Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Presidenti Meta vlerësoi At Gjergj Fishtën
E enjte, 31.12.2020, 06:14 PM
PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, Z. ILIR META VLERËSOI ME DEKORATËN MË TË LARTË AT GJERGJ FISHTËN NË 80-VJETORIN E VDEKJES
Nga
Frank Shkreli
Sot, vërtetë, e
ndjejë veten krenar që jam shqiptar!
Presidenti Ilir Meta nderon me Dekoratën më të lartë të Republikës së
Shqipërisë, At Gjergj Fishtën, me rastin e 80-vjetorit të ndarjes së tij nga
jeta. Kjo është dhurata më e bukur që Z.
Meta mund t’i jepte Kombit në prak të Vitit të Ri.
Përmes një mesazhi
në rrjetet sociale, Meta thekson se nëpërmjet veprave të tij të çmuara
artistike, Gjergj Fishta ngriti lart, shpalosi botërisht dhe skaliti në
përjetësi vlerat dhe virtytet e veçanta autoktone, si dhe përpjekjet e
parreshtura të kombit shqiptar për liri, mbrojtje të trojeve shqiptare dhe të
sovranitetit të vendit, njofton gazeta e Tiranës, Telegraf.
“Me rastin e
80-Vjetorit të ndarjes nga jeta, në vlerësim të veprës atdhetare dhe të rolit
të jashtëzakonshëm në fushat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, arsimit e
kulturës, diplomacisë, politikës e teologjisë, si dhe për meritat e Tij
historike në krijimin e alfabetit shqip dhe në proceset shtetformuese”,
thekëson i pari i shtetit shqiptar, “kam sot nderin e veçantë të çmoj me
Dekoratën më të lartë në Republikën e Shqipërisë, At Gjergj Fishtën,
atdhetarin, historianin, gjuhëtarin e madh, diplomatin dhe iluministin e
shquar, për të cilin interesat kombëtare ishin po aq të shenjta, sa vetë besimi
që i përkiste”, shkruan në postin e tij Presidenti Ilir Meta.
Duke shtuar se,
“Nëpërmjet veprave të Tij të çmuara artistike, ai ngriti lart, shpalosi
botërisht dhe skaliti në përjetësi vlerat dhe virtytet e veçanta autoktone, si
dhe përpjekjet e parreshtura të kombit shqiptar për liri, mbrojtje të trojeve
shqiptare dhe të sovranitetit të vendit.
Vepra e Tij e vyer do ta ndriçojë përherë kombin tonë për të tejkaluar
çdo sprovë në mbrojtje të Pavarësisë, Lirisë, Demokracisë dhe të ardhmes
europiane”, nënvijon Z. Meta.
Postimi i
Presidentit Meta:
“Me rastin e 80-Vjetorit të ndarjes nga jeta, në vlerësim të veprës
atdhetare dhe të rolit të jashtëzakonshëm në fushat e gjuhës dhe të letërsisë
shqipe, arsimit e kulturës, diplomacisë, politikës e teologjisë, si dhe për
meritat e Tij historike në krijimin e alfabetit shqip dhe në proceset
shtetformuese, kam sot nderin e veçantë të çmoj me Dekoratën më të lartë në
Republikën e Shqipërisë, At Gjergj Fishtën, atdhetarin, historianin, gjuhëtarin
e madh, diplomatin dhe iluministin e shquar, për të cilin interesat kombëtare
ishin po aq të shenjta, sa vetë besimi që i përkiste.
Nëpërmjet veprave të Tij të çmuara artistike, ai ngriti lart, shpalosi
botërisht dhe skaliti në përjetësi vlerat dhe virtytet e veçanta autoktone, si
dhe përpjekjet e parreshtura të kombit shqiptar për liri, mbrojtje të trojeve
shqiptare dhe të sovranitetit të vendit.
Vepra e Tij e vyer do ta ndriçojë përherë kombin tonë për të tejkaluar çdo
sprovë në mbrojtje të Pavarësisë, Lirisë, Demokracisë dhe së ardhmen europiane.”
Domosdoshmërisht, se është një vlerësim shumë me vend dhe
tepër i merituar. Uroj që ky vendim i Presidentit të Republikës së Shqipërisë
të hapë rrugën dhe dyertë e institucioneve akademike të Kombit shqiptar dhe të
ndriçojë, njëkohësisht, edhe mendjet e
disa përfaqësuesëve të mbetur të “realizmit socialist”, si në Shqipëri ashtu
edhe në Kosovë, për një vlerësim mbarë kombëtar akademik, ashtu siç meriton,
vërtetë, Poeti i Kombit, siç thotë edhe Presidenti Meta në vlerësimin e tij për
Fishtën – për skalitjen në përjetësi të vlerave dhe virtyteve të veçanta
autoktone.
Uroj që ky akt patriotik i Presidentit të Republikës të
zgjojë nga letargjia 80-vjeçare, akademikët e sotëm shqiptarë në Tiranë dhe në
Prishtinë dhe le të marrin shembëll nga i madhi Dr. Eqerem Çabej dhe vlerësimin
që ai i ka bërë dikur Fishtës. Dy tre
vite më parë kisha shkruar se ndoshta pak njerëz e
dinë, por Dr. Eqerem Çabej ka pasur konsideratë të lartë për At Gjergj Fishtën
– i cili për arsye që dihen ai nuk mund të shprehte admirimin e tij për Fishtën
gjatë regjimit komunist, pasi Fishta ishte shpallur “armik i popullit dhe
tradhëtar i Kombit”, nga regjimi enverist. Si i tillë, Fishta dhe vepra e tij
ishin të ndaluara rreptësisht nga komunistët shqiptarë, me porosi të
komunistëve jugosllavë. Por, Çabej ka
vlerësuar lartë At Gjergj Fishtën — para sundimit komunist, kur ai mund të
shprehej lirisht– duke e cilësuar Fishtën, ndër të tjera, edhe si “Poeti
kombëtar i Shqiptarëve”. Duke shkruar për vlerësimet edhe konsideratat e
E. Çabej për Fishtën, akademiku nga Kosova, i ndjeri Prof. Dr. Engjëll Sedaj
është shprehur se –vlerësimet e Çabejt për Gjergj Fishtën — si “Poet Kombëtar i
Shqipërisë”, si “Përfaqësues më i pari i leteraturës së sotme shqiptare” dhe sidomos
si poet më i avancuar epik ballkanik i shekullit, (Çabej) i mbështet kryesisht
në Lahutën e Malcis”, veprën kryesore të At Gjergj Fishtës.
Në një prej vlerësimeve të tija për
Lahutën e Malcis dhe për Fishtën, Dr. Eqerem Çabej është shprehur: “…Fishta zë
fill me njësinë e vogël të fisit për të mbaruar te njësia më e madhe e kombit,
ia fillon me bariun e moçëm Marash Ucin dhe mbërrin te Abdyl Frashëri në
Lidhjen e Prizrenit. Duket qartas përpjekja e tij të zgjerojë dalëngadalë botën
në një brendi më fort nacionale, të ngrejë kështu veprën në sferën kombëtare.
Kështu vepra e tij ka marrë karakterin e një eposi kombëtar…duke qenë,
njëkohësisht, në një farë kuptimi edhe një epos ballkanik. Një dritë jete
homerike shkëlqen mbi veprën e tij: si në dukje të zanave që u përngjajnë
Dianës e Atenës…”, ka shkruar Çabej.
Ndërsa katër vjet para se të vdiste Fishta, Prof. Çabej jep
këtë gjykim për At Gjergj Fishtën: “Gjergj Fishta është bërë, sidomos në
Lahutën e Malcis, përfaqësuesi më i parë i literaturës së sotme
shqiptare”. Dhe më tej Çabej është shprehur se, “Në fakt, në poezinë
epike të Fishtës është kënduar thelbi i shpirtit të shqiptarëve, elementi i
konservuar i popullit që njëherit më së mirë dëshmon njësinë e kombit”.
Ndërkaq, për kontributin e Fishtës në
zhvillimin e gjuhës shqipe në përgjithësi, albanologu austriak, i ndjeri Prof.
Dr. Norbert Jokl ka shkruar se, “Me At Gjergj Fishtën gjuha shqipe u rrit, u
madhnue, u ba zojë. Me At Gjergjin, kryetar në Kongresin e Manastirit, u
caktue njëherë e përgjithmonë një alfabet i vetëm për mbarë Shqipninë, vendim
ky me dobi që nuk numrohen. Me At Gjergjin zuni fill shkolla, me shqipen
gjuhë mësimi…” është shprehur albanologu i njohur austriak.
Nëqoftse dikush i ka ndjekur shkrimet
e mia modeste për Fishtën gjatë viteve, unë kam qenë kritik ndaj mënyrës së si
-- politika shqiptare si dhe entet akademike të Shqipërisë dhe të Kosovës -- e
kanë trajtuar ose keq-trajtuar dhe harruar dhe përjashtuar Gjergj Fishtën, këto
30-vjet post-komunizëm, por pa humbur shpresën se një
bashkohas i Fishtës, At Benedikt Dema është shprehur – në librin përkujtimor
“At Gjergj Fishta 1871 – 1940”, botuar pas vdekjes se “Shqypnia do të nisë me e
çmue ma tepër At Fishtën, kur në raste në të cilat Kombi kërkon e lyp
ndërmjetësimin e nevojshëm të autoritetit e të veprimtarisë së tij”.
Ndër kritikat e mia kisha shënuar se, fatkeqsisht, Atdheu
i At Gjergj Fishtës nuk vepron më me entuziazmin e idealeve që ishte program i
jetës së tij, “Për të vendosur themelet e patundura të idealizmit kombëtar, për
të prirë në luftime në mbrojtje të Kombit, për t’i gërshetue kunora lumnije
racës mijëvjeçare shqiptare, gjakut të derdhun e flijeve të vuajtuna të
Kreshnikëve të Kombit”, siç ka shkruar dikur bashkoasi i Fishtës, At Benedikt Dema, duke shpresuar,
njëkohësisht, se shqiptarët, si Komb i qytetëruar, do të dijnë t’i çmojnë
njerzit e mëdhej të tij, duke i ndërtuar atij gjeniu, atij Ati të Atdheut, një
përmendore të pashlyeshme, “një shenjë të përherëshëme e të denjë, për një komb
të përparuem”.
Vlerësimi dhe nderimi që Presidenti i Shqipërisë, Z. Ilir
Meta i akordoi sot Poetit të Madh Kombëtar At Gjergj Fishtës me rastin e
80-vjetorit të shkuarjes së tij në amshim, erdhi pikërisht në një moment të
historisë së shqiptarëve, kur “Kombi kërkon e lyp ndërmjetësimin e nevojshëm
të autoritetit e të veprimtarisë së tij”.
Urojmë që kjo njohje due nderim nga zyra më e lartë e
shtetit shqiptar – një njohje e denjë për një Komb të përparuar ndaj jetës dhe
veprimtarisë së At Gjergj Fishtës, të bejë që, më në fund, At Gjergj Fishta të
zejë vendin që ai meriton dhe që i takon atij në historinë e vërtetë dhe në
kulturën dhe letërsinë mbarëkombëtare të fisit shqiptar. Kjo është Shqipëria që
duam – me At Gjergj Fishtën. “Merre
Kacel edhe njëherë Lahutën e na këndo nji kangë shqiptare….”, ndërkohë që
“Arbnori i Fushës e i Malit njomë syshë me lotët e përmallit të Malcisë, këndon
lahutën i lum ti, sod e për amshim…”
Falënderime Presidentit Ilir Meta për nderimin dhe
vlerësimin e jetës dhe të veprës së madhe të At Gjegj Fishtës! Gëzuar Vitin e Ri!