E shtune, 09.11.2024, 04:13 PM (GMT)

Kulturë

Rexhep Shahu: Gurë të çmuar në gjerdanin e lirisë

E marte, 27.10.2020, 07:59 PM


GURË TË ÇMUAR NË GJERDANIN E LIRISË

(Urim për librin “Rrënjët e lirisë” të Adem Dergutit)

NGA REXHEP SHAHU

Liria vjen nga gjaku i dëshmorëve, nga gjaku i bijve të Kosovës, ne na duhet ta ruajmë si sytë, si jetën tonë. Dhe të mos abuzojmë me lirinë.

Luftë askush askund nuk bën përditë. As beteja në kohë lufte nuk ka përditë. Por beteja për ruajtjen e lirisë së fituar nga gjaku i shqiptarëve dhe lufta e miqve të shqiptarëve amerikanë dhe anëtarë të vendeve të Aleancës Veriatlantike të NATO-s bëhën përditë, duhen bërë përditë se ndryshe lëndohet liria, cënohet e rrezikohet.

Në kohën pas lufte, njerzit të lodhur nga lufta për liri, kanë arritë të mos shqetësohen aq për lirinë sa për kamjen, të pasurit, që të kenë boll mjete materiale e monetare. Njerëz të lodhur me luftra kanë humbur ndjesitë e frymëzimit që jep liria dhe mjaftohen me bollekun, me barkun plot, me kuletën plot, me frigoriferin plot me ushqime, me makinë të mirë, shtëpi të mirë. Nëse i kanë njerzit të gjitha këto të mira materiale, më pak po shqetësohen për lirinë pasi liria është frymëzim, po thonë, është aventurë po thonë. Me lirinë le të merren poetët e shkrimtarët, po thonë, populli duhet të jetojë, të ketë bollëk dhe të jetojë.

Kjo ulje koke e njerzve në shumë vende vjen nga deformimi i lirisë në kohë demokracie në shtete ku demokracia nuk është ndërtuar funksionale por ka marrë format e një diktature anarkie…

Në librin e Adem Dergutit “Rrënjët e lirisë”, ka një rend të vendosur me fisnikëri nga autori. Kryet e vendit e kanë marrë bllacjanët e masakruar nga tradhëtia e krimi jugosllav në Tivar në 1945.

Rrëfimet e ballcjanëve të shpëtuar e të mbijetuar nga masakra e Tivarit bëjnë me turp rracën njerzore, bëjnë me turp shtetin kriminal jugosllav të kohës, komunistët e Titos me Titon në krye si kryekriminel për të cilin dëgjon ndonjëherë të thuhet nga ndonjë shqiptar naiv (nuk besoj të jetë spiun), se Tito ka qenë i mirë e Rankoviqi i keq, bëjnë me turp malazezët, qytetarët malazezë e strukturat e qytetit të asaj kohe, bëjnë me turp në fund edhe shqiptarët e Shqipërisë administrative, zyrtarët e Tiranës politike.

Shpesh dëgjohet të akuzohet Tirana zyrtare për masakrën e Tivarit, të akuzohet pse nuk i mbrojti, pse i lejoi të masakruarit të kalonin nëpër Shqipëri, pse nuk luftoi me Jugosllavinë. Këto akuza që do ti quaja të lehta e pa peshë ikin pa lënë gjurmë serioze por thuhen sa për të thënë se e bëmë radhën, akuzuam, shamë, mallkuam dhe kaq mundëm të bënim për ta nxirë shetin e Enver Hoxhës. Duke kritikuar dhe akuzuar shtetin e 1945 të Enver Hoxhës harrojmë se i akuzuari i madh ishte Titoja që donte të zhdukte rininë shqiptare të Kosovës, forcën më vitale të aftë për luftë e punë. Harrojmë se Shqipëria e asaj kohe deri në vitin 1948 ishte thjeshtë një zgjatim i Jugosllavisë pasi Jugosllavia udhëhiqte gjithçka në Shqipëri. Jugosllavia kishte kriijue Partinë Komuniste të Shqipërisë përmes Miladin Popoviqit e Dushan Mugoshës së Nerodimes. Jugosllavët ishin të pranishëm fizikisht në gjithë institucionet e shtetit shqiptar si ekspertë e specialistë kudo në çdo zyrë deri në vitin 1948. Tregtarët serbë mblodhën gjithë valutën dhe floririn që ishte në Shqipëri.

Pra krimin e bënë jugosllavët, masakrën e Tivarit e bënë serbomalazezët por shqiptarët e Shqipërisë nuk bënë asnjë rezistencë sepse shteti i Shqipërisë ishte në shërbim të Jugosllavisë politike dhe shumë zyrtarë ishin në shërbim të Jugosllavisë.

Nuk po përmendim këtu ndihmat spontane apo sporadike që kanë dhënë banorët e Shqipërisë për ata që mundnin të iknin nga autokolona që ishte nisë nga Prizreni drejt Shkodrës e Tivarit dhe kërkonin ndihmë për strehim e shpëtim në banorët e Shqipërisë.

Mos bërja e asnjë rezistence ose mos alarmimi i tragjedisë që po ju ndodhte bijve të Kosovës, kjo është pesha e fajësisë që e rëndon Shqipërinë politike të Enver Hoxhës për masakrën e Tivarit.

Dikush trimërohet e thotë se Shqipëria nuk duhej ti lejonte të kalonin nëpër Shqipëri nga Prizreni deri në Shkodër të masakruarit e Tivarit. Kollaj trimërohet ai që e thotë këtë gjë sot, por duhet të zhvendosemi në atë kohë. Shqipëria e asaj kohe nuk kishte fuqi ushtarake as për luftë me sorra e jo të kundërshtonte ushtarakisht Jugosllavinë e cila kishte krijuar siç thamë Partinë komuniste dhe shtetin komunist të Enver Hoxhës.

Në ato kohë Enveri ishte vëlla me shokun Tito.

Unë pra nuk do të komentoj historitë që nuk komentohen, rrëfimet që nuk komentohen. Le ti bëhet loti gur kujt të dojë kur ti lexojë rrëfimet tronditëse nga të mbijetuarit e masakrës së Tivarit.

Për të lexuar tmerret e mëposhtme unë po shërbej thjeshtë si rrëfyes udhe në muzeun e krimit serb në Tivar.

”…Vetëm Bllacës ia vranë e masakruan në Tivar trembëdhjetë djem njomëzakë në lulen e rinisë...

Ja emrat e bllacjanëve që mbetën në Tivar të vrarë e masakruar me 2 prill 1945 : Musë Adem Iballi, (1924 - 1945), Sadri Tahir Iballi, (1924 - 1945), Isuf Hajriz Kroni, (1922 - 1945), Mustafë Jemin Zekolli, (1923 - 1945), Rifat Rexhep Guraziu, (1912 - 1945), Asllan Hajredin Bllaca, (1927 - 1945), Isuf Abaz Guraziu, (1918 - 1945), Metë Salih Pirku, (1917 - 1945), Xhemajli Shaqir Hoxha, (1923 - 1945), Bajram Haxhë Lumi, (1928 - 1945), Jahir Hajdar Suka, (1924 - 1945), Qerim Halim Bajraktari, (1925 - 1945), Ibrahim Bajram Baku. (1919 - 1945). Emrat e këtyre njerzve s'mund të harrohen. Ishin njëzet vjeçarë... Ishin rinia shqiptare e Kosovës... Ishin antikomunistë shqiptarë që do ta shkatërronin komunizmin që u instalua në Kosovë e Shqipëri. Ata u vranë e masakruan në Tivar e kudo vetëm e vetëm që të ngjizej komunizmi edhe në Kosovë. Në këtë vend që vetëm komunizmi nuk mund të ketë vend...

Ata flasin, thërrasin, piskasin: Jo komunizmit në Kosovë…”

“…Rexhep Lezi, i mbijetuar i kësaj masakre e kujtonte Qerimin kështu: ”Qerimit, që nga Kukësi e deri te Ura e Zogut i rridhte gjak nga hundët. Gjatë rrugës ne të gjithë e ndihmonim”.

Kurse i mbijetuari tjetër nga fshati Temeqinë, Bajram Pintolli, për Qerimin tregonte: “Para se të vritej Qerimi më tha: “o kumar, mbaruem bre”, dhe në rafalet e para Qerimi mbeti i vdekur”.

Kurse Selim Ali Baku e kujton kështu: ”Më së vështiri e pata kur pranë meje e zbuluan të plagosur Qerimin, dhe iu drejtuan me fjalët: “Shiptare, josh si zhiv! Sada çemo da te sredimo!” (Shqiptar ende je gjallë, tash do të rregullojmë), dhe aty humba vetëdijën për një kohë. Pastaj, pasi më erdhi vetëdija dhe vërejta se nuk më kishin zbuluar, prita deri sa ra terri i natës dhe mblodha të gjitha forcat për të dalë nga kufomat…”

“…Rexhep Selman Lezi i mbijetuar nga kjo masakër e kujtonte kështu: “Dolëm nga kufomat dhe së bashku me Musën u strehuam në një ullishte. Bashkë me Musën gjatë rrugës e takuam Smail Bytyçin nga fshati Kasterc, dhe Halimin nga Papazi. Ecëm në drejtim të panjohur. U ndalëm te një krua për të pirë ujë. Nga shtëpia e Durak Shabanoviqit dikush gjuajti dhe Musa mbeti i vrarë në vend. E mbulova me një shami dhe ika nga vendi. Pas 20 viteve kur isha musafir te Sylë Maraj nga fshati Ftjan që më pat strehua më pat treguar se në atë vend ku u vra Musa, u vranë edhe 15 shqiptarë tjerë. Ishte luftëtar trim që i la trashëgim brezit tone guximin dhe heroizmin. Po kështu pra mbaroi jeta e Musë Iballit…”

***

Në rendin e dytë të nderit Adem Derguti ka vendosur sërish të masakruarit e të mashtruarit e mëdhej nga Brigada e pestë partizane e Shqipërisë e cila kishte kaluar në Kosovë - Jugosllavi për tu bashkuar me serbët kundër gjermanëve e në fakt doli se shpesh luftoi kundër shqiptarëve të Kosovës. Shqiptarët e Kosovës të ndjeklur prej serbëve gjeten shpresë shpesh tek partizanët e brigadave partizane të Shqipërisë, gjetën siguri se do të mbroheshin prej serbëve dhe se u bënë bashkë shqiptarë me shqiptarë. Por shqiptarët e Kosovës që iu bashkuan brigadave partizane të Shqipërisë, në rastin në fjalë, brigadës së pestë partizane të Shqipërisë, kur guxonin dhe shpreheshin kundër serbëve, nuk gjenin mirëkuptimim nga partizanët e Shqipërisë të cilët ishin mësuar dhe orientuar drej bashkim vëllazërimit me serbët. Ka disa histori e fjalë lufte që duhen kuptuar në kohën dhe rrethanat kur kanë ndodhë e kur janë thënë. Atëhere ishin kushte e rrethana të tjera, sot që gjykojmë janë kushte e rrethana të tjera.

Pisket deri në qiell thënia e një komandanti të Brigadës së pestë partizane të Shqipërisë kur i thotë një bllacjani në shtëpinë e tij se mos me qënë ne sofrën tënde, në shtëpinë tëndë të vras pse i shave vëllëzërit serbë…

Brigada e pestë mori bllacjanë me vete, i mobilizoi me shkue me luftue kundër gjermanëve por partizanët e Brigadës së pestë edhe vranë bllacjanë siç vranë lumjanë, siç vranë dibranë, etj. Brigada e perstë i plaçkiti, u mori bagëtinë, u mori djemtë me luftue për Serbinë.

Partizani i Brigadës së pestë tenton e kërcënon ta vrasë shqiptarin e Kosovës por edhe të Shqipërisë pse ai flet keq për Ushtrinë e Kuqe. Partizani i Brigadës së pestë të Shqipërisë i thotë derr shqiptarit të Kosovës, i duket derr shqiptari i Kosovës.

Kur shqiptari i Kosovës, bllacjan e pyet partizanin e Brigadës së pestë për të ardhmen e fatin e Kosovës, ja si i përgjigjet partizani i Brigadës së pestë partizane të Shqipërisë:

Bllacjani Bajram Kroni pyeti: “Po me Kosovë çka do të bëhet pas lufte”?

I thanë mos fol derr, se Kosova do të mbetet me Shqipëri, edhe deshtën ta vrasin…

Rrëfimet e bllacjanëve nuk i treti dheu dhe as nuk ka për ti tretë derisa këto rrëfime po mbillen në librat e kujtesës kombëtare.

“…Disa nga luftëtarët e Brigadës së V qëndruan dy ditë në shtëpinë e tij. Dhe Beqiri u bind se duhet t’i bashkangjitej kësaj brigade. Dhe me shpresë u nis me shokë se Kosova do të çlirohej dhe do ti bashkangjitej Shqipërisë. E përballoj këtë rrugë të gjatë dhe në luftimet në Mishoviq u dallua si luftëtar trim që asnjëhere nuk ju shmang vështirsive.

Në një tubim një udhëheqës i Brigadës së V tha: “Ju kosovarët jeni derra sepse i keni vra vëllezërit serb. U çue dhe foli Murat Lumi: ne nuk jemi derra dhe nuk i kemi vra serbët po ata i kanë vrarë shqiptarët pa fije faji”. Të gjithë menduan se do ta vrasin Muratin por nuk i bënë asgjë.

Edhe ky i ri nuk u pajtua me udhëheqës të kësaj brigade dhe për këtë e vranë.

Ahmet Aziz Suka e kujton kështu: “Më kujtohet mirë kur u vra Beqiri. Aspak nuk u frigonte, dhe para vrasjes tha: “Unë nuk dua ma me ngranë bukë me këta magjup”. Flitej se një Xheladini, kishte lajmërue kinse ka dashur të ikte…”

“...Një komandant me emrin Mahmut nga Shqipëria, me dhjetë veta nga Peçani ishin te Jakup Ramë Zekolli.

Jakup Zekolli e kishte lutur komandantin që ta lejonte njenin nga Peçani që ishte martua para dy dite të shkonte në shtëpi.

Komandant Mahmuti e pyeti Jakupin: “Ushtria e kuqe a po sillet këtu pari”? Ishte fjala për ushtrinë ruse.

Jakupi i tha se ajo ushtri është e keqe.

Komandant Mahmuti i tha: “Po më vjen keq që jam në konak te ti se të kisha vra që po flet keq për Ushtrinë e kuqe”

Kur shkuan nga Bllaca në Pjetreshticë, Bajram Kroni pyeti: “Po me Kosovë çka do të bëhet pas lufte”?

I thanë mos fol derr, se Kosova do të mbetet me Shqipëri, edhe deshtën ta vrasin…”

“...Ndërsa Salih Derguti e kujton kështu Brahimin: ”Brahimi ishte një ndër trimat më të mëdhej në brigadë. Në luftimet që u zhvilluan në Mishoviq u dallua me trimërinë dhe guximin që kishte”.

Edhe ky i ri si shumë të tjerë hasi në mospajtime me disa ushëheqës të kësaj brigade, dhe kështu ata vendosen që ta vrasin. Ismail Hoxha tregonte: “Në Sanxhak tri ditë luftuam pa ndërpre. Isha shumë i lodhur dhe dola në lendinë që të më vrasin. Plumbat mi rroknin teshat e mue jo. Në mbrëmje kur ramë me fjetë erdhi Brahimi dhe me tha se mue po duan me më vra. Dhe te nesermën e vranë”. Dhe kështu e vranë këte të ri nga Bllaca i cili do të kujtohet brez pas brezi.

Baba i tij Halili shkoi deri në Mitrovicë për të ditur diçka për fatin e Brahimit. Dhe atje i treguan për vrasjen e tij. U kthye i zhgënjyem në shtëpi. Ua solli këtë lajm të hidhur familjës. Shumë bllacjanë dhe dashamirë shkuan dhe i shprehën ngushllime Halilit…”

Në kohën e Luftës së Dytë Botërore Enver Hoxha me të tijtë ishin më të lidhur me jugosllavët se sa me shqiptarët në Kosovë. Për një serb të vriste partizani i Brigadës së pestë. Po të flisje një fjalë të keqe ose të papëlqyeshme për Ushtrinë e Kuqe të Rusisë partizani i Brigadës së pestë e vriste shqiptarin e Kosovës…

Është e hidhur dhe shumë e trishtueshme kur Komandant Mahmuti i një formacioni të Brigadës së pestë partizane të Shqipërisë i thotë shqiptarit të Bllacës së Kosovës: “Po më vjen keq që jam në konak te ti se të kisha vra që po flet keq për Ushtrinë e kuqe…”.

***

Në rendin e tretë Adem Derguti ka vendosë dëshmorët e luftës së fundit të shqiparëve, dëshmorët e UÇK, ushtrisë më të lavdishme, më të ndritshme të shqiptarëve, ushtrisë së zgjimit të madh kombëtar të shqiptarëve, deshmorët e asaj lufte që solli lirinë e Kosovës, të asaj lufte që krijoi shtetin e dytë shqiptar në botë, Kosovën e lirë e të pavarur. Dëshmorët e luftës që pati aleatë miqtë më të mëdhej të planetit, fuqitë më të mëdha të botës, Amerikën, Naton, fuqitë më të mëdha të Europës, Gjermani, Angli, Francë, Itali, etj etj.

Me këtë konstelacion të natyrshëm vlerash e kontributesh kombëtare që ka bërë, Adem Derguti ka krijuar një gjerdan të mrekullueshëm vlerash që do të jetojnë sa libri e sa shkrimi.

Shumë më tepër se sa fjalë të miat, solla fragmente të zgjedhura nga libri i Ademit, Rrënjët e lirisë, duke ftuar kështu lexuesin ta shfletojë këtë libër, i cili do të mbetet në biblioteka e librari dhe do tu sherbejë brezave që vijnë.

Një ditë do të vijnë breza që do të duan të dinë për atdheun e tyre, do të duan të dinë kush jemi e nga vijmë, a kemi histori, a kemi rrënjë.

Edhe ky libër modest do tu flasë për rrënjët e lirisë, për rrënjët e Kosovës e të kombit shqiptar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora