Kulturë
Emine S. Hoti: Ngjyrat zbukurojnë pikturën, si ylberi hapësirën e kaltër qiellore
E enjte, 02.09.2021, 09:22 PM
Ngjyrat zbukurojnë pikturën, si ylberi hapësirën e kaltër qiellore
Nga
Emine S. Hoti, Norvegji
Kur
pashë lajmërimin për çeljen e ekspozitës figurative të bashkëkombëses sonë
shqiptare, piktores së njohur dhe të talentuar Florie Lule Bajraktari, sapo
gjeta rastin shkova në ekspozitën e saj.
Të them të drejtën u befasova dhe ndjeva respekt dhe emocion të pakufishëm për
këtë grua të rrallë, e cila që kur ka ardhur në Suedi nuk e ka lëshuar
asnjëherë nga dora e saj e artë penelin, duke sjellë vazhdimisht për shikuesit
suedezë e shqiptarë, dhjetëra vizatime, piktura, skica, peizazhe dhe ilustrime,
të cilat, në tërësinë e tyre, kanë prezantuar përpara shikuesve personalitetin
e saj krijues.
Kësaj
here, unë zgjodha të shkruaj një artikull për autoportretin e saj, që për
mendimin tim është një realizim piktorik magjeps, plot jetë, dritë e gjallëri,
që të fton të afrohesh dhe të kundrosh linjat piktorike, vizatimin,
ekspresivitetin e portretit, e veçanërisht ngjyrat që ka përdorur piktorja në
tërësi në krijimin e saj të mrekullueshëm
Është
një pikturë - autoportret me natyrë
shprehëse, që përfaqëson femrën shqiptare plotë hire, hijeshi e bukuri, e, që,
krahas bukurisë së magjishme femërore, në pikturë shfaqen edhe tiparet e një
malësoreje, që ekspozon me krenari kostumin e saj tradicional shqiptar e
ku ngjyrat zbukurojnë pikturën, si
ylberi hapësirën e kaltër qiellore.
Piktorja
e talentuar Bajraktari nuk harron edhe disa elementë shoqërues të
autoportretit: gjerdanin në qafë e në dorë,
vathët, zinxhiri i hollë në gjoks, ku varen ornamente zbukuruese;
qëndizma të shamisë së kokës, të shallit të kuq e të bardhë, që krijojnë
kontrast, ëmbëlsi, por edhe harmoni me të gjithë pikturën. Në sfond, shkrihet
grija e majave të maleve dhe jeshilja, por ndihet edhe sesi piktorja “luan” me
penelin e saj me qiellin blu dhe me retë
e bardha, që pluskojnë lirshëm në hapësirë.
Krahas
vizatimit dhe larmisë së ngjyrave, në pikturën-autoportret shfaqen lirshëm edhe simbole të lashta
iliro-arbërore: dielli - që adhurohej nga ilirët e lashtë; e bardha – që
përfaqëson pastërtinë e shpirtit të femrës shqiptare; jeshilja e pranverës
jetëdhënëse; e verdha e luleve të verës; por dhe disa figura gjeometrike,
rrathë, rombe, trekëndësh etj., që ishin
në natyrën dhe stilin e mjeshtrave piktorë shqiptarë të mesjetës, apo të
atyre që punonin e zbukuronin mozaikët e lashtë të Vlorës, të Linit, të
Durrësit (Bukuroshja e Durrësit), apo dhe mozaikët e lashtë të Dresnikut të
Dardanisë etj.
Autoportreti
i mjeshtres Bajraktari na shkakton ndjenja gëzimi e krenarie, kurse mua si
stiliste më ndihmon me larminë dhe harmoninë e ngjyrave që ajo përdor në
veshjen dhe kostumet popullore, e që unë
i përgatisë parreshtur me stilin tim e
ia dhurojë mërgatës shqiptare të shpërndarë nëpër botë si zogjtë shtegtarë...
Urime
me gjithë zemër piktores Florie Lule Bajraktari!
Suksese
të tjera në artin e dashur të pikturës, ku ndihmesa e saj artistike dhe
atdhetare është e admirueshme.
Autoportret
Florie Lule Bajraktari
-Per
ZemraShqiptare, fund-gushti 2021-