Editorial
Fran Gjoka: Kalanë e shqipes ta ndërtojmë me fjalë shqipe
E hene, 17.10.2022, 07:58 PM
Kalanë e shqipes ta ndërtojmë me fjalë shqipe, sepse vetëm në menyrë të tillë ajo do të jetë e qëndrueshme edhe për brezat e ardhshëm
NGA
FRAN GJOKA
Gjuha
e një kombi, përbën elementin kryesor të kulturës në planin shoqërorë dhe
sociologjik. Në këtë kuptim, eleminimi i gjuhës, do të çonte në eleminimin e
kombit. Aq më tepër, kjo përbën rrezik për popujt e vegjël që historia, për
arsye ekonomike politike dhe sociale i ka shpërndarë anë e kënd botës. Nuk bën
përjashtim në këtë mes, vendi ynë Shqipëria, pushtimi i vazhdueshëm i së cilës
nga fuqitë e mëdha ka pasur ndër të tjera, synimin e pengimit të të folurit dhe
të të shkruarit të gjuhës shqipe dhe të hapjes e të funksionimit të shkollave
në këtë gjuhë. Kjo është një histori tashmë e provuar ndër shekuj mbi arsimin
shqip, shkronjat dhe analfabetin tonë. Kjo është aq e vërtetë, sa po të mos
ishte këmbëngulja dhe përpjekjet maksimale, lufte, mencuria, zgjuarsia
intelektuale dhe patriotizmi i rilindasve tanë të mëdhenj e shoqëruar edhe me
mbështetjen e pareshtur të popullit tonë trim e arsimdashës, gjuha e bukur dhe
e pasur shqipe në mos do të ishte zhdukur, së paku do të ishte sakatuar. Nuk
mund të lihen jashtë vëmendjes as roli i klerit fetar në tërësi e veçanërisht i
atij Katolik në vendin tonë, para së gjithash në Shqipërinë e Veriut, në
ruajtjen nga ndikimet e huazimet e huaja, të cilat shkallë - shkallë do të
copëtonin e shkatërronin gjuhën tonë deri në atë masë sa në Shqipëri mund të
shkohej deri në të folurit e një
sllavishteje të gjymtuar, ose të një turqishteje të çalë.
Ja
pse ne kemi respekt të veçantë për De Radën, frashëllinjtë, At Shtjefën
Gjeçovin, Negovanin për Fishtën e madh e
dhjetra rilindës të tjerë fetarë në besim dhe të frymëzuar me ndjenjën
kombëtare, aq sa për shkronjat e të shkruarit dhe të folurit shqip, sakrifikuan
çdo gjë, edhe jetën e tyre.Në këtë kuptim, dhe me këtë vlersim ne u jemi
mirënjohës atyre për çdo gjë që bënë për të ruajtur gjuhën shqipe dhe për ta
pasuruar atë nga huazimet. Sot ne kemi një gjuhë letrare shqipe të njehsuar, të
ndërtuar mbi bazën e vlerave më të mira
të dialekteve kryesore, për të cilën ka rezerva e njëanshmëri në trajtimin e
saj, të miratuara këto nga studiues të bunkerizuar mendërisht e politkisht, që
parapëlqejnë krahinizmat dhe që përfaqësojnë grupe sociale dhe shoqërore nga më
të ndryshme. Megjithatë, ata gjithsesi besojnë se teoritë e tyre, për nevojën e
besimit në të folur dhe në të shkruar gjuhën shqipe nuk do të ngjasë asnjëherë,
pasi ajo tashmë ka marrë fund dhe ka konfirmimin institucional të gjuhëtarëve
më të aftë të Shqipërisë dhe të trevave ku jetojnë e banojnë shqiptarët. Duke
mbështetur këtë parim, ne nuk jemi nacionalist në ruajtjen dhe në transmetimin
e traditës, të normave e të vlërave kulturore, simboleve dhe kulturës
materiale, duke përfshirë gjuhën tek brezat pasardhës, e për këtë fakt, duhen
përgëzuar e përshëndetur shqiptarët e Kosovës, Malit të zi, Maqedonisë disa
vende të europës dhe të Amerikës. Po
ndodh dhe ndryshe. Ngrihet shqetësimi se tek familjet shqiptare që rrisin
fëmijë në emigracion flasin në shtëpitë e tyre greqisht, anglisht, italisht e
ku ta dimë se ç’gjuhë tjetër, por vetëm shqip jo. Jo vetëm shteti dhe
institucionet e tij kanë përgjegjësi për këtë, por edhe familjet e tyre, që siç
duket disa prej tyre, e kanë ndoshta për turp të deklarohen se janë shqiptarë,
siç ndodh në disa raste.
Emigracioni
është një fenomen shoqërorë, me karakter kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Edhe
Shqipëria në këtë aspekt nuk mund të bëjë përjashtim. Periudha e tranzicionit u
shoqërua me një hemoragji të pandalshme të proçesit të emigrimit, sidomos në
drejtim të vendeve perëndimore, në kërkim të kushteve më të mira të jetesës,
sigurisë për të ardhmen dhe kualifikim arsimor të fëmijëve. Pra, emigrimi në
përgjithësi, për fëmijët në veçanti, krahas të mirave mbart me vete edhe
rrezikun e një fuzioni apo asimilimi gradual të gjuhës së mëmës, sidomos tek
fëmijët dhe tek rinia shqiptare, që jeton aktualisht në emigrim, larg
kontakteve të përditëshme me gjuhën shqipe. Faktet dëshmojnë së e ardhmja e një
kombi përcaktohen në fund të fundit nga gjuha. Popullsia e një vendi, që për
arsye të ndryshme nuk e shkruan dhe rrallë herë e flet gjuhën e tij amtare,
është i prirur të asimilohet, pasi gjuha ka qenë dhe mbetet një ndër
komponentet kryesorë të kulturës së një kombi. Kur një njeri nuk e ka nën këmbë
tokën e vet, humbet diçka nga qëndrimi i tij vertikal, humbet sigurinë dhe
bëhet më skeptik ndaj vetvetes.
Është
interesant fakti, se gjuha shqipe është tingëlluese në të folur, është shumë
burrërore dhe mjaft e bukur. Këtë e kanë vënë re edhe mjaft albanologë, sepse
kur dëgjohet e folura e shumë vendeve të Europës, duke i krahasuar me shqipen,
kanë konstatuar se gjuha jonë ka një tingull të veçantë dhe mjaft impulsiv.
Pra, shqipja është vazhdim i gjuhës ilire dhe i përket grupit të gjuhëve Indo –
Europiane, pra veçohet si një nga më të vjetrat në Ballkan dhe Europë. Është
detyrë imperative e mësuesve atdhetarë shqiptar për t’u mësuar në të folur dhe
të shkruar gjithnjë shqipen brezave emigrues e shoqëruar me një përkushtim në
hapjen e shkollave të reja. Shqiptarë të vërtetë ka plot, si ata që dërguan
libra, hapën shkolla, hartuan programe, mësues që punojnë me devotshmëri vite
me radhë jashtë shqipërisë. Këtu më vjen në mend një thënie e një emigranti me
banim në Gjermani: “Gjuha është e vetmja armë që vërteton se jemi shqiptarë”.
Pra në këtë rast u bëjmë thirrje mësuesve atdhetarë, prindërve emigrantë, që u mësojnë
gjuhën tonë fëmijëve tanë jashtë Shqipërisë, që t’a flasin dhe ta shkruajnë pa
ndërprerje shqipen, gjuhën që të parët tanë na e lanë për t’a folur dhe shkruar
përgjithmonë të qartë, të pastër, të kulluar. Historikisht mërgimtarët
shqiptarë, kanë punuar dhe janë përpjekur, që fëmijëve të tyre t’u mësojnë dhe
ta ruajnë gjuhën shqipe.
Kjo
traditë e çmuar, vjen si amanet i rëndë “që se tret dheu i huaj”, deri në ditët
tona. Hemoragjia e pasviteve ’90 të shekullit të kaluar, tashmë të shpërngulur
nga atdheu, për një jetë më të mirë, me gjithë familjen, me djem e me vajza, ka
detyruar mërgimtarët shqiptarë, matanë kufijve shtetërore, që t’iu përshtaten
kërkesave të reja të epokës së globalizimit, ku është bërë eminent rreziku i
humbjes së kulturës nacionale, si zakoneve, dokeve, veshjeve, si rrjedhim dhe
të gjuhës nga breznitë e reja. Është për tu theksuar se tashmë për fëmijët e
mërgimtarëve janë hapur shkolla të shumta në vende të ndryshme, ku fëmijët
marrin në mënyrë të organizuar mësime plotësuese në gjuhën amtare, nga mësues
patriotë e pasionantë, të cilët në të shumtën e rasteve e japin ndihmën e tyre
vullnetarisht. Shembujt janë të shumtë dhe gjendja e këtyre shkollave, mund të
themi se përfshin hapësira të reja, ku jetojnë e punojnë shqiptarët emigrantë.
Në përgjithësi, për çeljen dhe mbarëvajtjen e këtyre shkollave, kanë dhënë
ndihmën e tyre dhe drejtuesit e pushtetarët lokalë si në Nju Jork, Bruksel,
Hamburg, Berlin, Frankfurt, Oslo, Athinë etj. Është pozitiv fakti, ku në shumë
qytete në SH.B.Amerikës, aty ku komuniteti shqiptar është i organizuar, janë
ngritur dhe funksionojnë rregullisht, me kohë të plotë shkolla dhe kurse në
gjuhën shqipe. Po kështu në Kanada janë hapur shumë shkolla shqipe. Në Europë
ka shembuj pozitivë si në Zvicer, Gjermani, Suedi, Itali etj, ku funksionojnë
shkolla të mbajtura nga vetë shqiptarët, sidomos nga ata të Kosovës dhe të
trojeve të tjera ku jetojnë shqiptarë. Synimi i këtyre vendeve dhe shkollave
mbetet i qartë, fëmijët e mërgimtarëve të zotërojnë mirë shkrim – lexim në
gjuhën amtare shqipe, ta kultivojnë gjuhën dhe letërsinë shqipe, të njohin
historinë dhe gjeografinë etnike të vendit të të parëve, si dhe artin, kulturën
dhe traditat kombëtare. Rëndësi e veçantë, në këto shkolla shqipe, u kushtohet
veprimtarive të lira jashtë klasës, si puna me librin etj.
Në
ekranet televizive kemi paeë dhe dëgjuar cicërimat e bukura e krenare të
fëmijëve shqiptarë në gjuhën e bukur shqipe, në aktivitete dhe tubime të
ndryshme bashkë me prindërit e tyre. Vërtetë jetojmë në një shoqëri të lirë e
të hapur, vërtetë jemi përkrahës të globalizimit, por nuk do të dëshironim
kurrë, që gjuha jonë e bukur të mos shkruhej e përdorej nga shqiptarët e të
gjithë brezave që do të vijnë. Mundësitë për t’a mbajtur të gjallë këtë gjuhë
hyjnore dhe të bukur shqipe tek fëmijët, nipërit, mbesat dhe stërnipërit tanë,
pavarësisht se ku lindin e ku jetojnë, ekzistojnë. Ata pavarësisht nga mjedisi
i huaj ku jetojnë e punojnë, nga rrethanat aspak favorizuese për të përdorur
gjuhën shqipe, askush nuk i pengon, të flasin vetëm shqip në familjet e tyre,
të komunikojnë me fëmijët që në moshë të vogël vetëm përmes gjuhës amtare.
Fjala vjen, të mos na duket vetja modern, kur në çdo fundjavë ose në një drekë
me familjen kalojmë në njërin prej lokaleve angleze, italiane, gjermane, greke,
etj. Të mos fyhemi nëse komunikojmë në ambiente të tilla me pjestarët e
familjes, ose me bashkëkombasit tanë në
gjuhën shqipe. Për shqiptarët emigrantë, me gjithë përpjekjet për ruajtjen,
shqipja po bëhet sa e largët, aq dhe e huaj për fëmijët. Është normale që duke
jetuar në një shoqëri ku flitet një gjuhë tjetër, kuptohet dhe tendenca e
kufizimit dhe shqiptimit të shqipes. Fëmijet po projektojnë të ardhmen e tyre
pikiërisht aty ku rriten. Ndaj komuniteti prindëror duhet të tregohet i kujdesshëm
në ruajtjen dhe transmetimin e gjuhës shqipe. Në shtetin demokratik gjerman,
nuk gëzon respekt se i kujt je, por çfarë kontributi ke dhënë, prandaj për ne
shqiptarët dhe brezat që kemi, modeli gjerman i shkollës dhe i edukimit është
një model që duhet imituar në rrugë origjinale nga shqiptarët mërgimtarë. Nuk
duhet të pretendohet të gjendet një zgjidhje mrekulli, por të bëhet ajo që
është e mundur, ajo që është e arsyeshme, ajo që varet nga ne shqiptarët.
Po
ekperimentohet në trojet tona kombëtare një abetare mbarëkombëtare. Efekti i
saj në diasporë e gjetkë, po ndihet fare pak, duke përjashtuar disa të
interesuar për këtë lloj të ri të mësimit unik të shqipes. Pak muaj më parë u
krijua Këshilli Ndërakademik Kosovë - Shqipëri, për një shqipe standarte. Të dy
akademitë, duke pasur parasysh se gjuha shqipe është tipari kryesor i kombësisë
shqiptare, mjeti themelor që siguron ndërlidhjen shpirtërore ndërmjet
hapësirave kombëtare, e vendeve ku flitet shqip, synojnë që zotërimi dhe
përvetësimi i shqipes standarte të jetë objekti themelor i brezave të sotëm dhe
të ardhshëm. Shpresojmë qe Këshilli Ndërakademik do të merret me vrojtimet dhe
vlerësimet e politikave gjuhësore që dalin në fushën e gjuhës standarte dhe të
përdorimit të saj në diasporë. Emigracioni ndërkombëtar shqiptar është
shpërndarë në Greqi, Itali, Gjermani, Mbretëri e Bashkuar, Belgjike, Francë,
Sh. B. A, Kanada, Zvicër, Turqi, Austri etj.
Me
gjthë predispozicionin e prindërve për të kontribuar në ngritjen e shkollave
dhe mësimin e gjuhës amtare, ende ka probleme në këto vende. Përshembull
kërkohet legalizimi në rrugë shtetërore për nisma të veçanta, që duhet të
ndërmerren dhe që kërkohet të miratohen nga organet ompetente kombëtare, si në
vendin tonë dhe në vendet e tjera, ku kërkohen të ngrihen këto shkolla. Nëse ne
shqiptarët bëjmë të pamundurën për ruajtjen e gjuhës shqipe, që edhe shteti
shqiptar të programojë diçka të frytshme, pra të organizojë dhe të drejtojë
veprime drejt rrafshimit të dallimeve të krijuara si pasojë e ndarjeve politiko
– administrative që sjellin jo pak vështirësi në komunikimin kombëtar. Vetëm
kështu u vijmë në ndihmë fëmijëve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë në
ruajtjen e gjuhës shqipe. “Shkolla” e familjes mërgimtare, për mësimin e gjuhës
shqipe, kërkon veç të tjerash të mbështetet më mirë nga shkolla faktike me
mësues e programe të hartuara në mënyrë shkencore. Me të drejtë preokupohemi
për analfabetizmin, por ç’emer t’u veme atyre dhjetra qindra fëmijëve
shqiptarë, që ende vetëm e belbëzojnë në menyrë të çrregullt gjuhën shqipe, pa
lë pastaj të njohin historinë, kulturën, gjeografinë e traditat e popullit të
tyre. Kësaj drame i duhet dhënë fund!
Shumë
përgjegjësi kanë intelektualët shqiptarë në emigrim. Ata duhet të jenë aktivë e
krijues në organizimin sa më efektiv të kurseve, takimeve, mësimeve dhe
krijimin e shoqatave për hapjen shkollave për mësimin e gjuhës amtare.
Indiferentët, dembelët dhe ata që nuk vazhdojnë rrugën e Rilindasve tanë,
historia do t’i dënojë, jeta përtej varrit do ti torturojë. Nga Bostoni i
Amerikës Konica shprehej: “Erdhi më në fund dhe për gjuhën shqipe koha e
lulëzimit, koha plot shpresë! Më të katër anët, një zjarr i bukur zien në zemër
të djalërisë, dhe plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për
zbukurimin e shqipes. I vlerësojmë, i pranojmë dhe i respektojmë vlerat
gjuhësore e kulturore të popujve të tjerë. Dhe respekti për ë tjerët ka vlerë e
besueshmëri, kur në radhë të parë respekton vlerat e kombit tënd” !
Me
këtë shkrim problemor, kuptohet që nuk mund të përfshihet gjithçka, ndaj le të
shërbejë për të ndriçuar sadopak problemin e mësimit dhe përvehtësimit të
shqipes në diasporë dhe vendet ku jetojnë dhe punojnë familje shqiptare. ?shtë momenti i duhur për të trajtuar me seriozitet, durim
dhe kulturë qytetare këtë ngjarje që ka hyrë në jetën e përditshme shqiptare,
mundësinë për ta mbajtur gjallë gjuhën e bukur shqipe tek fëmijët mërgimtarë,
duke këmbëngulur më shumë se deri tani, për të sotmen dhe të ardhmen e kombit
dhe sidomos brezave të rinj, të komunikojnë përmes fjalës së bukur shqipe, dhe
të çojmë në vend amanetin e Konicës, që kalanë e shqipës ta ndërtojmë me fjalë
shqipe, sepse vetëm në menyrë të tillë, ajo do të jetë e qëndrueshme edhe për
brezat e ardhshëm.