Editorial
Xhemal Ahmeti: Debati, dijet - ''As s'po u vjen marre''!
E hene, 01.02.2021, 10:11 PM
DEBATI, DIJET: «A S’PO U VJEN MARRE»!
Sezoni
i radhës i zgjedhjeve ka çmendur mediat. Debatet u përngjajnë stresorëve që
prodhojnë qytetarin agresiv, intolerant dhe që botën mund ta përjetojë vetëm
sipas shabllonit të Carl Schmitt-it: në miq dhe armiq. Se si ai, konsumuesi i
mediave sillet politikisht e shohim, por si sillet ai në përditshmëri, kështu i
ndezur nga nxitja permanente e mediave; zgjidh çdo konflikt duke shkrepur revolen;
duke rrahur gruan, fëmijët apo; duke shkelur qenin?
Nga
Xhemal Ahmeti
Kur
ndjek një debat në mediat shqipe fiton përshtypjen se nga 5 milionë banorë, 3
milion prej tyre patjetër të jenë eruditë. Për nga gjeneza natyrisht. Nuk ka
pyetje rreth sferave terrestrike dhe atyre kozmike që nuk dinë tu përgjigjen.
Si ka mundësi? Shqiptarët popull gjenish?
U
përgjigjen ngase nuk operojnë me dije. Shoqëritë shqiptare as në gishta nuk
mund t’i numërojnë personalitetet erudite; të tipit që munden me kompetencë të
flasin në formë interdisciplinare, në një frymë për kulturë, religjion,
politikë, antropologji, histori [...] dhe që munden të reflektojnë edhe për
ekonomi dhe sfera tjera që e përbëjnë një shoqëri. Dhe po i tha ndonjëri*ës
prej tyre se nuk duhet të flas për gjëra që nuk i di, të dënojnë për blasfemi.
Disputantët nuk e pësojnë nga ky zhvillim: konsumuesit e debateve të tilla e
pësojnë shumë.
I.
Një
teolog famëmadh i perëndimit, një nga ata që është betuar të mos lexojë kurrë
para- dhe pasthëniet e librave e bëri një polemikë mbi 100 faqëshe kundër
filozofit Andreas Urs Sommer, i cili solli një «Apologia Judae» komplet ndryshe
nga ajo që di deri tash historia dhe ku «Iesous prodotes»-in e shpallë de fakto
mësuesin e Jezu Krishtit e jo tradhtarin e tij. Pas leximit të replikës teologu
u bë klouni i opinionit. Ai bënte polemikë me një libër që mbante titullin
«Leksikon i veprave imagjinare filozofike» (2012). Autori në parathënie sqaron
se ka ndërmend të shkruaj ato vepra që nuk janë shkruar e të thotë ato gjëra që
filozofia nuk i ka thënë, natyrisht në kurriz të «DWEMP»-ave (Dead White
European Male Philosophers). Kështu aty falsifikohet gjithçka që nga Politeia,
Etika e Nikomakut e deri tek «kohët», «hiçët» dhe «dekonstruksionet» e fundit
të ditëve tona.
II.
Po
ta përmendte teologu faktin se është një «rrëfim alternativ» që parodizon e
mund të ketë efektin e narratives të historisë populare, prandaj replikon,
kontrapologjia e tij kundër «Apologia Judae»-s imagjinare të filozofit Sommer
do dilte njëra nga shembujt se si duhet përmbysur paradat postfaktike me
kapital argumentesh ende të pakontestueshme (folur me gjuhën e aparateve
metodologjike shkencore). Fatkeqësia e teologut: nuk kishte lexuar si duhet
titullin e fare parathënien.
Arsyeja
se pse këtë fragment të debateve mijëra kilometra larg Prishtinës e paralelizoj
me bisedat agresive publike në shqipe është kodi:
«Si
s’po t' vjen marre me m' thonë mua s’po di»!
Njëjtë
iu drejtua teologu një kolegu të tij gjatë konferencës, i cili i tha: «Ndoshta
të ka ikur referenca që përdor Sommer në fund të tekstit për ta shkencëruar
pohimin e tij. Ajo daton të jetë e vitit 2018, ndërkaq ne jemi në vitin 2013».
Përgjigja
e teologut:
«Si
s’të vjen turp, të më thuash mua se s’di të trajtoj burimet si duhet».
E
gjithë salla qeshi.
III.
Në
rastin zviceran kemi të bëjmë me një teolog të shkëlqyeshëm, i cili nga
pakujdesia rrëshqiti akullit dhe u detyrua të pensionohet parakohe. Pasi kërkoi
ndjesë natyrisht. Në rastin e debatueses shqiptare kemi të bëjmë me anëtaren e
LbnbIE-ve (Living but not being Intelectual Existences), njërit prej klubeve të
shumta që merren me banalizimin e dijes odave publike të kulturosferës shqiptare.
Ajo vërtetë s’di aq sa për të komentuar ngjarjet politike - qofshin ato ditore
apo natore. Ajo nuk bënë analizë ngjarjesh. Ndonjë psikolog do ta interpretonte
sjelljen më shumë me ndonjë diagnozë: eksternalizim i pakontrollueshëm i zonave
të shtrydhura ndaj atyre që Subjekti i konsideron prodhues të dështimit të tij.
Ka marrë diplomën perëndimit duke shpëtuar e jo duke mësuar.
Nuk
është personi ad hominem ajo që dua ta trajtoj këtu - ta lëmë. Se përndryshe do
duhej ta çorodis lexuesin me raste edhe më brutale, të tipit që kur thonë
«Lenini», ky vetëvritet në varr për së milioni herë.
E
kemi fjalën për rolin e faktit dhe ndërtimin e disputit mbi të, brenda një
diskursi.
Dhe
ky është brumi i çdo dështimi për ta organizuar një debat me njerëz që vërtet do t’i ndihmonin opinionit
duke dekoduar ngjarjet, politikat, programet në sajë të shkronjës në to e jo në
bazë të llafeve të lexuara filxhanëve të shtrigave apo duke stërcituar primatin
papagajshëm edhe në gjumë.
IV.
Shumica
e debatuesve pseudoagorave shqiptare (me përjashtime, të cilat nuk i përmend
për shkak se atëherë duhej të bëjë elaborim të gjerë e me fakte e shembuj) nuk
e kanë idenë rreth termeve «diskurs«, «fakt», «analizë», «opinion»,
«përgjegjësi», elemente këto pa të cilat nuk ekziston debati, por vetëm
ngatërrimi «retorik» (edhe ky term me kapital të rëndë), zhvillim që nuk
ndihmon opinionin në informim, shpjegim të proceseve e dukurive por shkakton
më-irritim të tij, përdhosjen e tij si Individ dhe atë në çdo aspekt - e
shndërron atë në një qytetar edhe më agresiv, i cili nga çartja (pa përmendur
këtu dëmet ndaj sendeve dhe tjerave) rreh gruan, përdhunon vajzën, vret qenin
ose edhe më rëndë: vret djalin! Ose burrin po pati mundësi.
V.
Forma
se si bëhen debatet publike ka të bëjë shumë me gjendjen psiqike të një mase që
i konsumon ato. Pra roli i medias është i një përgjegjësie madhore karshi
shoqërisë. Edhe për këtë mediat quhen fuqi e katërt e jo vetëm ngase
korrigjojnë pushtetin (?!). Këtë përgjegjësi ato duhet ta lexojnë si duhet. Dhe
nuk do ishte keq që para se të interpretojnë botën jashtë tyre, të merreshin në
disa emisione me veten!