Editorial
Xhemal Ahmeti: Kosova sërish para gjykatës serbe
E marte, 10.11.2020, 09:00 PM
KOSOVA SËRISH PARA GJYKATËS SERBE
Shumica
nga ata që shpifnin dhe akuzonin komplet njerëzit e UÇK-së e dinin se kjo do
jetë finalja: vënia në rrezik e shkaqeve, arsyes dhe faktografisë që garanton
qenien e shtetit të Kosovës. E dinin se në finale do të kriminalizohet lufta
shqiptare për pavarësi. E dinin se lufta do të denoncohej si fetare, racore,
kriminele e assesi çlirimtare. I dinin ngase shumica e akuzuesve nuk janë
fëmijë por njerëz me programe e synime të njohura. Nuk mund të thonë se nuk i
dinin, ngase ua thonin tjerët oreçast. Para se shtetit të Kosovës t'ia nisin
ceremoninë e (vetë)varrimit, çka do ishte e udhës të bëjë ai, shteti, që edhe
nëse ia dalin tjerët të ikë faqebardhë?
Nga
Xhemal Ahmeti
As
në luftë nuk ishte kaq e madhe nevoja për një bashkim të komplet faktorëve
shqiptarë siç është tash. Në luftë - siç e kam thënë në plotë tekste - madje
«konkurrenca» ndërmjet «militaristëve» dhe «pacifistëve» ishte strategjia më
efektive dhe e mençur që u ndodhi shqiptarëve për të përvetësuar gjitha palët e
botës perëndimore dhe për t'ua mbyllur mundësitë ekstra-radikalëve majtistë
gojën për ta krahasuar kauzën shqiptare me tjera.
Në
paqe dhe me shtet sovran kjo taktikë më nuk funksionon në raport me botën
jashtë [gabimi më tragjik i shqiptarëve pas vitit 2008], ata sot nuk sulmohen
si parti, ideologjira e të llojit por si shtet, qenie, komb. Prandaj le të
konsiderohet infantil mendimi se mbështetësit e Gjykatës Speciale, e cila u
përvetësua nga shteti serb me ndihmën e BE-së, kanë të drejtë të oponojnë
ndryshe. As tendenca e tyre kur kritikën ndaj tyre ta paraqesin si "linçim
per mendim ndyrshe" nuk duhet ta mbraps kënd që t'u thotë se në cilën anë
janë rreshtuar dhe me kë janë. Këta nuk janë opozitë e X partisë apo Y
politikanët, por janë në anën e destruktorëve të shtetit, të Republikës së
Kosovës. Shtet që për bazë ka luftën e udhëhequr të UÇK-së, të asistuar nga
amerikanët dhe NATO. Udhëheqje dhe organizatë e cila nëpërmjet krerëve të saj
(gjithë) u shpall «Organizatë kriminele» që ka ekzekutuar me paramendim
«katolikët, romët, serbët dhe shqiptarët e mendimit ndryshe», pra që ka bërë
luftë religjioze dhe racore e jo çlirimtare nga një armik që ushtronte
gjenocid. Çdo interpretimi tjetër, pas botimit të aktakuzës, iu hoqën armët
argumentuese nga korpusi.
Në
këto kushte tashmë nevojitet një konsensus për shpëtimin e shtetit e jo për
mbështetjen e personave të caktuar në Hagë. Çdo parti, grup, individ që refuzon
këtë konsensus rreth temës rreshtohet në anën e atyre që sponsorizojnë gjykatën
në favor të zhbërjes të së drejtës së shqiptarëve mbi Kosovën. Përveç
konsensusit, mungojnë edhe shumë gjëra tjera. Çka?
Mungon
një memorandum qeveritar i argumentuar deri në asht që shpalon kapjen e
gjykatës nga Serbia, nëpërmjet grupeve të caktuara të BE-së. Kapje që
manifestohet nga «inspektorimi» i individëve dhe klaneve të caktuara nga BE e
jo nga punëdhënësi i saj Republika e Kosovës. Kapje që demonstrohet nga
aktakuzat që janë narrativë komplet serbe e përsëritur qe 20 vjet.
Kapje
dhe strategji që vazhdon me thirrjen e gjithë popullit serb për ta bombarduar
gjykatën me dëshmi të rrejshme kundër UÇK-së me regjinë e partisë së Kryetarit
të Kuvendit serb.
Sponsorët
kryesor si SHBA-të, Britania, Turqia dhe tjerë nuk janë anëtarë të BE-së.
Nëpërmjet këtyre duhet të kërkohet disiplinimi urgjent Gjykatës që të
funksionojë sipas juridiksionit kosovar ose le të postohet në Beograd apo
Moskë. Është absurd që një instancë që sheshazi ka për qëllim shkatërrimin e të
së drejtës së kosovarëve për Liri nëpërmjet kriminalizimit të saj të
konsiderohet Gjykatë që e së njëjtës. Është vetëvrasje me paramendim. Në këtë
stad edhe po u rrezikuan miqësi me vende të caktuara ia vlen ofensiva. Aleatët
duhet të kuptojnë se cili është synimi i Serbisë (edhe ata dalin kriminelë në
fund) dhe cila është detyra mbrojtëse e shtetit të Kosovës.
Shtetit
të Kosovës nuk i ka mbetur as alternative e as fuqi tjetër përveç se të luftojë
për ta krijuar këtë konsensus dhe t'ia heq juridiksionin kësaj Gjykate siç
është. Së paku nuk e varros veten me duart e veta. E këtë të drejtë kush ia
mohon nuk mund të jetë as mik i Kosovës, asi i çdo të drejte njerëzore, as i i
humanizmit e asnjëherë i historisë faktike, drejtësisë, e cila jashtëzakonisht
qartë dallon agresorit nga viktima, gjenociduesin nga ata që as eshtrat nuk u
dihen ku i kanë.