Editorial
Xhemal Ahmeti: ''Erdhi me banane vdiq nga banaliteti''
E marte, 05.01.2021, 06:52 PM
«ERDHI ME BANANE VDIQ NGA BANALITETI»
Rreth
falsifikimit të biografisë [historisë] dhe pasojave të skizofrenisë.
Edhe
pse njeriu jeton brenda një habitusi faktik [gjuha p.sh.] ai nuk ndalet së
falsifikuari çdo dokument, çdo argument për t'i fut ato në funksion të
historisë që ia kanë ngulitur në kokë ideologjira e programe të ndryshme
politike. Donë të bëhet ai që për nga historia s'mund të jetë. Pasoja: udhëtim
i gjatë labirinthit të skizofrenisë. Dikur e hanë çakenjtë ose ia ndajnë trupin
në atome politopatët.
Nga
Xhemal Ahmeti
Në
gropën ndërmjet dy shkëmbinjve gjendem unë. Njëri shkëmb simbolizon historinë
time, tjetri dëshirat dhe synimet që kam - ato që nga presioni i kohës dhe
grupit më janë bërë program. Daljen nga gropa mund ta bëjë në dy drejtime. Në
cilën anë nuk më presin çakenjtë që mezi presin gjahun për ta bërë copa? Ehoja
që prodhojnë shkëmbinjtë falsifikojnë burimin [ideologjitë!] e ulurimës së
çakenjve: nga vijnë ato në të vërtetë, nga e majta apo e djathta?
Nëse
ardhja dhe ikja ime individuale mund të përmblidhet vetëm me dy stacione si:
erdhi me banane e vdiq nga banaliteti (H. J. Quadbeck 2006); atëherë s'ka asnjë
rëndësi se në cilën dalje të gropës [nga shkëmbinjtë] presin çakenjtë. Do të
mjaftonte vetëm të kisha dëgjuar nodnjëherë se dikur ka ekzistuar një Sokrat që
paska thënë se «historia» as nuk nis e as «nuk mbaron me mua» dhe të dilja si
trim nga aty e drejtë në... Kush nuk e merr jetën kaq të pavlerë dhe donë të
shpëtojë duhet të futet thellë brenda vetes që të shpëtojë i shëndetshëm.
Dalja
nga gropa e jo në gojë të çakallëve parakushtëzon biografinë e cila në vete
përmban disa njohje si maksimat; unë gjendem në gropë dhe jo e gjithë bota; pa
biografi s'ka histori; historia nuk është filozofi e ndertuar mbi idolët
bashkëkohanikë [anti Dionisit nga Halikarnosi]; historia nuk është mjeshtre as
e jetës e as të vrarëve [Anti Ciceron dhe anti Hinrich]; historia nuk është
përsëritje e përjetshme ngase as inkarnimi nuk është garanci se lind e njejta
specie si para 100 viteve [anti Thukydides dhe anti Nietzsche] dhe, dhe kësaj
radhe pro e jo anti Ciceronit dhe Polybios: kush s'njeh historinë [e tij] mbetet
fëmijë, kush e njeh atë është bërë syri i së vërtetës mbi veten dhe e di se nga
vjen ulurima e çakenjëve, ngase hisitoria përherë është edhe gjeografi - kompas
i njohjes së drejtimeve se ku gjenden shtëpitë, ku shpellat dhe ku malet ku
jetojnë çakenjtë. Del i sigurt, në drejtimin e duhur e drejtë lirisë - për ta
ndërtuar jetën ndryshe apo njejtë - absolutisht e një rëndësie tjetër kjo.
Duke
ditur se historia nuk është mjeshtre e jetës sime por vetëm dije mbi atë se pse
unë flas shqip e jo arabisht, turqisht, rusisht ose arameisht; duke qenë i
sigurt se unë s'jam babai apo gjyshi im por komplet një formë dhe një habitus
ndryshe e i paqenë ndonjëherë në histori; duke qenë i kthjelltë se gjuha ime
është fakt; se pozita ime ndërmjet dy shkëmbinjve brenda maleve të Sharrit apo
alpeve të Zvicrës e jo në Alaskë janë fakt, e di se nga cila anë mund të vijnë
çakenjtë e nga cila jo.
Falsifikimi,
mosnjohja ose refuzimi i këtyre fakteve, i këtyre koordinatave në natyrë e në
frymë, pra mohimi se flas shqip, mohimi të jem brenda maleve të Sharrit e
besimi të jem në Kaukaz diku, besimi se babai im nuk është Zeqiri i Lekeve, por
Ebu Kastrati, Johannes von Dohnany apo Mahmuti do të thoshte vdekje e sigurt
për mua. Do të përfundoja ndërmjet dhëmbëve të mprehtë të çakenjëve, ngase në
këtë stad të luftës për shpëtimin tim idetë, idolët, programet i priorizova
para fakteve të natyrës, qenies sime, pra falsifikova historinë, e ndoqa
programin që ma ngulitën tjerët në kokë dhe nga zhurma e çakenjve nuk ia dola
ta pyes veten se për ç'arsye flas unë si nëna ime e jo ndryshe, gjë që është
porta e çdo hyrjeje brenda vetes në situata të tipit «të jesh apo të mos jesh».
Veç
pas daljes nga gropa [duke njohur historinë dhe veten] mund të bëhem i lirë për
të vendosur se në cilin drejtim do të ecë: drejtë Londrës, Moskës, Stambollit
apo Bernës. Jeta në gropë donë të thotë eutanazi, ngase aty as pasqyrë nuk ke
për ta vrarë veten duke parë psenë në vitrinë - në pasqyrë që së paku ta
përjetosh veten në teatër para se të të fiken dritat e kësaj jete.
Çdo
formë e falsifikimit të historisë [si pasojë e së cilës vdes nga çakenjtë ose
nga depresionet e zhgënjimit të thellë pasi zbulon se s'je kushëri me Madonën
apo Trumpin e as me Hazreti Alinë ose Karamuratin] çon detyrimisht në
skizofreni - metafora e gropës këtë sëmundje mëtoj të përshkruaj. [2021|4]