Editorial
Enver Bytyçi: Koncepti i "Botës ruse" dhe "Botës serbe" si thirrje për konflikte të reja në Ballkan!
E merkure, 10.11.2021, 08:06 PM
Koncepti i "Botës ruse" dhe "Botës serbe" si thirrje për konflikte të reja në Ballkan!
Nga
Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi
Aleksandër
Dugin në një libër, "Çështje të gjeopolitikës – E ardhmja gjeopolitike e
Rusisë", botuar në vitin 1997 ka
zhvilluar idetë reja për elitën ruse mbi gjeopolitikën dhe mënyrën se si Rusia
të mund të shndërrohet përsëri në një fuqi botërore. Ai për herë të parë
rekomandon krijimin e një unioni euro-aziatik, me qëllim që diplomacia dhe
politika e jashtme e Rusisë t’i japë fund dominimit kulturor dhe uashtarak të
Shteteve të Bshkuara.
Në
këtë libër Dugin rekomandon krijimin e boshtit Berlin-Moskë, ku Gjermania të
kontrollojë dhe dominojë shtetet e besimit katolik. Më tej ai i kërkon qeverisë
ruse të intervenojë në Francë, Britaninë e Madhe, Japoni dhe në vetë SHBA-të.
Sipas tij, Franca duhet të vazhdojë të ruajë aleancën dhe lidhjen e ngushtë me
Gjermaninë, ndërkohë që Rusia do të duhet të mbështesë çdo pikëpamje dhe
influencë anti-antlantike në këtë vend.
Britania
e Madhe, shkruan Dugin, do të duhet të
izolohet nga lidhjet e saj me pjesën tjetër të vendeve perendimore,
përkatësisht, me Bashkimin Europian dhe me SHBA-të. Ndërsa në Japoni rekomandon
rritjen e frymës anti-amerikane dhe për këtë thotë se në shenjë falenderimi
duhet rritur bashkëpunimi midis Moskës dhe Tokios. Jo vetëm kaq, Aleksandër
Dugin porosit që me ndihmën e shërbimit sekret rus, Moska duhet të synojë
destebalizimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes konflikteve sociale,
etnike e fetare.
Propozimi
kryesor i Dugin lidhet me krijimin e vatrave të zjarrit në këto vende, me
qëllim që Rusia të shfaqet shpëtimtare e
situatave të trazuara dhe të vendos ndikimin e saj në Europën Lindore e
Juglindore. Ai e orienton politikën dhe diplomacinë ruse edhe në aspektin
religjioz, drej një aleance të vendeve ortodokse në Ballkan si dhe të një
aleance panislamike në Lindjen e Mesme dhe vendet arabe.
Kësaj
doktrine të re iu shtua në vitin 2012 doktrina tjetër e Vladimir Putin për "Botën ruse"! "Bota
ruse", sipas presidentit Putin, do të thotë marrje në mbrojtje e të gjithë
atyre që flasin rusisht, pavarësisht se ku banojnë, çfarë shtetësie kanë dhe
qytetarë të cilit shtet janë. Koncepti i "mbrojtjes" për "Botën
ruse" u zhvillua si "e drejtë e shtetit të Federatës së Rusisë për të
ndërhyrë edhe me forcë në funksion të këtij qëllimi" te vendet e tjera!
Ndërkohë
ky koncept u zhvillua më 2014-ën si doktrinë e "civilizimit rus"!
Këtë ide e trajtoi në mënyrë të hollësishme më 7 prill 2015 drejtori i
Institutit Ekonomik të Euro-Azisë, Vladimir Lepjoshin. Ndërsa në shtator 2013,
Putin, duke folur në klubin Valdai thoshte se “Bashkë me modelin e civilizimit
shtetëror shkojnë dhe veçoritë e ndërtimit të shtetit.
E
gjitha kjo vlente që të ngjizej më mirë ideja e "Botës ruse', e cila u
trajtua jo thjesht si një civilizim etnik, por edhe si kulturë gjeografikisht
më e gjerë se sa etnia. Thelbi i këtij civilizimi shihej tipari euro-aziatik i
Rusisë.
Kjo
do të thotë se: Së pari, pretendimi për një civilizim rus me identitet të
veçantë është një përpjekje për të dominuar civilizimet e tjera. Së dyti, me
ideologjinë e civilizimit të Rusisë shtohen përpjekjet për të ridimensionuar
zonën e ndikimit dhe influencës gjeopolitike. Që do të thotë se popujt që
flasin gjuhën sllave, të përafërt me rusishten, do të duhet të bëhen pjesë e
ndikimit të Rusisë. Po ashtu popujt që kanë ndjenja kulturore të përafërta ose
identike me Rusinë. Së treti, përpjekja për të formuluar një civilizim rus të
ri, të ndryshëm, të veçantë e madje superior, bën pjesë në strategjinë e
formulës së krijimit të Moskës si epiqendër e botës sllave. Së katërti, modeli
kulturor e politik që ofron Rusia e sotme është një sistem autoritar, i cili
domozdo do të duhej të dallonte nga demkracia perendimore.
Por
në të njëjtën linjë shkon gjithashtu deklarata e ministrit të Punëve të
Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, e korrikut 2021, sipas të cilit është
detyra e gjeneratës aktuale të politikanëve në Serbi që “të krijojnë botën
serbe dhe të bashkojnë serbët kudo që jetojnë ata”.Më tej Vulin thotë se “Në
mënyrë që ‘Bota serbe’ të bëhet, Serbia duhet të jetë e suksesshme
ekonomikisht. Ajo duhet të udhëhiqet mirë e duhet të ketë një ushtri që është
në gjendje ta ruajë vet Serbinë dhe serbët kudo që ata jetojnë. Ideja e
"botës serbe" në fakt lindi nga doktrina e Vladimir Putin e
"botës ruse"! Madje është kopje e saj. Në Rusi pamë se ideja e botës
ruse i dedikohet presidentit të saj Vladimir Putin. Njëjtë edhe në Beograd
shohim të njëjtën gjë. Vulin thotë se "Për të ruajtur botën serbe, garanci
është vetëm Aleksandër Vuciq".
Në
Kosovë, në Bosnjë-Hercegovinë, por edhe në Mal të Zi është kërkuar nga liderët
politikë serbë që deklarata e ministrit Vulin të dënohet. I është kërkuar
presidentit Vuçiq të distancohet prej tyre. Por asgjë e tillë nuk ka ndodhur.
Përkundrazi, zoti Vuçiq ka marrë nën sqetullën e tij edhe mikun e dobishëm të
Serbisë, kryeministrin e Shqipërisë dhe politikanë të tjerë, të cilët
vetëdijshëm e ndihmojnë atë për të realizuar idenë dhe doktrinën e konceptit të
"botës serbe", që do të thotë të krijimit të Serbisë së Madhe. Për
këto arsye doktrinat ideologjike të të gjitha kohërave nuk ndryshojnë në Serbi
dhe në Rusi. Ato nuk janë doktrina thjesht kulturore, gjuhësore, religjioze apo
të bashkimit të traditës. Janë ide dhe filozofi të ndërtimit të strategjive
politike e gjeopolitike të Moskës dhe Beogradit dhe përdorimit të dhunës në
funksion të këtyre strategjive.
Zhvillimet
aktuale në rajonin tonë provojnë se ku mund të cojnë këto ide destruktive në
Ballkan. Serbia ka ndez zjarrin e konfliktit të ri në Bosnjë-Hercegovinë, ka
mundur të krijojë një qeveri pro-serbe e pro-ruse në Podgoricë, ka realizuar
aleancën e liderëve maqedonas, ka marrë përkrahjen e kryeministrit të
Shqipërisë dhe provokon vazhdimisht veriun e Kosovës.