Kulturë
Sabit Rrustemi: Ajo që duhet thënë e ditur për Ramadan Musliun
E shtune, 23.10.2021, 04:32 PM
AJO QË DUHET THËNË E DITUR PËR RAMADAN MUSLIUN
(Në
njëvjetorin e mungesës së Tij *)
Nga
Sabit RRUSTEMI
Njëzetedy tetori i
vitit 2021 shënon njëvjetorin e mungesës së shkritarit të shquar nga Krahina e
Anamoravës, Ramadan Musliut, i cili tashmë i përket amshimit.
Virusi Corona, ky
armik i përbotshëm që preku dhe Kosovën, gjeti strehë në organizmin e këtij
njeriu të madh të letrave shqip dhe, pas një përballje prej gati një muaji, e
shuajti njërin nga penat më të veçanta në fushën e poezisë dhe të kritikës
letrare në katër dekadat e fundit, përkatësisht njëzetvjetëshit të fundit të
shekullit të shkuar ( XX ) si dhe njëzetvjetëshit të parë të shekullit XXI .
Për mbamendësit
por dhe brezat e tashëm, kryesisht të rinjtë, Ramadan Musliu, pas mbarimit të
studimeve, për një kohë të shkurtër punoi si profesor i gjuhës shqipe në
Vendlindjen e tij, në gjimnazin e Vitisë.
Po prej kësaj
pjese të Kosovës, Ai, përmes të vetmes gazetë të përditshme që kishim si dhe
revistave "Zëri i rinisë" e "Fjala", zuri t'i dëshmojë
prirjet e veta për poezinë e kritikën letrare, duke e sprovuar veten ngapak
edhe në prozë, madje me sukses, ku edhe triumfoi nëpër konkurse anonime
letrare, por, më vonë, gjatë viteve të Nëntëdhjeta të fundshekullit të shkuar,
ai u dëshmua binshëm edhe në fushën e publicistikës. Opinionet e tij për sfidat
dhe situatat me të cilat përballej Kosova, edhe sot janë aktuale.
Vëllimi poetik
PARODIA E TRUPIT, i botuar në vitin 1981 nga Redaksia e botimeve
"Rilindja", e përuron në mënyrën më të mirë si një poet në ardhje me
një talent dhe përkushtim të veçantë gjë që e dëshmuan edhe veprat e mëpastajme
deri te ajo e fundit që u botua për gjallje të tij, GJENDJE NEUTRALE .
Secila vepër e
tij, ishte një provokim i bukur si për lexuesin, ashtu edhe për kritikën
letrare dhe njohësit e letërsisë.
Tepër i spikatur ,
i saktë por edhe i guximshëm u tregua edhe në fushën e kritikës letrare., madje
që në librin e
parë të këtij lloji - MBINDËRTIMIN POETIK , dhe të tjerët që i shkroi gjatë
periudhës 1980 - 2020.
RILINDJA dhe FJALA
ishin dy hapësirat mediale, në të cilat, mendja dhe pena e tij iu dha e iu la
brezave vlerësime e shtjellime letrare për shumë emra e vepra që kishin sjellur
prurje të reja në letërsi, po edhe për dukuri të tjera me të cilat ballafaqohej
dje, e sot ( po do të përballet edhe nesër ) letërsia jonë.
Për dhjetë vite,
1994 - 2004, Ramadan Musliu ishte njëri nga intelektualët më autenntik e më
origjinal, thënë më troç, vetë zëri i së vërtetës, në shtetin Amë - Shqipërinë,
ku përmes gazetës RILINDJA që dilte në Tiranë, jo veç e njohu pjesën tjetër me
letërsinë shqipe që ishte krijuar në Kosovë, e që fare pak njihej në Shqipëri,
por, përmes kontakteve dhe shkrimeve, ai krijoi dhe një shkollë të re letrare
me brezin e ri të krijuesve, të cilët, përmes tij, jo vetëm e rizbuluan Kosovën
po, edhe shpirtin e saj përmes letërsië që e kishin shpërfaqur nëpër veprat e
tyre të botuara në Prishtinë.
Ramadan Musliu,
nuk ishte indiiferent as ndaj zhvillimeve politike dhe fateve nëpër të cilat po
kalonim si popull.
Si shumica
dërmuese e popullit që i përkiste dhe sidomos të asaj shtrese intelektuale, nga
fundi i viteteve tetëdhjeta e këndej, u rreshtua dhe u bë një me kërkesat
gjithëpopullore për Republikën e Kosovës dhe, lirinë e saj.
Ishte nismëtar dhe
prijës i parë i Lidhjes Demokraike të Kosovës në Viti, dhe njëri ndër zërat më
progresiv të lëvizjeve dhe turbulencave demokratike nëpër të cilat kaluam gjatë
këtyre tri dekadave. Jo vetëm nëpër gazeta e revista të kohës, jo vetëm nëpër
libra por, një mandat edhe nga vetë Kuvendi i Kosovës, dhe, për pak vite dhe
nga ekzekutivi më i lartë i vendit, nga pozita e këshilltarit.
Mjerisht, shoqëria
jonë e pasluftës, veçanërisht institucionet tona qendrore, nuk i shfrutëzuan
mjaftueshëm potencialet e tij intelektuale dhe sugjerimet e kritikat parimore
të Ramadan Musliut. Për më keq, edhe e anashkaluan dhe, vitet e fundit, Ai, të
vetmin ngushëllim e kish dhe e gjeti në letërsi dhe në Familjen e tij.
Në raport me
Gjilanin , Ramadan Musliu ishte tejet i lidhur, po përmes letërsisë dhe emrave
me të cilët nga fillimeve të tetëdhjetave e këndej, ishte i pandashëm, jo vetëm
shpirtërisht po, edhe fiizikisht. E kam fjalën këtu për Beqlr Musliun, Ibrahim
Kadriun, Musa Ramadanin e Ramadan Rexhepin. Dhe jo vetëm me këta po edhe me
plejadën më të re të krijuesve nga kjo krahinë kosovare.
Shkroi për ta,
përkatësisht veprat e tyre, edhe sa punonte në Prishtinë, po edhe nga Tirana
zyrtare.
Pas luftës, ishte
pjesë thuaja e shumicës së veprimtarive letrare, sidomos e Manifestimit
kombëtar të kulurës, "Flaka e Janarit", ku e dha kontributin në
vlerësimin e krijmeve letrare, dhe jo vetëm njëherë. Pastaj në dhënien e Çmimit
letrar "Beqir Musliu" , ku ishte disa herë edhe përcaktues i tij e,
në vitin 2017, edhe vetë laureat i tij, sepse e meritoi dhe u nderua me atë
Çmim.
Mungesa e tij në
jetën tonë publike dhe veçmas në atë letrare, ështb evidente. Thënë shkurt,
shumë e hetueshme. Një emër i nivelit të tij, aq i thellë, aq i urtë , i
pathyeshëm gjithastu e, tepër i thjeshtë e njerëzor, vështirë të na paraqitet
së shpejti.
Deri te ai moment,
për ta kompenzuar mungesën e tij fizike, duhet t'i rrekemi më me përkushtim
trashëgimisë së tij letrare që la, duke e lexuar e rilexua, duke e vlerësuar
por, edhe duke e vënë pikërisht në vendin që i takon .
Një përpjekje në
këtë drejtim është dhe përzgjedhja poetike SHTJELLË SHPIRTËRORE, e cila s'do të
ishte sot në duart tona, pa një emër si Anton Nikë Berisha dhe, pa Shtëpinë
botuese "Beqir Musliu"
( 22 - 23 tetor 2021 )
*Fjala përkujtimore mbajtur në Vjeshtën Letrare të
Gjilanit më 22.10.2021