Kulturë
Tahir Bezhani: Libër që analizon kohën
E diele, 08.11.2020, 09:00 AM
Vështrim libri:
‘’BUKURI E GURËZUAR’’
LIBËR QË ANALIZON KOHËN
Ose:
(Poezisë së bukur nuk mund t’ia ndalësh frymën...)
Tixhe
Rexha Gërqari: “Bukuri e gurëzuar” poezi, SHB Klubi letrar “Gjon Nikoll Kazazi”,2020 Gjakovë.
“ Jam e ftohur akull dhe digjem flakë”
(autorja)
Nga
Tahir Bezhani
Libri
i parë me poezi i autores Tixhe Rexha Gërqari, prezantohet si një paranjoftim meritor tek lexuesi hapësirave tona, duke na njohur në detaje me synimet e rrugëtimit të
një poeteje serioze ,e cila mjeshtërisht
harmonizon unitetin e mendimit personal në kohështrirje të caktuar, për gjëra të preferuara e të
adaptuara me përjetimet nëpër kohë të ndryshme.
Autorja e librit poetik ”Bukuri e gurëzuar”, nuk është e “sotme”, por një poete me prirje poetike shumë kohë më parë, madje e adhuruar me
paraqitjet e saja para dashamirësve të artit letrar,në revista e gazeta vendore.
Vetë
jeta është begatia më e mirë, ku përvoja
individuale ose kolektive, reflektojnë në procesin e shpërthimin krijues
për të identifikuar veten dhe të tjerët nëpër kohë. Kur e dimë se autorja është
bartëse e shumë aktiviteteve që nga vitet 80-ta,bashkë me shumë shokë, studentë
e studente të Mitrovicës e jo vetëm, atëherë mjafton të dimë edhe për peshën e
vargut nga libri “Bukuria e gurëzuar”.
Poezitë
e bartura gjatë në subkoishencën e saj si ngarkesë, si përjetime e frymëzime,
si perceptime të futura në thellësi të qenies, dëshmojnë në vazhdimësi
subjektin poetik ku është gjithmonë njeriu, vuajtja ,liria, atdhedashuria, varfëria, padrejtësia, okupimi
nga i huaji, pra përpëlitjet shpirtërore;që poetët gjithmonë e mbajnë në
thellësi shpirti gjithë lirizmin poetik, deri në vlimin e ekstazës shpirtërore,
si autorja e librit “Bukuri e gurëzuar”.
Vargjet
e librit ”Bukuri e gurëzuar”, janë
shkoqitje copash nga shpirti i ndezur dhe përjetimet flakëruese “që
ndezin flakë shpirtin” nëpër hallkat e jetës
së vuajtur. Momentet nuk vijnë kurdo që i dëshiron ,ato ofrohen duke u
sjellë rreth e rreth ngjarjeve jetësore,që njeriu duhet ti shfrytëzojë në interes personal dhe
kolektiv. Këtë “formulë” si zgjedhje e ofron poetja me elegancë në poezinë e
saj ”Koha e koka” në faqen 26 të librit kur shkruan:
”Koka
s’e mati kohën/Koha s’e mati kokën/Koka e nënvlerësoi kohën/Koha e zbardhi
kokën/Koha e koka/Jeta jonë me dy rrota!”
Se
sa përmbajtesor dhe i fuqishëm është intimiteti poetik i zonjës Tixhe Rexha Gërqari,
vërehet në këto vargje që reflektojnë edhe peshën filozofike të vet vargut
poetik. Pra ,çka ofron dilema në momente të veçanta jetësore?!
Një
refleksion i tillë filozofik reflektohet edhe në disa vargje të tjera, të cilat librit ia shtojnë vlerën dhe
cilësinë harmonizuese. Kur një poete, në vargjet e veta paraqet edhe kulturën e
saj letrare, karakterin dhe edukatën e pjekur
kombëtare si tani poetja në fjalë, poezia si mbretëreshë e letërsisë,
merr krahë në këto kohë të zymta për krijuesit. Poezia “Koha është”, paraqet
një korpus mendimesh në aspektin kombëtar, duke shtruar para lexuesit trimërinë
dhe guximin ,atdhedashurinë, urtësinë ,maturinë, dhe paqen ndërnjerëzore, që në
këto momente, përcjell një mesazh të fuqishëm.
Sjellë
poezinë në fjalë:
“Koha
është të kaluarës t’ia mbledhim/kockat copë-copë/e të themi: Te këtij skeleti
jemi!/Koha është/të tashmes me urtësi t’i themi: Mos i trego dhëmbët/se epidemi e tyre është
tani! Koha është/të ardhmes t’i themi: Zgjati duart se të bashkuar do jemi!”...
Vargje
madhështore për t’i shijuar, edhe antologjike për t’i analizuar.....
Temat shoqërore dhe
satira....
Poetja,
Tixhe Rexha Gërqari, siç e cekem më lart, duke qenë e angazhuar dhe kontributdhënëse në moshën e saj të re, përmes
ngjarjeve historike të viteve 80-ta e deri te liria, ka bartur gjithë pezmin
e përjetuar nëpër vite . Për të shprehur gjithë unin e saj të brendshëm, artin
poetik e përdor si arenë lufte ndaj të keqes, si “opozitë” ndaj të pamirës në
mënyrën e shtetndërtimit të vendit tonë.
Duke
dalë nga një luftë e tmerrshme,ku armiku nuk kurseu asgjë nga vetja për të
shkatërruar këtë vend e këtë popull liridashës, poetja në vargjet e veta reagon
ashpër duke parë se gjërat nuk ecin ashtu siç e kishte idealizuar lirinë në
shpirtin e saj.
Në
poezinë “Zhgënjimi”, vërejmë gjithë pezmin e saj tronditës, por shumë real. Mes tjerash
autorja shkruan :
”E
ndrydha zemrën/helm më pikoi/Nga zhgënjimi/ ka harruar të gjakojë. Kosova
ime/bishti doli në kokë/koka në fund mbeti...”
Njëherit
edhe tek poezia “Nuk blihet...” ndeshemi në një reaksion të fuqishëm poetik ,si
shkak i situatave të pavolitshme në shtetndërtimin e vendit:
”Nuk
blihet terapi për dhembjen e shpirtit/Nuk blihet dashuri e fëmijës/Nuk blihet
edukatë e shtëpisë/Nuk blihet dritë dielli për terr....”
Poetja
Tixhe Rexha Gërqari, me talentin e saj
dhe vizionin e poetik të theksuar, më vargje të zgjedhura, i referohet
“demokracisë” ne mesin e shoqërisë sonë, me një stil karakteristik, do thoja fannolçe,
ku ironizon mrekullueshëm këtë term, retorikë ditore, që nuk po e gjen veten në
mesin tonë shoqërorë. Ja vargjet:
”Para
diellit e padielluar/ Para lumit e pafreskuar/ Para ahengut e padisponuar/Para
gëzimit e pagëzuar/Para buke e urtuar/Para ujit e eçtuar....”
Librit
poetik “Bukuri e gurëzuar”, me një volum prej 150 faqeve, ndarë në katër qerthuj,
kap një gamë të gjerë të problematikës njerëzore e shoqërore, duke vjelë gjithë nektarin frymëzues të shpirtit
të saj të pasur. Autorja mrekullueshëm i përkushton vargje rinisë së saj të
përvuajtur, njerëzve meritorë në kulmet
e ngjarjeve të historisë sonë, të cilët popullit i shërbyen kurdoherë si
frymëzues dhe prijës të ngjarjeve të mëdha, siç janë Ibrahim Rugova, Adem
Jashari, poetëve Din Mehmeti, Halil Haxhosaj, Ragip Syla, njerëz adhurues të
poetes etj.
Mjaft
indikative dhe me peshë, si pjesë e këtij libri, është edhe poezia “Binjaket
tona” ku poetja me një stil ironizues vendos në pah politikat e gabuara të dy
binjakeve, (Shqipëri-Kosovë), në drejtimin e kombit kah qëllimet madhore, ku
synohet me shekuj, bashkimi i kombit.
Poezia:
”
Binjaket tona shumë ngjasojnë/në çdo përditshmëri gabojnë/Duke garuar me u ul
në karrige/kanë harru edhe me u rrit,/binjaket tona Kosovë e Shqipëri/e plasën
në zemër të madhen shqiptari...”
Poezia
më emblematike e këtij libri, e cila përmban (sipas mendimit tim) gjithë
tharmin poetik, gjithë vlerën e egos poetike të autores, është poezia më gjatë
e librit, ”Bacë,a u krye?!”.
Poezia
si art, ka ndjeshmërinë e thellë shpirtërore, më të thellë se mendimi ynë
sipërfaqësor. Ndjeshmëria e shprehjes poetike është një spontanitet shpirtëror
që ka lidhje të fortë emocionale me
autorin. Të dyja së bashku paraqesin si të pandarë egon shpirtërore dhe atë
njerëzore. Si një reflektim në pasqyrë duhet të ngjasojë e brendshmja poetike
me krijuesin e artit. Ndryshe, prezantojmë
artin anemik.
Në
këtë kuptim, lexova disa herë dhe kuptova poezinë “Bacë, a u kry?” të autores
Tixhe Rexha Gërqari. Poezia, përmes idesë artistike të autores i bën një
analizë sintetike kohës që nga vitet
90-ta e deri në ditët e sotme. Në veçanti, fillimi dhe mbarimi i luftës ku u
derdh shumë gjak për lirinë e këtij populli, dhimbja dhe pesha e vuajtjes, janë
të skalitura artistikisht. Në fund të çdo strofe poetja nxjerr pyetjen madhore
“Bacë, a u kry?!...” që nënkupton se paslufta ka qenë me dështime të mëdha në
shtetndërtimin e vendit tonë, me shkaktarë korrupsionin padrejtësitë,
mashtrimet, abuzimet e çdo gjë e keqe brenda shoqërisë sonë.
Me
guximin dhe talentin e saj të fuqishëm, autorja përmes kësaj poezie të gjatë, i
bënë një analizë kohës, sa do mahniste edhe analistët profesional të sistemeve
shoqërore. Pyetja imagjinative, që
autorja ia shtron komandantit legjendar Adem Jashari ,në poezinë e saj, “Bacë,a
u krye?!”,është mjaft sinjifikative për
kohën dhe në brendi përmban embrionin e njerëzores universale.
Pas
lufte autorë të ndryshëm kanë botuar mjaft poezi te kësaj lamie, përkushtuese,
por poezi analitike me frymën e shëndetshme kombëtare, nuk kam lexuar deri me
tani.
Marrë
në tërësi, libri “Bukuri e gurëzuar,” me autore Tixhe Rexha Gërqari, ka plotësuar
dhe begatuar poezinë shqipe me fondin e larmishëm përmbajtjesor e cilësor
poetik , duke argumentuar poezinë si art me rëndësi shoqërore e
domosdoshmëri njerëzorë.
Sikur
të merreshim me analizën e gjitha poezive të autores, do duhej të shkruheshim
faqe analitike nga shumë këndvështrime, por në esencë, ky libër botuar kohëve
te fundit, është një dhuratë e mirë për gjithë dashamirët e librit dhe një
pasurim i bibliotekave tona në
përgjithësi.