Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Diasporë, heshtja nuk të ka hije!
E diele, 12.07.2020, 08:25 PM
DIASPORË, HESHTJA NUK TË KA HIJE
Nga
Frank Shkreli
Ka një javë që
Auron Tare ka botuar të ashtuquajturin "punim", famëkeq tashti, në
portalin "Peisazhe të fjalës", me qëndër në New York, në të cilin
akuzohet Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, dy nga personalitetet më të njohura të
diasporës së vjetër anti-komuniste, si bashkpuntorë të agjencive sekrete
ndërkombëtare. Është një shkrim plot
aludime, insinuata, të pa vërteta, hedhje dyshimesh të pavërtetuara, e që
përmban më shumë pyetje provokative djallëzore se sa fakte, të cilave nuk u jep
përgjigje as autori as botuesi-- një fletërrufe e vërtetë e kohës së Enver
Hoxhës kundër këtyre dy shkrimtarëve shqiptare, të cilët -- megjithë ndonjë
gabimi njerëzor që mund të kenë bërë -- veç nam e nder i kanë lenë vetes dhe
Kombit shqiptar. Jo vetëm në diasporën e
atëherëshme por edhe në qarqet ndërkombëtare gjatë jetës dhe veprimtarisë së
tyre, një periudhë ajo që ata akuzohen nga Tare të kenë vepruar si poli-agjentë
të UDB-së, CIA-s amerikane, agjencive të fshehta gjermane e italiane, madje
edhe deri në Moskë ka shkuar Tare që me absurditetin e tij përpiqet të
“implikojë” Koliqin për bashkpunim madje edhe me rusët.
Me thënë të
drejtën fillimisht e konsiderova shkrimin e Tares se ndoshta ishte një
përpjekje për të parë emrin e vet në shtyp dhe mundësisht për të bërë lajm në
ditët e nxehta të verës, zakonisht, pa lajme me rëndësi, me përjashtim të
koronavitrsuit, me të cilin jemi lodhur të gjithë kudo. Duke zie në vetveten, mu kujtua gjithashtu
poezia e Martin Camajt, duke menduar për, “Një ditë e ka Korbi”, se korbit
ndoshta i duket vetja Pëllumb, madje edhe për një ditë, ose siç thotë një
shprehje amerikane, gjithkush ka të drejtë për 15-ditë fame, edhe gati hoqa
dorë. Legjenda popullore thotë
gjithashtu se korbi, i cili mendohet se nuk është i anëve tona, ka ardhur nga
diku dhe simbolizon ndjellakeqin, perfaqësues i një ambienti të egër -- korbi përballë
ambientit të butë që përfaqëson pëllumbi –korbi i zi përball bardhësisë. Në anët tona korbi konsiderohet aq i zi jo
për nga ngjyra, por për fatin e keq që sjell, sa kur donte të namte dikush, të
thonte, “Ik he korb i zi…” Prandaj vendosa që të shikoj rishtas se ç’donte të thonte
Aron Tare, pasi e pashë tejet të angazhuar edhe në debate në televizion duke
ngulur këmbë edhe më egërsisht në shpifjet e tija të zeza ndaj Koliqit dhe
Camajt. Por me kalimin e
ditëve, shoh se autori nuk bëri asnjë korrktesë as pendesë, ndërkohë që po
ftohej në programe televizive në Shqipëri, për të amplifikuar edhe më tej
akuzat e tija fals megjithse pati edhe reagime kundër tij trillimeve të tija.
Megjithëse kam
reaguar me dy shkrime të tjera modeste për këtë temë, ndoshta edhe me pak
emocion, që për ata që më njohin nuk është në natyrën. Prandaj kësaj rradhe po i drejtohem komunitetit
shqiptaro-amerikan me zhgënjimin tim për mungesën e reagimit ndaj këtyre
pretendimeve. Të nderuar bashkombas,
ndryshe nga ç’pretendon Tare, e vërteta e këtyre burrave dhe e veprimtarisë së
tyre, gjatë kohës që jetuan, siç është shprehur edhe Martin Camaj për Koliqin,
por I prështate edhe atij vet se megjithëse, “Pjesën
ma të madhe, Koliqi e kaloi në dhén e huej, në një anë, ai gjithnji ishte në
kontakt me botën shqiptare e sidomos arbëreshe dhe në tjetrën si profesor
universiteti e shkrimtar, në dialog të përhershëm me rrethe intelektuale të
ndryshme të botës perëndimore. Vetë
persona e Koliqit ndër këto rrethe, si njeri shoqënie dhe kuvendatar brilant,
qiste poshtë me të parën, çdo paragjykim të gabuem e dizinformues mbi Shqipëninë”.
Kjo është edhe detyra jonë sot, që sipas shembullit të Koliqit dhe Camajt,
të mbrojmë Shqipërinë dhe historinë e vërtetë të saj dhe të burrave që benë atë
histori. Ta mbrojmë Koliqin dhe mikun
dhe bashkpuntorin e tij të ngusht Martin Camajn, jo nga sulmues të huaj, jo,
jo. Duhet ta mbrojmë nga vet shqiptarët
e llojit Tare e shumë të tjerë si ai, siç ndodhte në kohën e Enverit, por
ndryshimi është se sot kjo ndodhë këtu në zemër të Amerikës nga një portal
shqiptar. Fatkeqësisht, kjo është
Shqipëria dhe shqiptarët e 30-vjetëve post-komunizëm!
Prandaj, si shqiptarë të diasporës së vjetër dhe të re, të gjithë së
bashku, pa dallime dhe pa paragjykime, të lirë dhe të ndërgjegjëshëm, ashtu siç
jemi mësuar në botën e lirë dhe demokratike perëndimore, të mbrojmë këta burra
të Kombit tonë, ashtu si Koliqi dhe Camaj mbrojtën sa jetuan Shqipërinë,
Kosovën dhe interesat e Kombit shqiptar nga gënjeshtrat, shpifjet dhe nga
paragjykimet e gabuara, qëllim-këqia dhe dezinformuese kundër shqiptarëve,
ashtu siç e kanë zakon armiqtë tanë për rreth kufijve të trojeve shqiptare, së
bashku me miqtë e tyre më larg, që i mbështesin ata në planet e tyre
anti-shqiptare. Nuk besoj se Moska ose Beogradi do kishin mundur të shkruanin
një artikull më të mire kundër dy prej shkrimtarëve më të mëdhej të kombit.
Unë, si një
shqiptaro-amerikan, u bëjë thirrje personave të njohur, organizatave dhe enteve
të ndryshme, të mëdha e të vogëla, të këtij komuniteti shqiptaro-amerikan por
edhe të diasporës shqiptare në Evropë, që deri tani nuk kanë reaguar në lidhje
me këto zhvillime – të prononcohen ndaj këtij sulmi dashakeqës kundër Koliqit
dhe Camajt.
Këtu nuk kemi të
bëjmë me ushtrimin e fjalës së lirë nga Tare dhe botuesi -- sepse ushtrimi i
fjalës së lirë ishte një nga arsyet që ne jemi arratisur në këtë vend,të dëbuar nga trojet tona, të arratisur dhe të
përdhunuar nga regjimi komunist, ashtu siç ishin detyruar të barktisnin Atdheun
edhe Ernest Koliqi edhe Martin Camaj. Ne
gëzojmë lirinë e fjalës por njëkohësisht dimë edhe “kufizimet e arsyeshme”
sipas kushtetutës, siç janë shpifjet. Të
gjithë ne kemi bërë shumë sakrifica personale dhe familjare në mbrojtje të
lirisë së fjalës, ndryshe nga auron taret e botës shqiptare sot. Me botimin e këtyre shpifjeve kundër Koliqit
dhe Camajt, të cilat u provuan tani se as nuk janë të “rralla” as “origjinale”,
siç pretendojnë autori dhe botuesi, pasi siç kam thenë edhe në një shkrim para
disa ditësh, vetë Koliqi dhe Camaj nuk i kanë mohuar veprimet e tyre gjatë asaj
periudhe, përfshirë edhe këto që “dokumenton” Tare. Nuk kemi, pra të bëjmë aspak me ushtrimin e
fjalës së lirë, sepse po të ishte ashtu, atëherë edhe shpifjet e Enver Hoxhës,
Pol Potit, Hitlerit e Stalinit ndaj kundërshtarëve të tyre, do duhej të
faqoseshin në faqet e para të gazetave si deklarata bona fide. Por, kemi të bejmë me një përpjekje
dashakeqëse për të njollusur këto dy personalitete – duke i dënuar për së dyti,
sikur regjimi enverist nuk e kishte përfunduar punën e tij kundër tyre.
Pyetja nga shumë
njerëz të interesuar për këtë çeshtje është pse botohet ky artikull tani dhe
pse janë shënjestruar, pikërisht, këto dy personalitete të diasporës së vjetër
anti-komuniste dhe nëse dikush tjetër fshihet pas një nisme të tillë -- përtej
autorit dhe botuesit? Sipas disa
burimeve të besueshme, edhe persona të tjerë, në Shqipëri dhe jashtë, po
interesohen për dosjet e këtyre dyve por edhe të kundërshtarëve të tjerë të
regjimit të Enver Hoxhës. Artikulli i
Tares, mund të jetë vetëm hapi i parë në këtë fushatë, sepse, sipas burimeve,
po përgatiten materiale, artikuj e madje edhe libra për botim edhe nga “autorë”
të tjerë kundër personaliteteve anti-komuniste shqiptare. Pa dashur të bëj akuza pa bazë, presim e
shohim nëse këto burime kanë të drejtë ose jo, pasi koha do ta tregojë, por
fillimi duket premtues se duket që kemi të bëjmë me një fushatë të mirë
koordinuar, për realizimin e objektivave të caktuara kundër një klase të tërë
shqiptarësh, për të deligjitimizuar kundërshtarët e ish-regjimit komunist,
simbolikisht, ata më të njohurit.
Unë e kuptoj
heshtjen zyrtare në Tiranë në lidhje me këtë çështje -- pasi me heshtjen e tyre
-- entet e ndryshme qeveritare e shtetërore vërtetojnë deri diku dyshimet se
ato, për qëllimet e veta të momentit, mund të jenë bashkpunuese në ketë fushatë
-- tërthorazi ose drejtë për drejtë – në mbështetje të këtyre akuzave absurde
shpifëse, pasi për arsyet e tyre u intereson baltosja e këtyre dy burrave.
Pasi Tare thotë se
është e drejta e tij të ngrej pyetje dhe të hamendësojë, e ndjejë se më jep
edhe mua të drejtë të hamendësoj edhe unë se ai dhe botuesi mund të jenë një
mashë që hedh gacën në zjarr për interesa të caktuara aktualisht, pasi vet
autori pranoi në një program televiz se dokumentet në fjalë, për Koliqin dhe
Camjan, i kishte në arkivin e vet për 7-8 vjet tani. Se pse se duhej t’i përdorte tani dokumentet
që kishte me vete nuk e shpjegon, megjithëse nuk i kishte të kompletuar, pasi
vet pranoi se mungojnë dosjet e Beogradit, për të cilat, Tare është i bindur se
ato do të provojnë më në fund se Martin Camaj ishte agjent i UDB-së. A mund të merrni me mend një historian të
vërtetë të bazohet në dokumentet serbe për të provuar akuzat absurd të tija
diçka kundër kundër një shqiptari të njohur siç është Martin Camaj? Këta ende nuk e dinë se kush janë serbët.
Përveç diasporës
edhe entet qeveritare të Republikës së Shqipërisë, si Ministria e Kulturës,
Ministria e Diasporës, Akademia e Shkencave, e të tjera, duhej të ishin të
parat që të reagonin ndaj këytre akuzave. “Reagimi” i Akademisë së Shkencave
para dy ditësh në Tiranë tregoi mos interesim, ose frikë për tu marrë me këtë
çeshtje. Bëri një reagim qesharak të pa
denjë për një ent të tillë të lartë shkencor të një vendi anëtar i Nato-s, që
pretendon se do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Për ata që e kanë lexuar (mos)reagimin,
Akademia Shqiptare nuk pati guxim të përmendte as emrin e Ernest Koliqit, për
të cilin po bëhet gjithë kjo xhurmë, ndërsa në deklalartë përmendet Martin
Camajn me emër, por duke cituar Ismail Kadarenë për Camajn.
Por, në mungesë të
reagimeve zyrtare në Tiranë dhe Prishtinë na takon ne këtu në diasporë -- që të
reagojmë dhe të protestojmë ndaj përpjekjeve fatzeza dhe anti-kombëtare, për të baltosur dhe
njollosur reputacionin e personave të dalluar të diasporës dhe të Kombit
shqiptar, si Koliqi e Camaj.
Nuk dua të përmend
emra individësh dhe as organizatash në diapsorë, por ju e dini se kush jeni dhe
cila duhet të jetë detyra jonë kombëtare nëraste të tilla, si shqiptarë dhe si
pjesëtarë të kësaj diaspore për të cilën Ernest Koliqi dhe Martin Camaj kanë
bërë aq shumë. Po të ishte botuar dikur
një artikull i tillë dashakeq, le të themi nga beogradi ose Athina, kundër
cilido shqiptar qoftë, komuniteti do të dilte në protestë me pllakarda para
ambasadave të tyre. Nuk po bëj thirrje
për protesta, por bëj thirrje që të flisni, të shkruani dhe të angazhoheni në
media dhe në rrjetët sociale, në mbrotje të së drejtës dhe të vërtetës dhe
kundër shpifjes ndaj dy buurave të njohur të diasporës historike anti-komuniste
shqiptare. Mos heshtni vëllezër e mora
shqiptarë. Diasporë, HESHTJA nuk të ka hije, jo!
“Jeta
jonë mbaron, në ditën që ne heshtim për gjërat që kanë rëndësi", ka thënë
Martin Luther Kingu, mbështetësi i njohur i të drejtave civile në Amerikë. “Në
fund të fundit”, ashtu siç është shprehur ai edhe me një rast tjetër: ”Ne do të
kujtojmë, jo fjalët e armiqëve tanë, por do mbajmë mend heshtjen e miqëve
tanë.” Sot, më shumë se kurrë, përballë një fushate të re, jo më pak e tmershme
se ajo e Enver Hoxhës dikur kundër tyre për t’i zhdukur, jo vetëm fizikisht,
por edhe për ti shlyer nga historia kombëtare, duke i akuzuar si
kolaboracionistë, si spiunë dhe poliagjentë.
Ernest Koliqi dhe Martin Camaj tani kanë nevojë për miq që mbrojnë
nderin dhe reputacionin e tyre në diasporë.
Kanë nevojë për mbështetës që nuk heshtin përballë së keqës. Mos pështyni në dritë, do të porosiste Martin
Camaj.
Frank
Shkreli
*Ish-Drejtor
i VOA-s për Euro-Azinë
Ish-Drejtor
Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar- Shqiptaro-Amerikano (NAAC)