Mendime
Florim Zeqa: LDK në prag të ktheses historike!
E merkure, 10.03.2021, 09:03 PM
LDK në prag të ktheses
historike!
Shkruan:
Florim Zeqa
Nga
shkuarja në amshim e presidentit historik Ibrahim Rugova, vendit tonë dhe në
veçanti LDK-së i ka munguar lideri me besueshmëri të lartë qytetare dhe me
kredibilitet të fuqishëm ndërkombëtar.
Liderët lindin, nuk
krijohen brenda natës
Si
rezultat i mungesës së një lidershipi të besueshëm LDK-ja post-rugoviane disa herë është ndodhur në
situata të palakmueshme politike.
Por,
pa dyshim, situata më e rëndë dhe më e palakmueshme, do të thoja katastrofale
për LDK-në ndodhi pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, në të cilat e pësojë
humbjen më të thellë dhe rënjen më më të madhe nga themelimi i saj.
Nocioni
lider është konotacion pak më i gjërë dhe më kompleks seqë mendohet në
opinionin publik. Kohëve të fundit sikur jemi mësuar që një drejtues grupi,
partie politike apo udhëheqës i një koalicioni më të gjërë forcash ta quajmë
padrejtësisht lider politik!
Liderë
në kuptimin e plotë të fjalës mund të jetë ai apo ajo që gëzon mbështetjen e
gjërë popullore, që ka mështetjen morale dhe politike nga shumica e qytetarëve,
apo në rastin e një partie politike duhet të ketë mbështetjen e shumicës së
elektoratit.
Lideri
i suksesshëm dhe i përgjegjshëm konsiderohet ai që është i urtë dhe i
guximshëm, konsistent dhe i palëkundur në qendrime, ai që nuk bie pre e
lakimisë dhe egos personale, ai që nuk bie pre e shantazheve dhe
presioneve cilat do qofshin ato!.
Kuvendi i X-të, historik
për LDK-në
Tanimë
kur kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri në përballjen vendimtare në Kuvendin e X-të zgjedhor të LDK-së, e
gjithë vëmendja e opinionit publik është orientuar kah LDK-ja, kah subjekti
shtetformues dhe determinues i të gjitha proceseve politike përgjatë këtyre tri
dekadave të fundit.
Në
Kuvendin e X-të, të jashtëzakonshëm dhe historik të LDK-së, përballë
njëri-tjetrit do të ndodhen grupet e interesit që e sollën LDK-në kuotat më të
ulëta nga themelimi i saj.
Në
njërën anë do të jenë mbështetësit e kryetarit aktual, të cilët do të mundohen
ta ruajnë vazhdimësinë, ndërsa në anën tjetër do të jenë veprimtarët e
devotshëm dhe të paluhatshëm të LDK-së, ushtarët besnik të filozofisë rugoviane
të cilët do të provojnë rikthimin e frymës rugoviane në këtë subjekt politik.
Por,
në këtë kuvend do të ketë edhe të atillë të cilët do të mundohen ta bëjnë
argatin e djallit siq e bënë në vitin 2006, për të shkaktuar ndarje dhe
përçarje të mëtutjeshme të LDK-së.
Fundi i
aklamacionistëve, kthimi i votës së fshehtë
Kuvendi
i X-të siq e ceka më lartë, do të mbetët historik për LDK-në për shumë arsye, e
mbi të gjitha për atë se përfundimisht në këtë subjekt do të ndahet "shapi
nga shqeri".
Mbi
delegatët e Kuvendit të X-të zgjedhor të LDK-së rëndon përgjegjësia historike.
Kuvendi i X-të zgjedhor duhet të nxjerrë një lider unifikues, që ka përvojën
dhe pjekurinë politike, që ka maturinë, guximin dhe vendosmërin për arritjen e
reformave të mirëfillta strukturore,...jo në bazë të të preferencave, tekeve
apo inateve personale, por të bazuar në një punë ekipore, sipas meritokracisë
dhe standardeve të avancuara,...për kthimin e rendit demokratik brenda këtij subjekti
politik, ku secili anëtar të ketë mundësinë të shprehet lirshëm, pra të zgjedhë
dhe të jetë i zgjedhur sipas sistemit elektoral; "një kandidat, një
votë".
Kuvendi
i X-të dhe i jashtëzakonshëm zgjedhor i LDK-së nuk guxon të jetë kopje dhe
përseritje e dy kuvendeve të fundit zgjedhore, pra nuk guxon ta përseritë mënyrën aklamacioniste, por duhet t'i
nënshtrohet një procesi të rregullt dhe demokratik të zgjedhjes përmes votës së
fshehtë të liderit dhe kryesisë së partisë.
Ngritja e LDK-së nuk do
të jetë e lehtë dhe as e shpejtë
Lidershipin
e ri të LDK-së e presin sfida të mëdha për rimëkëmbjen e partisë dhe kthimin e
besimit në elektoratin e saj. Menjëherë pas përfundimit të Kuvendit të X-të
zgjedhor të 14 marsit 2021, kryesia e re duhet të vazhdojë me zgjedhjet nëpër
degë, nëndegë dhe aktive, aty ku e ka burimi çdo iniciativë dhe sukses i LDK-së
së reformuar.
Testi
i parë i ndryshimeve të 14 marsit do të jenë zgjedhjet lokale në vjeshtën e
këtij viti, nga të cilat do të vërehet çartë lakorja e ngritjes së LDK-së drejt
kthimit të dinjitetshëm në piedestalin politik, aty ku e ka vendin nismëtarja e
proceseve demokratike në ballkanin perëndimor dhe themeltarja e shtetit të
Kosovës.
"Kur thehet
karroca, hapën shumë rrugë"
Rezultati
i zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 i obligon të gjithë në LDK që të reflektojnë
pozitivisht në realizimin e ktheses historike. Vërtetë humbja e fundit ka
shkaktuar pakënaqësi dhe dëshprim të pafund brenda elektoratit rugovian si në
Kosovë ashtu edhe në Diasporë, por askush nuk guxon të rrëmbehet nga zëmrimi i
humbjes, as të bie pre e karrieristëve dhe lakmitarëve të pushtetit për
hakmarrje personale ndaj njëri-tjetrit.
Logjika
e "heqjes së kokave" nuk është standard demokratik dhe as praktikë e
LDK-së rugoviane. Janë proceset demokratike ato që duhet të sjellin ndryshime
dhe reforma të thella në bazë të kërkesave të kohës dhe vullnetit të
elektoratit.
Interesi
i përbashkët gjithmonë është më i madhë dhe më i rëndësishem se çdo interes
personal.
Elektorat
mbaje kokën lartë, ditë të mira po vijnë për LDK-në!
Zoti
e bekoftë filozofinë politike rugoviane!