindin keqkuptime: skepticizmi i Gibbonit, si edhe i ndjekësve të tij, nuk bën të quhet përfaqësimtar i racionalizmit iluminist. Do të mjaftonte të kujtohet që maja e iluminizmit evropian, Voltaire (1694-1778), – edhe ky kritik i rreptë i dogmës së Kishës katolike, – la të thënë për Gjergj Kastriotin: “Sikur perandorët bizantinë [grecs] të kishin qenë Skënderbegë [des Scanderbegs], perandoria e Lindjes do të ishte ruajtur” (Essais, IV, XC, 247). Pra: edhe një arsye më shumë që tezat e Gibbonit të shqyrtohen në ballafaqim me dëshmi alternative, jo vetëm ngase ato kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me metodat dhe mjetet e implikuara në veprimin politik të Skënderbeut për realizimin e interesave të tij individualë dhe të një kolektiviteti të caktuar që e rrethonte, pra si burrë i politikës, por edhe sepse shenja të një ringjalljeje anakronike të kësaj teze ndeshen ende sot – së paku nga viti 1995 – në ndonjë organ shtypi shqiptar. II. Diskutimi i këtyre rrethanave, – për aq sa kanë të bëjnë me motivimet, në kuptimin e drejtpërdrejtë politik, të qëndresës dhe luftërave të tij, – hapin faqe më vete në historinë politike të Gjergj Kastriotit. Qysh gjatë Rilindjes europiane dhe shumë para Gibbonit për ata që u quajtën filozofë të historisë e që u morën veçan me shqyrtimin e marrëdhënieve mes politikës dhe moralit “rasti Skënderbe” do të kishte përbërë një objekt të lakmuar. Si do të kishte trajtuar atë, vallë, vetë Machiavelli? Me siguri kjo pyetje ka qenë ngritur në mendjen e Nolit. Përveç një përmase që lidhej me “unin shkrues” të tij – Noli shqetësohej më shumë për pamundësinë e ndikimit vetjak në politikë për të vënë në jetë “ato që dinte”, më shumë se për të rindërtuar çdofarë panorame politiko-qytetërimore të Firences së shekujve XV-XVI, – interesi rreth marrëdhënieve mes politike dhe morali në “rastin Skënderbe” do të ketë qenë arsyeja se përse Noli u vu të hartonte një nga esetë e tij më pak të njohura: atë për Machiavellin (“Princi i Machiavellit prej F. S. Nolit”, Boston 21 janar 1939, Universiteti i Bostonit, Fakulteti i Graduatëve, Histori e Europës 1500-1815). Edhe pse në të “rasti Skënderbe” nuk përmendet shtjellimisht, interesi mund të quhet i nënkuptuar nëse mbahet parasysh që Skënderbeu përbënte për Nolin historian subjektin e subjekteve. Në të vërtetë, duket që ai ta kishte kuptuar drejt veprën mjaft të keqinterpretuar të Machiavellit kur ka nënvizuar: “Ideja e çlirimit të Italisë është kryemotivi i Machiavellit. Gjithçka tjetër rrjedh prej saj ose është e lidhur ngushtë me të”. Si edhe kur e ka quajtur traktatin në fjalë “ungjill të veprimit patriotik”. Princi, për Machiavellin, nuk është shenjtor nga ata të Mesjetës, as ushtarak nga ata të Antikitetit. Është, përkundrazi, burrë i fuqishëm dhe karizmatik. Në “dorën e fortë” të tij – sot do ta quanim decizionizëm – historia mund të gjejë, më në fund, formulën alkimike për ta shndërruar mungesën e rendit individual në rend të mbarë kolektivitetit. Brenda teorisë politike të sekretarit fiorentin – i cili për herë të parë e vështroi politikën të ndarë nga etika dhe morali teologjik ose absolut pa ngurruar të dëftonte që një princ duhet të ishte i zoti t’i përdorte “ndershmërinë”, “mirënjohjen” dhe “mëshirën”, ashtu si dhe t’i linte mënjanë ato kur interesi i atdheut t’ia lypte – Noli duket të ketë kërkuar të gjente edhe interpretimin e drejtë të të sjellit politik të kryeheroit të tij. Mirëpo ka mjaft të ngjarë që fama e përgojuar e Machiavellit ta ketë detyruar t’i skajohej një interpretimi nën emrin e tij. Rasti nuk e deshi që ai të njihte veprën e një tjetër filozofi të historisë, “kundërshtar të Machiavellit”, i cili u mor qysh herët pikërisht me interpretimin e të sjellit politik të Skënderbeut për ta përligjur atë me argumente parimore. Është fjala për Georges de Scudéry-un dhe veprën e tij Fjalime politike të mbretërve (Paris 1682). E ka pasë pikasur, ndër të parët, Ymer Jaka (Skënderbeu në historiografinë frënge, 195-200). Ndonëse pa i pranuar rekomandimet e “fiorentinit të rrezikshëm”, – kështu e quan autori Machiavellin, – madje duke u “tmerruar” syresh si e shumta e klerit të asaj epoke, Scudéry-u i ka bërë qysh në kohën e tij, që ishte shek. XVII, apologjinë qëndrimit të Skënderbeut për ç’i përket “mbajtjes së besës”, të cilën në raste e tjera autori e ka quajtur “të shenjtë”: “Por shikoj një Luftëtar të madh me shpatën lart, që më thotë me sy kërcënues se teza ime është tepër e përgjithshme, se nuk ka asnjë rregull pa përjashtim, dhe se mund t’u dalim fjale atyre që na kanë dalë fjale të parët. Skënderbeu i madh pati aq famë në botë, sa që e meriton ta mbajmë vesh para se sa ta dënojmë”. Në ligjëratën (e trilluar) Skënderbeu komandantëve të vet (Discours politiques, 438 dhe vij.), në situatën kur sulltani ka dërguar pranë tij një çaush për ta qortuar për “pabesinë” dhe “tradhtinë”, Scudéry-u vë në gojën e heroit vargun e argumenteve që, në thelb, ofrojnë interpretimin e drejtë të të sjellit të tij: “Ju përgjërohem të vështroni mirë nëse ata që thonë se mund t’u dalim fjale atyre që na kanë dalë fjale të parët, kanë të drejtë apo jo. E di që besa publike duhet mbajtur si gjë e shenjtë, por di edhe se ata që e shkelin atë të parët bëhen në padenjë që të tjerët t’ua mbajnë. Pikërisht këtu zë fill, kryesisht, përligjja ime” (po aty, 441). Mandej: “Është e lejueshme ta zmbrapsësh forcën [e kundërshtarit] me forcë dhe, në disa raste, nuk është as e nevojshme të përdorësh të njëjtat armë që përdor ai. Gjithë sa mund ta shpartallojë atë është e drejtë; gjithë sa mund ta dëmtojë atë është e lejueshme; asgjë nga sa mund ta shkatërrojë atë nuk është e ndaluar” (po aty, 441-442). Më tej: “Kushdo që është agresor të lejon të bësh gjithçka kundër tij si armik; çfarë më parë do të kishte qenë krim, bëhet pafajësi; dhe çfarë do të kishte qenë tradhti, nuk është më veçse rrjedhoja e një sjelljeje të mençur; ndërsa çfarë mund të quhej mizori, shndërrohet në një mbrojtje të drejtë” (po aty, 442). Si numëron padrejtësitë e Muratit II kundër familjes së tij, por edhe atdheut të tij në përgjithësi, Skënderbeu i Scudéry-ut sqaron: “Nëse ai më kurseu në këtë ndeshje, nuk e bëri këtë as prej ndonjë ndjenje njerëzie, as prej ndonjë ndjenje drejtësie, por vetëm sepse, duke i qenë mjaft i dobishëm në luftërat ku më kishte përdorur, llogariste se, po të më humbte, do të humbte edhe ai vetë shumë” (po aty, 445). Dhe më në fund: “Të mos thotë më, pra, se e mashtrova e se i dola fjale, sepse, në doli fjale ai, nuk ia kam fajin unë. Pikësëpari, unë nuk jam fshehur dhe kam bërë haptazi kundër tij gjithë sa mund të bëja. Sepse duke llogaritur që ishte e drejtë (sikurse ishte padyshim) të ëndërroja për të futur përsëri në dorë atë çfarë ai më kishte pushtuar, nëpërmjet ç’rruge tjetër do mund ta bëja, përveçse rrugës që ndoqa? Po t’i kisha dëshmuar Muratit ndonjë pakënaqësi për veprimet e tij të padrejta, do të isha burgosur në çast dhe do të kisha përfunduar i helmuar ose i mbytur qysh atë ditë. Po të kisha ëndërruar t’u shkruaja banorëve të Krujës për t’u kërkuar ndihmë, këto veprime e përpjekje mund të zbuloheshin dhe, edhe sikur të mos zbuloheshin, ç’do të kishin mundur të bënin pa mua banorët, ata që ishin thuajse skllevër të garnizonit të vendosur në qytet? T’ia besoja veten kokë e këmbë dashurisë që ushtarët muhamedanë kishin për mua, kurrfarë dobie nuk do të kishte. Të ëndërroja të ikja fshehurazi nga Porta e Zotërisë së madh për të vajtur e për t’u kërkuar ndihmë Princërve të krishterë, nuk ishte gjë që mund ta bëja dot lehtë. Por, edhe sikur ta kisha bërë, nuk qe fort e sigurt se ata Princër do të donin të nisnin një luftë të kësaj rëndësie për hirin tim dhe të vinin në rrezik shtetet e tyre për të fituar unë shtetin tim. Por edhe sikur ata të vendosnin ta bënin, puna do të ishte edhe më e dyshimtë duke pasur parasysh fuqinë e hatashme të një armiku aq të rrezikshëm. Desha, pra, në këtë rast ta farkëtoja vetë fatin tim dhe, nëse Murati u befasua prej kësaj, për këtë meritoj lavd e jo qortim, ngase s’bëra veçse atë që mund të bëja me drejtësi dhe që ai nuk as duhej ta kishte vënë në dyshim se do ta bëja sapo që të mund të gjeja mjetet. Të gjitha veprimet e jetës sime të kaluar do të duhej ta kishin siguruar për këtë; të gjitha shërbimet që i kisha bërë do të duhej ta kishin bindur se nuk do t’i duroja padrejtësitë pa u hakmarrë për to; dhe, sikurse qe sjellë ndaj meje në mënyrë haptazi mashtruese, do të duhej të përgatitej se do ta mashtroja gjithashtu sapo që për këtë ta gjeja rastin. Por me këtë dallim se, duke më mashtruar, ai kishte dhunuar të gjitha llojet e të drejtave, ndërsa unë duke e mashtruar kryeja gjithë sa kisha detyrë: hakmarrjen për vdekjen e vëllezërve të mi, çlirimin e atdheut tim, lavdinë time dhe atë të Zotit” (po aty, 454-457).  Një kësi interpretimi i të sjellit politik të heroit, tanimë në frymën e Rilindjes europiane, përkon me dëshmitë e kohës. Mjaft më realist se Gibboni, për shembull, sa i përket “miqësisë” së siguruar me turqit osmanë nëpërmjet dhënies së bijve peng në Oborrin e sulltanit dhe “besës” së tyre ndaj pengjesh të tilla duket një bashkëkohës i ngjarjeve (1444) prej Raguze, i cili shkruante se “miqësia” e blerë kësisoj prej turqve nuk ishte aspak jetëgjatë: “sikurse është dëshmuar prej shembujsh të tjerë dhe sidomos prej zotërve të Sklavonisë, të Bullgarisë, të Romanisë [territoret europiane të Bizantit, - A. P.] dhe të Arbërisë, në rastin e despotit dhe bijve të tij, dhe prej shumë të tjerësh, prej të cilëve del qartë se si u patën skllavëruar dhe vijojnë të skllavërohen ende sot e gjithë ditën për shkak të mosbashkimit dhe mosmarrëveshjes së tyre” (Jorga: Notes et extraits, I, 368). Pakashumë po kështu e ka përshkruar “miqësinë” dhe “besën” me turqit edhe kronografi bizantin Mikail Dukas: “Dhe nëse sot ata [turqit osmanë, - A. P.] bëjnë paqe me serbët, të nesërmen rrënonin e shkretonin vendet e Atikës e të Lakedemonies, të Akajës e të Heladës, të mbasnesërmen, kur bien në ujdi me vendin e bizantinëve, janë vendet e serbëve, të bullgarëve dhe, mandej, të arbërve që kridhen në gjëmë e në vaj” (Historia Byzantina, 176). Ish-jeniçeri Kostandin i Ostrovicës, nga ana e tij, na ka dëshmuar një rast konkret të metodave dhe mjeteve të përdoruara prej politikës osmane për ç’u takon “besës” ose marrëveshjeve të tyre kontraktuale me kundërshtarët. Një ditë jeniçeri Kostandin kishte vajtur në depon ku ruheshin thesaret e Oborrit të sulltanit, tek shërbente i vëllai i tij, kur aty ia mbërrinin papritmas dy këshilltarët e sulltanit, Mahmut-pasha dhe Is’hak-pasha. I hequr m’anësh për të mos rënë në sy, jeniçeri dëshmitar mban vesh bisedën e dy dinjitarëve të lartë ulur këmbëkryq në sixhade, ndërsa kuvendojnë për Bosnjën dhe këshilltarët që sapo ka dërguar Mbreti i saj në Oborr për të propozuar paqen. “Çfarë duhet të bëjmë? Ç’përgjigje do t’i japim mbretit të Bosnjës?” pyet Is’hak-pasha. “Asnjë përgjigje, veçse do të bëjmë paqe me ta për 15 vjet dhe, fill mbas kësaj, pa vonesë, do të marshojmë mbrapa tyre, - ia kthen Mahmut-pasha. - Përndryshe kurrë nuk do ta pushtojmë dot tokën e Bosnjës, sepse është tokë malore dhe, veç kësaj, do t’i vijnë në ndihmë mbreti i hungarëve, kroatët dhe zotër të tjerë, dhe do të forcohet aq shumë sa ne mandej nuk do të bëjmë dot asgjë. Ndaj dhe të bëjmë paqen me ta, në mënyrë që të dërguarit të nisen të shtunën, ndërsa ne mbrapa tyre të mërkurën, deri në Sitnicë, jo larg Bosnjës. Së andejmi askush nuk do ta dijë se nga ka në mend t’ia mbajë perandori”. Pikërisht kështu u veprua, siç thotë dëshmitari i bisedës, dhe kështu u pushtua Bosnja më 1463-shin, sikurse tregon në Kujtimet vetë Kostandini pjesëmarrës në atë pushtim (Cronaca turca ovvero Memorie, 114-115). A mund të mendohet që këto metoda dhe mjete të pushtuesit turk, që i nxuri padashur edhe jeniçeri i thjeshtë Kostandin prej Ostrovice, të mos i njihte Skënderbeu, i formuar e i rysur në Oborrin e sulltanit si dinjitar i lartë ushtarak? Në kuptimin e drejtpërdrejtë politik, të qëndresës dhe luftërave të Skënderbeut, skepticizmi që tanimë mund të quhet gibbonian rezulton sa jashtë kontekstit historik, – kohë dhe vend,  – në të cilin ngjarjet kanë ndodhur, aq dhe jashtë mendësisë së të njëjtës kohë e të njëjtit vend. Kjo e pati shqetësuar Valentinin, kur porosiste që “s’duhet me marrë ndore aspak përpjekjet e disa projektuesave të mendësís moderne mbi botën e shkueme”. Në politikën e tij Gjergj Kastrioti nuk mund të nisej veçse nga realiteti që kishte përpara: aty ishte “sheshi” dhe atij aty i duhej “të hidhej”. Arbëria mbahej me gjak – e kemi të dëshmuar këtë – dhe jo me stërhollime politologjike. Nuk mund të ishte përbluarje mendore abstrakte politika e një burri shteti në rrethanat e ekspandimit të një fuqie ushtarake në ngritje e sipër si ajo e turqve osmanë dhe të mobilizimit për qëndresë antiturke të zotërve të territoreve drejtpërsëdrejti të rrezikuara ekzistencialisht – njëri prej të cilëve ai ishte – si mision jetik për popujt e kësaj pjese të Europës – dhe pikësëpari për popullin e tij. III. “Ungjill të veprimit patriotik” e quante Noli “Princin” e Machiavellit, mbasi kishte nënvizuar: “Ideja e çlirimit të Italisë është kryemotivi i Machiavellit”. Ç’donte të thoshte me këtë kryehistoriani i Skënderbeut? Asgjë më shumë veçse të pohonte që kriteri i kritereve për vlerësimin e të sjellit politik të një burri shteti mbetet qëndrimi ndaj atdheut, me tjetër fjalë: atdhetaria. Pa e njohur punimin e Nolit për Machiavellin, pothuajse në të njëjtën kohë në “Gjergj Kastrioti pasqyra e atdhetarit shqiptar” Valentini kishte ngulmuar në vendosjen e idealit atdhetar si kriter për gjykimin dhe vlerësimin e heroit. Klerik njëri, klerik tjetri: ejani e thoni se nuk tërheq vëmendjen fakti që asnjëri syresh nuk sugjeroi si kriter të tillë fenë ose idealin fetar. Por, të bëjmë kujdes: Valentini na kujton t’u ikim përpjekjeve të “disa projektuesave të mendësís moderne mbi botën e shkueme, asish që e stilizojnë idén kombtare në një mjegull hegeliane”. Ndjesia atdhetare, simbas tij, është po aq e vjetër sa shoqëria politike, e cila është në natyrë të njeriut dhe do të  mbetet e tillë përderisa njeriu të mos ndërrojë natyrë. Ndërsa mendësia atdhetare nuk pati qenë gjithmonë një, por ka ndryshuar simbas kohësh dhe rrethanash: perandoria, mbretëria, shteti nuk janë kështu veçse zgjerim i kuptimit themelor të fisit ose të qytetit. Vetëm me humanizmin, për mendimin e tij, zunë e u ndryshuan konceptet e u përftuan “atdhenat” modernë. “Kush don me e njoftë Gjergj Kastriotin atdhetar, duhet me dijtë e me e vendosë pikënisht n’ate fazë të mendësís atdhetare që kjo e tija”, porosiste. “Skanderbegu i ri, me ato pak njoftime fillestare e thjesht praktike të gjuhëvet të vjetërsís që kishte mujtë me xanë n’Edrene, s’mujte me kenë nji humanist enthusiast si pedantat e shekullit, - përfundonte ai. – Për këte luftar, që po kthehej prej nji Turkije vijanoz të dalldisun n’atmosferë të luftës shejte, në gji t’Europës ku ushtote zani i Eugjenit IV, i Kaliksit III, i Piut II, ideali atdhetar s’mund t’ishte tjetër konkretisht veçse ai i moçmi e i amshueshmi: pro aris et focis. Të tillë e jo kund ndryshej na e diftojnë letrat që dërgoi në Romë e përhapi nepër Europë, aktet e Papvet, zani i përbashkët e i padyshimët i jetëshkruesavet, besimi që i pshteti Europa”.        Vlerësime të tilla realiste doemos që u qëndrojnë larg elementeve idealizuese të trashëguara në historinë e jetës dhe bëmave të Gjergj Kastriotit. Ngjashëm dhe po aq guximshëm u qëndronte larg elementeve detraktuese për “Princin” e Machiavellit edhe vlerësimi i Nolit për të si “ungjill i veprimit patriotik”. Në parantezë: vërtet, çfarë lexonte shtetari ynë? Ja një pyetje së cilës nuk mund t’i iket, që ta imponon jo vetëm përcaktimi realist i një Valentini, por vetë kureshtja historike. Duke u nisur prej Barletit, jetëshkruesit e tij kanë renditur një varg gjuhësh që ai paskësh njohur: arabishten, turqishten, greqishten, italishten, deri edhe “ilirishten” (Historia, I, III verso). Më fort se realitet faktik, numri i gjuhëve ngjan si një desideratum i atit të tij Marin Barleti. Paganeli në Historinë e vet shënon të dhënën e trashëguar nga Historia universale e Cantùsë për të ashtuquajturin Libër të Skënderbeut, që ndodhej në Bibliotekën e Dukës së Madh të Vajmarit: një dorëshkrim në pergamenë i shkruar në ngjyrë Kine, ku paraqiten armë, pajisje, makineri lufte dhe shpikje të tjera ushtarake të shekujve XV-XVI, me gjasë dhuruar Gjergj Kastriotit nga mbreti i Napolit Ferrante (Histoire, 392 etj.). Edhe një vepërz tjetër, e vogël por e vyer, rezulton të ketë qenë pjesë e “bibliotekës” së heroit: një “Ufice e Shënmërisë”, kodik i dekoruar e i bukurshkruar, me ç’duket dhuratë prej ndonjë miku të shquar perëndimor. Është fjala për një njoftim të nxjerrë nga një katalog ankandi i një antikuari të Librarisë Antikuare Hoepli të Milanos, më 1925: kodiku në fjalë u shit në atë ankand, mandej u rishit në Londër (Malaj: Necessità d'un coordinamento, facsimile 18: Ufficio della B.M.V. di G. Castriota Scanderbeg, codice ms. del XV sec. conservatosi a Londra). Kastrioti Anonim i 1779-s, në jetëshkrimin e tij bizar, na ka siguruar për të: “Ndonëse gjithmonë i zënë me luftën, ai e donte leximin”. Madje edhe ka saktësuar: “I rysur në historinë greke dhe latine, ai i kishte zët romanet. Komentarët e Jul Cezarit ishin libri i tij i dashur…”. (Afërmendsh që një aventurieri si ai historia nuk mund t’i zërë besë: po ai ka saktësuar edhe “ngjyrën e gjelbër” me të cilën vishej heroi Skënderbe, “beretën e kuqe me pendë” që mbante mbi krye, “çizmet e verdha” që mbathte etj. Le Grand Castriotto, 101-102). Lamartini, romantik i pakorrigjueshëm edhe në historiografi, si ka numëruar gjuhët që Skënderbeu fliste, - arbërishten, greqishten, turqishten, arabishten, italishten, - ka shtuar edhe se “ai hartonte vargje dhe këndonte duke e shoqëruar veten me lirën e epirotëve në të gjitha këto gjuhë” (Histoire de la Turquie, III, 131).     Duke i tejkapërcyer përshkrime të tilla bizare, historiani i Gjergj Kastriotit politik nuk mund të mos ndalet para përcaktimeve të Valentinit për idealin atdhetar të heroit: “Porse, ka do elementa t’amshueshëm, që e përbajnë atdhetarín sot si e përbanë motit e do ta përbajnë deri në t’ardhmen ma të largtë: dashtnia për vendin e për popullin, zotsia në të naltsuem të ndjesivet mâ shejte të tija, drejtsia, besimi n’ate dorë të Zotit që i krijon kombet e s’i len me hupë, trimnia; mbi të gjitha shpirti i flijimit. Këto e bajnë – dje, sot e përgjithmonë – Gjergj Kastriotin idealin e atdhetarit shqiptar, e kohën e tij epopenë mâ të shkelxyeshme që ka pasë ky komb”.  Duken “të vjetruara” vlerësimet e Valentinit? Përpos një amze “vjetrimi” që na vjen prej gjuhës së tij, në të vërtetë thuajse gjithçka në tezën e tij rezulton moderne. Dhe ja sepse: sepse, me ndryshimet përkatëse të shprehjes e të stilit, vendosjen e idealit atdhetar si kriter për gjykimin dhe vlerësimin e Skënderbeut lexuesi modern e ka gjetur dhe mund ta gjejë së rishti jo vetëm në monografitë “Arbëria dhe pushtimi turk në shek. XV” të Athanas Gegajt (Louvain 1937) dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu 1405-1468” të Fan S. Nolit (New York 1947), por edhe në studimet skënderbegiane të Aleks Budës, deri tek ato më të fundit: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jeta dhe vepra 1405-1468” të Kristo Frashërit (Tiranë 2002), “Skënderbeu” (Tiranë 2005) dhe “Për Skënderbeun” (Tiranë 2005) të Kasem Biçokut etj. Fundja, të bëjmë një pyetje përfundimtare: me gjithë ndryshimet e kohëve e të rrethanave, a nuk ka mbetur nde sot e gjithë ditën ideali atdhetar kriteri i kritereve për gjykimin dhe vlerësimin e burrave të politikës? IV. Le ta heqim m’anësh Valentinin, në daçi edhe Nolin dhe Gegajn, Budën me Frashërin e me Biçokun etj. Kenneth M. Settoni, njëri ndër studiuesit më autoritarë të Europës mesjetare dhe të Kryqëzatave (kryeredaktor i veprës 5-vëllimshe “Histori e Kryqëzatave”, University of Wisconsin Press 1955-1990 etj.), i ka kushtuar disa faqe Gjergj Kastriotit politik në vëll. II të veprës madhore “Papati dhe Levanti 1204-1571" (American Philosophical Society 1976-1984). Duke e spikatur pikërisht në një kontekst realist politikën e tij, Settoni i mbyll faqet për të me një përfundim që ia vlen të citohet i plotë: “Skënderbeu ishte jo vetëm një nga ushtarakët më të shquar të shek. XV. Ai ishte gjithashtu një realist politik. Historiani që studion burimet dokumentare lidhur me karrierën e tij gjen dëshmi të pareshtura të qartësisë së vizionit të Skënderbeut. Ashtu si papët, ai kishte një kuptim të thjeshtë mbi marrëdhëniet me turqit: të luftoje gjithmonë me ta, duke bërë paqe (kur ishte e mundur) vetëm për të fituar kohë për përgatitje të mëtejshme për luftë. Sado të rrekeshin venedikasit, gjenovezët dhe grekët moreotë të peshonin protë dhe kundrat për bashkëjetesë paqësore me turqit, Skënderbeu ishte i mendimit se çmimi përfundimtar i një paqeje të tillë do të ishte robëria degraduese. Sado ndjesi nderi të kishin pasur sulltanët e mëparshëm, Mehmeti II as donte t’ia dinte për skrupuj moralë. Egoist i pamëshirshëm, ëndërrimtar arrogant, ai nuk i jepte asnjë rëndësi jetës njerëzore dhe nuk kishte kurrfarë respekti për dinjitetin e të tjerëve. Sundues i një shteti robërish, ideja e tij për pushtimin e botës ishte thjesht robërimi i njerëzimit. Prej kohësh armiq të ambicies perandorake, kudo që ajo të shfaqej në Bizant apo në Gjermani, papëve Turku i Madh [sulltani, - A. P.] nuk mund t’u dukej veçse dyfish i neveritshëm: si pushtues dhe si i pafe. Nuk është për t’u habitur që ata iu kthyen Skënderbeut si kampion i tyre. Ambicia e tij politike kufizohej në Arbëri, ku ai po përpiqej të ndërtonte një shtet të centralizuar, duke i nxjerrë prijësit grindavecë prej bastioneve të tyre malore. Por edhe ata kishin afeksionin e tyre prej malësori për pavarësinë dhe shpesh thirrën Turkun e Madh për t’i ndihmuar kundër tiranisë së Skënderbeut. Kishte, megjithëkëtë, një ndryshim mes këtyre dy kuptimeve arbërore për lirinë. Prijësit shikonin mbrapa me nostalgji nga një e kaluar kaotike, ndërsa Skënderbeu shikonte përpara drejt krijimit të një shteti të krishterë të centralizuar. Sundimi turk do të vinte paskëtaj për t’u dhënë arbërve më të keqen e të dyja botëve, së paku simbas opinionit të Skënderbeut: duke imponuar qeverisjen arbitrare të prijësve të frikur dhe duke e shkëputur Arbërinë nga respublica Christiana, commonwealth-i i Europës” (The Papacy and the Levant, II, 195).   Nëse pranohet që çdo politikë është një përzierje idealizmi dhe realizmi, Skënderbeu atëherë shfaqet qartë në pikëprerjen e këtyre të dyjave. Ndërsa prej veprimtarisë së tij politike del i besueshëm profili i tij prej realisti politik, siç e nxjerr në pah Settoni, jo më pak i besueshëm shfaqet profili i tij prej idealisti politik. I mahnitur prej moralitetit të këtij burri lidhur me rrethanat e ndërhyrjes së tij në “luftën dinastike” në Itali, të tillë ia përvijoi atij këtë profil, fjala vjen, një Francisc Pall, – kritiku më i rrepte i Barletit ky, – i  cili gjithashtu ia vlen të citohet: “Nuk duhet harruar, më në fund, mbresa mjaft e mirë morale që la kjo ndërhyrje e heroit arbër në të mirë të së njëjtës çështje që ai e quante të drejtë, d.m.th. në një luftë qëndrese kundër ndërhyrjes së huaj, asaj frënge, të mbështetur brenda vendit nga rebelimi feudal. Në këtë luftë Skënderbeu u lëshua në mënyrë të vetvetishme, i shtyrë nga një ndjesi mirënjohjeje për ndihmat – ndonëse mjaft modeste – të marra në luftën antiturke nga ana e aragonezëve të Mbretërisë së Napolit. Dhe edhe njerëz me mendje aq të përllogaritur, aq dinakë dhe aq të paskrupuj, në atë mjedis të shekullit XV ashpërsisht egoist dhe me pabesi të përgjithshme, sikurse ishin Francesco Sforza dhe Ferranteja i Aragonës, u dëftuan – ndoshta pikërisht për këtë arsye! – posaçërisht të ndjeshëm kundrejt një shpirtmadhësie të tillë dhe një besnikërie aq të çiltër” (I rapporti, 150). Ai mjedis i shekullit XV, ndërkohë e imoralitetit më të thellë politik, i pati dhënë shkas aspiratës për “princin” ideal të Niccolò Machiavellit (1469-1527), bashkëkohës i Barletit ky. Në vizionin e sekretarit të përhimë të Firences së asaj kohe – e quajtur edhe “shteti i parë modern i botës” – princi ideal duhej të ishte prijës dorëfortë, ushtarak dhe shtetar i aftë, i mbushur me dashuri për atdheun, luftëtar për lirinë e tij dhe bashkimin e tij, “burrë” i njëmendët në mendime e veprime: kështu e parakuptonte në të vërtetë termi i tij i parapëlqyer “virtù” prej italishtes së moçme vir = burrë. Të vihet re: koha e Machiavellit, dhe njëherësh e Barletit, ishte koha e “portreteve” të burrave të tillë, ndaj vjen e kuptueshme që shkruesit e mëdhenj të saj të ishin edhe “portretistë”; në të shumtën e rasteve madje me “modele” që as e patën ditur kurrë se kishin “pozuar” për ta. Nëse Barleti la të realizuar për përjetësinë portretin e “Princit të Epirotëve”, Machiavelli mbeti tek ëndrra e një “burri” virtual, që mund të ishte qoftë edhe “duka i Valentinit”, i cili në të vërtetë as ekzistonte. Komentuesit e tekstit të tij dalin rëndom në përfundimin: Mirëpo... Princi i tij nuk erdhi! Ai nuk i erdhi vërtet Italisë së copëtuar e të grirë prej luftërash civile, atdhe sa i republikave të ndritura aq edhe i tiranive më të errëta, i pasioneve dhe urrejtjeve politike gati të përjetshme, i partive që thuajse e kishin humbur përfundimisht domethënien e tyre politike. Porse, në bregun përkundrejt një burrë i tillë ishte shfaqur dhe ishte ngritur duke u bërë realitet: figurë shumë më afër “princit të Rilindjes” europiane se çdo Cesare Borgia egërshan i mjediseve italike. Keqkuptimi i idealit atdhetar të lirisë dhe të bashkimit mund të ketë bërë që figurës së këtij burri të Arbërisë t’i jetë kundërvënë ndonjëherë jo “modeli ideal” i Machiavellit, por ajo çfarë quhet e vdekur prej ideve të fiorentinit mendjehollë: pjesa për të cilën ai u bë “famëkeq”. Është pjesa më trashanike e mendimit të tij, “zgjyra”, e quajtur edhe “makiavelizëm”. Ajo ishte, me sa kuptohet sot, haraçi i paguar ëndrrës për një “Dukë të Valentinit”. Për një ballafaqim me këtë “makiavelizëm” duket ta ketë pasur fjalën qysh në shek. XIX historiani i Republikës së Venedikut Samuele Romani i cili, duke kallëzuar mbrapshtitë e kurdisura vijimisht prej Sinjorisë kundër atij “njeriu të mrekullueshëm”, – kështu e ka quajtur ai Skënderbeun në Historinë e Venedikut, – përfundonte: “Aq dyfaqëshe dhe e mbrapshtë ishte politika e atyre kohëve, ajo politikë të cilën, sikurse çdokush e sheh, Machiavelli një shekull më mbas nuk e shpiku, por vetëm sa e pati zbuluar faqe bote” (Storia documentata, IV, 242-243). Është fjala, pra, në rastin e burrit të Arbërisë për një model politik që e kapërcen figurën e “kryqtarit” fanatik apo edhe të “kalorësit” impozues, duke e afruar atë më shumë tek ajo e “shtetarit të ndritur”.    V. Çfarë ngre peshë në historinë e tij politike është fakti që, edhe kur Gjergj Kastrioti të mos ishte më, ideja e luftës çlirimtare antiturke – që zëvendësonte dalëngadalë atë të kryqëzatës – do të vijonte së toku me projektet përkatëse. Dy vjet mbas vdekjes së tij, me rënien në duart e turqve të Negropontit – katastrofë që në Europë bëri përshtypje edhe më të madhe se rënia e Kostandinopojës – ishte kardinali Visarion që hartonte një thirrje të re për “luftë të shenjtë” kundër turqve. Një tjetër kujtesë për luftë, me konceptim thuajse kryekëput ushtarak, hartonte në muajt e parë të 1480-s për papën Sikst IV (1471-1484) një Martin Segoni, peshkop i Ulqinit. Ishte koha kur Otranti rrezikohej prej ekspeditës detare të Gjedik-pashës dhe kujtesa e tij titullohet pikërisht Mbi pajisjen [mbrojtëse] të Otrantit dhe mbi organizimin ushtarak turk dhe prejardhjen e tij; ajo nuk u mor parasysh dhe flota turke do të zbarkonte në Otrant krejt sikurse Segoni e kishte parashikuar. (Në kujtesë ngulmohej posaçërisht në nevojën e një ekspedite detare me anije të lehta të përshtatshme ad cursum në brigjet epirote dhe arbërore, në zonën Durrës-Korfuz, në mënyrë që flotës turke t’i pengohej kalimi për në bregun italik etj.) Për një projekt të ri lufte antiturke do të bëhej fjalë edhe gjatë ekspeditës së Charles-it VIII në Itali, më 1492. Edhe papa Aleksandër VI shpallte një fushatë të re në mbështetje të forcave hungare, duke dërguar një flotë 13 luftanijesh në brigjet greke. Në jehonë të bullës së tij do shënuar projekti kërshëror i një arbëreshi të Greqisë, i quajtur Aleks Qeladhoni (Alessio Celadoni), peshkop i Galipojës së Apulisë, me anë të së cilës dëftonte rrugët që duhej të ndiqnin ushtritë e krishtera “kundër Turkut”: ndërsa ushtria e tokës duhej të marshonte drejt Serbisë dhe Trakës, ushtria e detit duhej të nisej nga Italia e jugut dhe të zbarkonte në bregun arbër, saktësisht në Apoloni dhe Durrës, për të vijuar mandej fushatën drejt  Maqedonisë e Thesalisë. Thirrje lufte për çlirimin e Kostandinopojës nga pushtuesit turq dhe për dëbimin e tyre nga Europa do të lëshonte edhe papë Leoni X, madje duke premtuar të vihej vetë në krye të saj. Simbas këtij projekti Perandori do të sulmonte nga “Ballkani” me gjermanët, polakët dhe hungarët, nga ana e Epirit do të sulmonin frëngjtë, italianët dhe zviceranët, ndërsa detyra për të sulmuar prej detit nga ana e Galipojës u caktohej anglezëve dhe spanjollëve. Një fushatë antiturke do ta niste më 1535 edhe mbreti Charles V. Beteja si ajo e Lepantit më 1571 do të përbënin çaste historike në të cilat u duk sikur “fryma kryqtare” t’i paskësh pushtuar përsëri perëndimorët. Mbas fitores në Lepant, për shembull, Don Juani i Austrisë i shkruante kryepeshkopit të Monemvasies, Makar Melisenës, për ta njoftuar se do të vinte së toku me flotën e tij, duke kaluar nëpër Korqyrë (Korfuz), “për shtimin e shoqërisë së të krishterëve dhe për të mirën e përbashkët”. Më 1583-1584 një tjetër projektues i luftës antiturke shfaqej me Sigismundin e vetëquajtur “princ i Transilvanisë, i Moldavisë, i Maqedonisë e i Arbërisë”, i cili i drejtonte nuncit papnor në Vjenë një projekt për “çlirimin e Levantit”. Në fund të shek. XVI në organizimin e një fushate antiturke u përfshi edhe papa Klement VIII (1592-1605). Mes projektit kryqtar dhe komplotit konspirativ do të lëvizte në fillim të shek. XVII plani i Dukës së Neversit (1612-1618), në planin e tij, në të cilin gërshetoheshin sulmi ushtarak kryqtar me kryengritjen e popujve të robëruar prej turqve në rajon, përfshiheshin me negociata një kont i Château-Renaudit, një Pietro de Medicis, majnotët e Moresë me peshkopin e tyre Neofit, peshkopët e Zygos, Lakedemonës, Lepantit dhe Artës, Menomvasies, Metropoliti i Bullgarisë, peshkopi i Durrësi Hariton, që duhej të hapte portën e “Ballkanit”, dhe posaçërisht “kryengritësit arbër”. “Ata [të dërguarit e Dukës] vajtën nga toka me dy komandantë vendës dhe vizituan disa peshkopë dhe njerëz me rëndësi në vendet e Maqedonisë, Serbisë, Arbërisë, Dalmacisë dhe Kroacisë”, saktësohet në Kujtesën e Dukës së Neversit, të 24 shtatorit 1615, për mbretin Filip III. Në këtë projekt brendashkruhet edhe mbledhja e një Kuvendi në Kuç të Arbërisë, në të cilin merrnin pjesë “krerë kryesorë të të gjitha vendeve, d.m.th. të Arbërisë së Epër, Bosnjës, Maqedonisë, Bullgarisë, Serbisë, Hercegovinës dhe Dalmacisë që e kishin turqit” në bashkëveprim edhe me Himarën etj. Pavarësisht rezultatit të projekteve të tilla, ideja e qëndresës antiturke e ndërkallur në idealin e luftës çlirimtare u shndërrua në ide përçuese, e cila funksionoi si faktor koheziv mes popujve të kontinentit europian përkundrejt kërcënimit përparues të fuqisë ushtarake osmane. Edhe me zmbrapsjen që ideali i luftës antiturke pësonte, ajo ide nuk u rrëgjua me kalimin e shekujve: e tillë vijoi të shfaqej dhe rishfaqej në veprat e humanistëve të Rilindjes, prej Erasmit (të Roterdamit), te një Leibnitz, një Volney etj. Ribotimet, dhe sidomos përkthimet, e jetëshkrimit të Barletit për “të Krishterin e Madh” gjatë shekujve XVII-XVIII me rishfaqjen e këtij ideali dhe, përkatësisht, ideje përkonin. Kur në fillim të shek. XVIII ushtritë turke të Ahmetit III do ta bezdisnin edhe një herë Europën, thirrjen drejtuar princërve të krishterë për një “kryqëzatë të re” do ta thurte në librin e tretë të Odeve të tij një poet, Jean-Baptiste Rousseau: është një hartim i gjatë, gjithë figura e metafora, kryevepër retorike. Kësodore edhe ideja e “kryqëzatave të vonëta” (the later Crusades), duke dalë nga realiteti e duke kaluar në retorikë, kishte marrë teposhtjen. Mirëpo prej konstruksionit ideologjik dhe politik të përftuar prej saj rezulton të ketë mbetur një trashëgimi deri në kohën tonë, kur në procesin e bashkimit të Europës vjen e rishfaqet ende në diskutime ideja e bashkësisë së quajtur tradicionalisht Christianitas. Si e tillë, ajo është në ditën e sotme edhe rast për refleksion historiko-kritik mbi qëndrimin e qytetërimit të krishterë ndaj luftës. Në një epokë rragatjesh pro dhe kundër luftës, edhe historia politike e Skënderbeut na kujton që opcioni i luftës nuk ka pasë qenë përjashtuar asnjëherë kryekëput as nga doktrina, as nga praktika e qytetërimit të krishterë. Kalendari i Kishës prej kremtesh që përkujtojnë ngadhënjime ushtarake është piketuar: nga “Lufta e Kryqit të Vërtetë” fituar nga perandori Herakli, te fitorja e Janko Hunyadit dhe Giovanni Capistranos kundër turqve në muret e Beogradit, te ngadhënjimi i të krishterëve në Lepant, te fitorja e Jan Sobieskit për mbrojtjen e Vjenës prej ushtrive turke, dhe me radhë. Duke saktësuar se “paqja nuk është thjesht mungesë e luftës” (Kanoni 2304), Katekizmi i Kishës katolike ka nënvizuar se parimi i heqjes dorë nga përdorimi i dhunës merr kuptim si dëshmi e dashurisë ungjillore vetëm me kusht që “kjo të bëhet pa paragjykim për të drejtat dhe detyrat e njerëzve e të shoqërisë” (Kanoni 2306). I njëjti katekizëm vendos kushte të përpikta për ushtrimin e forcës së armatosur (duke përjashtuar me këtë çdo pacifizëm “parimor”): kur dëmi i shkaktuar kombit ose bashkësisë së kombeve nga një agresion të jetë i vijueshëm, i rëndë e i sigurt; kur të gjitha mjetet e tjera për t’i dhënë fund atij të kenë rezultuar të papraktikueshme ose të paefektshme; kur të ketë kushte të bazuara për sukses; kur përdorimi i armëve të mos shkaktojë të këqija dhe trazira më të mëdha nga e keqja që lypset luftuar (Kanoni 2309). Nuk mund të mos vërehet se, pavarësisht rezultatit të “projekteve kryqtare” në të cilat Skënderbeu u përfshi ose jo, prej asaj çfarë Skënderbeu përftoi – me një vizion gati-gjenial të rrethanave – diçka mbeti. Një diçka që do të zhvillohej, qoftë edhe në forma shumë të ndryshme. Mund të mbahen të diskutueshme në ditën e sotme përcaktime si ato të Šufflayt dhe/ose të Jirecekut për realizimin nga ana e Gjergj Kastriotit të një formacioni të mirëfilltë politiko-fetar, që ata e quajtën “shteti më i madh i krishterë të Ballkanit”: “Nën Skënderbeun bërthamat e shumta shtetërore shkrihen në një shtet të vërtetë, i cili mbas rënies së Kostandinopojës, Serbisë dhe Bosnjës është i fundmi shteti më i madh i krishterë i Ballkanit” (Šufflay: Povijest, 18); “Me rënien e Bizantit, Serbisë dhe Bosnjës, Arbëria mbeti i fundmi shtet i madh i krishterë në Gadishull” (Jirecek: Albanien, 82:). Edhe masa e amortizimit të impaktit turko-osman ndaj Europës, për të cilin Gjergj Kastrioti u lavdërua aq shpesh, mund të diskutohet. Por ajo çfarë nuk mund të vihet në diskutim është se, nën Skënderbeun, edhe arbërit e tij, si popull bashkëndihmues në qëndresën dhe në luftërat antiturke, e ndjenë veten kryekëput europianë. Me të tjera fjalë: e ndjenë veten pjesëmarrës e pjesëdhënës të një sistemi të përbashkët të menduari e të vepruari. Do të thotë kjo që, mbi një konstruksion që sot na duket thjesht “fetar”, erdhi e u realizua në ato kontingjenca një konstruksion mirëfilli politik. Ky është një fakt që në historinë e Europës nuk do të harrohet më, si dhe që në historinë e Arbërisë – edhe në u rrekshin – nuk do të mundin ta fshijnë. Askush, as ndër “arbërit” modernë të thashethemeve elektronike, nuk do të mundë t’i shpëtojë më ngashënjimit prej këtij kujtimi që rihet e përtërihet nëpërmes shekujve: është fjala jo për kujtimin e asaj që u quajt Arnavudi apo Arnawutluk, por për Arbërinë e kohës skënderbegiane. “Gjithçka dëfton se deri në pushtimin osman Arbëria kishte ndjekur zhvillimin civil të Europës së [atyre] kohëve”, ka pas vënë re Francesco Chetta-Schiròi në hyrjen e një punimi të tij rreth familjes së Kastriotëve (I Castriota, 1). Dhe, ç’është e vërteta, do të rezultonte e pamundur e kundërta: që në marrëdhënie të vijueshme me Bizantin, nga njëra anë, si dhe me Republikën e Venedikut, me Mbretërinë e Dy Siqelive dhe të Napolit etj., nga tjetra, Arbëria e atyre kohëve të mos kishte ndier influkset mirëbërëse të qendrave të kulturës, artit, tregtisë së Europës.  Pa përfilljen e këtij konstruksioni të ri të modeluar mbi konstruksionin e mëparshëm, asokohe vetëm në përftim e sipër, nuk do të mund të kuptohej pozicioni i arbërve në raport me kontinentin europian jo vetëm gjatë periudhës së luftërave antiturke të udhëhequra prej Gjergj Kastriotit, por edhe mbas tyre, atëherë kur ata do t’i përfshiheshin përdhunshëm njësisë së re perandorake që do të instaurohej gjatë shekujve XVI-XIX në juglindje të kontinentit: Perandorisë osmane. Në një kontekst si ky qëndresa dhe luftërat antiturke të Skënderbeut ngrenë peshë si për ç’i përket përfshirjes së tij në historinë e madhe të Europës, ashtu edhe për pozicionin ndërkombëtar në të cilin, në kapërcyellin e Mesjetës dhe Kohës së Re, ai e vendosi Arbërinë e tij; prej një kësi pozicioni ai vetë rezulton, pa asnjë dyshim, personaliteti më i madh jo thjesht ushtarak, por politik i historisë së Arbërisë dhe njëherësh figura arbërore më e spikatur e historisë së Europës së epokës së tij.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx