Mendime
Enver Bytyçi: Kushtetuta e Kaçanikut
E hene, 07.09.2020, 07:23 PM
Kushtetuta e Kaçanikut
Nga
Enver Bytyçi
Më
7 shtator 1990 deputetët e Republikës së Kosovës miratuan në ilegalitet
kushtetutën e parë demokratike, me të cilën Kosova jo vetëm shpallej shtet
sovran dhe i pavarur në kufijtë e saj, por edhe sanksionoi se "Kosova
është shtet demokratike i qytetarëve të saj"!
Ajo
kushtetutë i bëri me dije faktorit shqiptar dhe ndërkombëtar se Kosova nuk do
të pranonte të ishte pjesë e Serbisë dhe se shteti i pavarur dhe sovran do të
ndërtohej bazuar në parimet e demokracisë dhe respektimit të gjithanshëm të të
drejtave të qytetarëve. Në thelb të kësaj kushtetute, më modernja në historinë
e Kosovës dhe shteteve ballkanike, ishte liria, sovraniteti, vetëqeverisja,
vetadministrimi, respekti për të drejtat e njeriut, ndërtimi i shtetit të së
drejtës, barazia në shanse dhe në të drejta, mosdiskriminimi, zbatimi i ligjit,
krijimi i balancës në qeverisje, krijimi i instituucioneve të pavaruara,
sidomos në gjyqësor etj.
Pas
30 vitesh shohim se këto përcaktime idealiste të shqiptarëve nën drejtimin e
gjigandit të udhëheqësisë shqiptare, Ibrahim Rugovës, janë zvetënuar, disa janë
asgjësuar dhe e kanë bërë Kosovën të paaftë të dëshmojë dinjitet dhe integritet
të pacënuar në opinionin e brendshëm e të jashtëm. Kjo është dhurata që mori
Kosova nga qeverisja e keqe e degraduar deri në tradhti ndaj shtetit dhe vendit
e Hashim Thaçit!
Të
gjithë mund ta kujtojnë 7 shtatorin si ditë historike, ndërkohë që presidenti i
përkohshëm i Kosovës duhet të turpërohet për trashëgiminë e tij politike, e
cila e ka dëmtuar aq shumë jetën e qytetarëve si dhe imazhin e Kosovës te
faktorët ndërkombëtarë, madje dhe tek sponsorizuesit e pavarësisë së saj.
Prandaj Hashim Thaçi dhe shpura e tij duhet të ikin, të fshihen, mos duken, mos
shfaqen, për shkak të dëmeve të mëdha që kanë shkaktuar! Shteti nuk është thjesht
deklarata e pavarësisë. Shteti është organizëm i gjallë, njësoj si organet
funksionale të njeriut dhe duhet të funksionojë si organizëm në ekulibër.
Hashim Thaçi i shkatërroi ëndërrat e atyre që shkruan dhe atyre që e miratuan
Kushtetutën e Kaçanikut të 7 shtatorit 1990!