Kulturë
Sabri Hamiti: Duke kujtuar At Zef Pllumin
E diele, 29.08.2021, 02:31 PM
DUKE KUJTUAR ÁT ZEF PLLUMIN NË DITËN E LINDJES SË TIJ
Nga
Sabri Hamiti
Me
Át Zef Pllumit u njohëm në Tiranë e Shkodër atëherë kur rinisi botimin e
“Hyllit të Dritës”, e duke folur për Gjergj Fishtën edhe u bëmë miq. Miqësia me
të është po aq e shtrenjtë sa miqësia me Lasgush Poradecin, Eqrem Çabejn, Anton
Pashkun e Ibrahim Rugovën. Kjo është pesëshja e madhe e njerëzve të kulturës
shqiptare, të cilët nuk janë më ndër të gjallët.
Në
tërthoret e Atdheut tonë, e përtej tij, shkrimtarët njëzetvjeçarë shkëlqejnë si
meteorë, tridhjetëvjeçarët ulin kokën, katërdhjetëvjeçarët i pushton idhnía; te
më të moçmit trazohen të gjitha këto. Zef Pllumi është shembull tjetër. Veprën
e parë e botoi kur kishte më shumë vite se sa Gjergj Fishta, i adhuruari i tij,
kur vdiq. Zef Pllumi për rreth një decenie i shkroi të gjithë veprat e veta. Në
këtë vështrim ky i ngjan më tepër Pjetër Bogdanit, që kryeveprën e tij Cuneus
Prophetarum e mbaroi për një decenie në fund të jetës, apo Naim Frashërit, që
të gjitha veprat në shqip i shkroi për një dhjetëvjetësh, para se t’i vinte
fundi.
Zef
Pllumi krijoi veprën monumentale “Rrno vetëm për me tregue”, një kryevepër të
logorologjisë shqiptare, në trajtën e “shkrimit të jetës”, në një prozë me stil
gegnisht, më e mbrama e madhe. Aty në një sistem të ndërliqshëm strukturohet
“rrëfimi” me “dëftimin”, dëshmia për egërsinë që përplaset me indin e jetës,
duke ruajtur moralin katolik të krishterë të misionarit të rebeluar për lirinë
e njeriut. Pra, misionari dëshmitar kurorëzohet shkrimtar. Edhe me vepra të
tjera: për Françeskanët e mëdhaj, për Fratin e pashallarëve, për Njerëzit
fisnikë, për Sagën e fëmijnisë, ashtu dhe me shkrimet prohistorike që
shndërrojnë legjendën në fakt dhe anasjelltas, Zef Pllumi është themelues i
prozës dokumentare letrare në letërsinë shqipe.
Vepra
e Zef Pllumit sot është kaq e pranishme kudo ku lexohen shkronjat shqipe. Në
Kosovë, njëri nga autorët më të lexuar. I vlerësuar nga lexuesi e dijetarët,
ajo tashmë është vlerë letrare e kulturore që mësohet në gjimnaze e ne
universitet. Për vërtetësinë e për bukurinë e saj.