Faleminderit
Ndue Dedaj: Historia unike e një malësori fisnik
E enjte, 04.08.2022, 07:32 PM
HISTORIA UNIKE E NJË MALËSORI FISNIK
(Mark Ukshini i Berishës)
NGA
NDUE DEDAJ
Janë
disa njerëz, të mirënjohur në zonat e tyre, që meritojnë njohje më të gjërë
publike, qoftë dhe për një ngjarje të pazakontë të jetës së tyre, që ata vetë e
kanë krijuar, shpesh duke rrezikuar jetën, ravës për kah dashuria. Mark Ukshin
Deda, nga Berisha e Pukës, ka vuajtur shtatë vite në burgun e Spaçit e
Ballshit, por nuk është kjo ngjarja e jetës së tij, pasi histori të tilla
salvimi politik kanë pasur dhe qindra e mijëra të tjerë në dikaturë. Marku,
atdhedashës i madh, idhëtar i lirisë së ndërgjegjës, kishte qenë në radhë të
parë një hero i dashurisë dhe i familjes. Po, po, një hero i vërtetë i
dashurisë në malet e Kanunit! E gjithë jeta e tij është një ngjarje për t’u
shënuar e nderuar. Ai e thur si rrallëkush romanin e jetës së vet, që ne e
mësuam përmes fletëve të librit “Kalvari i një martiri” të autorëve Ndrecë
Mustafa dhe Gjergj Ndou, shkruar mbi bazën e gjurmimeve të tyre, kujtimeve të
Vitores, bashkëshortës së Markut dhe shumë të tjerëve që e kanë njohur atë, një
protagonist që sa ç’është vetvetja si individ, është dhe tipi i malësorit të
mbrujtur me cilësitë më të larta të racës shqiptare, që ai si rapsod i krahinës
i këndoi me çifteli.
Mark
Ukshini, lindur më 1923 në Katundin e Kishës, ishte rritur në një trevë ku
historia e qëndresës dhe lavdia kishin qenë si buka e përditshme. Aty ishte
Lisi i Lekës (Dukagjini), Suka e Kuqe, që më vonë do të merrte emrin “Kodra e
Flamurit”, rrënojat e kishës së Shëlbuemit, aty kremtohej Shën Mëria dhe në
Iballen fqinje Shmasjani (Shën Sebastiani) etj. Qysh në fëmijëri ai kishte
dëgjuar me adhurim këngën e Ndoc Mark Dedës, një luftëtar i fisit të tij të
Dedajve, për të cilin pati shkruar gazeta në Stamboll, ngaqë ai ishte
përballuar drejpërdrejt me Pashën, duke e kthyer mbrapsht ushtrinë e tij. Marku
ishte pasardhës i këtij trimi të “çartun” dhe i dëshmorëve të tjerë të atdheut
nga kjo derë në zë. Mësimet e para i mori në kishën e fshatit nga prifti, At
Gjoni, që si në shumë katunde të malësisë ku prifti bënte dhe punën e mësuesit.
Nis e shfaqet talenti i tij si një artist i ardhshëm, por i penguar. Thurte
vargje dhe melodi, këndonte këndej e andej Drinit. Atëherë nuk ishte ndërtuar
ende hidrocentrali i Komanit dhe nuk kishte liqen që ta pengonte për të dalë në
Toplanë e fshatrat e tjera të Dukagjinit përballë. Dy a tri male më tej në
Temal kalonte rininë bashkëmoshatari i tij Martin Camaj - djemtë e anëve të
Drinit ishin shquar gjithëherë për këngë, po në këtë rast njëri do të bëhej
poet i dëgjuar i kombit, ngaqë doli në Perëndim e tjetri rapsod që në atdhe nuk
mundi t’i dilte zani përtej Berishës së tij.
Marku
i bashkohet Luftës Nacionalçlirimtare dhe pas mbarimit të saj emërohet
komandant poste në Koplik, për të shërbyer pastaj ushtarak me pagesë dhe në
Shkodër e Gjirokastër. Kur është në qytetin jugor akuzohet se kishte pasur
dijeni për arratisjen e disa ushtarëve në Greqi, por pas hetuesisë lirohet si i
pafajshëm. Jo se nuk mund të arratisej dhe vetë, por ai e donte vendin e tij
mbi çdo gjë. Kthehet në vendlindje, në Belshinë të Berishës dhe fejohet me
Vitoren, një vajzë nga familja e njohur e Mirakajve të Iballes. Por i ati i
saj, Zef Nikollë Miraka, pas internimit, duke mos u ndjerë i sigurtë me
qeverinë komuniste, arratiset me gjithë familje në Jugosllavi në vitin 1955.
Mbas vdekjes së të shoqes në moshë të re, ai kishte marrë miratimin e familjes
së Markut që dasma të bëhej mbas një viti, por rrethanat e kishin përshpejtuar
ikjen e tij një orë e më parë, natën pa hënë, duke marrë me vete krejt
familjen, përfshi dhe vajzën e fejuar, që ishte dhe fëmija i madh. Nuk i kishte
rënë mohit dhëndrit, por besonte se komunzimi nuk e kishte të gjatë e familja e
tij do të kthehej prapë në Iballe, për të vijuar jetën, punën, miqësitë.
Atëherë ata që arratiseshin nga këndej i çonin në një kamp emigrantësh në
Podujevë. Kufiri kishte këputur në mes sa e sa dashuri, që nuk do të çelnin
kurrë më. Në 48-n, kur u prishëm me Titon, qëlloi që gruaja mbeti në Shqipëri e
burri në Kosovë e pastaj në Amerikë, për t’u ritakuar vetëm pas 90-s kur ishin
të moshuar. Kurse Mark Ukshini do të bënte sfidën e pashembullt, krejt si
personazhet shekspirian, nuk do të përfillte kohën, kufirin, shtetet, burgun
këndej dhe andej, për të shkuar drejt së fejuarës së tij, ani se nuk e kishte
njohur nga afër. Ia kishte ndjerë zemra se ajo vajzë ishte fati i tij. Nuk
kishte kurrëfarë shtyse tjetër në atë “aventurë”, përpos dashurisë. Si
asnjëherë më parë, drama familjare ishte e ndërthurur me atë politike e
kombëtare. Regjimi i ri “demokratik” që ishte vendosur në Shqipëri më 1944 nuk
ishte për të gjithë banorët i njëllojtë, ca i kishte të vetët e ca të tjerë
armiq. Lufta e klasave tashmë ndante të “keqin” nga i “miri”... Dhe Mark
Ukshini merr vendimin e tij të jetës, shkon në Jugosllavi, gjen të fejuarën dhe
e merr për grua sipas zakonit. Nuk ishte një fjalë goje, por një sakrificë e
rrallë, që ai e ndërmori pa iu trembur syri. Mundi ta kalonte kufirin pa rënë
në pritën e kufitarëve, e la Drinin këtu dhe e gjeti prapë atje. Në Gjakovë u
dorëzua në organet policore dhe mori rrugën për në Podujevë, për të qëndruar
tre muaj në hetuesi. Si mund ta besonin hetuesit serbë se ai burrë e kishte
bërë atë “maratonë” për të fejuarën? A nuk e kuptonte ai se këto nuk ishin
kohëra për lojëra dashurie të tipit “Romeo e Zhuljeta”, por akuzoheshe për
tradhti në një anë e për spiunazh në anën tjetër!?
Lirohet
nga paraburgimi dhe thërret në oborrin e shtëpisë së mikut, i thotë më humor
Zef Mirakës, teksa ai ishte ngritur t’i hapte derën, se ishte dikush që ia
kishte mësy për mik, nëse ai kishte vajzë për të? “Po”, erdhi përgjigja nga
brenda, vetëm vajzën e madhe e kam të fejueme e s’mund ta jap”. “Unë të madhen
due...”, ngulmon miku që priste të çelej dera. I zoti i shtëpisë sa befasohet,
aq gëzohet, kur sheh Markun dhe së bashku bëjnë planin e martesës, që do të
kryhet në shkurt të vitit 1956 në kishën e atyshme. Ndërsa vazhdonin jetën në
Kosovë, një ditë Marku i thotë nuses se kishte një lajm të mirë, iu ishte
miratuar kërkesa për të shkuar në Belgjikë si emigrantë politikë, ku kishte dhe
mjaft shqiptarë të tjerë që kishin pasur të njëjtin fat. Perëndimi ishte i
hapur për mosdashësit dhe kundërshtarët e regjimit komunist të Lindjes. Vitorja
ishte dakord për të shkuar në Europë, paçka se në Podujevë kishte familjen e
saj prindërore. Edhe pse në Bruksel tashmë i priste një jetë e qetë dhe pa
trazime, duket se Marku kishte pasur një dyluftim të fortë brenda vetes, se
cilën të zgjidhte: Shqipërinë e tij, apo botën e lirë? Dhe kishte fituar
atdheu, ndonëse një xhungël politike e pashpresë. E shoqja nuk do t’ia prishte
për asgjë njeriut që kishte kapërcyer nëntë male si në legjenda për të. Prova e
tij e dashurisë kishte qenë në kufijtë e të pabesueshmes. Dhe kishin ndërmarrë
rrugën e kthimit për në Berishë, ku kishin mbërritur pas një jave. I mbajnë
disa muaj në hetuesi në Shkodër dhe i lirojnë, kthehen në Belshinë, në trojet e
Ukshin Pjetër Dedës dhe nisin jetesën, ku bëhen me gjashtë fëmijë, tre djem e
tri vajza. Marku herë pas here merr çiftelinë dhe këndon këngët e trimnisë të
atyre anëve, siç kishte bërë dikur rapsodi i njohur i Kabashit Prendush Gega.
Në Berishë, Mërtur, Dushman etj. njerëzit mbanin vesh dhe këngën e tij, që ai i
kishte kushtuar vetes, i bindur se historia e tij kishte qenë unike, sesi
kishte shkuar drejt Jugosllavisë me gjet nusen e arratisur me gjithë familje
dhe sesi kishte ardhë pastaj këndej me gjithë nuse, por pa krushq. Një rapsodi
e zjarrtë për Partinë e Enver Hoxhën, për fitoret e socializmit, mbase do të
kishte qenë shpëtimi, rehabilitimi, pse jo dhe ndonjë “fletë nderi”, por kjo
nuk përputhej me moralin e njeriut të një dere fisnike, që gjithëhere ishte
ngritur mbi klanet krahinore e politike. Rapsodi i ri i Berishës nuk i përkiste
realizmit socialist, dhe pse kishte qenë përfshirë në fillim të viteve ‘60 në
grupin folklorik të zonës, për ta larguar shpejt për shkak të biografisë.
Kishte
mbetur një shqiptar autentik i racës, vazhdues i traditave të të parëve, tek i
cili nuk kishte ngjitur komunizmi aspak. Ai ishte idealist, shihte gjithnjë nga
e mira, pozitivja, por nuk i bënte asnjë lëshim ideologjisë së kohës. Ai kishte
pasur rastin e “artë” t’i ikte një martese të rrezikshme, që do ta ndiqte si
mallkim gjithë jetën, po kjo nuk ndodhi me një burrë dheu si Mark Ukshini që
kishte një emër dhe një personalitet të spikatur. Përkundrazi, ajo martesë për
të ishte bekim, pasi votra e tij do të mbushej plot. Mark Ukshini kishte lënë
qytetërimin perëndimor, Belgjikën për traditën, atdhetarinë, familjen dhe e
gjitha kjo këtij shqiptari të panjollë i ishte shpërblyer me “Spaçin”, shtatë
vite burg politik, pasi për Markun atdheu nuk kishte çmim. E kishte
kundërshtuar hyrjen në kooperativë, nuk kishte qenë dakord me prishjen e
kishave më 1967, çka kishte ardhur duke e formuluar hap pas hapi akuzën kundër
tij. Apo nuk ishte dhe dhëndër Mirakajsh? Në vitin 1969 dënohet për agjitacion
e propagandë dhe lirohet më 1976. E kryen dënimin dhe i rikthehet jetës, por
një ditë të vitit 1985, teksa po kujdesej për qetë e kooperativës, papritur e
merr me vete vorbulla e Drinit, lumi që e kishte dashur mbi çdo gjë dhe kishte
thurur ëndrra buzë tij. Paradoksi politik nuk mund të mos shfaqet edhe këtu,
paçka tragjedisë familjare, sekretari i Partisë i drejtohet Vitores se nëse
trupi i të shoqit nuk gjendet brenda pesë ditësh, atëherë ne do të shpallim se
ai është arratisur në Jugosllavi!? Kurse ajo ia kthen: “Ai nuk ndejti atje kur
ishte pa familje e fëmijë, jo më do të arratisej tash!” Ditën e gjashtë trupi i
tij u gjet në breg të lumit disa kilometra më poshtë...
Ja,
kështu na e përcjell libri monografik figurën e Mark Ukshinit, që autorët e
kanë shkruar me mbështetjen e familjarëve të tij, sidomos të djalit, Prelë
Deda, njëri nga themeluesit e Partisë Demokratike në Pukë dhe drejtues i saj,
që prej vitesh rron familjarisht në Amerikë, si dhe dy vëllëzërit e tij. Atje
është dhe Vitorja, bartësja e gjallë e kësaj historie fisnikësh, që kohë më
parë erdhi në Tiranë në promovimin e librit kushtuar të shoqit. Amerika që
dikur të kallte frikën, dhe kur përmendej si emër, erdhi dita e u bë votra e re
e familjes së pasardhësve të Mark Ukshinit. Vitorja kujton një ndodhi me
“Amerikë”, aty nga fillimi i viteve ’70, kur sekretari i Partisë mblodhi
popullin dhe, për ta provokuar rëndshëm, i drejtohet asaj me pyetjen se çfarë
është duke ndodhur sot në Amerikë? Vitorja, e mësuar me situata të tilla kritike,
i përgjigjet “shokut” të Partisë se ku mund ta dinte ajo në katund se çfarë
bëhej në Amerikë? Por komisari i kuq plasi bombën: “Si nuk e ditke ti, ke dy
vëllezër në Amerikë?” Sado të trysnuar, njerëzit e tubuar aty nuk e
duartrokitën demaskimin publik që u përpoq t’i bënte gruas së pambrojtur të
Ukshinëve dhe Mirakajve sekretari. Bashkëkohësit kujtojnë se dhe për Markun
asokohe Sigurimi kishte trilluar “legjendën” se ai dëgjonte radiot e
Amerikës...
Së
fundi, sot mund të dëgjosh plot drejtues shteti në Shqipëri të përbetohen e të
rrahin gjoksin për Atdheun, por një vepër si e Mark Ukshin Dedës flet më shumë
se çdo gjë. Ndaj kjo histori ia vlen të përshtatet e të vihet në tekstet
shkollore, për vlerat e saj edukative të gjithkohshme.