E diele, 09.05.2021, 04:32 AM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Nguti hileqare zgjedhore në LDK

E shtune, 06.03.2021, 02:02 PM


NGUTI HILEQARE ZGJEDHORE NË LDK

"O skllevër të shekullit dixhital! Pse heshtni në këtë "Kuvend" maskaradë?

A keni fytyrë, që nesër ta kërkoni votën e anëtarësisë, të elektoratit?

Turpi qoftë me ju",- thirrja ime drejtuar delegatëve në sallën e Kuvendit të 9-të, të LDK-së.

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

E fillova këtë shkrim në vetën e parë, me deklarimin tim, në Kuvendin e 9-të Zgjedhor të LDK-së, si delegatë nga Dega e LDK-së në Gjermani. Një skenar i përsëritur, në tri Kuvendet e fundit, ku unë isha delegat. Pa debat, pa konkurrencë, pa votim të fshehtë demokratik! E njëjta Kryesi, në të tri Kuvendet! Lidershipi-klan, i koracuar në tavolinën drejtuese të "Kuvendit", si "xhandarë", kontrollon fort sallën kuvendore. Kryetarët e Degëve në mesin e delegatëve të tyre, janë porositur "të heshtin si peshqit" dhe të votojnë me akamacion, ngritje dore kolektive, unanime, për çfarëdo dhe për këdo, që kërkon dejtuesi i Kuvendit!

Kam përcjellur me vëmendje deklarimet e kuadrove të LDK-së, pas shqetësimit zgjedhor. Qasje kritike, por, edhe sugjërime, për ta rimëkëmbur, sërishmi, partinë, dikur krenare të Ibrahim Rugovës, kanë dhënë: Prof. Fatmir Sejdiu, Inxh. Fatmir Rexhepi, Adem Salihaj, Melihate Tërmkolli, Aksdemik Frashër Demaj, Dr. Naser Rugova, Hafiz Gagica dhe, së fundi, edhe Besian Mustafa, anëtar i Kryesisë, që shënon një risi shpërthyese, për sjelljen e papërgjegjshme të udhëheqjes të LDK-së. Megjithatë, kritikët në fjalë, lanë paqartësi, në çështjen e statutit, ndërsa kompetencat e kryetarit, në qendër dhe bazë, i heshtin fare! Përmenda vetëm disa emra, më të zëshëm, por, në surdinë janë shumë.

Pavarësisht kërkesës të strukturave të partisë dhe të anëtarësisë, për të organizuar zgjedhje të përgjithshme brenda-partiake dhe Kuvend të Jashtëzakonshëm, lidershipi i LDK-së, ngutshëm e përmutshëm, me qëllim të ikjes të përgjegjësisë faktike, për humbjen fatale të zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka caktuar datën e mbajtjes të një Kuvendi-farsë, për zgjedhjen e kryetarit dhe të kryesisë. Kësaj i thonë injorim dhe shpërfillje, deri në dhjerje, të strukturave, anëtarësisë, elektoratit dhe popullit.

Shtrohet pyetja, pse na përsëritet viti 2006, në vitin 2021?! Sepse, edhe pas denoncimit të shkaqeve, - pse humbi LDK-ja -, dhe pas 17 vjet të humbjeve serike të LDK-së, pa asnjë fitore, qendrore apo lokale, është vazhduar me të njëjtën udhëheqje, pa asnjë llogari-dhënie, pa pranim të fajësisë!! Dhe, sot, në Kuvendin e 14 marsit, "të pakuptimtë dhe shterp, në mungesë të parakushteve", - siç thotë Besiani ynë mençurak, ne lejojmë që i njëjti klan, pas shkaktimit të dy përçarjeve, të dy ndarjeve të mëdha të LDK-së, të vazhdojnë "me avazin e Mukjes", siç ka hyrë në zhargonin gjuhësor të shqiptarëve të Shqipërisë londineze.

Ishte Konferenca e Mukjes, (fshat i Krujës), e ballistëve dhe komunistëve, me manipulimin e emisarëve jugosllavë, Dushanit e Milladinit, të cilët realizuan përçarjen e shqiptarëve, deri në luftën civile, qytetare, njëjtë, si tani, Hashimi e Kadrija, që përçajnë e ndajnë LDK-në.

Besiani me shokë janë shumë të vonuar, në analizat dhe kritikat e tyre, por, lë të ngushëllohemi me shprehjen popullore, "më mirë vonë se kurrë!" E themi këtë, sepse në një intervistë të Besianit, në "dpt" te Fidani, pyetjes se "kur do të bëhen reformat në LDK-e", ai përgjigjej se "reformat vazhdojnë ndër vite e dekada!" Vërtet, reformat edhe atëherë, edhe sot, janë shumë të vonuara. Dhe, unë zemër-plasur, iu hakërrova atij, me shkrimin - Zhgënjen Besjan Mustafa", edhe pse e dija se ai fliste me porosinë e shefit të tij.

Kuvendi i LDK-së, tashmë, i caktuar për 14 mars, duhet "ta harrojë" zgjedhjen e kryetarit  dhe të kryesisë  të LDK-së. Përkundër, ai duhet ta zgjedhë ekipin përgaditor ose - Këshillin Organizativ -, për përgaditjen e Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme, kësaj vere. Ekipi, këshilli duhet të kryesohet nga veprimtarë, të cilët nuk janë pjesë e fajësisë, që ka rezultuar me rrënimin e LDK-së. Kuvendi i tanishëm duhet të zgjedhë një Komision të ri, për ndryshime statutare. Duhet të debatojë dhe analizojë, "pa dorëza", shkaqet e humbjeve serike 17-vjeçare.

Kuvendi i ardhshëm zgjedhor, pas përgaditjeve disa mujore, duhet të rezultojë me reforma, ndryshime cilësore në zhvillimin e punimeve të Kuvendit  të LDK-së, pas përfundimit të procesit zgjedhor: në Aktiva, Nëndegë, Degë dhe deri në Kuvendin Qendror, ku do të zgjidhën strukturat e partisë, përfshirë edhe kryesinë dhe kryetarin e LDK-së.

- Vazhdon -



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora