Kerko: a
Prend Buzhala: Poetika e thuknisë në letërsi
E diele, 12.07.2020, 08:22 AM
POETIKA E THUKNISË NË LETËRSI
(Kundrime
eseistike), 7
Nga
Prend BUZHALA
Vërtet,
shumë poetë e shkruajnë tekstin e thuktë, e përdorin procedimorin e dendësisë
së thënies, e poetikës së thuknisë. Zaten, poezia, që në zanafillat e saj, e ka
pikësynuar mjeshtërinë e fjalës. Letërsia pikësynon ta bëjë një hap më afër
qenies. Na bie të lexojmë format e shkurta letrare, të cilat, në leximet tona,
shpesh e shpesh, i quajmë poetikë e thuknisë, në të cilën përqendrohen e
kristalizohen prirjet krijuese të shkrimtarit. Të duket sikur ato thënie
përafrohen me formula lapidare ligjërimore, të kërkuara me mund krijues. E në
këtë kërkim të së bukurës krijuesi nuk do të mund ta shkruajë as ta përjetojë
atë pa etikën e saj; pra, poetika e ka si estetikën, ashtu edhe etikën e
fjalës.
1.
Thuknia
e thënies së kursyer letrare shpesh e shpesh shënjon vlera të larta me
funksionalitet estetik. Është njajo denduria e thënies, që buron nga dhimbjet e
përvojës, nga përvoja e dhimbjes dhe e vuajtjes, nga përpjekjet cfilitëse të
rezistimit kundruall barbarisë, nga pasioni i pamposhtur për emancipim e dije përballë
mohimeve të pafund të injorancës së mbjellë na kohët e nga sunduesit. Është një
shpresë e bukur, një bukuri e shpresës, që e mban gjallë njeriun.
Si
nga pikëpamja e kohëhapësirës, si nga vetë titujt metaforikë e provokues
semantikë, krijuesit dëshirojnë të zgjojnë tek lexuesi fenomenin e çudisë, apo
sikundër shprehet Bahtin, të çrëndomtësimit, tek realizohen në kuadrin e
konturave ende të paqarta, apo nëpërmes rrjedhës së asociacioneve,
retrospekcioneve, anticipimeve, vëzhgimit simultan, fanitjeve dhe ëndrrave.
Tekstet shpesh jepen me fjali maksimalisht ekspresioniste, të dendura. Ngjarja
që zhvillohet, duke e mbajtur tensionin deri në fund, nuk i ofron lexuesit
zgjidhje të lehta apo çlirim emocional. Shpesh, përfundimi i tregimit, bëhet me
qëllimin që të paraqiten pasojat e personazhit të izoluar, të cilit i kanë
dështuar përpjekjet që të kyçet a integrohet në realitetin social. Akuzë, kjo,
edhe kundër realitetit çintegrues, tjetërsues.
2.
Në
prozën moderne fabula rrudhet maksimalisht, duke i vënë në plan të parë
përfigurimet e realitetit, vlerat afektive dhe efektive të narracionit, të
vizionit a të ndjeshmërisë së mbrendshme, subjektivizmin, fantazinë dhe
poetizimet, rrëfimin diskontinuitiv, lirizmin e atmosferës, shkallën e theksuar
të psikologjizimit, sines-tezinë, tendencat mistike, fragmentaritetin, motivet
e homo duplex-it me dyzimet e pafund jetësore, etj. Madje, njeriu i dyzuar
shndërrohet në një qenie automatike, për ta vazhduar agoninë e tij. Integrim i
imagjinatës personale nëpërmes simboleve të tilla, bëhet burim i pasurive të
fshehta e të pashtershme nga oqeani personal shpirtëror i individit a
personazhit
Në
dendësinë e tillë të burimit krijues gjuhësor, shkrimtarit i ndodh, mu ashtu si
ligjëron poeti japonez Çuangçe: "A jam unë ajo qenie njerëzore që ëndërron
se është flutur, apo mos qenkam flutur që ëndërron se është njeri.?"
Letërsia
gjithnjë pikësynon të evoluojë kah procedimet krijuese., prandaj evoluojnë edhe
stilet dhe poetikat, me koncepte të reja, fjala merr potencë të shumësisë kuptimore
e shënjuese, ndërkëmbëhenen paradokset e thënies oksimorike me fenmenet e
metakomunikimit të lirikës vizuale, i poezisë konkrete e singnaliste me
metaforizimet orfeike të vargut, hyjnë në strukturën e këndimit elemente të
lojës tekstuale-ligjërimore.
Koshet
Krijimtaria
është një tension i përhershëm e i vazhdueshëm i shkrimit.
3.
Mund
të ndodhin sa të duash eksperimente klasike, moderne a postmoderne; porse
thelbi mbetet po ai: i të kuptuarit të thënies poetike si veprim i mjeshtrit në
punë të artit.
Ashtu
sikundër poeti e parapëlqen poezinë me thënie të dendur, të përpunuar, fine; po
ashtu ai e parapëlqen edhe fuqinë e shprehësisë artistike, të ekspresivitetit,
për të krijuar situata të veçanta estetike. Kurse lexuesit i mbetet që krijimin
poetik ta lexojë si kënaqësi estetike të përjetimit të së bukurës.
Kjo
do të thotë se fjala poetike dhe vargu, krijohen mbi parimin e të folurit me
kursim, do të thoshim: mbi parimin e dendësisë së thënies lirike. Të duket
sikur ato thënie përafërohen me formula lapidare ligjërimore, të kërkuara me
mund krijues. E në këtë kërkim të së bukurës krijuesi nuk do të mund ta
shkruajë as ta përjetojë atë pa etikën e saj; pra, poetika e ka si estetikën,
ashtu edhe etikën e fjalës...
(Prend N. Buzhala,
rishkrime, 7 korrik 2020)