Kulturë
Ndue Dedaj: 'O fisnikja përmbi gur'
E premte, 24.06.2022, 07:15 PM
“O FISNIKJA PËRMBI GUR”
Nga
Ndue Dedaj
Pak
ditë më parë në Rrëshen, në Pallatin e Kulturës, u dha një koncert i këngëtarëve të muzikës së
lehtë Liljana Kondakçi, “Artiste e Merituar” dhe Kozma Dushi, ndërthurur me
këngë e valle të artistëve të rinj vendas. Publiku duartrokti gjatë gjithë
kohës dhe në fund të koncertit u ngrit në këmbë për të kënduar në kor bashkë më
artistët këngën e mirënjohur “Rrjedh në këngë e ligjërime”, me tekst të poetit
Gjok Beci, “Mjeshtër i Madh”. Kozmai me emocion solli mbresa nga njohja me
Gjokën gjatë festivaleve të këngës në RTSH, si dhe këngëtaren mirditore Luljeta
Përbasha. “Rrjedh në këngë e ligjërime” kishte bashkuar ndër emrat më të
mëdhenj të muzikës lehtë, si Vaçe Zela, Feim Ibrahimi, Gjok Beci e Gjon Simoni.
Ndonëse kënga, në festivalin e 19 në Radiotelevizion, dhjetor 1980, mori çmim
të dytë, publiku për dyzet vite i ka dhënë asaj gjithnjë çmimin e “parë”, si
një ndër këngët më të mira të kohës, për më tëper që një vit u bë dhe hiti i
“Top Channel” i ndërrimit të moteve. Kjo këngë, sa e bukur, aq e fushqishme,
është kënduar më pas dhe nga artistë të tjerë të shquar, si Gaqo Çako, Shkurte
Fejza e Ilir Shaqiri (duet), Kastriot Tusha, Ramë Lahaj, Rovena Dilo, Eugent
Bushpepa etj. Kënga erdhi si një ngjizje harmonike e fjalës me ngarkesë
emocionale, muzikës kumbuese dhe zërit qiellor të njërës nga divat shqiptare.
Ata
që e kanë njohur Gjok Becin (ndarë nga jeta më 2014) e dinë se asgjë nuk kishte
më përzemër se vargun, shkroi shumë poezi e poema, por shkëlqeu me këngën, aq
sa mund të quhet “poet i këngës”. Këtu ai gjeti veten si poet, ashtu si dhe
Zhuliana Jorganxhi, Xhevahir Spahiu, Jorgo Papingji, Agim Doçi, Alqi Boshnjaku
etj., falë të cilëve këngët e muzikës së lehtë kanë për tekste poezi të
mirëfillta artistike. Ata u “treguan” kompozitorëve se teksti i këngës nuk mund
të ishte një vargëzim i thjeshtë që i përshtatej muzikës së shkruar më përpara,
por kënga e vërtetë mund të lindte vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë poet -
kompozitor. Siç rrëfente Gjoka në një intervistë, kështu kishte lindur dhe
“Rrjedh në këngë e ligjërime”, kurora e artë poetike e tij, krahas këngëve të
tjera të muzikës së lehtë, ku ai është bashkautor, si “Një zambak i bardhë në
gur”, “Dy gëzime në një ditë” etj. Poezitë e “këngëve të shekullit” janë
shembulli më i mirë për teksteshkruesit e sotëm të këngëve të rrymave të
ndryshme muzikore, kritikuar me të drejtë për shterpësi artistike, zhargon
vargëzues, kotësi të thëni etj.
Po
aq i njohur Gjok Beci u bë me këngët e ansamblit “Mirdita”, “Mjeshtër i Madh”,
në festivalet folklorike kombëtare të Gjirokastrës, çdo katër vjet, në mënyrë
të veçantë këngën me titull “Xhamadani i trimërisë”, që shpërthen me vargun
emblematik “Të gjithë shqiptarët janë Mic Sokola”, për të cilën ka shkruar dhe
Dritëro Agolli. Duke evokuar qendresën e shqiptarëve në shekuj, poeti sikur
kishte parandjerë dhe herozimin e vëllezërve tanë kosovarë gjatë luftës së
fundit më 1999. Deri në atë kohë metafora e pazakontë “Përmes fushës kalldram
me gëzhoja” dukej e largët, homerike, si të ishte shqiptuar për Akilin e Hektorin.
“Në Kosovë ndërroi epoka” do të shkruante Gjoka më pas, sërish një varg sublim,
por në stilin e njohur të poetit në qasjen ndaj ngjarjeve të mëdha të kombit.
Poetika
e Gjok Becit, për të cilën kemi shkruar që herët (“Nëntori”, 7, 1990) është e
rrallë në botën shqiptare për faktin se ky poet e “uli” natyrshëm rapsodinë
shumëshekullore me çifteli e lahutë, nga kreshtat e maleve dhe legjendave, në
partiturat e këngës moderne të muzikës së lehtë, çka nuk është thënë deri më
sot. Shqipëria e poemave epike të Darës, Naimit, Fishtës etj. vjen në këto
këngë me një tjetër ritëm e timbër, ndonëse endur nga e njëjta pëlhurë. Aty
është gjithë materia rapsodike (shndrit ai diell, gur, lugje, fisnike, shekuj,
nagant, shqiptar, flakëron, ligjërime, flamur, partizan, gjëmime etj.), por në
një mbrujtje të re artistike. Nuk është e rastit që Gjok Beci e ka kulmimin e
vet si poet i këngës në Gjirokastër 1978 (kur ansambli “Mirdita” fitoi flamurin
e Festivalit, nën udhëheqjen artistike të Dorian Ninit, Fran Vorfit, Lin Locit
etj.) dhe dy vite më vonë, në festivalin e përvitshëm në RTSH, me kryekëngën e
tij “Rrjedh në këngë e ligjërime”, porse ai po ringrihej “përsëri në këmbë”
(titulli i romanit të Xhuvanit), pas një goditje politike që kishte marrë më
1975, për një “batudë” të hidhur që lidhej me Stalinin, duke e hequr nga librat
dhe biblioteka e qytetit e çuar për riedukim punëtor ngarkim-shkarkimi në
ndërmarrjen e Ndërtimit, mes llaçit e betonit, ku punonte prej kohësh
shkrimtarja disidente Musine Kokalari. Sfida e një artisti të vërtetë me
regjimin vetëm kështu mund të ishte, përmes dëshmimit të artit të tij, që në
rastin e këtij poeti ishte një art ku mishërohej atdheu, historia, njeriu i
ditës etj.
Ashtu
si Kozma Dushin e Liliana Kondakçi në Mirditë, kemi dëgjuar dhe në Tiranë,
dhjetëra artistë të tjerë në zë të flasin me nderim dhe vlerësim për Gjok
Becin, në veprimtari kushtuar krijimtarisë së tij, ndër të cilët nuk mund të
mos përmendim sivëllaun e tij të Jugut, bardin e shquar Leftër Çipa, që i
lidhte poetika e këngës së festivaleve. Vargjet e këngëve të tyre jehojnë sot e
gjithë ditën në mbarë botën shqiptare dhe në diasporë, jo vetëm për frymën
atdhetare që mbartin, por dhe shprehësinë artistike, gjë që tregon se njëri
ishte poet i talentuar i baladave të dala nga “zhguni” i folkut mirditas e
tjetri krijuesi i lindur i perlave të iso-polifonisë labe. Gjok Beci është
cilësuar si “poet i adresave shqiptare”, pasi ka prekur me vargun e tij çdo gur
e zambak të trojeve tona. Ai vjen nga vise ku gurët dhe zambakët rrezellijnë
duke u bërë metafora të këngëve të tij, ndaj mbetet një “gur” i çmuar
kilometrik i këngës popullore të risuar dhe asaj moderne.
“Rrjedh
në këngë e ligjërime”, si këngë që ka fituar vlerat e një himni, tashmë e ka
tejkaluar veten, çka do të dëshironim të ndodhte dhe sot me këngën. Por?...
Kujtohuni se me çfarë është përfaqësuar Shqipëria në Eurovizion këtë vit dhe
çfarë mundësish të tjera përfaqësimi të artit të saj muzikor ka pasur e ka. Jo
çdo krijim mund ta ketë statusin e përfaqësimit të një kulture. Kënga e
sipërthënë e përcjell me madhështi kumtun e atdhedashurisë dhe të flamurit
skënderbegian:
“Po ku ka si ti, o
Shqipëria ime
O fisnikja përmbi gur,
Rrjedh në këngë e
ligjërime
Ballëlarta me flamur”.
Janë
veçse katër vargje dhe aty ndihet muza shqiptare që nga autorët e vjetër, te De
Rada e më sot. Vargu “O fisnikja përmbi gur” sjell përfytyrimin e shqiponjës që
e ka folenë në lisa e shkrepa dhe shikimin në tejsinë e maleve, deteve e
qiellit. Thirrja e zemrës “Po ku ka si ti, o Shqipëria ime” është një referencë
e pashqitshme ndaj Atdheut, që me gjasë do të shtegtojë gjatë pa u tutur se
moderniteti mund ta nxjerrë jashtë kohe. Beci ishte një njohës i traditës
letrare dhe i folkut të trevave në veçanti. Fjalën ligjërim, në trajtën foljore
ligjëruom e hasim që te Budi, një fjalë aq e vjetër e shqipes që tingëllon aq e
re për publikun e vonë. Nuk është më rapsodia klasike me përshkrimin epik të
betejave me ngjarje dhe emra krahinash, luftëtarësh etj., por vargu sintetik
plot ndjesi, përmes një tonaliteti të lartë muzikor, përherë në ngjitje.
Vetëdija
e poetëve është mishëruar në “sibilat” e së bukurës së dheut të atit dhe nënës,
gjuhës, kombësisë etj. Gjeneratat e shekullit XX u rritën me vargun e famshëm
naimjan: “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar”, që nuk mplaket as
pas një mijë vjetësh. Koha ecën, epokat ndërrohen, teknologjia ka përshkuar
gjithçka, por sado bota të “globalizohet”, janë ca rrënjë që nuk rreshtin kurrë
së çeluri filizat amë. Na e dëshmojnë këtë dhe shqiptarët e emigruar tash njëqind,
që e kanë krijuar një copë Shqipëri kudo rrojnë, nga “Vatra” e Amerikës, te një
kënd i thjeshtë shtëpie, ku rri varur një xhubletë a fustanellë, çifteli a
saze, një peizazh alpin a bregdetar etj. Dhe albumet e këngëve shqiptare të të
gjitha llojeve.
Në
mbyllje, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, së bashku me hite të tjerë të
zgjedhura, si “Për ty Shqipëri” e Pjetër Gacit e Mentor Xhemalit, “Xhamadani
vija-vija” e Zef Çobës e Alfred Çapalikut, përbëjnë një kolanë meritore të
këngës shqiptare. Nëse, në mënyrë të figurshme, do të thoshim se Himni
Kombëtar, sa unik e i papërsëritshëm, aq dhe i “pakryer” është, këngë si këto
do të ishin prurjet bashkëkohore të tij. Asdreni do të lumturohej për
pasardhësit e denjë, që lartësonin, përmes vargjesh të skalitura në këngë,
Shqipërinë dhe flamurin e përbashkimit të shqiptarëve.