Mendime
Fazli Maloku: Lot e gëzim bashkë
E shtune, 12.06.2021, 02:48 PM
Lot e gëzim bashkë
(pjesë
nga ditari im "Ditar Lufte" )
Nga
Fazli Maloku
13 qershor 1999, Mramor
Ka
disa ditë që Shtabi i Brigadës 153 E Zonës Operatie e Llapit, kishte zbritur
nga fshati Zllash, ku e kishte selinë më heret, në fshatin Mramor të Prishtinës
dhe është vendosur në Laggjën e Ramushve, fshat ky 6-7Km në lindje të
Prishtinës. Grupe ushtarësh "elite"ka ca ditë që janë futur në
Prishtinë dhe kryejnë detyrat e dhëna nga kom. i Brigadës 153, kolonel Adem
Shehu. Rreth orës 15-të , pas një rrugëtimi të gjatë e të lodhshëm në vizitë
Batalioneve të brigadës sonë, të cilët qëndronin edhe më tutje në selitë e
tyre: Rimanishtë, Koliq, Ballaban, Prapashticë, Viti, Zllash...përn tu njohur
më afër me kushtet që i ofronte logjiostika, u ktheva në selinë e Shtabit. Kom.
Shehu, qëndronte ulur në një karrige nën hijen e një Bliri. Po sa më pa u ngrit
duke hecur në drejtim timin. Lotët i rridhnin rrëke, edhe pse dukej i gëzuar
dhe buzëqeshte! Unë, i habitur nga kjo pamje e kom. Shehut e pyeta: Çka ndodhur
komandant? Të shoh të gëzuar, por edhe lotët nuk ndalen?! Sot në Prishtinë, pas
shumë vitesh luftime të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me forcat pushtuese
ushtarako-policore e paramilitare të Millosheviqit, u ngrit Flamuri Kombëtar
Shqiptar përkrah Flamurit të UÇK-së dhe konkludoj se Prishtina tashmë është e
çliruar. Ngitjen e Flamurit e ngriti kush tjetër veq simboli i rrezistencës
kombëtare, lexhenda e gjallë e kombit, bacë Adem Demaçi dhe Komandti i Zonës Operative të
Llapit-Rrustem Mustafa - Remi. U përqafuam ngrohtësisht, duke i uruar
njëritjetrit çlirimin e Prishtinës dhe asesi të shkoqeshim. Kjo është dita më e
lumtur dhe më e gëzuar në jetën time të shumëvuajtur e më pak gëzime.
Kështu përjetuam Ditën e Çlirimit të
Prishtinës unë dhe kom. Shehu.
Por
si e përjetuan qytetarët shqiptarë që kishin mbetur në Prishtinë gjatë gjithë
kohës së luftës? Një jetë plot ankth e pasiguri duke mos ditur se çka po sjell
terri i natës apo agu i ditës. Ja si e përshkruan v[llai im Nebihu kontaktin e
parë me ushtarët e UÇK-së: Sa për informim, familja ime në Lagjën Kodra e
Trimave ndejti gjithë kohës së luftës dhe u bë strehë e dhjetëra familjarëve që
nga Drenica (Shemsije Rexha-Krasniqi, nga fushtica erdhi në familjen tonë me
vajzën - Gerta dhe tek ne lindi edhe vajzën e dytë - Liburna. Bashkëshorti i
Shemsijes - Hajrullah Krasniqi, ishte ushtar i UÇK-së në Drenicë) e Llapi, edhe
pse shtëpia ime kishte vetë tri dhoma reth 16m katrore secila. Tek unë ishte
vendosur edhe vëllai im Nebihu me bashkëshortën, katër vajza, djali Fatmiri dhe
nusja e Ilirit të vrarë në përleshje me forcat serbiane, në fshatin Sveqel të
Besianës, me fëmijtë e tyre: Donika dhe Liridoni (tre dhe një vjeçar). Iliri
ishte ushtar i UÇK-së, tani Dëshmor. "Një mbrëmje vonë kthehesha nga
kusheriri yni Idrizi, 200-300m larg shtëpisë sonë, në një kryqëzim rrugësh
vërejta njerëz të uniformuar dhe të armatosur. Mendova se janë serbianë. U stepa
dhe u ndala në vend. Nuk dija ç'të bëja në atë çast. Ata më kishin diktuar më
heret dhe njëri nga ta më thirri: "Eja, mos ke frikë. Jemi ushtarë të
UÇK-së". Nuk ju besoja as fjalëve të tija e as syve të mi që vërtetë ishin
ushtarët tanë. Më bënë ca pyetje informative dhe më porositën që ti njoftoja
edhe qytetarët tjerë se tani e tutje jeni të sigurtë dhe ju mbron UÇK-ëja. Nga
gëzimi po thuaj isha i humbur fare. Hyra më vrap në shtëpi dhe ju tregova atë
që pashë dhe përjetova. Me një fjalë ju thash: Prishtina u çlirua. Tani jeta e
jonë dhe siguria është në dorë të UÇK-së. Të gjithë u ngritën në këmbë dhe
filluam përqafimet, gëzim e lot për çlirimin e Prishtinës"
Kështu
u përjetua çlirimi i Prishtinës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ditë e Madhe
për gjithë kombin shqiptar.
Fazli Maloku, Prishtinë, 13 qershor 2021