Kulturë
Emin Azemi: Dekodimi i porosive poetike të Ramadan Musliut
E diele, 24.10.2021, 01:56 PM
DEKODIMI I POROSIVE POETIKE TË RAMADAN MUSLIUT
Nga
Emin AZEMI
Ky
libër që kemi sot në dorë, ka një kuptim përtej simbolikës që lidhet me
njëvjetorin e shkuarjes në amshim të poetit Ramadan Musliu. Ky libër pra është
vetë tipologjia e një verbi poetik, i cili vjen i sintetizuar në formë të asaj
tërësie unike e cila arrin të pajtojë harmoninë estetike të shprehjes poetike
dhe anën përmbajtësore të ideogrameve që vijnë në formë të zërave të brendshëm
në vetë qenësinë e mikrokosmosit.
Ata
që nuk kanë pasur rastin ta ndjekin vazhdimësinë krijuese të Ramadan Musliut,
tani do të mund të rigjejnë një autor pak a shumë të rifreskuar në kujtesën
tonë, i cili del në pah me gjithë gamën e plotnisë së tij poetike,e shpërndarë
në gjashtë vëllimet me poezi të shkruara para se të ndërronte jetë.
Cila
është merita e përzgjedhësit të poezive që ndodhen në këtë libër? Do t’i hynim
në hak ndoshta autorit të këtyre poezive nëse themi se Anton Nikë Berisha me
këtë përzgjedhje na ka ofruar një portret krejt të ri poetik të Ramadan
Musliut, po ama është e pashmangshme bindja që na imponohet se përgjegjësinë
për këtë metodologji përzgjedhëse, Anton Berisha sikur e ka nda me vet autorin
e kësaj materie letrare, teksa në hyrje të librit ka veçuar një mendim
thelbësor të Ramadan Musliut, e që shpreh edhe pikëpamjet mbi artin poetik
përgjithjslsisht:“[...] poezi është një prej atyre arteve që aktin e ripërtëritjes
e ka më shumë si një gjenerim të brendshëm, gjenerim permanent, të vazhdueshëm
dhe pikërisht kjo na bën me dije se poezia e mire është ajo e vetë
ripërtëritura, ajo që vjen si shprehje sintetike, por që në thelbin e saj është
një perceptim i ri, pushtim i një hapësire të re të emocionit dhe një pasqyrim
i aftësisë gjeneruese të vetë gjuhës…”
Anton
Nikë Berisha, për ta përforcuar këtë mendim të Ramadan Musliu, është shumë i
vetëdijshëm se me këtë system poetic që po na sjell në formë të këtij libri, në
fakt ka dashur të na e konfirmojë se poezia e këtij poeti hyn në rrethin më të
ngusht të veprave që bëjnë kulmin e poezisë bashkëkohore shqipe. Sigurisht që
ky konstatim nuk ka mundur të bëhet pa një rilexim të kujdesshëm që ia bën
Anton Berisha gjithë opusit krijues të Ramadan Musliut, sepse po të ishte
ndryshe tani këtë libër nuk do ta përjetonim si një riformatim të një structure
komplekse poetike, edhe për faktin se, siç e thotë ai, vepra e mirëfillt
letrare nuk lexohet lehtë.
Para
se të merrte ndonjë vendim definitive përsa i përket structures përmbajtësore e
estetike të këtij libri, Anton Nikë Berisha, me siguri është ndeshur me dilemat
jo të pakta se cilat poezi duhet të futen në sitën e tij të përzgjedhjes. Ai
madje këto dilemma nuk i fsheh edhe në parathënien e librit, teksa shprehet se
kishte mëdyshje se cilën poezi ta marr e cilën ta linte. Kjo, me fjalë të
tjera, i bie që, edhe ato poezi që nuk ndodhen në këtë vëllim antologjik,
lirisht mund të përfshihen në ndonjë liber tjetër të një karakteri të ngjashëm,
ose të përafërt. Megjithatë, sensi për të përzgjedhur të duhurën, dhe
metodologjia e përcaktimit të kritereve për cilësinë, e kanë udhëhequr autorin
e kësaj përzgjedhjeje përgjatë gjithë procesit të vlerësimit dhe rivlerësimit
të poezisë së Ramadan Musliut. Ai me këtë metodologji sikur synon të kompensojë
mbase edhe të rikthejë vëmendjen e humbur të kritikës letrare ndaj vokacionit
krijues të Ramadan Musliut edhe për faktin se, siç thotë Anton Nikë Berisha në
parathënie, poezia e Ramadan Musliut është shumë më e vlefshme dhe poetikisht
më e pasur dhe e lartësuar sesa del në shqyrtimet dhe interpretimet e
deritanishme. Prandaj, një antologji e mirë, na shtyn t’i kthehemi edhe njëherë
autorit, kurse ata që do të kenë gatishmërinë dhe përgatitjen e duhur për ta
studuar poezinë e Ramadan Musliut, mund ta marrin si pikënisje pikërisht këtë
përzgjedhje, sepse ajo del të jetë edhe si një rinjohje me autorin e gjashtë
vëllimeve poetike: "Parodia e trupit" (1981), 1985 "Shqisa e
gjashtë" (1985), Prishtinë; "Pasqyra e të rrëfyerit" (1987),
"Kënga e sibilave" (1996), "Në zemrën e gjërave" (2004),
dhe “Gjendje neutrale” ( 2019 ).
Trupi,
harrimi, flijimi, janë disa nga kontaktet asociative-figurative që e përçojnë
semantikën e dikursit poetik të Ramadan Musliut, ku figurativiteti pashmangshëm
është i lidhur me aftësinë për perceptimin dhe dekodimin e kuptimësisë, kurse
vargu, siç do të thoshte Malarme, mundëson rikompozimin e trajtave të
papërkyera të gjuhës, sikundër mund t’i hasim në vargjet: bien ata ngadalë me parukën
e territ mbi kodër (tek poezia Natë kalabreze), arsyeja e flijimit është si
shiu për ugar (tek poezia Tallja përpara kryqit), drurin e fantazisë e kishin
mbjellë në kopsht (tek poezia HERBARIUMI), vetëm pikëllimi na gjuan me gurë
(tek poezia MASHTRIMI I HËNËSINËS), ç’muzikë akulli solli kjo kohë (tek
HËNËSINA QË PO SHUHET), Me pëlhurë mushkërish i mbulova ëndrrat (tek MËRGIMII
TRUPIT), Si një petk i vjetruar plot arna, rri e varur vjeshta, në gozhdën e
ndryshkur të stinës( tek poezia VJESHTË E VONË), Zërat e çjerra të
pulëbardhave, kur bukuroshet e fatamorganeve shfaqen, vinin të dridhshme si
malli atdhetar (tek poezia PËR EMRIN E LASHTË TË TRUPIT TONË).
Ata
që do ta kërkojnë tejdukshmërinë e verbit poetic të Ramadan Musliut, nuk do të
mund të gjejnë për arsye se kjo nuk është një poezi që shuan kurreshtjen me një
të lexuar. Procesi i rileximit të kësaj poezie ndërlidhet me natyrën komplekse
komunikuese të diskursit letrar që përmban në vetvete, për arsye se, siç e
thotë Anton Nikë Berisha në parathënien e këtij libri, përcaktimi i Ramadan
Musliut të hartojë poezi të mirëfillta moderne, të ndërtojë atë lloj të tekstit
që e përligj poetin madhor dhe si të tilla (poezitë) mund të komunikojnë dhe të
ndikojnë estetikisht në lexuesin, jo vetëm të kohës kur u hartuan, përligjet
para së gjithash nga poezia e tij, po dhe nga pikëpamjet e tij teorike e
estetike që i shprehu për dukuritë e ndryshme të poezisë.
Një
poet si Ramadan Musliu, që e kishte të zhvilluar edhe sensin e të kuptuarit të
poezisë në pikëpmaje teorike e estetike, paraqet jo vetëm arsyen për ta
perceptuar poezinë e tij nga një këndvështrim pak a shumë specifik, por edhe
tërësinë e vlerave stilisitike që ofron kjo poezi. Ky liber, me metodologjinë
përzgjedhëse të Anton Nikë Berishës, dëshmon edhe njëherë se poezia nëse
vendoset në hierarkinë e duhur të vlerësimit, ajo si e tillë mund të
funksionojë shumë natyrshëm si product krijues i një sistemi të konsoliduar
poetik.
(
Tetor, 2021 )
______________
( Kjo kumtesë u paraqit
në veprimtarinë e dytë të Manifestimit "Vjeshta letrare e Gjilanit,
mbajtur më 23 tetor 2021, në Bibliotekën e Qytetit në Gjilan, pikërisht në
njëvjetorin e kalimit në amshim të shkrimtarit Ramadan Musliu, ku u paraqit
poezia e tij e zgjedhur nga ana e prof. dr. Anton Nikë Berishës, SHTJELLË
SHPIRTËRORE )