Mendime
Idriz Zeqiraj: Sforcimi bizar i një fushate
E hene, 22.02.2021, 06:52 PM
SFORCIMI BIZAR I NJË
FUSHATE
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Vërtet, zyrtarisht, fushata ishte e kufizuar në 10 ditë, për arsye
Pandemie, por, realisht, PDK dhe AAK, e kanë nismuar qysh në ditën e shpalljes
të paligjshme të qeverisë Hoti! Thaçi më parë, e Veseli më vonë, mësuan se do
të jenë target i Gjykatës Speciale. Dhe, patën kohë t`i linin ca
"amanete", për vartësit e tyre.
Zgjedhjet e 6 tetorit 2019, refuzuan sundimin e mëtejmë të PAN-it,
nën akuzat e rënda: krimin e organizuar vrastar; korrupsionin, më troç, hajninë
zyrtare dhe kapjen e shtetit në tërësi.
Në zgjedhjet e tetorit 2019, LDK-ja erdhi me imazh të përmirësuar,
falë angazhimit të Vjosë Osmanit me brezin e Republikës, brezin e ndryshimit.
Së bashku me LVV, ajo me shokë bënë një opozitë dinjitoze, përballë bandës-PAN.
Koalicioni i dy subjekteve, deri atëherë opozitare, ngjalli shpresë e
besim. Por, ndërhyrja e Hashim Thaçit, me SHIK-un e tij, realizoi tre
objektiva, në koordinim me Isa Mustafën, që rezultuan fatale për LDK-në,
Kosovën, buxhetin e abuzuar të saj, për mbajtjen e zgjedhjeve të sërishme:
1. Prishjen e koalicionit LVV-LDK;
2. Rrëzimin e qeverisë Kurti;
3. Koalicionin fatal me partitë banda të PAN-it, ku Hashimi
"u zu me pelë për dore", duke e këmbyer një votë deputeti në mesnatë,
për qeverinë Hoti, me emrimin e një konsulli qumështor! Pse duhej ta bënte këtë
Hashim presidenti?!! Mos vallë, ia donte kaq shumë të mirën LDK-së, për ta
sjellë, pameritueshëm në pushtet?!
Fushata mashtruese dhe rrenacake e Hoxhaj
E gjithë fushata ishte e sforcuar dhe bizare. PDK-ja, me bartësin
e listës, Enver Hoxhaj, një demagog i neveritshëm, shpifi, pa doganë fare, për
kundërshtarët politikë, LDK-në dhe LVV. Ai, me shokë, i bindur, paraprakisht,
për humbjen e pritshme, mashtroi shqiptarët me premtime boshe, duke i joshur
trutharët masivë, me ngritje imagjinare të pagave, pa fije mbulese financiare,
për ta shtuar elektoratin. Dhe, me gënjeshtrat e tij, megjithatë, arriti mjaft.
Shifrat paushalle e hiç reale, për ngritje pagash, për disa
kategori, në veçanti, për "veteranët", ende pa i spastruar listat nga
33.600 "veteranë" të rrejshëm, është një krim shtesë. Me përrallisje
të tilla, në vend të verifikimit të listave dhe trajtimit dinjitoz të
veteranëve të vërtetë, po synohet ligjësimi i statutit të rrejshëm, për
dhjetra-mijëra "luftëtarë" fiktivë. Të trimëruar nga
"pafajësia" e "komandantëve" abuzues e kontrabandues të
"Dëshmisë të Veteranit", PDK tenton të rehabilitojë e ligjësojë
krimin dhe kriminelët!
Mbi këtë bazë, PDK ndërtoi të gjithë fushatën me NISMA e Limajt,
se kujt i takon lufta dhe "çlirimtarët"?! Një lajthitje e
"vogël", në vend që të thuhet luftëtarët, pasi çlirimin faktik të
Kosovës, e bëri NATO-pakti. PAN-i vazhdon të provojë ta demantojë
ish-presidentin Fatmir Sejdiun, i cili është i bindur se "ushtarakët e
FARK-ut të Ibrahim Rugovës dhe veprimtarët e LDK-së, nuk i kanë vrarë
jashtëtokësorët", duke nënkuptuar LPK-në, alias PAN-in me SHIK-un e tij si
vrasës faktik.
Fushatë ekstremisht e papërgjegjshme e Ramushit
Me tam-tamet bajate fushatore, nuk i la gjë mangut as AAK. Me
vetëshpalljen president të Ramushit, zgjoi ilaritet, të qeshura kolektive tek
shqiptarët! Glauk Konjufca thotë se "është budallallëk për Ramushin, më
heq dorë nga kërkesa e postit të presidentit!" Ai ka parasysh edhe ndihmën
e Isa Mustafës, si mjeshtër të zgjedhjes banditeske të presidentit, andaj
Ramushi mund ta bëjë ëndrrën realitet!
Përveç lavdërimeve dhe përvehtësimeve të disa të arriturave, që
realisht, u takojnë edhe qeverive të LDK-së dhe PDK, me aleatët e vegjël, ai,
si gjithëherë, bëri "yrysh" në premtimet, duke kulmuar me kthimin e
Çakorrit dhe të Kullës! Ramushi sikur "harroi" se pjesë e dhurimit të
territorit tokësor Malit të Zi, ishte edhe ai, në këmbim të postit të
kryeministrit! Si shumë lirë u shit "gjenerali!"
Protestat e dhunshme të mars-prillit 2004, të organizuara nga
Serbia dhe të zbatuara nga të ashtuquajtura "Shoqata të dala nga
lufta", kryesisht, nga OVL të UÇK-së, zhvatëse falsifikuese të buxhetit të
lodhur të Kosovës, nën maskën e "Dëshmisë të Veteranit", me shumë
mijëra "veteranë" të rrejshëm. Rrjedhojat ishin fatale: sollën decentalizimin,
me fshat e komunë serbe e deri tek "Zajednica". Shqiptarët u
turpëruan, u vranë dhe Kosova u detyrua të ndërtojë shtëpitë dhe kishat e
djegura. Vandalët u dënuan simbolikisht, por, u liruan me konspiracionet e
UNMIK-u me Serbinë!
Edhe bashkimi apo unioni Kosovë-Shqipëri, në ndërkohë që Kosova
ende nuk është konsoliduar si shtet, mirëpritet nga Serbia. Kësaj të fundit i
jipet argumenti dhe rasti, për të ngulmuar në kërkesat e saj, për ndarjen e
Kosovës. E dhimbshme, me broçkullat e bashkimit, ftohen Serbia dhe ndërkombëtarët,
për të bërë pazare të pista, ndarjen e Kosovës, ashtu siç bënë me demarkimin e
kufirit ma Malin e Zi, duke dhuruar territore shqiptare fqinjit
malazez. Nëse Hashimi paguante lobimin, për ndarjen e Kosovës, Ramushi e
bëri pa pagesë, në tubimet përgjatë fushatës.
Kërcënimet me kushtëzimet për anëtarësim në NATO dhe liberalizimin
e vizave, janë bllofe injorante, janë "një fenë në ujë", njësoj sikur
të provosh "ta frikësosh arushën me shoshë!" Thonë se "sharti i
parë i myslimanizmit është me ia dijtë hallin vetës". Dhe, kaçiku
shqiptar, tashmë, është provuar në luftën e fundit: 13 mijë viktima, 430
masakra, 1.600 të zhdukur, 1 milion të dëbuar dhe ikanakë shqiptarë të Kosovës.
Edhe Edvin Rama e Hashim Thaçi, me shprehje rrugaçërore, shanin Evropën
për izolimin e shqiptarëve! Por, harronin horrat, se i pari, pas tri dekadash
pluralizëm, ktheu sundimin monist në Shqipëri. Ndërsa i dyti, i heshti, për dy
dekada, krimet monstrume, ndaj kundërshtarëve politikë; shkatërroi sistemin e
drejtësisë; ligjësoi hajninë zyrtare, duke rrënuar ekonominë e Kosovës, deri në
ikjen masive të shqiptarëve, nga varfëria kundërmuese.
- Hajnat në burg -, siç kërkon populli i Kosovës, dhe,
sekuestrimi, shtetëzimi i pasurive të grabitura, të vjedhura, pronë e dikurshme
e brezave shqiptarë, liberalizimi i vizave, lëvizja e lirë e qytetarëve të
Kosovës, realizohet natyrshëm. Dhe, kjo duhet të hetohet, të faktohet dhe,
vërtet, hajnat të ndëshkohen me burg, pavarësisht pozitave të djeshme apo të
sotme. Një mik të Titos, Hero Kombëtar, Perandor i Etiopisë, Haile Selasie,
drejtësia e vari në shtatoren e tij, në sheshin qendror të vendit, për
korrupsion, thënë shqip, hajni zyrzare, të pasurisë së popullit të tij.
Fushatë e sikletshme e Limajt
Nisma Socialsemokrate, e tradhtuar nga partia mëmë - PDK-e, për ta
futur në gjirin e saj, me dëshirën për t`u mos u merakosur, për kalimin e
pragut zgjedhor, ishte e tronditur dhe fort e çakorduar. Limaj bëri një fushatë
të tensionuar, pothuajse, bizare, me ngritje zëri artificiale, vend e pa vend,
deri në çjerrje, me slloganin, tashmë, të bajatosur, "me çlirimtarët"
e tij! Limaj me shokë "harroi", se në mesin e çlirimtarëve u
infiltruan edhe vrastarët dhe i bënë gjëmën Kosovës, duke i shtuar mijëra
jetimër vendit, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë!
Ekziston dyshimi i bazuar se nën maskën e "çlirimtarëve, u
bënë krime të rënda, deri në vrasje serike. Mbi disa syrësh, rëndojnë akuza, se
gjatë dhe pasluftës vranë, në ditën me diell dhe natën, me hënë e pa hënë,
kundërshtarët politikë, të cilët e kishin bërë paqen dhe luftën faktike. NISMA
nuk zgjoi ndjesinë e pritur, sepse Kosova e përgjakur nga pushtuesi dhe
"komandantët çlirimtarë", nuk janë amnistuar nga populli dhe
pafajësitë e kriminelëve, i konsiderojnë të blera, nga drejtësia korruptive
vendore e ndërkombëtare.
Fushatë e dinjitetshme, por, e molisur e Hotit
Një fushatë ndryshe bënë LDK dhe LVV. Këto dy subjekte, pa
ngarkesë kriminale, në raport me PAN-in, bënë fushatë pa sforcime, të
qetë dhe dinjitoze. Premtimet ishin brenda normales realizuese. LDK-ja e
tepëroi me përsëritjen se "ktheu në binare politikën e jashtme!"
Ndërkohë që, pikërisht, disa eksponentë arrivistë e karrieristë të LDK-së,
kishin punuar shumë, për t`i bërryluar zyrtarët në pozitë, duke realizuar
anashkalimin e tyre brutal, më ndërhyrje hiç diplomatike.
Megjithatë, LDK-ja ka për traditë urtësinë rugoviane. Ajo arriti
të riparojë disa nga batakçillëqet e "bajraktarëve" të saj. Por,
zhgënjen, kur nuk heq dorë nga të qenit patericë e PAN-it, aleat i tij, edhe
pse ai është përgjakës i LDK-së, i Kosovës, i shqiptarëve të pafajshëm.
Pikërisht për këtë, votuesit, elektorati i LDK-së ndjehen të tradhtuar nga
lidershipi i tyre dhe përdorin atë shprehjen pezhorative të popullit: "Mos
u bëj argat i m...", po e zbusim pakëz, "i djallit!"
Fushatë e veçantë dhe energjike Albini-Vjosa
LVV solli risi në fushatën e saj. Zgjodhi këtë mënyrë, për të
shmangur, në një masë, infektimin pandemik. Shetitjet simpatike, të prira nga
Albin Kurti, Vjosë Osmani, Donikë Gërvalla, Glauk Konjufca me aktivistë dhe të
tjerë, në rrugët qendrore të qyteteve, ishin mbresëlënëse. Ato dëshmuan
përkrahjen masive të popullatës, në kërkim të shpëtimit nga krimi, hajnia
zyrtare, kapja e shtetit. Thirrja - duam ndryshimin -, u bë refren i dashur,
deri në admirim, adhurim, jo vetëm për marshuesit rrugorë, por, edhe për
shumicën absolute të shqiptarëve, madje, të kudondodhur.
LVV, edhe pse e akuzuar për mangësi të programit planor, për
qeverisjen e saj të pritshme, megjithatë, shpalosi konturët e prioriteteve,
funksionimin e sistemit të drejtësisë; punësimin, të lëndëzuar me përkrahjen e
bizneseve vendore. "Ne e sigurojmë veturën, por, jo njeriun",-
shprehë paradoksin, në sintezë, Kurti, për sistemin tonë qeverisës.
Premtimet sociale, për zbutjen e varfërisë skajore, janë parësi
akute. Për ta favorizuar natalitetin, lindjet, demografinë, shtimin e
popullatës, duhet zbatuar dhënien e shtesave të fëmijëve, me një kuotë të
përballueshme nga buxheti i Kosovës.
Mercënarizmi bizar i medieve elektronike pamore
Fushatës bizare i shërbeu, madje, besnikërisht, edhe bizariteti i
disa mediave elektronike pamore të Kosovës. Gazetarë, opionistë, analistë, më
saktë, banalistë, bënë një fushatë të orkestruar, të paguar majmë, me një
anëshmëri proverbiale. Ata thyen të gjitha rregullat morale dhe etike, në saje
të pazareve të pista me padronët e tyre. Në vend që t`i prijnë ndryshimit, të
resë, ata, ditën dhe natën, non-stop, 24 orë, ngulmuan për mbrojtjen, ruajtjen
e statusquosë, të vjetrës, të krimit dhe korrupsionit! Përgjithësisht, ishin
kundër ndryshimit, në mbrojtje të statusquosë!
LVV dhe Lista - GUXO - e Vjosë Osmanit, ishte caku i shënjestrimit
të analistëve dhe opionistëve, me përjashtime të pakëta, siç bëri Luljeta Aliu,
e cila denoncoi, guximshëm, maskaradën mediatike, propagandistike, në favor të
zyrtarëve mujëshorë, kriminelë e makro-hajna. Kosova ka pasur një traditë të
shkëlqyer, në fushën e gazetarisë dhe të krijimtarisë. Ata, të vetëdijshëm për
rrezikun e goditjes, edhe në kushte pushtimi, kanë ngritur zërin e mospajtimit,
të protestës.
Kujtoni krijuesin gjilanas, Sabit Rrustemi, guximin e tij për të
botuar poezi e prozë të anatemuar, i vetëdijshëm për rrjedhojat, goditjet,
burgun. Përmenda vetëm njërin syrësh, për të mos e ngarkuar mëtej shkrimin,
por, ata janë të shumtë. Dhe, forca e tyre ishte guximi intelektual, ideali i
lirisë.
Dhe, sot, shitja e përshitja e kalemxhinjëve dhe fjalamanëve në
debate, është bërë modë. Jo me kot thotë populli:
"Marrja nuk ka mbytur askënd!"