Mendime
Vangjush Saro: Privilegjet si krim…
E merkure, 02.09.2020, 08:57 PM
Privilegjet
si krim…
Nga
Vangjush Saro
Çka
do të përpiqemi të themi në këtë shënim, është një ndër problemet e rënda që
kemi aktualisht; dhe përballja me të, na çon në një nga alternativat ku mund të
shikojmë e besojmë për ndonjë ndryshim a përparim të vendit. Është shumë e
thjeshtë: pjesa e privilegjuar e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë po ushtron
pushtet të pakufizuar dhe që nuk lëshohet asnjëherë nga duart; privilegjet e
tyre, të papranueshme për kushtet e Shqipërisë dhe fyese krahasuar me
mirëqenien modeste të qytetarëve shqiptarë, duhen riparë. Që këtu mund të
fillohet, mund të rifillohet… Mënyra se si ata (politikanët dhe zyrtarët e
lartë shqiptarë) e trajtojnë veten, është një handikap; teprimi shkon pothuaj
te kufijtë e krimit. Ky precedent është krijuar dalëngadalë, vit pas viti, nga
‘90-ta shpresëshumë gjer sot që peshku është qelbur. (Nga koka.)
Shqipëria
konsiderohet si një nga vendet më të varfëra në Evropë. Jeta në luks e
zyrtarëve dhe politikanëve në këto kushte, flet për prapambetje dhe
autoritarizëm… Ndonjëherë, kjo pamje, ndër më të pështirat e Tranzicionit, të
kujton Bllokun e kohës së Socializmit, trajtimin llastues që iu bëhej familjeve
të bllokmenëve ndërkohë që vendi kishte rënë në një depresion të thellë dhe
përjetonte ekstremin e varfërisë e populli ushqehej me tallona. Këtu, në këto
disnivele, fillon e rritet shtypja, shtohet represioni; fjalët janë të tepërta.
Një mësues i urtë, një mjek i mirë apo një polic që s’e ka asnjëherë të sigurt
jetën, këta dhe të tjerë punonjës e nëpunës marrin rreth 40 mijë lekë në muaj; kur
sapo e kanë filluar punën, edhe më pak. Një deputet a zyrtar i lartë - rëndom
këta po shfaqen, veç të tjerave, si njerëz pa vlerë - një i tillë pra, merr
katërfishin, pa llogaritur privilegjet e tjera: dietat, pagesën e karburantit,
honoraret për mbledhjet e Komisioneve, pensionet e majme, etj. (“Qeveria është
një shoqatë burrash që na dhunojnë ne të tjerëve.” L. Tolstoi)
Kjo
situatë, duke shtuar plogështinë dhe vanitetin në aktivitetin e këtyre të
zgjedhurve e të përzgjedhurve me hile, është një makth i vërtetë; nuk ka gjë më
të trishtuar se sa të shikosh se si këto shushunja rrëmbejnë edhe qindarkën e
fundit të buxhetit të shtetit, të këtij shtetit copë-copë, ndërkohë që bërtasin
me të madhe, në mos ulërrasin, për… popullin. Kam lexuar shënimet e një njeriu
që e vlerësoj në lidhje me trajtimin e politikanëve në Suedi. Nuk kanë asnjë të
drejtë imuniteti; mund të dalin në gjyq ashtu si çdo qytetar tjetër. Pjesa më e
madhe e tyre jetojnë në apartamente të vogla në kryeqytet, lajnë dhe thajnë
rrobat e veta tek lavanderitë komunale. Askush në administratën publike nuk
merr një rrogë të tepruar. Një deputet merr rreth dy herë më shumë se një
mësues i një shkolle fillore; kaq. As makina zyrtare, as shoferë personalë.
Ministrat udhëtojnë me autobusë dhe trena, ashtu si qytetarët me taksat e të
cilëve jetojnë. Vetëm Kryeministri ka të drejtë që të përdorë një makinë të
forcave të sigurisë. Kreu i Parlamentit ka një abone të transportit publik që e
përdor për të shkuar çdo ditë në punë…
E
ne jo… Ne gjithnjë duhet të bëjmë ndryshe nga bota. Kjo ndodh sepse ne jemi
fodullë të fiksuar, jemi mendjemëdhenj të pandreqshëm. Qofsha i gabuar, por
jemi edhe të prapambetur, sikundër thashë më lart, jemi abuzivë, jemi
injorantë… Lexuesit e nderuar, besoj, e kuptojnë sinekdokën e përdorur në këto
radhë. Është një figurë stilistike, letrare, ku, mes të tjerave, e tëra
përdoret për pjesën; këtu kupto: pjesën më të shfytyruar të njerëzve që
përbëjnë atë komunitet. Lexuesit e duruar dinë, po ashtu, se si ka filluar kjo
marrëzi. Mendje të çartura kanë diktuar këto përkëdhelje e llastime të
padurueshme, sepse… ata që drejtojnë, “duhet të trajtohen me rroga të majme;
kështu mënjanohen vjedhjet dhe abuzimet”. Sofizma! E para, atyre po u dhe
dorën, të marrin krahun; sa më shumë të kenë, aq më shumë kërkojnë. E dyta,
kush po pyet se bien në ngasje në paçin rroga më modeste? Burgje ka plot, po
bëhen gati edhe të tjerë…
Ja
edhe një përvojë tjetër, këtë herë nga SHBA. Kur z. Winberger, me profesion
ekonomist, mori postin e Sekretarit te Shtetit për Mbrojtjen në administratën e
Presidentit Ronald Regan, e filloi punën nga kontrolli i faturave të
shpenzimeve - të energjise elektrike, telefonave, etj. - të dikasterit që do të
drejtonte. Kontrolli nxori në pah shumë shpërdorime, te cilat u korigjuan. Me
këtë veprim të thjeshtë, ai inspiroi në administratë mentalitetin e të punuarit
me kursim në të gjitha fushat. Ndjehesh i ngazëllyer kur dëgjon a lexon që aksh
ministër apo edhe më shumë - në Hollandë e në Danimarkë - pasi ka mbaruar
detyrën e lartë, është parë të shkojë në punën e re me biçikletë. Ndihesh i
habitur kur shikon Kryeministrin e Kanadasë, z. Trudo, bashkë me familjen e
tij, të kalojë një pjesë të fundjavës duke ndihmuar një fermer.
Po
te ne çfarë ndodh? Pandemia mund t’i ketë frenuar disi, por rëndom ata dhe
fëmijët e tyre hapërdahen nëpër plazhet më të shtrenjta të botës. Im atë,
ndjesë pastë, që ishte një tregtar i vogël, i proletarizuar në vitet ‘50,
përdorte shprehjen “Mbaje ta therrim!…” Që do të thotë të shpenzosh si të
mundesh, pa kursyer, pa u menduar dy herë, pa asnjëlloj vramendjeje se ku po
t’i çon mushka drutë. Ky luks i shfrenuar, i paparë, kjo garë (bie fjala) e
deputeteve se kush vishet më shtrenjtë e kush duket më e sofistikuar, e kanë
çuar durimin e qytetarëve të tjerë poshtë zeros. Dhe ashtu siç ishte i thjeshtë
i gjithë ky parashtrim, e thjeshtë edhe e mëtejmja e kësaj ‘historie’:
Rishikimi i disa ligjeve (me përparësi Ligji Nr.8097, dt.21.03.1996 dhe Ligji
Nr.8550, dt.18.11.1999) si dhe disa urdhëresave që e kanë krijuar këtë anomali.
Është një emergjencë. Nuk mban më ujë pilafi. Ata (deputetët dhe zyrtarët e
partiakët e lartë) e kanë koracuar veten në këtë luks e me këto privilegje dhe
kjo arogancë i ka distancuar dukshëm nga qytetarët. (“Problemet kryesore janë
egoizmi, babëzia dhe apatia. Për t’i përballuar ato, na duhet një transformim
shpirtëror dhe kulturor.” Xh. G. Speth)
Ndeshja
me këtë mal privilegjesh, do të ishte hapi i parë i duhur i atyre 100 burrave e
grave (se nuk ka nevojë për më shumë) që mëtojnë të jenë së afërmi në Kuvend;
do të ishte betimi më origjinal i qeverisë që mund të konceptohet pas
zgjedhjeve më të para; (dhe qofshin sa më parë). Përndryshe, do të vazhdojë
edhe më tej raka-zhdrak karroca e Dylit, domethënë Shqipëria e shek. 21, që
ende mbart copra shëmbëlltyre nga dekadat më të errëta të së shkuarës.
(“Shqiptarët janë të pafat, por edhe kur u vjen, e kanë fat të ngatërruar” N.
Smirnova).