Kulturë
Sadik Bejko: Fishta si karakter i madh i kombit të vet
E enjte, 29.10.2020, 07:49 PM
FISHTA SI KARAKTER I MADH I KOMBIT TË VET
Nga
Sadik Bejko
Për
ne pasardhësit Gjergj Fishta është një poet i shquar, një nga emrat më të
mëdhenj të kësaj fushe. Veprat e tij botohen dhe ribotohen në këto vite të
kthimit të tij në vendin që ia kishin mohuar. Studiuesit dhe universitetet
thellojnë kërkimet dhe analizën mbi vepra të tij. Aktorët më të shquar
recitojnë poezitë e tij, i regjistrojnë në CD të cilët janë shumë të kërkuar.
Por
këto mbase nuk i mjaftojnë asaj çfarë ishte Gjergj Fishta në kohën e tij. Ai ka
qenë një frat, një meshëtar, një mësues, edukator në kolegjet franceskane.
Ishte poet me kredibilitet të pranuar gjerësisht që në rininë e tij. Ishte
veprimtar i jetës kulturore i spikatur për energjinë dhe intelegjencën e
shprehjes e të sjelljes. Ishte publicist
me stil të mprehtë e të hollë me logjikë dërmuese, me argument e substancë të
pasur.
Me
këto cilësi ai kishte vizatuar veten si një karakter i madh, një
personalitet referencial. Ethosi,
kredibiliteti, karakteri në këto raste si pasuri e një personi, i kalojnë një
kohe, një komuniteti, një etnie, apo fytyrës në formim të një shteti të ri.
Karaktere të tilla na japin në dorë tiparet e identitetit tonë, na thonë cilët
jemi ne, nga vijmë dhe ku duhet të shkojmë. Ky karakter i madh i farkëtuar që
herët, kur ai ishte ende i ri, erdhi duke u pasuruar në rrjedhë të kohës.
Ata
që erdhën në pushtet mbas vitit 1944, armiqtë më të mëdhenj i shihnin te
karaktere të mëdhenj si Fishta. Ata donin t’ia ndërronin drejtimin shkollës
identitare shqiptare me rrënjë kombëtare me synimin drejt një “botën e re, një
njeriu të ri”. Doket, të sjellat e veçanta shqiptare në lindjen e fëmijve, në dasma, në jetën e
përditshme familjare e në bashkësi, në vdekje, në paqe e në luftë, të ardhura
nga vitet, të përsëritura në mijëra vjet, këto “visare” tani nga sunduesit e
rinj quheshin zakone prapanike.
Fishta,
kryesisht me “Lahutën e Malcisë”, kishte vizatuar malësorin, që si karakter
ishte një pasuri kombëtare e shqiptarëve, malësor që me qëndresën e vet në
tokën e vet, me zakonet e veta, me veshjen, me këngët, me kullat, me gjuhën
shqipe… kishte mbetur i patjetërsueshëm në tiparet kombëtare. Ai i kishte
kaluar të gjitha sprovat historike dhe kishte mbetur i patundur. Një brez i tërë klerikësh të
ditur kishin mbledhur eposin e Kreshnikëve (Donat Kurti), kishin mbledhur
Kanunin e Lekës…(Shtjefën Gjeçovi), kishin botuar Visaret e Kombit. Si te
proverbat, te kanuni, te eposi i kreshnikëve përsëriteshin të njëjtat formula
gjuhe e mendimi, të njëtat kode të sjelljes. Kjo ishte një kulturë e mpiksur në
shekuj. Ajo tani po mblidhej e po studiohej.
Tradita
shqiptare dhe malësori i këtyre trevave gati adhuroheshin nga këta klerikë e
diturakë, në krye të të cilëve me veprimin atdhetar dhe me talentin e tij të
spikatur letrar, ishte Fishta.
Në
ndërrimin e kursit për nga "bota e re dhe njeriu i ri", këta diturakë
duhet t’i nxinin e rrënonin me gjithësej.
Ata u shpallën armiq, reaksionarë, të prapambetur…. fashistë. Shumë
syresh e paguan me jetë.
Në
këto që shkruaj nuk po ndalem në krjimtarinë poetike të Fishtës. Ajo ishte një
krijimtari prej rilindasi, në kontekstet estetike të kohës, në kapërcyellin nga
romantizmi drejt modernizmit.
Në
këtë shkrim më shumë kam dashur të nënvizoj rolin e Fishtës si frymë, si ethos,
si karakter.
Sipas
kulturologëve nëna i jep birit trupin, mundet
edhe mendjen. Karakterin dhe fatin, të nesërmen, ia jep i ati. Në mitologji jepen bij të rritur nga nënat. Në një kohë të dhënë, kur
ata duan identitetin, karakterin, fatin e paracaktuar, nisen të kërkojnë
atin.Telemaku vihet në kërkim të Odisesë, Krishti kërkon Atin etj. Në shumë
kultura burri kur vdes, thotë po shkoj tek të parët e mi.
De
Rada me Motin e madh, Naimi me “Historinë e Skënderbeut”, Sqiroi "(Te dheu
i hhuaj"), Fishta me “Lahutën e Malcisë”, Nolin me Skënderbeun si prozë
artistike(1926) punuan që të ndërtonin mitin e të parëve te shqiptarët. Miti i
Atdheut. Eposi si procede ishte i tejkaluar. Por shqiptarët, ashtu si hebrenjtë
në kohët moderne, kur krijuan shtetin, kishin nevojë për kohët e arta të
miteve, prej nga Izraeli i sotëm mori simbolet, flamurin me Yllin e Davidit,
shandanin, gjuhën.
Shqiptarët
e krijuan shtetin,por u duheshin heronjtë historikë dhe karakteret e gjalla,
karakteret e mëdhenj që si figura referenciale do t’u jepnin unifikimin
shpirtëror.
Heronjtë
e eposit të Fishtës janë malësorët e krahinave pranë Shkodrës. Nuk arratiset në
Histori. Marrash Uci, Oso Kuka, Tringa… deri dhe Abdul Frashëri janë heronj që
nuk të çojnë thellë në kohët e mugëta epike. Ata janë të kthjellët, të dhënë si
të gjallë, sikur i ke në pëllëmbë të dorës. Ata janë figura e legjendarizuar e
atij malësorit me pushkë të ngulur në sup që “për fe e për troje të veta/nuk i
dhimbsen as gjaja, as jeta”.
Zanat,
orët e të tjera figura të mitologjisë u japin thellësi bëmave dhe jetëve të
këtyre burrave heroikë të malësive.
Ishte kjo teknikë poetike e afërt me këngët e epikës historike, po dhe
me figura ende të gjalla në kujtesë si Çun Mula, Ali Pashë Gucia etj që e bëri
të afërt poemën e Fishtës me të gjitha nivelet e lexuesit. Edhe të atij që nuk
di të lexojë, por e dëgjon dhe e mëson përmendësh, e këndon.
Fishta
ishte nje veprimtar i angazhuar i kauzës së shqiptarisë. Me dramën, me satirën,
me publicistikën punoi për atë që një shoqëri e organizuar në një shtet të ri
ka nevojë të ndreqet. Identiteti nuk është një e dhënë vetëm historike. Ai
duhet krijuar e riformatuar çdo ditë në vijueshmëri, në kohët që jetojmë.
Veçanërisht me satirat dhe me publicistikën ai u. tregua i rreptë me veset e
shqiptarëve, të bashkëkohësve të tij. Një shtet, një komb themelohet, por duhet
mbajtur, kalitur, duhet drejtuar nga e mbara.
Fishta
ishte një karakter i madh, me zë autoritar, një denoncues bubullues e trimëror
ndaj të këqijave.( Rriqna t’ndyet, shakllabana…). Ai ishte polemizues asgjësues për nga logjika
e tij e hekurt, ishte i rëndë dhe i ndritur. Në gjallje të tij dhe
kundërshtarët ia kanë njohur autoritetin që buronte nga integriteti moral dhe
talenti i lindur.
Aksioni
kombëtar i Fishtës ndaj shqiptarit të kohës ishte i trifishtë: të zbulonte
rrënjët identitare, të spastronte nga të këqijat, deformimet, veset dhe ta
fisnikëronte shpirtërisht me shkollën, me poezinë, me teatrin.