Kerko: a
Ismail Aliu: Fatmir Halimi - Dy vdekjet e një jete
E premte, 10.07.2020, 07:30 PM
VËSHTRIM PËR ROMANI “DY VDEKJET E NJË JETE” TË SHKRIMTARIT FATMIR HALIMI
NGA ISMAIL
ALIU
Dashuria te romani ‘Dy vdekjet e një jete’ i shkrimtarit Fatmir Halimit kap majat më
të paimagjinueshme të sublimes, fisnikërisë dhe shenjtërisë, duke kulmuar kësisoj
në stadiumin e përjetësisë, ku treten limitet-përkufizimet e kohës dhe
hapësirës. ‘Dy vdekjet e një jete’
është romani më i arrirë artistikisht këtyre viteve të fundit në letërsinë
tonë, i cili lexohet me një frymë dhe kësisoj me ngjarjet që zhvillohen në të,
secilin lexues e bënë për vete.Ky romani edhe pse në titull askund nuk e
përmend fjalën dashuri, kryekëput trajton temën e dashurisë dhe atë në dy
aspekte.
Aspekti i parë është dashuria e madhe ndaj atdheut,
ku personazhi kryesor Astriti, lë jetën e bukur dhe metropolet perëndimore plot
bukuri dhe kthehet në atdhe për të luftuar, ku sipas bashkëluftëtareve të tij
ai vritet në betejën e Koshares. Por Astriti realisht nuk ka vdekur, sepse
trupin e tij gjejnë në agoni disa njerëznga Shqipëria dhe e tërheqin nga fushëbeteja,
dhe ai më vonë shërohet. Kurse shokët e luftës pas tre ditëve, kur i mbledhin
trupat e vrarë dhe i varrosin, ata gjejnë aty dokumentet e tij dhe në njërin varr e shkruajnë edhe emrin e
Astritit.
Aspekti i dytë dhe shumë i rëndësishëm është se,
edhe pse Astriti pas çlirimit e merr vesh se forcat serbe ia kanë vrarë tërë
familjen, ai kthehet përsëri në atdhe. Tash kthehet për dashurinë edhe më të
madhe që ka lënë në Kosovë para tetë viteve, pra për Valberën, të cilën e
dashuron përjetësisht. Valbera edhe pse është martuar me një tjetër ajo ende e
dashuron Astritin. Ata takohen e rinjohin njëri tjetrin, e kuptojnë dhe
pajtohen me realitetin e ri, por siç potencova shkrimtarin dhe filozofin e madh
indian, Osho, dashuria e tyre i kalon suazat e natyrores dhe kalon në sazet e
hyjnores, ku Osho për dashurinë thotë: ‘Kur dashuria ekziston dhe kur dy qendrat takohen e
shkrihen njëra në tjetrën – krijohet kualiteti i ri alkimik. Sikur përnjëherësh
e tërë jeta të jetë ndalur – nuk ka lëvizje. Tani ky moment i tanishëm - është
i vetmi moment dhe tani lirisht mund të themi: - Ah, kjo ëmbëlsirë qenka kaq e
shijshme! Madje as vdekja nuk ka kurrfarë rëndësie për njeriun që është duke
dashuruar”.
Prandaj po këto që thotë Osho për dashurinë, këto i
ndodhin Astritit me Valberën në momentet e fundit të jetës së tij, i cili tash
po vdes për herë të dytë në krahët e të dashurës së tij, ku me këtë rast do ta
ilustrojmë me pak tekst nga romani:
“Astriti
me vështirësi i mbante sytë hapur dhe me dorën tjetër ia fshiu lotët Valberës,
e i tha:
- Ti
mos u mërzit për mua, unë edhe pse po përjetoj dy vdekjet e kësaj jete, unë ty do të
pres në botën tjetër dhe atje do të jesh e imja përgjithmonë.
Valbera
e puthi në ballë. Derisa ajo qëndronte me kokë mbi fytyrën e Astritit, atij ia
lagte faqet me lot, saqë e bëri atë të formojë një buzëqeshje dhe si në shaka i
tha:
- Boll
më se më lage të tërin, por më thuaj se a do të jesh imja që unë të shkoj i
lumtur në botën tjetër?!
-Çdo
herë do të jem e jotja, - tha Valbera dhe tash plasi me zë në vaj, e doli nga
dhoma duke qarë.”
Prandaj siç vërejmë edhe nga vetë teksti i romanit,
kuptojmë se sikur edhe vetë autori Halimi beson në fuqinë e dashurisë, beson se
ekziston dashuria e
amshueshme, ai beson në një dashuri të pakufishme dhe të pa matshme në kohë.
Për këto koncepte të shkrimtarit Halimi, të cialt ai i përshfaq gjatë romanit
të tij për dashurinë e amshueshme, për dashurinë e jashtëkohëshme përgjigjen më
se miri e gjejmë prapë te filozofi i shekullit tonë Osho, i cili ndër të tjera
thotë se njeriu
plaket dhe vdes, ndërsa dashuria jo! Ajo mbetet përherë e re pasi i takon
qendrës, e qendra sipas Oshos nuk i përket kohës, njëjtë sikurse shpirti, që
mbetet përfundimisht i freskët, i përjetshëm, pavarësisht moshës së njeriut.
Prandaj sipas tij dashuria e vërtetë është e amshueshme dhe i takon hyjnores.
Si përfundim mund të them se te romani "Dy vdekjet e një jete", përballemi
me dashurinë më sublime e më idilike në mes të kryepersonazheve të Astririt dhe
Valberës, përballemi me romancën e dy të dashuruarve të përjetshëm, që eklipson
çdo kufi e barrierë të përkohësisë, si imanentë, respektivisht, si komponentë
inkoherence të botës relative...
Fatmir HALIMI
Fatmir Halimi u lind më 26. 03. 1972,
në fshatin Dumnicë të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të
mesmen në Podujevë, ndërsa studimet në degën Letërsi dhe gjuhë shqipe në
Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Po aty i përfundoi
edhe studimet pasuniversitare, ku mori titullin: Master i Shkencave të
filologjisë (Ma. Sc.). Është poet, gazetar, shkrimtar, kritik letrar dhe
profesor i gjuhës shqipe. Poezitë e para i botoi në vitin 1989 në revistën;
"Zëri i rinisë". Që atëherë poezitë dhe punimet e tij letrare e
shkencore i botoi gati në të gjitha gazetat dhe revistat si Rilindja (Bujku), Bota e Re, Fryma, Bota
sot, Kosova live, Iliria Post, Kosova sot, Epoka e re, Jeta arbëreshe në
Itali, etj. Vepra e tij e parë, "Kornizat e burgut", e
shkruar gjatë viteve të ’90-ta, u botua më1996, e cila pas kërkesave të
lexuesve u ribotua në vitin 2007. Nga fusha e kritikës letrare deri më tash ka të botuar këta libra:
- “Postmoderniteti
në prozës e ZejnullahRrahmanit”, 2015. -“Prej
modernes kah postmodernia”, 2016.
- Kurse romani “Dy vdekjet e një jete”, botues: ”ProkultPress”, Prishtinë,
2017, më 2018 u shpall romani më i mirë i viti në Kosovë, nga Ministria e
Kulturës, Rinisë e Sportit. Fatmir Halimi nga viti 1997 e deri në vitin 2007
punoi gazetar në disa gazeta dhe radio, si në gazetën “Bota Sot”, në portalin e
lajmeve “Kosova Live”, gazetën
“Iliria-Post”, etj. Nga viti 2004 e deri më sot punon profesor i gjuhës
dhe letërsisë shqipe, kurse si botues me SHB PorkultPress deri më tash ka redaktuar dhe lekturuar më se 140
libra të fushave të ndryshme si letërsi, publicistikë, histori, art etj.