Speciale » Karanxha
Ilia Karanxha: Binomi Portret - Biografi në Shek. XV-XVI
E merkure, 17.02.2021, 08:13 PM
BINOMI PORTRET- BIOGRAFI NË SHEK. XV-XVI
Nga Ilia S. Karanxha
Mbetet një fakti i mirënjohur që ikonografia kastriotiane lindi dhe u
zhvillua në ambientin e kulturës rilindase të humanizmit italian e atij
evropian. Kështu çdo studim në lidhje me fillimet e zhvillimin e kësaj
ikonografie nuk mund të veçohet e të realizohet jashtë këtij ambienti. Në këto
kushte del nevoja të hidhet edhe një vështrim i shkurtër mbi disa linja
kryesore në historikun e artit evropian dhe mentalitetet e kohës që përsëdrejti kanë influencuar edhe mbi ikonografinë
kastriotiane.
Vlerat dokumentare e përkujtimore veç atyre artistike tek
një portret kanë qenë qysh nga antikiteti objekt teorish të cilat në rrjedhën e
shekujve kanë stimuluar një numër të pafund interpretimesh në ndryshime të
vazhdueshme dhe shpesh në kontradiktë me njëra-tjetrën. Për sa i përket
raportit mes ngjashmërisë të shëmbëlltyrës të portretizuar dhe modelit të tij,
kufizimet e tij, bukuria, roli i tij, pra të gjitha aspektet e lidhura me
konceptin e imitacionit, janë të gjitha argumente që gjejnë vend në një studim
erudit të Jakob Burckhardt-it(1818-1897) mbi Origjinat e portretizimeve
moderne .
Studiues të tjerë kanë shtruar gjithashtu problemin e
portretit të një personi nëpërmjet pyetjes: Cila është vetia më shquar tek
një portret ? Shumë e gjejnë përgjigjen tek ngjashmëria me origjinalin.
Mirëpo, në kohët antike duket që nuk mendohej kështu. Këtë e provon fakti i
mosngjashmërisë që takohet në portretet
e ndryshme te të njëjtit personalitet të shquara grek apo romak prej të cilave del a pamundur
të dallosh se cili prej tyre është më origjinali. Duket se të vjetrit i vinin
përparësi aspektit shpirtëror përpara atij fizik. Pavarësisht nga këto
konstatime që bën Vincenzo Cuoco (Viçenco Kuoko), ai shtron gjithashtu çështjen
se çfarë kuptimi ka nëse ky apo ai portret ngjan apo nuk ngjan? - Pjesa fizike
e fytyrës tonë është subjekt i vazhdueshëm ndryshimesh për mijëra shkaqe të
momentit. Ne vetë duke vërejtur pjesët e ndryshme të një portreti jemi subjekt
i të gjitha aksidenteve që shkaktohen nga drita apo nga largësia. Të njëjtat
ndjesi që provon plotësisht shpirti ynë
në momentin që vëren një fytyrë ndryshon ndjeshmërinë që e njëjta shëmbëlltyrë
shkakton brenda nesh..
Në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, fillimisht Julius
von Shloser(Schlosser) e më pas Benedeto Croce
trajtuan problemin e ngjashmërisë së portreti dhe arritën në
konkluzionin se artisti fut e shpreh mbi portretin një pjesë të vetvetes siç
vërehet nga ndryshimet e portreteve të të njëjtit person të bërë nga artistë të
ndryshëm. Kriteri i ngjashmërisë, pra, i një forme ekspresive që korrespondon
me të vërtetën dhe e riprodhon është e pashmangshme për artin figurativ, por e
gjitha i besohet kapacitetit të artistit për të vërejtur dhe për të fiksuar një
aspekt, megjithëse në ndryshim të vazhdueshëm, të personit që ka përpara.
Debati i shek. XIX-XX mbi ngjashmërinë e portretit, mjaft
i ngjeshur me probleme dhe me protagonistë dalëngadalë u zhvendos nga teoritë
artistike në ato filozofike, estetike e psikologjike. Ato zënë fill në
literatura artistike qysh me reflektimet e Leon Batista Alberti-t.
Pjesa më e madhe e autorëve të biografive të ilustruara
me portrete në librat e shtypur në gjysmën e dytë të shek. XVI duke përfshirë
këtu edhe Vasari-n i kushtuan një vëmendje të veçantë problemit të
vërtetësisë së portreteve jo vetëm në shtjellimin e biografive të
personaliteteve të famshëm që ata trajtuan, por edhe në hyrje të veprave apo në
letrat dedikuese. E gjithë kjo përqendrohej te mëdyshja ritrajtim apo imitim i
portretit e, më tej akoma , në ballafaqimin në mes artit e natyrës, që mbeti
një nga argumentet qendrorë në shkrimet mbi artin në shekujt që pasuan.
Një portret i stampuar në një vepër duke qenë se ishte
gjithmonë një riprodhim, merrte pothuajse
gjithmonë vlerën e prejardhjes nga një shëmbëlltyrë e vërtetë e
dokumentuar e nxjerrë nga natyra dhe e bërë besnikërisht sipas ngjashmërisë së
personit. Ky ishte efekti i menjëhershëm mediatik që ai transmetonte ndërsa
verifikimi i burimit primar dhe i vërtetësisë të tij, sidomos kur bëhej fjalë
për personazhe të së kaluarës, ishte
mjaft i vështirë dhe shpesh i pamundur.
Shëmbëlltyrat në librin e stampuar, edhe pse
fillimisht mbetej shumë më poshtë nga portreti i pikturuar,
kishte mundësi të mëdhaja e të
paimagjinueshme të përhapjes gjë të
cilën nuk mund ta gëzonte një portret i kavaletit. Për t’i paraqitur sa më
denjësisht portretet e grumbulluara nëpërmjet ksilografive Paolo Giovio i
shkruante Antonio Farneze Donit më 14 shtator 1548 se kishte shpresë të
shikonte portretet e stampuara në Elogia virorum illustrium (Elozhe mbi
burat shquar): të shtuara me ndonjë
ngjyrë, për një dinjitet më të madh.. Në realitet kjo dëshirë e Giovios u
realizua në ndonjë eksemplari i veçntë por rezultoj në aspektin artistik jo
shumë i përshtatshëm.
Problemi i ngjashmërisë nga ana e fizionomisë të
portretit, pavarësisht nga çështja e ngjyrave që dalëngadalë nga mjeshtrit e
kësaj gjinie filloi të korrigjohej me tonalitetet e ngjyrës së hirtë, nuk ka
qenë një problem vetëm i Vasari-t apo i Giovios. Të gjithë autorët që kishin
ndërmend t'i kushtoheshin publikimit të një teksti biografik të ilustruar me
portrete ndodheshin përballë problemit të vështirë për të mbledhur materialin
ikonografik më të pranueshëm për t'ia besuar pastaj artistëve nga të cilat ata
realizonin gdhendjet (grafikat) për t'i futur në përmbledhjet biografike. Pra
është e ligjshme të pyetet: Sa prej portreteve të publikuar në shek. XV-XVI
korrespondonin me të vërtetë në bazë të një ikonografie të njohur e të
besueshme dhe sa pastaj ato ngjisnin me modelin natyral?
Vështirësia e hulumtimeve ikonografike për ngjashmërinë e
vërtetë të portretit për të realizuar më tej përmbledhjet me shëmbëlltyra në
edicione përkatëse doli në pah qysh në fillimet e shek XVI tek autorët e parë
që u impenjuan të botojnë volume të numizmatikës antike si Andrea
Fulvio(1470-1527), i pasuar nga Jakopo Strada, Guillaume Rouville e Hubert
Goltzius. Rreziku i pasaktësive ikonografike dhe akoma më keq i krijimit të
shëmbëlltyrave false, duke i paraqitur për të vërteta dhe antike u kritikua nga
numizmati dhe gdhendësi i famshëm Enea Vico (1523-1567), autor portretesh të
shquara kryesisht të antikitetit. Duke aluduar mbi veprën e Rouville-s, ai
shkruante: ...paraqitja e imazheve imagjinare nuk mund të jenë imazhet e
vërteta të tjetrit, dhe as mund të kënaqin pastaj dëshirat e lexuesve..
Mirëpo Rouville, nga ana e vet, e ndiente ndërgjegjen e pastër në krijimin e
portreteve imagjinare dhe referon një pasazh të Plini Plak : Gjërat që nuk
janë, trillohen, dhe fytyrat e panjohur, lindin dëshira. Për këtë shembulli më
i qartë dhe demonstrimi i lumturisë
gjendet se është gjithmonë dëshirë e të gjithëve të dinë se kush ka qenë
dikushi...
Ksilografia (gdhëndja mbi dru) edhe pse ishte e njohur
dhe përdorej qysh nga fundi i mesjetës në Vendet e Ulta, në Itali e në Gjermani
ajo u përdor fillimisht në dekorimin e stofrave e më vonë filloi të zbatohej për portretin vetëm nga
fundi i shek. XV, pra, shumë më vonë pas daljes të veprave të para të stampuara. Nuk mund të thuhet se cila mund të
kishte qenë përshtypja e parë e një
vëzhguesi të shek. XV që shikonte një portret jo të ngjyrosur mbi një copë
letër, mirëpo zhvillimi e shumëfishimi tepër i shpejtë i imazheve grafike në
letrën e stampuar triumfoi mbi mentalitetin e portretit të ngjyrosur që takohej
gjithmonë në kodet dorëshkrim në formën e miniaturave. Nuk munguan me këtë rast
përpjekjet për të ruajtur traditën duke e kombinuar teknikën e re të gdhendjes
me ngjyrosjen e pjesëve të bardha mbi letër. Për këtë qëllim tipografët aty nga
fundi i shekullit të XV në krye të kapitujeve linin apostafat vënde bosh ose
pubikonin korniza me zbukurime floreale ose gjeometrike përsëri bosh me qëllim
që ato të kompletoheshin nga blersi nëpërmjet personave të specializuar në
zbukurime minjaturash me ngjyra. Mirëpo pjesa më e madhe e këtyre veprave ka
mbritur deri në ditet tona pak a shume ashtu si janë publikuar dhe vetëm në
raste të rralla ndonjë familje aristokrate i kompletonin këto vepra me ngjyra.
Ishin vitet e tranzicionit nga kodi dorëshkrim i paisur me minatura në libri i
stampuar i paisur me grafika.
Megjithkëtë teknika e re e paraqitjes së imazheve dhe
portreti pati shumë shpejt në artin librar mjetin më efikas e të suksesshëm.
Shpikja e tipografisë paisej edhe me një element të ri atë të ksilografive që
zëvendësoi portretin e ngjyrosur të kodeve dorëshkrim.
I pari artist i madh që mundi t'i jepte portretit të
stampuar të njëjtën shkallë bukurie kundrejt atij të pikturuar ka qënë pa
dyshim Albert Dürer(1471-1528), i cili diti të kombinonte aftësitë e tij
të jashtëzakonshme të skicimeve me atë
të gdhendjes. Portretet e tij madhështore të Erazmit të Roterdamit,
Melantone-s, Maksimilianit I etj. me teknikën e gdhendjes kanë mbetur si dëshmitë
më origjinale të një gjinie të re të artit të realizuara nga modeli i vërtetë,
e cila mori një zhvillim të veçantë duke filluar nga dhjetëvjeçari i dytë i
shek. XVI e në mënyrë të veçantë, në botën protestante.
Portreti i parë i ksilografuar mbi librin e stampuar që
njihet deri më sot në Itali është ai predikatorit fiorentin, Paolo Attavani,
(92 x 66mm) i shtypur në Milano më 28 gusht 1479 nga tipografët Leonhard Pachel
dhe Ulrich Scinzenzeler. Ky portret i botuar në fletën e parë (verso) të veprës
Breviarium totius juris canonici i
realizuar nga një gdhendës anonim paraqet Attavani-n në një profil gjysmë busti
në një hapësirë tredimensionale ku evokohet studioja e autorit. Figura në
tërësinë e saj të kujton si formën e portretit të shek XV të pikturave mbi
dërrasë po ashtu edhe portretet në miniaturë në kodet dorëshkrim.
Paolo Attavani
– (1479)
Kronikat e
Norimbergut (1493)
Futja e portretit në librat e stampuar si mjet ilustrues
bëri që të lindëte brenda një kohe të shkurtër gjinia letrare e serive
ikonografike dhe biografike, të cilat filluan të dilnin si në Itali ashtu edhe
në vendet e tjera të Evropës duke nisur nga fundi i shek XV. Një nga rastet e
para historikisht të njohura si përmbledhje historike-biografike e ilustruar
është Liber Chronicorum ose ndryshe Cronaca di Norimberga (1493)
i Hartmann Schedel-it me më shumë se dymijë ilustrime mes të cilave shumë
portrete në gjysmë bust. Kjo vepër u botua si në latinisht ashtu edhe në
gjermanisht e pati një përhapje në të gjithë Evropën. Ekzemplarë të veçanta e shumë të ralla të kësaj vepre
janë ngjyrosur nga piktorë minjaturistë.
Një vepër tjetër më pak e njohur por jo më pak e
rëndësishme, është edicioni mbi jetën e grave më të shquara i titulluar De
plurimis claris scelestisque mulieribus, të cilën murgu agostinian
bergamask, Giacomo Filipo Foresti, e botoi në Ferrara më 1497 dhe me një
dedikim për Beatriçen e Aragonës e datuar më 1493. Vepra e Foresti-t përmbante
182 kapituj biografikë të zbukuruar me 172 portrete të vegjël të ksilografuar
të grave heroina sa legjendare, biblike po ashtu edhe historike e ndonjëra prej
tyre edhe bashkëkohëse e Forestit. Kështu këto të fundit kanë edhe një farë
vlere dokumentare.
Ne mesin e shek. XIV në Rilindjen Italiane e atë
Evropiane hidhen në një formë profesionale hapat e para të historiografisë
moderne mbi numizmatiken që janë të lidhura me koleksionet e para të monedhave
e medaljeve antike. Ndër emrat e parë që u morën me këtë gjini fisnike të
koleksionizmit shquhet edhe emri i
poetit e humanistit të madh, Françesko Petrarka,(1304-1374). Me pasionin e tij
të shquar për numizmatikën është e lidhur ngushtë edhe vlera historiografike e
ikonografike që ai ju jepte portreteve te perandorëve romakë, që dëshmoheshin
në këto objekte me një art shpesh të shquar. I frymëzuar nga informacioni
që transmetonin portretet e këtyre
monedhave Petrarka përpiloi edhe biografitë e 36 perandorëve në veprën De
viris illustribus (Burrat e shquar).
Deri aty nga mesi i shek. XVI ishin të shumta koleksionet
numizmatike e bashkë me to edhe
koleksioni i medaleve të njerzve të
shquar . Mes tyre në linjë të parë
shquhen sovranët, princat, papët, kardinalët por edhe humanistë të shquar mes
të cilëve mund të përmëndim medaljet e Gjergj Kastriotit Skënderbeut të humanistin tonë Nikolla Leonik Tomeo-n
(1456-1531) e më pas figura të shquara të humanizmit italia e të huaj si Paolo Giovion, Pietro Bembon e shumë të
tjerë. Koleksionet e shquar të familjeve Durraco në Gjenova e Albani në Romë i përkasin një
periudhe pak më të vonshme e një koleksionimi më kompleks që i bëri të famshme
këto familje si në Itali po ashtu edhe jashtë saj.
Medalje
dedikuar Nikolla Leonik Tomeos (Skaliti
Andrea Briosco Ricci)
Në këtë gjininë e fundit, që na intereson në mënyrë të
veçantë, shquhet publikimi mjaft i angazhuar i antikuarit Andrea Fulvio
(1470-1527) me titull Illustrium
imagines, të cilën ia dedikonte kardinalit Jacopo Sadoleto (1477-1547).
Ai konsiderohej si një nga koleksionistët
më të mëdhenj në Romë prej nga vinin edhe 207 portretet e ksilografuar të
botuar në veprën e tij. A. Fulvio vdiq ndoshta gjatë grabitjes të Romës (1527),
mirëpo vepra e tij njohu shumë shpejt edhe një botim të dytë në Lion më 1524.
Sipas shembullit të A. Fluvio-s më 1525 doli në Strasburg
vepra Imperatorum romanorum libellus me autor Johannes Huttich, prift
humanist me origjinë nga Mainz, i cili, krahas portreteve të publikuara nga
humanisti roman, pasuroi më tej edhe biografitë e tyre. Vepra e tij u mirëprit
e pati edhe ribotime të tjera.
Shumë më vonë nga botimet e sipërpërmendura del në Lion
më 1553 vepra e Guillaume Rouillé (1518-1589) Prontuarie des medailles,
e cila përmbante 828 portrete të ksilografuar të personaliteteve të shquar
në formën e medaljeve të
shoqëruara me biografi të shkurtra. Vepra me një farë regullsie në një faqe
përmban dy jeteshkrime p.sh. Skënderbeu është së bashku me sulltan
Muratin, Pirroja i Epirit së bashku me Aleksandrin e Maqedonisë. Grafisti ka qenë Alphonse Reverdy dhe të bën
përshtypje suksesi i madh që pati ky botim
gjë që tregonte për interesin e madh të publikut për këtë gjini, pa çka
se portretet dhe forma e paraqitjes të tyre ishin më shumë një truk editorial,
të cilat me sa duket nuk shqetësonin shumë lexuesit e zakonshëm të asaj kohe.
Skënderbeu në
veprën e Guillaume Rouillé
Po më 1553 në Lion, si për të kundërshtuar veprën e
Rouille-s, u botua nga Jacopo Strada (1507-1588) ndryshe edhe Serlio
Sebastiano, tregtar i famshëm veprash arti, prej të cilit ka mbetur sot një
portret i realizuar nga Tiziano, vepra Epitome thesauri antiquitatum ku
paraqitej një koleksion i shëmbëlltyrave
nga Jul Cezari deri tek Karli V fryt i studimeve të tij erudite por edhe
i një koleksioni të pasur monedhash që ai kishte mundur të krijonte kur ishte
në shërbim të bankierit Hans Jakob Fugger.
Pas disa vjetësh më 1559 po në Lion del vepra e Jean de
Tournes me një përmbledhje pseudo-portretesh numizmatike të shoqëruar me
biografi të shkurtra njëlloj si ato të Rouille-s me titull: Insignum aliquot
virorum icones dhe i dedikohej kryekëput filozofëve e letrarëve të botës
greko-romake të antikitetit. Kështu interesi i publikut për këtë gjini letrare
të lidhur me numizmatikën me portrete herë të vërteta e herë të trilluara mbetej gjithmonë i lartë.
Në këtë hulli mund të futim edhe të ashtuquajturën vepra
e tretë e Barletit Compendium. (1555) të botuar në Romë nga Engjëllorët ku krahas
përmëndjeve me pak fjalë të perandorëve romakë, të sistemura sipas
intresave të Engjëllorëve, u publikuan
edhe 24 grafika në formë medaljoni me shëmbëlltyrat e tyre.
Pseudo Barleti
: Compendium... Romë 1555
Veprat e falsifikuara të pseudo numizmatëve shkaktuan
zemërimin e eruditëve, numizmatëve të
vërtetë e, në mes tyre, edhe të Enea Vico (1523-1567) i cili i kundërshtoi spekulimet dhe abuzimet
e bëra në këtë drejtim në veprat që
shkroi e, në mënyrë të veçantë, në Bashkëbisedime mbi medaljet e antikëve Vepra e tij
u mirëprit nga bota akademike e atëhershme e pati shumë shpejt, po në
Venedik, edhe dy botime të tjera më 1557
dhe më 1558. Mbi të gjitha dukej i çuditshëm suksesi i jashtëzakonshëm i veprës
të Rouille-s kështu E. Viko si ruajtës i kabinetit numizmatik të Alfonso
d'Este-s, por edhe si një gdhendës i dalluar, numizmat e antikuar, botoi edhe një vepër me portretet e grave më
të shquara të antikitetit, duke u bazuar me besnikëri në shëmbëlltyrat e monedhave e medaljeve që
vinin nga koleksioni i sipërpërmendur.
Të tjerë grafistë të shquar u morrën seriozisht me
publikimin e veprave me vlerë që kishin të bënin me numizmatikën antike mes të
cilëve akoma mund të përmendim Hubert Goltzius (1526-1583), i cili publikoi në
Anversa një vepër luksi ku portretet e nxjerra besnikërisht nga medaljet ishin
zmadhuar gati 10 herë për një lexim më të qartë e të detajuar edhe pse në këtë
mënyrë humbiste në një farë mënyre sensi e bukuria e objektit të vërtetë. Si
burim i parë për përgatitjen e këtij vëllimi u shfrytëzuan koleksionet e
gjeografit të madh fiaming, Abraham
Ortelius (1527-1598) prej të cilit na transmetohet edhe një portret i bërë nga
Julius Goltzius, i biri i Hubertit.
Jul Cezari –
Gdhendje nga H. Goltzius 1557
Pavarësisht nga reflektimi që patën koleksionet
numizmatike në botimet e kohës,
portretet e personave pak a shumë të shquar të realizuar në teknikat më
të ndryshme zbukuronin muret e vilave private, pallatet e sovranëve, biblioteka
apo vende të ndryshme publike. Zakonisht portretet familjare zinin vend në
hapësira të mbyllura, ndërsa portretet e
njerëzve të shquar të farefisit vendoseshin në vende të dukshme në sallonet e
pritjes të miqve e shërbenin për të lavdëruar famën e familjes dhe si një
dëshmi e forcës të saj.
Nëpër biblioteka mund të shikoje portretet e filozofëve
të antikitetit, shkrimtarëve ose humanistëve të shquar të kohës. Por dhe njerëz
të shquar të armëve sipas shijeve të krijuesve të këtyre koleksioneve (p.sh. biblioteka Ambrosiana në Milano ku
ndodhet edhe një portret i Skënderbeut). Pra, në koleksione publike apo private
portreti zinte një vend të veçantë e shpesh shërbente si pikë referimi e model
për artistë të tjerë apo për editorët që donin t'i riprodhonin e t’i publikonin
ato.
Fakti që edhe bibliotekat e antikitetit ishin të zbukuruara me imazhe të ndryshme e
me vepra arti, pra, edhe me
portrete, ishte e njohur gjatë Rilindjes
Italiane. I pari që u shty të kuptonte se si ishin organizuar bibliotekat në
kohën e antikitetit ishte Fulvio Orsini (1529-1600), letrar, koleksionist dhe
bibliotekar i kardinalit Aleksandro Farneze, i cili e zbuloi atë nëpërmjet
teksteve antike dhe jo nga gërmimet arkeologjike. Orsini kujton se Plini shënonte si
themeluesin e bibliotekës së parë publike në Romë Asinio Pollione, e cila u
realizua me plaçkën e luftës të mbledhur nga fushata ilirike në të cilën
ruheshin jo vetëm portrete njerëzish të shquar por edhe shumë piktura.
Ideja e shprehur nga Plini mbi plaçkën e luftës në fushatat ilire-romake
gjen shprehjen në një basoreliev të ngarkuar me figura të shumta e me një
simbologji të larmishme të realizuar në kohet moderne nga Bruno Innocenti për
të glorifikuar triumfin e Perandorisë Romake në brigjet Adriatike.
Basoreliev mbi
fushatat romake në Iliri - fragment –
(B. Innocenti 1940)
Ky basoreliev u paraqit në ekspozitën e pavjonit
shqiptar, që u çel në Napoli më 1940 ku ishin ekspozuar gjithashtu edhe 12
skulptura që vinin kryesisht nga gërmimet arkeologjike të bëra në Butrint nga
L.M. Ugolini. Mes tyre edhe koka e Oktavion Augustit shëmbëlltyrën e të cilit e
gjejmë edhe në medaljet e antikitetit.
Në ambientet e këtij pavijoni u paraqit gjithashtu
skulptura me kalë e Skënderbeut, punë e akademikut fiorentin , Romano Romanelli
(1882-1968) si dhe një tablo vaji e një bocet përsëri dedikuar Skënderbeut nga
piktori Mario Romoli.
Romanshorn 17.II.2021