Kerko: a
Enciklopedi Kadareane
E enjte, 25.06.2020, 02:20 PM
Në
hulumtimet kadareane, sa herë kemi hyrë në një linjë të caktuar, për të gjetur
të dhëna të reja për përhapjen dhe vlerësimin e krijimtarisë, kemi gjetur një e
disa linja, të lidhura në një sistem të pandërprerë, që zbulon vetveten.
Prandaj, drejtimin tonë e ka prirë vetë vepra e metavepra kadareane. Zanafilla
e këtij libri ka qenë një ide-projekt më e thjeshtë: bibliografi e kriterit
titullor-kronologjik, e shoqëruar me ballinat e disa prej romaneve më të
botuara të Ismail Kadaresë, një origjinalizëm, thuajse i panjohur, i
konkretizimit të tyre në artet figurative pamore. Në rrethana më të
përshtatshme, pas dy–tre vjetësh, lënda e përgatitur u rimor për t’u botuar.
Atëherë nisëm kërkimin për të arritur në një këndvështrim të ri, sintetizues,
prej nga të shpërfaqej në mënyrë tërësore e sa më të plotë, gjendja e tyre e tanishme,
që është në një shkallare të lakmueshme. Përpara syve kishim disa fakte
themelore, të pakundërshtueshme. Vepra e Kadaresë, në letërsinë shqipe, është
më e pasura, njëherësh, dhe më e larmishmja e shekullit XX, emblemë e
identitetit dhe e origjinalizmit të saj në botë. Edhe kritikat e studimet në
gjuhët e tjera, prej kohësh dhe në vazhdim, e cilësojnë ndër të mëdhatë,
parësore, një nga përfaqësueset e letërsisë europiane të shekullit XX,
mbështetur nga qindrat e botimeve dhe të ribotimeve, 1462, në 47 gjuhë, si dhe
të rreth 3 mijë recensioneve dhe studimeve për të. Ne këto i dinim dhe një
pjesë të madhe të thesarit të tyre i kishim në dorë. Kështu, hulumtimet dhe
studimi na drejtuan vetiu në përftimin dhe sendërtimin e enciklopedisë së parë
kadareane dhe, për më tepër, të enciklopedisë së parë shqiptare të këtij lloji,
kushtuar një shkrimtari.