Kulturë
Kristaq Turtulli: Hijet e së djeshmes
E hene, 31.08.2020, 07:26 AM
Kristaq Turtulli
HIJET
E SË DJESHMES
‘Gruaja
është shenjtëria e burrit, e shqiptarit Haxhi Çali, e di këtë ti a?!’
‘E
di,’ mërmëriti Haxhi Çali: ‘Ka burrë nëne të mos e dijë.’
'Po
atëhere ç'mutin do?'
Më
vështroi ngulët. U kollit, erdhi vërdallë qelisë dhe u zhduk. Mbeta vetëm.
Fjalët e tij për firmosje qëndronin të varura si merimanga në muret e lagështa.
Mendimi
i shenjtë se burri që është burrë e ka një nder dhe një moral. Tu bëjë ballë
torturave. Është njolloj si të jesh mbërthyer pas një peme të lartë,
jetëdhënëse. I kapur fort pas trungut, me të dy duart, përpiqesh të ngjitesh
lart në majë, qielli dukej si kurorë, i kaltër, i kthjellët më tepër se kurrë.
Ndjehesh i plotë. Një dorë e butë më ledhaton lehtë, flokët, qafën, buzët,
fytyrën. Është gruaja, Shega! Asnjëherë nuk e kisha kërkuar dhe parë në ëndërr
në qelinë e ferrit gruan time, Shegën. Ajo përkuli kokën ngadalë, shmangu
flokët e dredhura, të derdhura, i hodhi mbi shpatulla si ujëvarë dhe më puthi.
U ripërtëriva, puthja ishte e freskët, magjike, e papërsëritshme.
Por
nuk ish e thënë të arrija në mesin e gjelbër të pemës dhe të shijoja deri në
fund shijen e puthjes. Më ngritën me përdhunë, më tërhoqën zvarrë, më futën në
qelinë e torturave. Drita e fortë më lëbyri sytë. I mbajta një copë herë sytë e
mbyllur. Kur i hapa, u ndesha me sytë e trishtuar, të përmbytur prej lotëve të
gruas sime, Shegës. Ajo qëndronte e lidhur e zverdhur dhe gjysmë e zhveshur.
Shega,
ç’do Shega në qelinë e tmerrit, kur e arrestuan! Burgu është për burra, jo për
gra. O zot, janë në vete, kanë mëshirë këta, vetëm atë jo, oh ju lutem, vetëm
atë jo! Preket, shpërdorohet, torturohet femra në pafajësi, gruaja, nëna e
fëmijës. Por...dhe unë jam i pafajshëm. Çfarë faji ka bërë e mjera që e mbajnë
lidhur dhe lënë gjysmë të zhveshur në të ftohtin e hidhur, në ciknën e janarit.
Vetëtimthi
Bëzi Kule u kthye nga unë e më ngjeshi një grusht të fortë turinjve. Qeshje,
zgërdhitje. U plasa përdhe i zalisur. Dëgjova nëpër mjegull klithmën e Shegës
dhe asgjë tjetër. Më hodhën kova me ujë të ftohtë. U përmenda, vështrimin e
kisha të mjegullt, si të më qe hedhur një pelte e trashë. Koka më buçiste dhe
nuk kisha fuqi të ngrihesha më këmbë. Torturat e vazhdueshme më kishin bërë të
thyeshëm si qelqi.
‘
Çohu se të pret zana, të japë gji, more Mujo kreshniku, lapangjozi,’ dëgjova.
U
përpoqa të shihja nga Shega, ç’po ndodhte me të, e torturonin keqas në praninë
time. Një masë e ngurtë, më pengonte, ishte e errët e rëndë. U zvarrita, trupi
më shponte dhe priste gjithandej. Masa e ngurtë rrëndonte mbi qepalla dhe nuk
ishte gjë tjetër veçse gjaku im, i trashur, i mpiksur, shtrirë në gjithë
fytyrën, trupin.
‘
Le të çepkatim së bashku çështjen e burrit, nderit, dinjitetit dhe moralit,’
dëgjova:’ Ke filluar të na shesësh edhe mend. Hëm, një plehrë, qelbësirë armik
si ti, borgjes i poshtër, llapashit. Shërbimi dhe firma për të bashkëpunuar me
sigurimin e shtetit është nderi e morali. Mos i kërko ato në qeli...
Nderi
dhe morali, dinjiteti dhe ndershmëria.., më buçiste koka.
‘Është
paralajmërimi i fundit për të firmosur,’ më thanë.
‘Mujo
të lutem më thuaj, ka më keq se kaq!’ rënkoi Shega krahëvarur.
‘Sigurisht
ka dhe më keq,’ dëgjova.
Paskëtaj
gjithçka po shkonte drejt një pështjellje, përmbysje, rrokopujë të ngjethëse.
Qelia e torturave filloi të mblidhej, të tkurrej të zgjatohej, të bymehej, të
fryhej, të shpërthente dhe unë ngjaja si një amebë e flakur në një pellg me
baltë të qelbur. Fytyrat filluan të deformoheshin, krahët po zgjateshin dhe
këmbët po shtrembëroheshin. Po bëhej një zhveshje e përbindshme. Me epshin e
pashpirt. Një lakuriqësi zvetënuese, gjakësore, lemeritëse. Qëndroja i
zhveshur, i lidhur, i kryqëzuar, i përgjakur. I pazoti të bëja veprimin më të
vogël për tu ngritur, lëvizur, kundërshtuar, luftuar, mbrojtur të shenjtën
gruan time. Ish një gjë e zakonshme në birucat e nëndheshme të Hanit me dy
porta, që viktimat e pambrojtura të hidhnin vallen e llahtarshme të torturave.
O
zot. Përse po flak përdhe rrobat e xhelatit, të përlyera me gjak dhe zhvishet
lakuriq përbindëshi Bëzi Kule! Shega gjendej e flakur në shtatin e drunjtë të
torturave dhe bërtiste:
‘Mujo,
nuk ka më keq se kaq, nuk ka...’
Drejt
saj në lakuriqësi pështirosësh, qime nxirosëse, po shkonte duke ecur si
gorillë, mekanizma e torturave, xhelati Bëzi Kule. Dëgjoja zgërdhije dhe qeshje
të çmendura. Sytë e bukur të Shegës ishin shpërfytyruar, hapur tej mase sikur
do të shqyheshin, kërcenin jashtë. Në to shihja lutje për ndihmë, tmerr,
llahtarë. Ajo lëvizte krahët dhe këmbët, klithte, bërtiste. Më ndihmo o Zot, më
kthjello o zot! Të jetë ngjitje e pështirë e qepallave të mia apo një e vërtetë
që nuk mund ta durojë dot burri, nderi, jeta! Gjaku rridhte pa ndërprerje...
‘Të
poshtër, largojini duart nga gruaja ime,’ bërtita me sa zë që kisha:’ Ju nuk
jeni shqiptarë dhe as burra. Mjaft, nuk mundem më...
Gjithçka
ngriu, u pre si me thike dhe iku tatëpjetë. Loja e verbërisë dhe hijeve qelbej në
atë qeli...
KRISTAQ@TURTULLI
HIJET E SË DJESHMES (fragment novelë nga libri me novela
ZHGËNJIMI)