Kerko: a
Fran Gjoka: Mark Tirta - Mark Vuji ishte thesar i dijes në arsim
E diele, 26.07.2020, 02:08 PM
MARK VUJI ISHTE THESAR I DIJES NË ARSIM
-Me Prof. Dr. Akad. Mark Tirta-
(Me rastin e 5-vjetorit të ndarjes nga jeta)
NGA FRAN
GJOKA- Lezhë
- Profesor, kaluan 5 vjet që që “Mësuesi i
popullit” Mark Vuji u nda nga jeta, një nga figurat emblematike në fushen e
padagogjise dhe psikologjise . A mund të na thoni si e keni njohur profesorin?
- Ishte një ngjarje
tepër e dhimbëshme: ndarja nga kjo jetë në mënyrë krejt të papritshme të
studiuesit, kërkimtarit të shquar në fushë të arsimit, të shkencës, Prof. As.
Dr. Mark Vujit. Kjo na bëri të përjetojmë me mallëngjim, me shpirt e me zemër
të kaluarën e largët e të afërme, prej nga erdhi e si shkëlqeu ky njeri dritëdhënës.
Me Mark Vujin jam njohur
më 1957, kur isha student në Institutin Pedagogjik të Shkodrës, isha Kryetar i
Këshillit Kulturor të konviktit e kisha një zyrë të vogël ngjitur me zyrën e
drejtorit të konviktit, Hysni Ymeri. Mark Vuji vinte herë mbas here aty te
drejtori e kuvendonin bashkë. Kishin qenë shokë të ngushtë prej kohësh si
arsimtarë, si drejtorë shkollash. Drejtori në fjalë më ka folur për Mark Vujin,
duke e vlerësuar si i përkushtuar në veprimtarinë arsimore, si kërkimtar
shkencor në dukuri pedagogjike, si njeri punëtor i pakrahasueshëm, i drejtë e i
matur e dashamirës me njerëzit.
Shkolla e mesme e
Lezhës, ku ishte drejtor Mark Vuji, ishte një model i veçantë në cilësi mësimi,
në metoda të edukimit, në formimin kulturor të nxënësve, të njerëzve të
ardhshëm që do të drejtonin dijen e kulturën. Nga këto vlera si sipër,
Ministria e Arsimit me ministër Thoma Deljanën e Bedri Deden, specialistin
shumë të njohur në pedagogji e psikologji, janë bërë disa herë seminare
kombëtare në Lezhë... për metodat e mësimdhënies, për cilësinë në formimin e
nxënësve në dituri. Veprimtaria bëhej te shkolla e mesme e Mark Vujit ishte
ndër referuesit kryesorë. Janë bërë dhe diskutime ku një rol të rëndësishëm e
kishte ky drejtor në trajtimin e problemeve të mësimit në shkollë, ku në qendër
ishin përgatitja e puna me përkushtim e mësuesve.
Jam njohur më së afërmi
me Mark Vujin e kemi shkëmbyer mendime që kur isha mësues, drejtor shkolle,
inspektor i arsimit në Mirditë. Jemi takuar shumë herë në seminare, në
konferenca në Lezhë, në Shkodër, në Tiranë, në Vlorë e me radhë. Ishte një
njeri shumë i ditur, i dhënë mbas librave, mbas shkrimeve pedagogjike. Dukej
një thesar i dijes në arsim, në studimet pedagogjike. Ishte eksplorues,
vëzhgues i thellë në proçesin mësimor e në bazë të këtyre, bënte përgjithësime,
zbërthime, trajtime shkencore.
Ishte model i veçantë, i
përkushtuar i punës në arsim si drejtor shkolle, si njeri i lidhur me librat
shkencorë, si shkrues me peshë në fushë të pedagogjisë, të të nxënit, në fushë
të edukimit të nxënësve, të rinisë.
- Keni qenë dy persona publikë, njerëz të shkencës,
shokë dhe miq të mirë. Ç’marrëdhënie e veçantë u krijua gjatë kohëve mes jush,
kur dihet se bashkëshortja Juaj, Maria, ishte motra e prof. Mark Vujit?
- Që kur jemi fejuar e
më vonë martuar me motrën e tij, Marien, kemi pasur marrëdhënie shumë të mira
me Markun e bashkëshorten e tij, Bukurien, që ishte një zonjë e përkryer, qoftë
si arsimtare shumë e ditur në matematikë e fizikë, qoftë në jetën familjare,
qoftë me ne si të afërm të tyre. Ne shkonim e vinim te njëri-tjetri si njerëz
të afërm e dashamirës.
Pasi ndërroi jetë
bashkëshortja e tij, Bukuria, Marku mbeti si i vetmuar në shtëpi. Unë e Maria e
kemi ftuar që të vijë e të rrijë, të punojë me shkrimet e tij në shtëpinë tonë.
Po ai ka ardhë e qëndruar një ditë, dy a tre ditë, tepër rrallë ka qëndruar në
shtëpinë tonë për 7, 8, 10 a 12 ditë. E lutnim të rrinte te ne për shumë ditë,
po ai largohej për në Lezhë me arsyen se ka në bërje në kompjuter libër a
studime, se duhet që sa më shpejt t'i korrigjonte e t'i çonte për botim. Ne
gjithnjë e kërkonim në telefon që të vinte e të rrinte te ne, ku bënim dhe
kuvendime të këndshme. Ai na arsyetonte dhe se donte të konsultonte librat që
kishte në bibliotekën e tij, po dhe shënime e skeda që i kish bërë shumë kohë
më parë. Arkivin e tij të punës shkencore nuk mund ta merrte me vete kur vinte
te ne. Do të konsultonte atje materiale, dëshmi, shënime e skedime nga më të
ndryshmet, po dhe shënime të tij në vëzhgime në shkolla, në mësimdhënie.
Si arsimtar, si drejtor,
ka qenë shumë i përkushtuar në punë. Nga puna e tij e madhe dhe përgatitja
profesionale, me dije të gjera në metoda të veprimtarisë, natyrisht dhe me
arsimtarë të tjerë të ditur, kanë dalë nga ajo shkollë njerëz të shquar, kuadro
që i kanë dhënë e i japin shumë kombit. Këta i ka formuar me një punë të
mundimshme, të bërë me shumë përkushtim.
Duhet ta theksojmë se ka
sakrifikuar shumë për arsimin, po dhe në studime e kërkime shkencore në fushën
e pedagogjisë, të mësimdhënies, për edukimin e brezit të ri, për pajisjen e tij
me dije të thella. Marku gjithnjë mbi studime: nuk e ka ditur as se ç’është e
diela, ose pushime në fund të semestrit a në pushime verore, as ditët e
festave. Ai gjendej gjithnjë në studime, në kërkime shkencore, në tavolinë, në
terren, në punë të ndryshme të profesionit të tij, si mësimdhënës, si drejtues,
si pedagog universiteti, në pedagogji, në metoda të mësimdhënies.
- Mes dy kolosëve të shkencës, doemos ka edhe
bashkëpunime të ndërsjellta. Cila ka qenë strategjia e ndihmës dhe
bashkëpunimit me Prof. As. Dr. Mark Vujin?
- Mes ne të dyve ka pasë gjithnjë diskutime për dukuri të ndryshme shkencore. Këtë e kemi bërë me shumë dashamirësi e mirëkuptim, edhe pse mund të kishim mendime disi të ndryshme për probleme me rrënjë tepër të errta. Duhet vënë në dukje se fusha ku bënte kërkime Mark Vuji e etnologjia, me të cilën merresha unë, ishin disi larg nga njëra-tjetra. Pra, dhe programime shkencore të përbashkëta nuk mund të bënim. Gjithsesi ne kemi diskutuar bashkë për orë të tëra dhe për tema të pedagogjisë, ashtu si dhe për ato të etnologjisë. Këtu, në mendime, kemi plotësuar njëri-tjetrin.
- Profesor Marku ka botuar shumë vepra, kryesisht
në fushën e pedagogjisë dhe të mësimdhënies. Cila nga veprat e tij të ka lënë
mbresa më të shumta dhe për ç’arsye?
- Mark Vuji ka botuar
mjaft studime e vepra të veçanta, kryesisht në fushën e pedagogjisë, po dhe për
edukimin e vetëdukimin e fëmijëve, gjëra që nuk bëhen vetëm në shkollë, po dhe
në familje, në shoqëri. Urtësia popullore thekson: "Më thuaj me kë rri e të të them se kush je!".
Librat e këtij
studiuesi, për mua, janë shumë të mirë e nuk di të ndaj njërin nga tjetri, në
dhënien e dijes. Libri "Filozofia
arsimore e akademikut Gjergj Fishta" (2007) më ka tërhequr vëmendjen,
në mënyrë të veçantë, në problematika e në stilin e të shkruarit. Në mënyrë të
gjithanshme ka hyrë deri në thellësi të gjërave e ato i ka ndriçuar në
gjithanshmëri. Me këto i ka dhënë lexuesit shumë dije të panjohura më parë,
është libër që lexohet këndshëm nga çdo njeri, nga ata që i njohin dhe i
vlerësojnë si duhet veprat e Fishtës.
At Gjergj Fishta, përmes
veprimtarisë arsimore si mësimdhënës, si edukues i të rinjve, si mendimtar në
zhvillimin e dijes në shkollë, në shoqëri, na paraqitet në këtë vepër si një
profet në zhvillimin e dijes në shkollë, si mbështetje në qytetërim të shqiptarëve.
Edhe pse nuk jam
specialist i veçantë i pedagogjisë e i mësimdhënies, dy veprat e fundit
shkencore e mjaft voluminoze "Vetëvlerësimi
mësimor" (Tiranë, 2012) dhe "Vizioni
mësimor" (Tiranë, 2015) më duken botime me shumë vlerë, që çdo njeri
me kulturë duhet t'i lexojë e të mësojë shumë gjëra për t'u orientuar si duhet
në jetën e tij, për të edukuar fëmijtë, për komunikim e sjellje në shoqëri, aq
më tepër këto janë me shumë vlerë për punën e arsimtarit, të pedagogut.
Personalisht gjykoj se ai i ka dhënë shumë shoqërisë në tërësi dhe edukimit në
vecanti, tek sa për vete mori pak, në kuptimin e interesimit dhe të vlerësimit
të përhershëm të kësaj ikone të arsimit në shkallë kombëtare. Vetëm ata që e
kanë studiuar me kujdes veprimtarinë studimore dhe shkencore e kuptojnë se sa i
thellë ishte në mendime, sa i plotë ishte në konkluzione.
- Profesori ka disponuar një bibliotekë mjaft të
pasur, ndër më të pasurat ndoshta edhe në Shqipëri. Cili do të jetë fati i
kësaj pasurie letrare edhe pse kanë kaluar 5 vjet nga ndarja e tij nga jeta,
nuk po dimë se ç’po behet në biblioteken e tij?
- Mark Vuji, me të
vërtetë ka pasë të tijën një bibliotekë shtëpiake shumë të madhe, me libra
shkencorë e kulturorë me shumë vlerë. Pasardhës nuk ka lënë që ta trashëgojnë e
ta përdorin si kabinet të punës shkencore. Ajo ndodhet e mbyllur me dry në
shtëpinë e tij. Tash për tash nuk e dimë se çdo të bëhet me këtë bibliotekë.
- Motra e profesor Markut, Maria, njëherit edhe
bashkëshortjaj Juaj, e ka përjetuar mjaft dhimbshëm humbjen e vëllait.
- Maria, motra e tij e
bashkëshortja ime, vdekjen e papritur me një atak në zemër, e ka përjetuar me
një dhimbje, me një dëshpërim marramendës. Nuk kishte si të mos tronditej kur
Marku e ka drejtuar në jetën e saj, në arsimin në 7-vjeçare, në të mesme, në të
lartën (universitet), në formimin e saj me dije të gjera, në aftësimin e saj të
përkryer si arsimtare. Kjo tragjedi e papritshme as që shkohej nëpër mend më
parë. Kjo shkaktoi tronditje rrënqethëse te motra e tij, po dhe te tërë të
afërmit, miqtë e dashamirësit e tij. Të tërë e përjetuam këtë me shumë dhëmbje.
Ky nuk ishte një njeri sidokudo, po ishte një mendje e ndritur në arsim, në
kulturën shqiptare, në kërkimet shkencore. Deri në ditën kur u nda nga jeta,
punonte në studion e tij, në projekte të tij në studime e libra shkencorë. Me
vdekjen e tij nuk humbën vetëm të afërmit e dashamirët e tij, po humbi mbarë shoqëria
shqiptare. Ka dhënë e do të jepte me shkrimet e tij e me leksionet në
universitet një ndihmesë të madhe.
- Profesori u nda nga jeta 5 vjet më parë, një natë
të nxehtë korriku, pa njeri afër dhe pa patur kujdesin pothuajse të askujt. Si
e vlerësoni humbjen e një njeriu me aq vlera edhe pse kanë kaluar disa vite, në
kushte të tilla?
- Është e vërtetë: jo
pak figura të shquara, që i kanë dhënë shumë shoqërisë, me veprat, me bëmat e
tyre të mëdha, kanë shkuar në atë jetë në gjendje tronditëse. Kjo është një
tërmet i madh drithërues. Në jo pak raste, njerëzit e mëdhenj, që i kanë dhënë
shumë shoqërisë, kanë vdekur shpejt e papritur. Kuptohet, këta konsumohen shumë
me punë të përkushtuar. Njerëzit e këqij, që nuk lodhen fare, hanë në kurrizin
e të tjerëve, bëjnë korrupsion, na kapërdisen me fjalë sikur ata e kanë krijuar
botën, jetojnë shumë. Këta njerëz plangprishës i bëjnë keq shoqërisë. Këtu
Perëndia nuk i ka bërë vlerësimet mirë. Ajo duhet të ruajë njerëzit e mirë e të
çojë në ferr sa më shpejt njerëzit keqbërës, të pa vlerë.
- Në kushte të tilla kanë ikur mjaft figura të
shquara botërore dhe kombëtare.
Përmendim këtu Tolstoin e madh, që vdiq një natë të ftohtë dhjetori të
vitit 1910 në një stacion treni afër Moskës, ose Kolë Jakova, që u nda nga jeta
në një azil pleqsh në Tiranë etj. A duhet t’i lerë shoqëria dhe shteti figura
të tilla të ikin kështu dhimbshëm dhe në mungesë totale vlerësimi dhe
përkujdesjeje?
- Mark Vuji, sipas
mendimit tim, nuk është vlerësuar si duhet nga shteti. Me të vërtetë i janë dhënë
disa dekorata; ka titullin "Mësues i
Popullit", po disa tituj të lartë as që është interesuar kush t'ia
japë. Një jetë të tërë mbeti me gradën shkencore Prof. Asoc. Dr., kur të tjerë
kanë marrë tituj e grada shkencore pa i merituar. Kanë marrë vlerësime "Mjeshtër i Madh" ose dhe "Nderi i Kombit" pa i merituar ato
aspak. Këto gjëra bëhen me nepotizëm, me interesa vetiake, me vlerësime sipas
krahinës së të mëdhenjve. Këto qëndrime nuk i bëjnë mirë kombit.