Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Partitë Politike Shqiptare merren me ndarjen e lugëve dhe enëve
E hene, 20.09.2021, 08:08 PM
PARTITË POLITIKE SHQIPTARE MERREN ME NDARJEN E LUGËVE DHE ENËVE
NGA
KALOSH ÇELIKU
Partitë
Politike Shqiptare në Shtetin e “përbashkët” në pushtet e opozitë me “besë” e
pa besë, koha është Sot të ngulin këmbë, se: Ende, pa u bë regjistrimi saktë i
banorëve në këtë Shtet të “përbashkët demokratik”, nuk mund të ketë zgjedhje të
lira dhe demokratike. Fatkeqësisht, hë pë hë në këto Marrëveshje Politike me
ndërkombëtarët për dalje nga kriza deri më sot, nuk e kanë ngritur si kusht
elementar nëpër ato bisedime dhe debate televizive, asnjë Parti Politike
Shqiptare. Tekefundit, shqiptarëve me shekuj që lindin, jetojnë dhe vdesin në
kët shtet të “përbashkët” t’u jepet së paku nënshtetësi. Mendja ma thotë, se: Partitë Politike Shqiptare mu si Dje,
edhe Sot merren me ndarjen e enëve dhe lugëve. Dhe, jo me Shtëpinë. Pasurinë e
patundshme: arat, melet dhe livadhet.
E
them këtë, se: I lindur jam dhe jetoj me vite në këtë Shtet të “përbashkët
demokratik”. Hapat e parë i kam bërë rrëzë Çukës, nën hijen e Lisit midis
Livadhit ku i kam lexuar Rilindasët: Naimin, Fishtën, Vaso Pashë Shkodranin,
Asdrenin, Ndre Mjedjen, Filip Shirokën, Luigj Gurakuqin, Fan Nolin, Hil Mosin,
Ali Asllanin e Lasgush Poradecin. Delet i kam thithë si qengj dhe mjel me kusi
nën dardhat gorrice, tek “Jasakët e Tikeve”. Ujë kam pi nga burimet e “Përronit
të Thanës”. “Çifligu i Xha Derallës”, ka qenë Mëmëdheu dhe Atdheu im
demokratik. Ferrat e të cilit më jepnin gji, fuqi për luftë me Penë.
Pasmesnate, kur xhindet më rrëmbenin mes Nanës dhe Babait dhe më hudhnin dorë
më dorë mbi çatia majë lisave. Vite ato, që më dhanë gji, fuqi të shkollohem në vendlindje (Cërvicë) dhe
Strellcë të Kërçovës e Shkup. Studimet t’i ndjek me disa vite pune në arsim,
vazhdoj luftën me Penë në Prishtinë (Kosovë) e Shkup.
Vitin
1980 -të pas kryerjes së ushtrisë (JNA) në Knin (Kroaci), jam kthyer në Shkup.
Përshkak se, nuk isha banor i Shkupit (edhe pse me nënshtetësi “maqedonase”), u
detyrova të punoj në fshatrat e malësisë të Shkupit mbi 15 vite si mësues:
Tisovicë dhe Strugodicë (1980-1955). Fshatra shqiptar malor, për të cilët kurrë
nuk kisha dëgjuar gjatë shkollimit të mesëm, edhe pse Shkollën Normale e kreva
në Shkup. Tinëz të hyj për oxhaku, shtegu i vetëm i parardhësve të mi kaçakë.
Vendbanime
shqiptare, kur dikur nuk ishte ngjitur dot këmba e turkut, e sot me vështirësi
ngjiteshte e “vëllezërve” neokomunistë. Fshatra pa minare të xhamive, ku në
shtëpitë e vjetra të dikurshme shkolla shqipe, një herë në javë i vizitonte
hoxha. Shkolla fillore që nga koha e ministrit të arsimit Ernest Koliqit të
pagëzuara me emra të Rilindasëve shqiptar. Vatra arsimi, ku ende më vinin
revistat për fëmijë në emër të atyre burrave të penës e pushkës. Fshatra pa
gardhe e avlia me gra pa ferexhe të zeza, që kur të takonin në rrugë të
përshndetnin me atë shqipen e bukur të malësisë. Dukuri natyrore mes atyre
maleve, që nuk e hasje në mes të Shkupit.
Kohë
qorre, edhe kur u ndoqa hap pas hapi, gjoja se jam i dërguar nga Kosova që të
veprojë në këto vise shqiptare. Që, asaj kohe si nxënës, përveç Radushës dhe
Studeniçanit, nuk dija për ndonjë fshat tjetër shqiptar në Shkup. Arsye, e cila
më bindi vite më vonë rrëzë Kalasë Dardane, vetëm nga këto dy fshatra asaj kohe
i kisha në klasë nga një nxënës. Vërtetë varfëri kombëtare.
Dorën
në zemër, gjatë viteve ’80 -ta, pas studimeve kur erdha në Shkup e pash
realitetin e këtij Qyteti historik shqiptar. I gjithë Shkupi ishte i rrethuar
me fshatra shqiptar. Tek tashti u binda se, Shkupi është qyteti më i banuar me
shqiptarë, pas Tiranës. Sot (2016), pas Luftës Kosovës 1998/’99 ka ndryshuar
gjendja, padyshim është Prishtina. E, të mos flasim për kohën e Perandorisë
osmane, kur Shkupi ka qenë qyteti më i banuar me shqiptarë në Ballkan. Jo
rastësisht, edhe betejat luftarake më të përgjakshme janë bërë dhe bëhen për
Shkupin. Rrëfimet historike të Babait, se: Shkupin të parët e kanë çliruar
shqiptarët, nuk më hiqet nga mëndja edhe sot e kësaj dite. Përmëtepër, në atë
Krynegritje Shqiptare Historike kundër Perandorisë Osmane, me armë në dorë
kishte marrë pjesë si krah i djathtë lufte i Dervish Carës edhe stërgjyshi im,
Emin Çeliku (Xhambazi).
Kryngritja
kishte vazhduar lufën për në Katllanovë, vend afër Shkupit ku u zhvillua një
betejë e përgjkashme me synime luftarake për t’i çliruar Velesin, Prilepin,
Krushevën dhe Manastirin (1844).
Edhe,
erdhi koha të bindem me realitetin: Vitet e ’80 -ta kur erdha si mësues në këto
anë, shqiptarët i gjeta të regjistruar si “turq ehamdurila” pa e ditur së paku
edhe një fjalë turke?! Shumica e nxënësve nuk kishin as çertifikatë të
datëlindjes. Askund, nuk figuronin si banorë të këtij Shteti të “përbashkët”.
Burrat e atyre fshtrave nuk i merrnin as ushtarë.
Regjistrimi
i banorëve pas vitit 1981, deri diku e ndryshoi gjendjen reale, ku banorët e
këtyre fshatrave u regjistruan si shqiptarë. Shumica dihet, ende vazhdonin të
jetojnë mes këtyre maleve pa nënshtetësi, mu si sot lagja “Dizhonska”
(vendlindja e Hoxhës Allahut), në mes të Shkupit. Banorët e së cilës edhe pse
kanë lindur, shkolluar, punojnë, vdesin dhe varrosen në këtë shtet, ende nuk
kanë nënshtetësi në Maqedoninë Veriut”. Nuk i përmendim këtu në këtë shkrim
publicistik për Nesër, fshatrat dhe qytetet tjerë të këtij Shteti të
“përbashkët demokratik”, ku shqiptarët lindin, jetojnë dhe vdesin pa
nënshtetësi edhe sot e kësaj dite.
Fakt
ky bindës sot, që shqiptarët nuk duhet të dalin në zgjedhje të parakohshme e as
të rregullta pa regjistrimin e banorëve para syve të ndërkombëtarëve. Aspak nuk
përmban deklarata patetike e politikanëve para kamerave televizive: “Dalje nga
kriza”. Gabim i madh historik! Tek tashti do të hyjmë në krizë politike.
Përderisa, deri Dje me muaj e vite keni bërë luftë politike për pushtet, Sot
shqiptarët do të bëjnë luftë paqësore me dije e punë nëpër institucione të
Shtetit të “përbashkët” për Shtet Etnik Shqiptar. Nuk do t’i ndajmë me
“vëllezërit” si Dje: lugët dhe enët, por Shtëpinë. Dallimi mes jush dhe nesh
është, se: ne nuk marrim paga mujore pa asnjë ditë pune, me muaj pa e shkelur
pragun e Kuvendit e as honorare të majme, por e ngrejmë zërin për barabarësi
qytetare dhe Liri. Bariu i mirë delet i numron në vathë, e jo në mal. Shkaku,
se ndodhë: ndonjërën shkurreve ta ketë hëngër Ujku delengrënës.
Partitë
Politike Shqiptare në emër të popullit shqiptar, mund të bëjnë kompromise
politike para ndërkombëtarëve për “dalje nga kriza politike”: Qeverinë e Re të
zgjeruar, pastrimin e listës zgjedhore, reformat për media, datën e zgjedhjeve,
por jo edhe me numrin e banorëve të popullit shqiptar. Herë 20 %, herë 25%, e
herë 17 %. Kurrë, deri më sot nuk u bë i ditur numri i saktë i shqiptarëve që
jetonë dhe vdesin në këtë Shtet të “përbashkët demokratik”. Edhe atë, në Ditën
e Sotshme, kur argumentet natyrore flasin ndryshe: Shqiptarët janë popull
shumicë në këtë shtet. Histori më vete është ajo, se: me këtë shtet “demokratik
të përbashkët”, udhëheq që nga sistemi komunist, dhe sot neokomunist populli
pakicë pa identitet i përbërë nga bullgarët, shqiptarët, vllehët, serbët,
turqit e romët.
Shteti,
i cili moti kohë nuk ka pasur regjistrim të saktë të banorëve, nuk mund të ketë
zgjedhje të lira dhe demokratike. Aqmëtepër, kur në këtë shtet të “përbashkët”,
që nga sistemi komunist është manipuluar me numrin e shqiptarëve, duke i
regjistruar herë si “maqedonas”, herë si “torbeshë”, herë si “makedonski
muslimani” e herë si “turq”. Rreziku i sotshëm pas porte, e ka tejkaluar
sistemin komunist: Partitë e reja me “besë” e pa besë me Kur’an në dorë e ilahi
nateditë në gojë, hoxhallarët e rrejshëm dhe “analistët” politk me këmbët dhe
trutë në legen, sot për sot janë armiku më i madh i popullit shqiptar. Mëkot me
deklarata politike anadollake përpiqen ta kthejnë gjendjen politike të viteve
para ’81 -shit. Shqiptarët, kur i regjistronin me dhunë e “ndihma sociale” si
“turqë ehamdurila”. Ndihmë sot, nuk mund t’u dalin as televizionet e tyre të
varura e “pavarura”, që nateditë japin filma serik turk plot dhunë e “dashuri”
familjare. Populli shqiptar, sot nuk është ai i Djeshmi, por popull me tre
universitete i Ditës Nesërme.
Zgjedhje
të parakohshme lokale dhe parlamentare, apo qofshin ato të rregullta,
gjithësesi me Skënderbeun përpara në ballë: Po! Vetëmse, jo me Hoxhën e
Allahut! Edhe, atë: me një kusht, pas regjistrimit të numrit të banorëve në
Shtetin e “përbashkët”...