Kulturë
Mustafa Kruja: Esat Pashë Toptani
E marte, 23.06.2020, 01:27 PM
ESAT PASHË TOPTANI
Nga
Mustafa Kruja
Nji
nga personalitetet shqiptare qi gjatë nji perjode tetë vjetsh (1913-1921) ka
luejtun rolin mâ fatkeqin t’asaj kohe për kombin e vet. E qi, sikur mos t’i
kishte pasë armatosun fat’i Shqipnisë dorën nji djaloshi të rrëmbyem prej
patrijotizmit për me ia shkurtuem jetën, ndoshta do të kishte qênë thjesht
fatal.
Por
un due me e vûmë kënduesin qyshë tash në beft për sa i përket vlerës historike
të gjykimit t’em mbi këtë njeri. Pikë së pari, un s’jam tue shkruem këtu nji
bijografí. Janë tepër të shumta elementet qi më mungojnë për me ia h?më nji
vepre t’atillë. E historija e kohës së tij lyp afat ende qi të shkruhet. Gjyq’
i historisë do të pështetet mbi deshmí të drejta e dokumente authentike. Un,
kso dokumentesh s’kam në dorë asnji, e si deshmitar do t’i besoj vetëm kujtesës
s’eme, të cillën s’kam asnji mjet për t’a kontrolluem. Për mâ tepër, me Esat
Pashën kam pasun lidhní të ngushta familjare e kam qênë edhe vetë nji farë
aktori në shkenën politike shqiptare ku ai ka luejtun rolin e protagonistit. Me
gjithë këtê, për historinë kam nji koncept tepër te naltë për me qênë, në
deshmit’e mija, i rrëmbyem prej çdo farë ndienje e çdo farë interese personale
jashta së vërtetës.
Im
ungj Xhiu (a Xhija) i Fajës (Haxhi Mustafa Gega) e im atë u kanë shërbyem dy
vllaznet Esat e Gani, të bijve t’Ali Be Toptanit, me mish e me shpirt, me kokë
e me gisht, dhe me gjithë kuptimin qi ka fjala nder në shqipet: si djelm
përmbrapa kur ishin ende shumë të rij të dý palët; në luftën greko-othomane
(1897) krahpërkrah me ta; im atë vetëm si djalë e qehajë konaku i Esatit ase
qehajë çifliqesh; deri qi, në 1915, për shkak t’em, h?ni ndërmjet anmiqsija për
gjithmonë, sikur qi do t’a shohim mâ vonë.
Un
vetë e njoha Esatin për herë të parë në 1902 në Janinë. Ai ishte atje komandar
i gjindarmrisë së vilajetit qi kishte për kryeqêndër administrative atë qytet
dhe përfshinte bregun e detit nga Preveza deri te gryka e Shkumbînit, gjithë
Çamrinë, distriktet e Meçovës, Konicës, Leskovikut, Gjirokastrës, Delvinës,
Pogonit, Përmetit, Tepelenës, Kurveleshit, Himarës, Vlorës, Beratit, Skraparit,
Mallakastrës, Fierit e Lushnjes. Gradën e kishte feriik (gjeneral divisjonar
ase gjeneral major), pa pasë bâmë asnji ditë shërbim ushtarak e pa pasë qênë
asnji ditë në shkollë, ndonse me kënduem e shkruem tyrqisht disi e kishte pasë
mësuem i ati me mësues privat në shtëpí. Nji zakon i politikës së mbretnet
othomanë me Shqiptarët ka qênë edhe ky: kur ndokush nga krenët e vêndit bâhej i
mërzitshëm për pushtetet lokale a politikisht i dyshimtë për Stambollin, mâ të shumtën
e mërgojshin në ndonji trevë tjetër të mbretnisë me nji zyrë a gradë ushtarake
e rrogë të kënaqëshme, e rrallë ndonji edhe e internojshin pa tjetër. Të
pashkollët e kishin vêndin në gjindarmrí, si Esat’ i ynë, Mehmet Pashë Deralla,
Riza Beg Kryeziu, Bajram Curri, e tjerë; ndose i bânte sulltani ajutanta të
vet, si Gani Benë, të vëllanë mâ të vogël t’Esatit. Nuk h?jnë në këtë kategorí
familjet e mëdhá feudale të shpërnguluna në të XIX qv. e nuk âsht këtu rasa me
folë për to. Desha vetëm të dëftej se si u gjindte Esat Pashë Toptani në Janinë
me nji gradë ushtarake aqë të naltë pa qênë i pajosun me ato merita personale
qi lypte rasa.
Isha
15 vjetsh atëherë, kur im atë gjindej vetë në shërbim të pashës e më kishte
thërritun edhe mue për me më shtimë në gjymnaz të Janinës. Ai banonte në konak
të zotnisë së vet e atje m’a kishte përgatitun vêndin edhe mue për deri ditën
qi t’u mbarojshin formalitetet për me h?më në konvikt. Kisha mbërrîmë në mbrâme
e pasha kishte pasë hypun n’apartamentin e vet. Im atë më shtiu te shokët e
vet, personeli qi flênte në konak. Këta më pritën e më përshëndetën
përzêmërsisht. Por mue më bâhej sikur s’kishte për të më zânë gjumi pa pamë
pashën. Më thonte kureshta ashtu, por s’qe e vërtetë: dý dit rrugë,
Sarandë-Kalibaq e Kalibaq-Janinë me karrocë, më kishte dërmuem e më muer gjumi
porsa vûna kret me flêjtun. Nesret mëngjes, kur pasha ishte tue dalë, im atë më
qiti para tij për t’i puthun dorën. Kishte kohë qi un rrijsha tue e pikturuem
në fantasinë t’eme sa herë qi më vente mêndja tek ai, e tash po e shihsha me të
dy s?t’ e ballit se, siç gjanë gati gjithmonë, figura e vërtetë e tij më duel
krejt ndryshe nga ajo qi un kisha vizatuem me mênd. M’u duk burrë i pashëm e i
dashun, dhe kontaktet e shumta të mâvonshme me tê më patën siguruem se s’më
kishin pasë rrêjtun s?të. Më pyeti për shëndet e si e kisha bâmë rrugën, më
kshilloi me studjuem mir’e me zell edhe i dha urdhën sekretarit privat të tij
me më rregulluem regjistrimin në shkollë e në konvikt.
Pasksha
pasë votun në Janinë me kâmbë të mbarë për pashën. Ky s’kishte pasë lânë gur pa
luejtun për t’a bindun sulltanin qi t’a shpërngulte nga Janina në vilajet të
Shkodrës. Por ai e kishte bâmë pashë e dërguem në Janinë mû për me e larguem
prej qarkut të Durrësit qi e përfshinte Shkodra. Me gjithë këtê, aso kohe në
mbretninë othomane s’kishte gjâ qi s’u bânte me mitë e me miq. Prandej edhe
pasha i ynë kishte arsye me tënduem e shpresuem, mbasi as paret as miqt s’i
mungojshin. Por ksaj here fatin ia prûni ke dera nji incident krejt banal e i papritun:
nji grindje qi i gjau me valinë, Tatar Osman Pashën. Ky ishte nji oficer
shtatmadhorije i shquem, me gradë feriik-u të Parë. Kishte mbi vete edhe
komandën e gjithë forcavet ushtarake me shërbim n’atë vilajet e gjatë kufinit
me Greqinë. Ishte pra, në Janinë, mâ i nalti pushtet civil e ushtarak i
mbretnisë, ndërsa Esat’i ynë s’ishte veçse komandar i gjindarmrisë nën urdhnat
e atij e me nji gradë ushtarake mâ t’ulët se ai. Grindja ndërmjet tyne leu prej
nji ceremonije ushtarake ditën e kryevjetorit të thronzimit të sulltanit.
Gjithça âsht gati n’orën e caktueme për zhvillimin e ceremonisë. Valiu mbërrînë
në minutën e përpikët kur do të fillonte ceremonija n’uniformë ushtarake me
parzëm mbuluem me dekorata. Me habí të madhe vên re se Esat Pasha nuk ishte
atje. E me pritun nuk i përmetojshin as rasa, as karakter’ i tij, karakter’ i
nji ushtari të përsosun siç ishte. Ep urdhën me filluem. Banda musikore nis me
i ramë hymnit mbretnuer. Esat Pasha mbërrînë pesë minuta mâ vonë dhe h?në në
radhë ku kishte vêndin i përvnerun prej krenijet të prekun pse s’qe pritun, në
vênt qi t’i kërkonte ndjesë të parit të vet. Si bâhet me u nisun ceremonija pa
qênë ai aty! Nuk e bân të madhe veçse përbehet me u shpaguem mirë nji ditë me
Tatarin.
Tatar
Osmani kishte nji mikeshë greke, të cillën e vizitonte herë mbas here kur i
tekej e i gjente rasën. Ndër ato vizita, shumë delikate për nji pushtetar të
naltë si ai e në nji qytet të vogël si Janina, sa të mundej përpiqej me shkuem
i panjohun dhe merrte me vete nji djalë borshjot qi i shërbente në shtëpí, nji
nga ata typa Shqiptarësh qi ku t’a kenë dhânë fjalën, s? veshë e gojë - mana
kur âsht nevoja edhe jetën - s’i kanë mâ për vete! E quejshin Maliq.
Qe,
mû në këtë shtek të ngushtë dau dhelpna e Tiranës me ia vûmë pritën vali pashës.
S’kishte ndër mênd me i bâmë tjetër dhunë veçse me e turpnuem. Spijunët ia
kishte lëshuem ndër gjurmat atij dhe Maliqit, pa harruem as shtëpín’e Grekes. E
nuk iu desh me pritun gjatë: nji ditë u lajmue ia mbërrîni lajmi se Osman Pasha
kishte votun e ishte atje, te bukuroshja e vet. S’humb minutën: merr katër
djelm e turret atje. Por Maliqi ishte tue pritun përjashta ke dera. “Kapni-e!”
u urdhnon djelme të vet pa ngurruem. Mirpo Maliqi kishte në brezt alltijen e
tij e po mos t’a shkrepte në këtë rasë as jeta s’i duhej gjâ mâ. E nxuer e qe
tue e shkrepun, pra, njimênd, dhe drejt e mbë pashën anmik; porse djelmt e
këtij qenë mâ të shkathtë e i këcyen të katër përnjiherë mbë shpinë si rrufeja.
Aty e mbrapa, për Esatin qe mâ e lehtë puna. Maliqi i çarmatosun, Grekja kapet
e internohet në Prevezë si spijune e Athinës dhe dashunori i madh i saj mbet
atje me Maliqin si nji kushdo, pa pikë gjaku në fytyrë e me nji “Jazëkllar
ollsun sana!” (paç faqen e zezë) prej gojës së kundrështarit ngadhnjyes.
Esat
Pashë Toptani e kishte shfr?më krenin’e vet kundra nji pashe tjetër mâ të naltë
se ai. Por ç’do të bânte tash Sulltan Hamidi? Cillit nga të dy do t’i epte
arsye e ç’ndeshkim tjetrit? Osman Pasha ishte i çëmuem fort prej atij vetë
sidhe ndër qarqet e nalta ushtarake; por mb’anë tjetër, nëse Esati s’kishte
kurrgjâ për t’u çëmuem, ishte i fortë për miqt qi e përkrahshin e i drashun
prej Oborrit mbretnuer qyshë se qe marrë gjaku i Gani Beut n’urë të Gallatës
tue u vramë mun i biri sadrazemit vetë. E Abdyl Hamiti kishte famë si nji mbret
dinak e i zoti me pajtuem deri gjânat mâ të papajtueshmet. Valiu i Janinës
ishte ndr?më në shtëpí e s’u shihte me askênd veçë zyrtarëvet mâ t’afërmet qi
shkojshin e merrshin urdhnat e tij atje. Pallatin e kishte lajmuem premas qi
ndërmjet tij e Toptanit çdo mënyrë e mundsí bashkpunimi kishte mbaruem. Dy muej
ngjati kjo situátë. Tekembramja mbreti e dha vendimin e vet: Esat Pasha kishte
kërkuem mâ se nji herë qi të shpërngulej në vilajetin e vet, në Shkodër, e pra
le të shpërngulej atje dhe le të merrte fund kjo ngatërresë e shëmtuetë!
E
pat! Esat Be Toptani ishte bâmë pashë e larguem prej vêndit të vet për me e
lânë këtê të qetë e me u harruem, tue h?më në rendin e shumë pashallarëve
tjerë, edhe asish qi s’e bâjshin nji ovull të kuqe, të mbretnisë othomane.
Tashti po kthehej atje me nji gradë të naltë ushtarake e nji pushtet zyrtar të
rândsishëm qi përpara s’i kishte pasun. Vështirë âsht me u thânë se deri ku
kanë mundun këto rrethana me i influéncuem aventurat e mâvonshme të jetës së
tij qi kanë pasun për shkenë shi vilajetin e Shkodrës, kryesisht sanxhakun e
Durrësit e atê të Dibrës.
23
korrik 1908. Tyrqit e Rij shpallin në Manastir regjimin kushtetuer. Nesret
shtrëngohet Sulltan Hamidi me e pranuem e me urdhnuem qi t’u shpallte
zyrtarisht, me dekret mbretnuer, në kryeqytet e në gjithë mbretninë anembanë.
Kërsitën kështu gjithkund topa gzimi përsjellë me manifestime brohorimtare e
ceremoní të posaçme civile, ushtarake e fetare. Vetëm tre muej mbasi kishte
hypun në thront (1876), i kshilluem kâmbëngultas prej disa personaliteteve me
mênde të ndritun e të frymzueme prej regjimevet parlamentare të Francës e
t’Anglisë, Abdyl-Hamidi II e kishte pasë pranuem e shpallë edhe nji herë tjetër
nji regjim të këtillë, për herë të parë në jetën gjashtshekullore të mbretnisë
othomane; por lufta ruso-tyrke qi pat plasun mbas dý vjetsh i pat dhânë rasë me
e pezulluem. Ishte pra e dyta herë qi po e bâjshin Tyrqit këtë provë nën të
njimêndin mbret e me të njimêndën kushtetutë, pa i ndërruem asnji fjalë.
Në
të vërtetë, qe nji provë e guximshme për nji komb qi 600 vjet ishte mësuem me
njohun vetëm pushtetin e nji mbreti absolut, me ndëgjuem për gjithë ditë të
prende prej goje të hoxhëvet tue u falë në xhamí se mbreti ishte mbëkâmbës i
profetit të mâ se treqind miljon myslimanëve në botë dhe “Hija e Perëndisë mbi
Dhe”! Se ky vetëm kishte të drejtë me sunduem simbas urdhnimeve të sherjatit
për nji komb qi nuk ishte nji popull homogjen, por i përbâmë prej nja dhetë
popujsh me origjinë të ndryshme, me historí, me tradita, me gjuhë e me zakone
të ndryshme. Por atypraty, të tânë këta popuj u dejën prej asaj gjâje të re qi
as emnin s’ia kishin ndiem kurrë, u magjepsën nga fjalët e bukura
propagandistike. Dhe kështu, nja gjashtë muej mbetën si të habitun, tue pritun
mrekullitë qi do të bânte regjimi i ri.
Ndërkaqë,
mâ i forti grup i Tyrqe të Rij, ai qi i kishte dhânë organizatës së vet emnin
“Bashkim e Përparim” e qi kishte marrë pushtetin e regjimit të ri në dorë, pat
mundsí me u organizuem mâ mirë e me u forcuem. Themeloi nji partí politike me
të njâjtin emën, por nji partí politike qi s’ishte tjetër veçse maska e
organizatës së vjetër revolucjonare e terroriste, e cilla drejtohej prej nji
komiteti qendruer të fshehët, qi dihej vetëm se e kishte selinë në Selenik.
Ishte ky komitet tashti qi vrânte e kthiellte në të katër anët e mbretnisë
n’emën të lirisë, barasisë e vllaznisë si mâ parë sulltani n’emën të Perëndisë.
Kush mbërrînte, e gati gjithkush mund të mbërrînte po t’a kishte ndopak xhepin
të ngrohët, me marrë bekimin e nji komiteti, qoftë edhe krahinuer, të
Bashkim-e-Përparimit, ai ishte i lamë prej çdo mëkati qi mund të kishte bâmë
nën regjimin e vjetër.
Shi
nën kët’ ajrí politike e morale qe, qi pashës s’onë po i çilej tash shteku
drejt horizontesh mâ të gjâna për ambicjet e tija sesa kishte qênë der atëherë
komanda e disa bataljonave gjindarmësh të shpërdamë nëpër gjithë tokën e nji
vilajeti. Po u afrojshin zgjedhjet parlamentare. Ai paraqet dorhjeken prej
zyrës qi kishte - grada ushtarake e titulli natyrisht i rrijshin - dhe vên
kandidaturën për deputet në sanxhakun e Durrësit, qi përfshinte edhe distriktet
Kavajë, Shjak, Tiranë e Krujë. Ishte qind për qind i sigurtë se do të fitonte,
e ndoshta me të gjitha votat, pa asnji kundrështim. Un isha atëhërë student në
të dytën klasë të Mylkijes në Stamboll. E atje, në kontakt e miqsí mjaft të
ngushtë me mue, gjindej edhe Murat Be Toptani, i liruem nga internimi në Konjë
t’Anadollit nën regjimin e përparshëm për arsye politike shqiptare. Murati
ishte vllai i parë i Refikut e i biri i Said Beut, i cili kishte pasë qênë 30
vjet parandej piknisht deputet i prefekturës së Durrësit në Parlamentin e parë
othoman. Murat Beu kishte bâmë edhe studime në Galata-Saraj të Stambollit dhe e
flitte shumë mirë frëngjishten. Ishte poét dhe kishte shkruem do vjersha
patrijotike mjaft të bukura. Ishte shum’i ndershëm e populluer. I kishte, pra,
të gjitha cillsitë për me u zgjedhun ai, deputet i Durrësit, jo Esati. E nji
ditë po më lutet me shkruem letra në Krujë qi të votojshin për tê. Hap s?të e e
shikoj me habí. Isha djalosh gjithsej 21 vjetsh e t’im atë e kisha me shërbim
në derë t’Esat Pashës. Ndër këto kushte, cilli Krutanë kishte për t’a ndëgjuem
fjalën t’eme me votuem për Murat Benë kundra pashës? “Njeriu, tha Murati, ka
borxh me bâmë atê qi i thotë ndërgjegja e qi i vjen për dore; a bân a s’bân
dobí âsht tjetër gjâ, ndoshta edhe bân”. Sa për ndërgjegje, un po e ndiesha
mirë fort se Murati meritonte çdo përkrahje e, mbasi nguli kâmbë, edhe tue e
dijtun se ishte punë e kotë, i shkrova nji letër Jahe Gjelit qi t’ia këndonte
parsisë së Vêndit. Por efekt’ i saj duel krejt ashtu sikur e kisha parapamë: të
gjitha votat i shkuen pashës.
Qi
Esat Pashë Toptani t’ishte nji deputet kâmb’ e krye i Bashkim-e-Përparimit
gjithsa kohë qi ky të qëndronte në fuqí e i fortë dhe ai t’a ndiente veten
shum’a pak të komprometuem me regjimin despotik të Sulltan Hamidit, mund të
quhej nji gjâ normale ndër ato rrethana e për typin moral të tij. Por un nuk do
t’a kisha besuem se nji burrë kryenaltë si ai, të cillin e kemi pamë të
kapërthyem për vdekë me syprorin e vet Tatar Osmanin për nji pikë sedri pavênd,
nuk do t’a kisha besuem, po them, qi ky njeri aqë kryenaltë t’a lênte veten me
shkuem deri në paresën e spijunit t’asaj fuqije, të cillën me zêmër e përbuzte
dhe e urrente. Mbase ky gjykim i im âsht tepër i rândë për nji fakt të vetëm qi
kam për provë. Por mâ mirë po dëftej faktin qi dij e le t’a pleqnojë kënduesi
vetë.
Nji
ditë të prende pata votun me i bâmë nji vizitë, natyrisht vizitë nderimi e,
eventuálisht, shërbimi po të më vinte për dore. Shkojsha shpesh me e pamë, gati
për javë, qyshse kishte ardhun në Stamboll ku un bâjsha atëherë mësimet e
nalta. Atë ditë m’u bâ sikur e gjeta të zhytun ndër mendime e porsa më pa u
gzue e më tha: “Sa mirë u bâ qi erdhe, se kam nji punë me tý”. Banonte në Péra
Palace, nji hotel luksuer, mâ luksori në lagjen evropjane, se nuk i kishte
ardhun ende familja. E gjeta tue ndêjtun në hall-t. Nuk m’uli atje fare, por më
prîni e më çoi në salonin privat të tij pranë odës ku flênte. Më tha se do t’i
shkruente nji letër Rahmi Beut, qi ishte nji nga leader-t mâ të shquemit të
Bashkim-e-Përparimit në Selenik. Do t’i thonte se disa Shqiptarë, ndër të
cillët përmêndi të kushrînin, gjeneral Fadil Pashë Toptanin, e Haxhi Vildan
Efendinë nga Dibra, ishin marrë vesht me bâmë së bashku nji vallim nëpër
qytetet e Shqipnisë, hajsmi për të ndritun atë popull mbi regjimin e ri me
takime private e konferenca; kurse në të vërtetë ata po shkojshin, simbas
kallzimit të pashës s’onë, me shtimë keq për regjimin e me nxitun Shqiptarët qi
të kërkojshin nji administratë autonome. “Këto janë fjalët qi due me shkruem në
letrët: ti tashti merre në kalem si duhet dhe eja e m’a këndo”, konkludoi pasha
e u tërhoq n’odë. M’u duk nji gjâ e mëndershme ky kallzim, por nuk pata guxim
me ia mohuem shërbimin. Jo se letra do t’itte pa shkruem, edhe sikur mos t’a
shkruejsha un; jo se ajo bâni ndonji dâm, sepse ata qi po u përgatitshin me
shkuem në Shqipní shkuen se shkuen pa u h?më gjêmb në kâmbë: sado-kudo,
regjim’i ri nuk ishte ai i Sulltan Hamidit. Me gjithë këtê, vepra në vetvete qe
e keqe.
Me
12 prill 1909 plasi në garnizonin e Stambollit nji lëvizje reakcjonare me armë
e me gjak kundra regjimit të ri, e frymzueme thjesht prej fanatizmet fetare.
Por u fashit shpejt prej armatës së tretë të Rumelisë nën komandën e
Mahmud-Shefqet Pashës, dhe Tyrqit e Rij të Bashkim-e-Përparimit përfituen prej
ksaj rase për me shthronzuem Abdyl-Hamitin II, ndonse personalisht qe krejt i
pafajshëm n’atë lëvizje, e me vûmë në vênd të tij të vllanë, Reshatin, qi ishte
trashigimtar’i thronit. Ky akt revolucjonar formalisht u vendos prej
parlamentit, të mbledhun n’Ajastefanos, sod Jeshilqoej, n’afërsinat e
kryeqytetit; por frymzuesi ishte Bashkim-e-Përparimi e imponuesja ushtrija e
Mahmud Shefqetit. Me kët’ akt, gjêndja bâhej shumë mâ delikate seç ishte në
vetvete. Stambolli ishte ende praktikisht i paokupuem e garnizoni rebel i
paçarmatosun. Hamidi e kishte prestigjin të madh, si në kryeqytet ashtu edhe
përjashta. Garda mbretnore, nën komandën e Tahir Pashë Krajës nga Kraja e
Shkodrës, s’ishte tue lypun nderë mâ të madhe se me dekun për mbretin e vet.
Kjo gjêndje i kshillonte Tyrqit e Rij qi të veprojshin me urtí të madhe në
zbatimin e vendimit për shthronzimin e Abdyl-Hamidit. E kështu bânë. Parlamenti
zgjodh nji komisjon në gjí të vet të përbâmë prej burrash mâ përfaqsimtarë qi
besonte se ka dhe e dërgoi këtê në Yilldiz për t’i kumtuem atij mbreti se...
popujt e mbretnisë nuk e dojshin mâ e se prandej duhej t’abdikonte. Gjithë
arsyeja qi më sht?ni me e përshkruem e diskutuem këtë ndodhí këty, tue shkruem
mbi jetën e Esat Pashë Toptanit, âsht piknisht për me vûmë në dukje rolin qi
pat ramë këtij vetë për pjesë me luejtun n’atë rasë. Jo vetëm qi Esat’ i ynë u
zgjodh si mis i komisjonit për të cillin fola, por u ngarkue veçanë ky qi t’ia
thonte sulltanit n’emën të komisjonit fjalët qi ishin caktuem me i thânë. E nga
i vinte gjithë kjo rândsí e posaçme nji Esat Pashe qi dihej se ishte gati nji
analfabet? E pse me dalë shi prej gojës së tij fjalët qi ishin për t’iu thânë
mbretit, kurse tyrqishtja e tij ishte ajo qi ishte, dmth. e nji Shqiptari të
pashkollë? Un, qi kam qênë vetë në Stamboll ndër ato çase kritike e qi i ndiej
si të vulosuna në shpirt të gjitha rrethanat e asaj kohe, kështu mundem me i
tfilluem arsyetë e rândsisë qi iu dha Esatit në shthronzimin e Abdyl-Hamidit
II:
Delegacioni
që shkoi te Sulltan Abdyl Hamiti II për me kërku abdikimin nga froni dhe një
nga ata, Esad Pasha, që ia tha këtë sulltanit otoman.
Se
Shqiptarët e Pallatit, tue filluem prej Tahirit, kishin për tê, si Toptan, si i
vllai Gani Beut e si mik personal, nji konsideratë të veçanët; njiu ndër ta,
Halil Be Krajës qi për rândsí e influencë në Pallat shkonte rrafsh me Tahir
Pashën, i kishte dhânë nji vajzë për të birin, Veli Benë qi ishte ajutant i
mbretit; me vênd pra ishte për t’u menduem se këta kurtizanë të fortë së paku
nuk do t’a trimnojshin sulltanin për qëndresë tue pamë Esat Toptanin kundra
tij.
Shqipnija,
sidomos ajo e Veriut, njihej me të drejtë si nji fortesë për t’iu ruejtun e Sulltan
Hamidit, dhe Esat Pasha besohej quhej si përfaqsuesi mâ ndëkues i atij vêndi.
Këto,
besoj un, kanë qênë arsyet për të cillat iu ngarkue ajo barrë delikate pashës
s’onë e jo tjetër. Edhe misjon’i tij përnjimênd pat sukces të plotë:
Abdyl-Hamidi II iu shtrue vullnetit “të popullit” pa qëndresë, ashtu siç iu
kërkue, edhe u internue në nji vilë, Vila Alatini, të Selenikut për nja tri
vjet e gjymsë, deri në luftën ndërmjet Tyrqisë e pushtetevet balkanike në 1912.
Esat
Pashë Toptani u ndêjt besnik Tyrqe të Rij qi ishin në fuqí aqë kohë sa ata qenë
të fortë, siç e kam thânë edhe mâ nalt. Por mbrapa, kur e pau se ata muerën
teposhten, se gati gjithë përfaqsuesit e popujvet allogjenë të mbretnisë në
parlamentin njâni mbas tjetrit duelën e po dilshin n’opositë dhe kritikojshin
qeverinë sa mundshin për paudhësitë qi gjajshin nëpër vêndet e tyne, kur edhe
Shqipnija përditë mâ keq po kredhej n’anarqí e zâni i nacjonalistave shqiptarë
po bâhej përditë mâ i fortë për të drejtat kombëtare, atëherë edhe Esat Pasha, qi,
ndonse i pashkollë, ishte fort i hollë për mênd, u trimnue e haptazi filloi me
ndjekun gjurmat e deputetne patrijotën e guximtarë si Ismail-Kemal Vlora, Mufid
Libohova e Hasan Prishtina. Në luftën ndërmjet partizanëve të dý abecevet arabe
e latine për gjuhën shqipe, e para e lypun kryesisht prej hoxhëvet fanatikë dhe
e deshirueme e e përkrahun prej Tyrqe të rij dhe e dyta e përdorun qyshë shumë
vjet parandej prej patrijotëvet shqiptarë, pasha i ynë nuk u përzie kurrë; nuk
foli asnji herë ndër mbledhjet parlamentare e nuk muer pjesë ndër komisjone të
kshillit: ai s’ishte i zoti për kso punësh. Karrjera e tij nën mbretninë
othomane mbaron me komandën e divisjonit të reservistavet shqiptarë në Shkodër
gjatë luftës tyrko-balkanike; por ky rol i tij përzihet i pandashëm me atê mâ
të madhin qi ka luejtun si Shqiptar mbasi qe shpallë pamvarsija e jonë
kombëtare.