Kulturë
Prend Buzhala: Fishta, Tirteu dhe Homeri Shqiptar
E hene, 25.10.2021, 07:09 PM
SHENJA E PËRJETSHME:
FISHTA,
TIRTEU DHE HOMERI SHQIPTAR
(Fletëza
fishtiane: në 150-vjetorin e lindjes)
Nga
Prend BUZHALA
Sot
është 150-vjetori i lindjes së At Gjergj Fishtës. A është ai, më parë se prift,
shkrimtar apo publicist, fletorar apo politikan, drejtor shkollash apo
polemist; përkthyes apo teolog, analist apo
komentues e kronikan ngjarjesh? I njohur edhe si veprimtar i lëvizjeve
politike, deputet i parlamentit shqiptar, poliglot e intelektual me përkushtim
të madh, pedagog e patriot i pashoq dhe kontribuues energjik i çështjes
kombëtare, mendimtar dhe humanist ndër më të mëdhenjtë, etj. ai ka qenë edhe
protagonist i shumë ngjarjeve dhe kthesave historike gjatë gjysmës së parë të
shekullit XX, si Kongresi i Manastirit (1908), Kryengritja e Përgjithshme për
Pavarësi Kombëtare (1910-1912), Rrethimi i Shkodrës (1912-1913), Lufta e Parë
Botërore (1914-1918), Konferenca e Paqes në Paris (1919-1920), Parlamenti i
Parë Shqiptar (1921-1924), Revolucioni Demokratik Borgjez (1924) etj. Gjergj
Fishta e kishte një cilësi tepër të rrallë për kohën, siç ishin krijimi i
lidhjeve të shumta bashkëpunimi me albanologë të njohur evropianë, duke
organizuar debate, tryeza e forma të ndryshme bashkëpunimi për tema të ndryshme
mbi Shqipërinë, mbi gjuhën shqipe, mbi visaret e kombit, mbi traditën
shqiptare, mbi letërsinë shqipe dhe, ndër të tjera, edhe për krishterimin e
hershëm shqiptar.
1.
Kështu,
që në fillim të shkrimeve për veprën e Gjergj Fishtës, u bënë krahasime me
Homerin. E quajtën Homeri shqiptar. Albanologu i njogur austriak Dr. Maximilian
Lambertz, i cili së bashku me Fishtën, kishte nxjerrë gazetën " Posta e
Shypnisë" (1916), kishte bërë krahasime të "Ilidiaës" së Homerit
me "Lahutën e Malcis" së Fishtës (përkthyes me mjeshtëri të lartë i
"Lahutës..." në gjermanisht), duke e quajtur atë "Iliadë
shqiptare". "Shqipnia pat nji fat t' madh e t'jashtzakonshem, shka
nuk e paten popujt e tjerë, veçse mbas qindra vjetsh të nji jete letrare, pat
të madhin, të naltuemin përmbi t'gjith, atë, qi u pshtet në popull t'vetin e n'
gjuhen e tij e qi me vjersha t'veta ndezi flak zemrat n'popull, pat zheninë
poetike t'At Gjergj Fishtes". Kështu shprehej albanologu i njohur e
dijetari i "Austrisë së Vjetër", Maximilian Lambertz (Vjenë 1882 -
Lajpcig 1963), i cili kishte botuar më 1949 studimin monografik “Gjergj Fishta
dhe epi heroik shqiptar Lahuta e Malcís” (shih punimin e dr. Anton N. Berisha
"Gjergj Fishta - Homeri shqiptar", në "Bota e re", tetor
1990, Prishtinë).
Do
të vijnë, mandej, edhe studiues tjerë, të kohës kur jetoi Fishta, që do të
bëjnë krahasime me Homerin, si Eqrem Çabej apo Aleksandër Xhuvani. Çabej te
punimet "Poeti shqiptar Gjergj Fishta" dhe "Epika e Gjergj
Fishtës": "Një dritë jete homerike shkëlqen mbi veprën e tij: si në
të theksuar të vlerës së individit, si në ndërlikim të hyjnisë në jetën
njerëzore". Aleksandër Xhuvani e quan Homer dhe Tirteu i Shqipërisë, me
rastin e vdekjes së tij: "Si vetimë u përhap an’ e kand të Shqipnisë lajmi
i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar, At Gjergj Fishtës dhe e mahniten
mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të 'Lahutës
së Malcisë' që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë, që ka
ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë."
Edhe
në punime tjera të asaj kohe, të autorëve Filip Ndocaj, Karl Gurakuqi,
Franpçesk Erkole etj. Studiuesi i Homerit në shqip, Dr. Engëll Sedaj, në
shkrimet e tij për Fishtën vlerëson: "Ai ishte i vetëdijshëm se
kuptimësia, që del nga këngët popullore, si dhe tematika e pasur, stili epik
dhe funksionaliteti, mund t'i gjente vetëm në Iliadën e Homerit."
Te
jo pak autorë të numrit përkujtimor “At Gjergj Fushta 1871 - 1940", nën
përkujdesjen e At Benedikt Demës, theksohet krahasimi me Homerin (kjo vepër u
ribotua në Prishtinë më 2011, nën përkujdesjen e Abdullah Konushevcit).
2.
Ka
zëra që theksojnë edhe sot, se krahasimi me Homerin dëshmon anakronizmin e
veprës së tij! Ashtu sikundër ekziston realizmi i shekullit XIX si epokë
letrare, në letërsi ekziston edhe realizmi i përjetshëm. Ekziston edhe një
homerizëm i amshueshëm, sepse ekziston një etikë historike që vigjilon kohët.
Diku theksohet: të jesh popullor dhe pranë popullit, është gjëja më e shenjtë
në botë. Homeri ishte mjeshtër mbi tragjedinë njerëzore, më i madh se të gjithë
tragjedianët tjerë. Ajo që sot quhet postmodernizëm (citatësia, ndërthurja e
teksteve etj.), ka ekzistuar edhe në antikë si palimspest. Si tekst mitesh që
thuren në një tragjedi apo tekst tjetër letrar. Asgjë të re nuk na sjellin as
postmodernistët, në krahasim me antikën. Homeri thoshte: "Bëhu edhe folës
i fjalëve edhe bërës i veprave" ose “Megjithatë, e mësuar nga koha, zemra
ime ka mësuar të shkëlqejë për të mirën e tjetrit dhe të shkrihet në mjerimin e
tjetrit.” Homeri)
E
lexojmë Fishtën, sepse nuk mund të heqim dorë nga vetvetja, nga idealizmi
kombëtar. As nga e bukura në art. Nuk heqim dorë, sepse një komb qëndron në
vlerat e qytetërimit, kur i çmon të mëdhenjtë e vet gdhe gjenitë e vet e që na
janë burim që nuk shteron asnjëherë. Patetike kjo? Paj, le të jetë edhe ashtu,
kur Fishtën e kemi Shenjë të Përjetshme të artit, kulturës dhe historisë sonë,
mitit tonë dhe letërsisë sonë gojore, lashtësisë dhe modernitetit. Ai kishe
vetëdije të formuar estetike: “: “ Artisti –geni; vendi – ambjenti; koha –
kultura. Geni sendergjon iden; ambjenti trajton shijen estetike; kultura përban
teknikën ase stilin e veprës... Arti nuk ashtë imitacion i natyrës, mbasi ai
lind në mendjen e artistit…:”.
U
përpoqëm për pesëdhjetë vjet ta heqim atë shenjë, por aty ndërhyn përjetësia
dhe e largon dorën tonë të krimit dhe të antiqytetërimit. Shenja u tregua e
pamposhtur. Mësuesi i Madh ligjëron në
secilën kohë.
(23 tetor 2021)