Kulturë
Albert Zholi: Mina Çaushi - Rrezet e pasqyrës
E hene, 31.08.2020, 09:08 AM
Jeta ndryshe në librin e i ri me poezi “Rrezet e pasqyrës” të autores Mina Çaushi
Nga
Albert Z. ZHOLI, Shkrimtar-publicist
Libri
i ri me poezi i autores Mina Çaushi, “Rrezet e pasqyrës” është një zgjedhje
ndryshe nga librat e saj të parë. Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit
jetësore, por edhe ato politike botërore, ajo vjen para lexuesit me një libër
poetik ku shtrihen dy etapa te jetës së saj fëmijëria dhe tashmë mosha e
tretë. Autorja jo më kot përcjell dy
kohë të ndryshme. Ajo me paralelizmat kohore sjell para lexuesit dy kohë që
pasqyrojnë dy shekuj të ndryshëm, fëmijërinë e saj në kohën e diktaturës dhe
atë të sotmen në kohën e demokracisë. Ne poezitë e fëmijërisë, autorja sjell
vargëzimet e saj të para, kur dëshira për poezi e kishte mbërthyer në çdo
qelizë. Ajo dëshironte të hynte në këtë botë me pathos, plot ëndrra aq sa ëndërronte netëve si mund të bëhej poete. Poezitë për fëmijë
janë shumë delikate, shumë të përgjegjshme, pasi ato duhet të kenë brenda
sinqeritetin fëminor, gëzimin, botën e tyre të drejtë, pastërtinë e tyre,
virgjërinë e mendimit, saktësinë e të përcjellurit. Gabimi në poezitë për
fëmijët është i pafalshëm, pasi me to, nëse gabon, ti në vend të edukosh sjell
të kundërtën gënjeshtrën. Fëmija me sinqeritetin e tij nuk ta fal gabimin. Ai
ta thotë hapur mendimin dhe dështimin. Ndaj autorja në këto poezi i është
përmbajtur rregullave, normave dhe dëshirave të sinqerta të fëmijëve. Ata janë
të pastër si kristal, ndaj kështu e duan edhe poezinë edhe fjalën edhe
bisedën...Estetikisht në këto poezi ajo ruan ekuilibra sinqeriteti deri në
përkushtim, ndërsa nga ana stilistike ndërton varg të thjeshtë, disa herë me
humor apo dhe krahasues për ta futur fëmijën në botën e imagjinatës dhe të
kërkesave ndaj vetes. Në poezitë e fëminisë autorja flet, për pemët, rrugët,
prindërit, sinqeritetin, gabimet, miqësinë, mësuesit, shkollën, pafajësinë
fëminore, moskuptimin e drejtë të gjërave në raste të veçanta, miqësinë e
sinqertë, korrektësinë në familje dhe shoqëri, lodrat, kërkesat, për veset por
ka dhe kritika për fenomene të ndryshme. Ajo është e sinqertë në çka shkruan
dhe thotë se varfëria disa herë të bën
më të përgjegjshëm dhe më serioz për jetën. Poezitë për fëmijë sot janë pjesë e
vështirë e krijuesve, jo sepse ata kërkojnë një nivel të lartë artistik, por
sepse ky nivel duhet të jetë i besueshëm, i perceptueshëm, dhe nxitës. Ndaj, sot librat për fëmijë janë të pakët dhe
thithen nga masa e gjerë e lexuesve të vegjël. Në tërë këto poezi gjen një
autore që flet me gjuhën e fëmijëve, gjuhën e shpirtit, pa abstragizma, ku
autorja mendon si ta, kërkon si ta, mediton si ta, dhe lidh të njëjtat ëndrra
si ta. Pra poezia për fëmijë e autores Çaushi është një poezi elegante, me
frymë njerëzore, e lidhur me realitetin e kohës, pa butaforizma dhe labirinte
pa ide.
Në poezinë e moshës së
tretë...
Në
këto poezi vjen një autore ndryshe, më e pjekur, më kërkuese, më e sertë, serioze,
lakonike dhe vizionare. Autorja në këto poezi rrok problemet e kohës. Pra nuk
ka vetëm një temë atë sentimentale, por rrok më shumë temat sociale. Me një
penë të lirshme, të kuptueshme, ajo përcjell me sinqeritet problematikat dhe
dukuritë e kohës, si hipokrizinë, dashurinë me interes, varfërinë, mashtrimin,
pabesinë, lakminë, mosmirënjohjen, etjen për tu dukur, varfërinë intelektuale,
shterpësinë e mendimit real poetik, debatet familjare, dinakërinë e njerëzve të
veçantë. Tematika e larmishme dhe problemet sociale që ajo rrok në këto poezi,
e bëjnë atë një poete popullore, një poete të besueshme dhe konkretizuese. Ajo
nuk imagjinon ëndrrat e parealizueshme, por përcjell problematikat e ditës që
na shqetësojnë, sjell dhimbjen dhe skamjen, harbutërinë e personave të veçantë,
mashtrimin dhe dembelizmin, pabesinë dhe hipokrizinë, dredhitë dhe veset e
individëve. Autorja kërkon në jetë personalitetin si krijuese, krenarinë dhe
dinjitetin njerëzor. Ajo nënvizon se puna dhe leximi janë dy armët e forta për
të ecur në jetë. Pa punë dhe pa lexim jeta e njeriut është e vakët, e zbehtë,
pa ritëm, pa ambicie profesionale, pa tharmin e bukur për të parë vepra që lënë
gjurmë. Në këtë kontekst mund të veçoj dhe një poezi filozofike për leximin,
lidhjen me librin që autorja e sheh si shpresë për një shoqëri dhe një botë më
të mirë, më të bukur, më të paqtë.