E hene, 17.05.2021, 08:24 PM (GMT+1)

Mendime

Gjokë Dabaj: Milionerët shqiptarë dhe atdheu i tyre, Shqipëria

E hene, 01.03.2021, 11:16 AM


MILIONERËT SHQIPTARË DHE ATDHEU I TYRE, SHQIPËRIA

Nga Gjokë Dabaj*

Para pak ditësh dërgova për botim një shkrim me titull “Koha për një kuvend të pasurish shqiptarë. Shumica e gazetavet nuk e botuan (është puna e tyre, pse nuk e botuan), por gjithsesi, milionerët tanë do të mund ta kishin lexuar atje ku ai shkrim, ai artikull, është botuar.

Jo pa qëllim, i kam përmendur aty me emra: Zamir Mane, “Shega”, Salillari, Mark Gjonaj, “Këlmendi”, “Kastrati Grup”, Kadri Morina, Behgjet Pacolli, por përsëri nuk mora asnjë përgjigje, as publike, as vetjake.

Nuk po dua të mendoj që këta milionerë shqiptarë janë të zënë tani me probleme më të rëndësishëm se sa fati i kombit të tyre. Po dua më tepër t’ia lë fajin përditshmerisë së tyre rutinë dhe pavëmendjes së njerëzvet që i rrethojnë dhe që paguhen prej tyre. Nuk po dua të mendoj që Behgjet Pacollit, Kadri Morinës, “Kastrati Grupit”, “Këlmendit”, Mark Gjonajt, Salillarit, “Shegës”, Zamir Manes, nuk po u bëhet vonë për fatet e atdheut të tyre. Po dua më tepër t’ia hedh fajin vetes, që nuk jam aq i njohur dhe prandaj zotërinjtë që i kam përmendur nuk kanë as arsye, as kohë për t’u marrë “me gjithfarë shkrimesh që dalin nëpër media”.

Për t’u marrë me gjithfarë njerëzish të parëndësishëm! Unë mund të jem i parëndësishëm, por problemi që po trajtoj nuk është i parëndësishëm. Problemi është shumë i madh! Madje më i madh se jeta ime dhe se jeta e secilit prej jush, të nderuar milionerë shqiptarë!

Prandaj dhe nuk po mund ta mbyll gojën! Nuk po mund ta mbyll gojën, sepse jam tepër i shqetësuar: Ç’po bëhet dhe ç’do të bëhet në vitet e ardhshëm me Shqipërinë dhe me kombin shqiptar, nëse askush nuk e vë ujët në zjarr për këtë punë?! Kush duhet t’i dalë zot kombit shqiptar, nëse milionerët shqiptarë nuk po e quajnë të nevojshme për t’u organizuar në këtë kohë kritike?! Milionerët tanë, Zamir Mane, “Shega transport”, Salillari, Mark Gjonaj, “Këlmendi”, “Kastrati Grup”, Kadri Morina, Behgjet Pacolli dhe nja 200 a 500 të tjerë, do të duhej në këtë kohë të merrnin në dorë flamurin e kombit të vet dhe t’i tregonin botës që ne shqiptarët nuk duam, nuk pranojmë, të quhemi vendi dhe kombi më i varfër në Evropë!

Kur Gjergj Kastrioti mori përsipër t’i tregojë botës ç’ishte e ç’mund të bënte Arbëria, vendi ynë nuk ishte i çliruar. Një pjesë të madhe të Arbërisë e kishin zënë osmanët, një pjesë Venediku dhe një pjesë tjetër Brankoviqi i Sërbisë. Por kjo nuk e pengoi Gjergj Kastriotin ta konceptojë atdheun e vet si një e të pandashëm. Kështu, as milionerët tanë të sotëm, fakti që Shqipëria është e copëzuar në 6 shtete, nuk duhet t’i pengojë që Shqipërinë ta konceptojnë si një e të pandashme.

Kur rilindësit tanë, Ymer Prizreni apo Abdyl Frashëri, morën përsipër t’i dilnin zot Shqipërisë, ata nuk i pengoi fakti që Shqipëria ish e tëra nën sundimin e Perandorisë Osmane.

Po kështu, kur Ismail Qemali, Isë Boletini, Luigj Gurakuqi e atdhetarë të tjerë patën guximin dhe vendosmërinë, ta shpallnin Shqipërinë shtet më vete, kjo Shqipëri gjendej e pushtuar prej së paku 6 ushtrishë të huaja. Por ata nuk i pengoi, përkundrazi, i nxiti të mblidhen sa më parë në Vlorë dhe t’i dalin zot krejt Shqipërisë.

Ç’i pengon sot, të pasurit tanë, milionerët tanë, ta shkrijnë, jo krejt pasurinë, por një pjesë të vogël të pasurisë, për një organizim mbarëkombëtar, në mënyrë që fqinjët tanë të mos mund të na i sllavizojnë e greqizojnë trojet tanë një nga një?!

Ç’i pengon sot të pasurit tanë të vihen edhe organizativisht në krye të kombit të vet, në mënyrë që tokat tona të mos braktisen kaq tragjikisht dhe në mënyrë që djemtë e Shqipërisë të mos vriten kështu nga 5 e nga 6 në ditë?!

Dhe mua s’më mbetet tjetër, veçse të bërtas, si dikur njëri nga paraardhësit tanë, që e kish emrin Gjergj Fishta:

Lidh me Besë na ndërmjet vetit,

gjallë Atdheun nuk e lshojmë kurrë!”

A kanë farë Bese milionerët tanë të sotëm?! A kanë farë përkushtimi kombëtar?! Apo janë thjeshtë llogaritarë të vetëvetes?!

Një Ismail Qermali pat thënë dikur: “Unë jam Smail Qemali, prapa më vjen historia! Të shohim tani, cilit prej milionerëvet tanë do t’i vlojë zemra për të lënë gjurmë në historinë e këtij kombi, siç lanë gjurmë lavdishëm ata që jetuan para nesh!

30 janar 2021           Gjokë Dabaj,

Cel: +355692567880

*Kryetar i Institucionit Kulturor Kombëtar

“Përkujdesja Gjithshqiptare”

T i r a n ë



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora