Speciale » Karanxha
Ilia Karanxha: Herkuli dhe Nikolla Leonik Tomeo
E diele, 31.01.2016, 06:15 PM
Koka e Herkulit prej mermeri e kohës romake (Sipas arkeotipit Lansdowne të skluptorit grek Skopas (420 para K -340 para K) (Ka shumë gjasa të ketë bërë pjesë në koleksionin e Tomeos)
Herkuli
dhe Nikolla Leonik Tomeo
(Me rastin e 560 vjetorit të lindjes)
Ekskluzive nga Ilia S. Karanxha
Mes veprave të artit që gjendeshin në koleksionin e Tomeos në regjistrimin që bëri Marcantonio Michieli më 1537 ishte shënuar edhe një objekt arkeologjik me fjalët: “Pllaka me stuko në basoreliev prej një këmbe, që përmban Herkulin mes Virtutit e Vesit. Është vepër antike e nxjerrë në Romë nga një tempull i Herkulit dhe e zbukuruar e gjitha në atë stil.”
Ky objekt nuk ka mbritur deri tek ne por argumenti në vetvete, Herkuli mes dyudhësh ka tërhequr vëmendjen e një numri të madh studiuesish të artit, mes të cilëve shquhet për një kontribut të veçantë nga pikëpamja historiografike, filologjike e ikonografike, Erwin Panofsky(1862-1968) me veprën e tij monografike “Hercules am scheidewege”, të botuar më 1930 e që në vazhdim ka pasur ribotime e përkthime edhe në gjuhë të tjera. Nga pikëpamja teorike, çështja paraqitet komplekse e argumenti shihet si nën prizmin e traditës tekstuale po ashtu edhe atë të traditës ikonografike, të cilat në mënyrë të pavarur, në rrjedhën e shekujve pësojnë ndryshimet e tyre e në të njëjtën kohë influencojnë njëra -tjetrën.
Në literaturën e antikitetit ideja e Herkulit mes dyudhësh, zanafillat shikohen tek historiani grek Ksenofonte (Memorabili II, I, 21), i cili mbi këtë argument citon një pasazh nga vepra e filozofit sofist grek Prodiko nga Keos (????????, rreth 460 para K. - rreth 380 para K). Në fakt, nga tregimi i Ksenofones (???????, rreth 430 para K.– rreth 355 para K.) nuk bëhet fjalë tamam për Herkulin mes dyudhësh, por për zemërimin e këtij të fundit nga dyshimet, se cilën rrugë duhej të merrte në jetë. Kështu tërhiqet në një vend të vetmuar e të papërcaktuar qartë, ku bie në mendime të thella. Në këtë moment i shfaqen dy gra të mëdha, d.m. th. me tipare jotokësore, nga të cilat njëra për miqtë është e njohur me emrin Lumturia, për armiqtë me emrin Vesi (Kakía), ndërsa tjetra me emrin Virtyti (Areté) . Që të dyja i premtojnë arritjen e lumturisë. E para nëpërmjet argëtimeve e qejfeve pra, nëpërmjet rrugës më të rehatshme, tjetra nëpërmjet sakrificash dhe rreziqesh pra, duke ecur në një shteg plot mundime dhe rreziqe. Herkuli, siç dihet, zgjodhi rrugën e dytë.
Panofsky e shtron ptoblemin edhe nga pikëpamja sociologjike vlerat e influencën, që ka pasur tregimi i Ksenofones në moralin humanistik. Kështu, i pari motiv i njohur në një formë universale, qëndron në faktin se arritja e virtytit paraqitet i mundimshëm e plot me privacione. Në të kundërt, vesi paraqitet i thjeshtë e i kënaqshëm. Si motiv i dytë, që mori edhe një përhapje të madhe në literaturën që pasoi, ka të bëjë me jetën në dy rrugë të ndryshme, prej të cilave njëra simbolizon të mirën, tjetra të keqen. Në gjuhën fetare: rruga e djathë e rruga e majtë; rruga e dritës dhe rruga e errësirës; rruga e qiellit dhe rruga e ferrit; rruga e jetës dhe rruga e vdekjes. Kështu sipas këtij morali, njëra përshkruhet e ngushtë dhe e vështirë, tjetra e gjerë dhe e rehatëshme. Ideja e rrugës së ngushtë, dhe rrugës të gjerë, u transformua në Bibla (Mateo VII, 13) në mënyrë metaforike, në porta e ngushtë dhe porta e gjerë.
Në antikitet ky moral u konceptua me të ashtuquajturën, gërma Pitagorike Y (ypsilon), apo gërma filozofike, ku të rinjtë duhej të vendosnin rrugën që duhej të ndiqnin. Mirëpo argumenti duket ka gjetur pak vend nga pikëpamja ikonografike gjatë antikitetit si në Greqi, po ashtu edhe në Romë. Ndoshta me vlerë mund të paraqitet një monedhë e Adrianos e nxjerrë gjatë viteve 119 dhe 126 pas K. me Herkulin mes dy femrash, të cilën Henry Cohen e ka përshkruar si Herkuli mes dy ninfave. (H. Cohen: Desription historique des monnaies frappées sous l'Empire romain... Leipzig 1930, vol. 2, 196, n* 1084)
Në Rilindjen italiane, i pari që e ka prekur temën e “Herkuli mes dy udhësh” nga pikëpamja letrare, ka qenë Francesco Petrarca (1304 –1374) në veprën, “ Jeta e vetmuar” (De Vita Solitaria), të cilën nisi ta shkruante më 1346. Më pas teksti gjendet edhe tek humanisti fiorentin Coluccio Salutati(1331-1406), mirëpo paraqitjen ikonografike e gjejmë për herë të parë në një miniaturë më 1463 të realizuar nga Felice Feliciano (Scripto et miniato per mano di me Felice Feliciano da Verona...Anno christi mcccclxiii ), e cila vlerësohet më shumë për sakrificën e risjelljes në artin rilindas të një modeli të antikitetit, sesa për cilësitë artistike.
I njëjti argument në Gjermani gjeti përhapje të gjërë në një sërë ksilografish, që u botuan në veprën e Sebastian Brant “Das Narrenschiff” (Basilea 1494) e që u ribotuan edhe në variantin latin të Jacob Loker “Stutifera Navis” (Barka e të çmendurve) më 1 mars 1497. Vepra u përhap më tej në të gjitha vendet e gjuhët. Mes ksilografive të realizuara në linja të trasha nga i ashtuquajturi Mjeshtri i Bazileas, prapa të cilit në shumë raste qëndronte vetë Albert Dürer, njëra prej tyre është titulluar “Herkuli i përgjumur mes dy udhësh” (po edhe Concertatio Virtutis cum Voluptate – Vendimi mes Virtutit dhe Vesit), e cila në aspektin ikonografik të kujton variantin e një pikture të Raffaello Sanzios “Vendimi i Shipione Afrikanit”, sot në Londër (National Galery). Sidoqoftë, rikrijimi i një modeli antik në Rilindjen Evropiane, u bë mjaft i kërkuar e gjeti një përhapje të gjerë.
Përsa i përket regjistrimit të Michielit për basorelievin e humanistit tonë, problemi që shtrohet edhe në këtë rast është, nëse bëhet fjalë për një vepër me të vërtetë antike, apo për ndonjë rikrijim të kohës sipas modelit antik (alla-antica). Është hamendësuar, se ky basoreliev është përdorur si ballinë në veprën e Herodotit 'Storie', botim venecian i vitit 1494. Në këtë periudhë Nikolla ishte akoma në Venedik, por në grafikën e kësaj balline ka mjaft mospërputhje mes përshkrimit të inventarit, që e cilëson basorelievin 'vepër antike' dhe elementeve mjaft larg antikitetit të saj. Nëse pranohet kjo ide, duhet të thuhet atëhere se Herkuli i Nikollës, nuk kishte qënë një vepër antike.
Mirëpo lajmi që jep Michieli për prejardhjen e veprës nga prishja e një “Tempulli të Herkulit” në Romë, gjen konfirmim edhe në dokumentet e kohës mbi shkatërrimin në Pallatin e Sisto IV të një tempulli të Herkulit, me një planimetri të rrumbullaktë “cum multis antiquitatum vestigiis” (me shumë fragmente antike) në dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XV. Në rrënojat e kësaj ndërtese u gjet edhe statuja e Herkulit, që u vendos më tej në Campidoglio. Pra, ekziston edhe mundësia, që edhe basorelievi që zotëronte N. Tomeo në koleksionin e tij, të vinte nga ky sit arkeologjik.
Duke patur parasysh boshllëkun e ndjeshëm ikonografik , që trashëgohet nga antikiteti, shumë studiues të artit janë të prirur ta shikojnë referimin e Michielit për këtë objekt si një krijim të Rilindjes, meqënëse gjatë kësaj periudhe argumenti, “Herkuli mes dy udhësh”, u bë shumë i preferuar nga artistë të ndryshëm( E. Tietze- Conrat: Notes on “Hercules at the crossroads Në: Jourmal of the Warburg...London, n* 14/1951, f. 304-309).
Është rasti të kujtojmë këtu, se devocioni i humanistit tonë për besimet pellazge prekristiane e në veçanti për figurën e Herkulit, në shkrimet apo në jetën e përditëshme të Tomeos, zinin një vend të rëndësishëm. Në koleksionin e tij me antika, po sipas referimit të Michielit, kishte edhe dy statuja të vogla prej bronzi, që paraqisnin Herkulin në pozicionin e tij klasik, njëra me mollën në dorë e tjetra me çomagen. Edhe këto ishin cilësuar si vepra antike. Veç kësaj, në veprën e Tomeos “De varia historia” (Mbi historitë e ndryshme) në librin e parë një kapitull (Kap.XXVIII) i është dedikuar qytetit të Durrësit : “Mbi qytetin e Durrësit dhe Dirahion themeluesin e tij; kush e banoi dhe përse nderonin shumë Herkulin”. Këtu përmëndet legjenda e Herkulit i cili ndihmoj Dirahion të ruante pushtetin kundrejt vëllezërve në qytetin e themeluar prej tij pa cituar burrimin e kësaj legjende të lashtë që na është trasmetuar nga Appiano i Aleksandrisë (rreth 95 – 165 pas K.). (Mbi legjendën shih edhe Dr. Prof. M. Zeqo: Saga Dyrrahase ) Sidoqoftë, Herkuli mbetet për Tomeun një nga figurat mitologjike më të përmendura e më të adhuruara në vepër. Në situata të ndryshme atij i dedikohen dhjetë kapituj (Libri i parë Kap. III; XI; XXVIII; XXXIII; XXXIX; C. Libri i dytë: Kap. XXVI; XLII; Libri i tretë Kap. XXXVIII; XXXIX).
Gjatë korrespondencës me humanistët anglezë, Tomeon e gjejmë shpesh të betohet : “Për Herkulin” ose O Herkuli im”, në vend që të thoshte, për Zotin. Ky devocion i Tomeos për Herkulin do të reflektonte edhe në poemën e Giovanni Benedetto Lampridio(1478-1539) i cili në një poemë të stilit pindarik me një abstraksion në kohë dhe në hapësirë e lidh origjinën e Tomeive me Ithomejtë Messinesë (Pelopones ) që përmënden edhe nga Homeri. Këta Ithomej sipas Lampridios të shpërngulur nga vatrat e tyre si pasojë e luftrave të vazhdueshme me spartanët u vendosën në Durrës.. dhe mes të parëve nderuan Herkulin, perëndinë e atij vendi , duke u lutur që t'u lejohej atyre të qëndronin të sigurt në qytetin e Durrësit.
Poemë panagjeriste të Lampridios që ja dedikovi Tomeos aty nga vitet 1527-1530 edhe pse nuk mund të konsiderohet si një dokument historik prapë se prapë ajo mbetet dëshmi e qartë për devotshmërinë e Tomeos drejt Herkulit por deri në një farë mase edhe për besimet prekristiane në qytetin e Durrësit.
Nikolla Leonik Tomeo (1456-1531)
Herkuli i përgjumur. Ëndëron rrugën që duhet të zgjedhë në jetë
Felice Feliciano. Herkuli mes Virtutit dhe Vesit. Miniaturë 1463
Vendimi i Herkulit. Në vepra: Stutifera Navis Strassburg 1497 sipas Sebastian Brant
Raffaelle Sanzio: Ëndra e kalorsit (ose Vendimi i të riut Shipione Afrikano - Londër)