Kerko: a
Qazim Namani: Gjurmë të Xehetarisë në Ulpianë
E merkure, 24.06.2020, 10:22 AM
GJURMË TË XEHETARISË NË RAJONIN E ULPIANËS
Nga Dr.
Qazim Namani
a. Karakteristikat
Gjeo-minerare në rajonin e Ulpianës
Vendbanimi i Ulpianës u zhvillua rrënzë
kodrinave të pasura me minerale të Malësisë së Gallapit dhe tokës pjellore të
fushës së Kosovës.
Kodrinat xehetare pranë Ulpianës u formuan si
rezultat i erupsioneve vullkanike në kohë shumë të hershme. Si rezultat i
ftohjes së masës së vullkaneve në këtë
rajon u formuan muret masive të shkëmbinjve të llojit të Serpentinës dhe Andezitit.
Sasia e madhe e xeheve është masë e derdhur e
llavës së Vullkanëve. Muret masive nëntokësore të shkëmbinjve në këtë rajon
janë të llojit Serpentin dhe Andezit. Janjeva shtrihet në afërsi të këtyre
mureve vullkanike. Masa vullkanike vazhdon shtrirjen në veri ku në disa vende
janë hasur xehe të Andezitit dhe Serpentinës.[1]
Rajoni vullkanik-xehetar i Ulpianës
ndërlidhet me rajonin hapësinor vullkanik përreth si: Rajonin xehetar të Artanës,
Vendenisit, Bervenikut, Justiniana Primës (Caricingradit), Vranjës, Kurshumlisë,
Bollasicës, Trepçës, Soçanicës, Goleshit, dhe Malit të Zi të Shkupit.
Si rezultat i erupsioneve të reja në rajonin
vullkanor-xehetar në hapësirat e cekura edhe sot lehtë mund të vërehen majat e
kodrinave vullkanëike si: Veletini, Kika, Mërkoja, Suka në Prapashticë, Quka e
Brainës, Quka e Drazhnjës në malësinë e Gallapit, Musinca dhe Maja e Mprehtë
pranë minierave të Bollasicës, Zveçani, Sokolica pranë Soçanicës, Visoca në mes
të Cërrnicës dhe Zhitisë pranë Gjilanit, Ostrovica dhe Kodra e Tupanit në Malin
e Zi të Shkupit etj., Kodra këto të cilat kanë forma karakteristike të vullkaneve.
b. Gjurmët e para të
punimeve minerare në rajonin e Ulpianës
Gjurmët e para të veprimtarisë xehtare në
rajonin e Ulpianës, Prishtinës dhe të Janjevës
na çojnë në mileniumin e tretë para erës sonë në brigjet e lumit të
Graçanicës me rrethinë.
Formacionet e shkëmbinjve silicor (të quajtur
gurëgacë) që kanë veti të copëtohen për ti përdorur si vegla të punës dhe për
gjueti ishin mjaftë të kërkuar në periudha të hershme historike.
Kur këto formacione të shkëmbinjve njeriu i
epokës së gurit nuk i gjente në sipërfaqe filloi ti kërkoi nën tokë. Pikërisht
këto depërtime në thellësi të tokës përfaqësojnë zanafillën e punimeve
minerare. Shfrytëzimet e para të xeheve të Gurëgacës, Bakërit dhe Hekurit janë
të epokës parahistorike.[2]
Pranë këtyre kodrinave me shkëmbinj të
serpentinit dhe tokës pjellore bazuar në gjetjet arkeologjike mund të pohojmë se
jeta filloi që në shekullin V para erës së re në periudhën e epokës së re të
gurit ku u gjetën dhe gjurmë të vendbanimeve.
Në gërmadhat e themeleve të shtëpive të vjetra
në Badoc dhe rrjedhën e lumit të Graçanicës janë gjetur sopata dhe vegla tjera
prej Serpentinit të lëmuar dhe prej Ahatit. Po ashtu në këtë vendbanim janë
gjetur edhe copa amorfe të galenitit të cilat dëshmojnë gjurmë të zanafillës së
eksploatimit të mineraleve dhe xeheve në këtë rajon.[3]
Edhe pse këto janë dëshmitë e para primitive
të eksploatimit të xehetarisë, fillet e para të eksploatimit të hovshëm të
kësaj veprimtarie duhet kërkuar në lokalitetet e para të vendbanimeve në
shëkullin e V para erës së re në rrjedhën e lumit të Graçanicës dhe në
rrethinën e Janjevës.[4]
c. Banjot e vjetra dhe ujërat
termale
Ky rajon vullkanik edhe në ditët e sotme përveç
pasurisë minerare është i njohur për ujëra
të nxehta termale dhe lëvizje tektonike
që shpesh herë kanë shkaktuar edhe tërmete të fuqishme me pasoja fatale të
njohura edhe përmes burimeve historike.
Harta reliefi i Kosovës nga Hartë e ujërave termale,
Komisioni i pavarur për miniera Komision i pavarur për
dhe minerale, Miniera dhe minerale
Në këto anë janë edhe sot të njohura disa
burime sipërfaqësore të ujërave termale pranë të cilave që nga periudhat e
hershme iliro-romake u ndërtuan banjo për kurimin e sëmundjeve të ndryshme. Si
banjo të hershme mund të cekim Roma-banjën e cila pushoi së ekzistuari pas tërmetit
të njohur në Dardani në vitin 518 të erës së re, kur gejzeri me ujëra termale u
zhvendos në një distancë prej rreth 15 km në Siarinën e sotme. Përveç kësaj
banje sot në këtë rajon janë të njohura edhe disa banjo tjera si: Banja e
Kllokotit, Kushumlisë, Dobërçanit, Lluzhanit, Siarinës etj., si dhe banja e
Pejës në territorin e Kosovës së sotme. Vlen për të cekur se hulumtimet e
mëvonshme zbuluan në fshatin Prapashticë, në rrethinë të Ferizajit dhe në
fshatin Burrnik ka elemente të Bitumen-asfaltit që kanë dalur në sipërfaqe te
tokës.[5]
Hammeuma (Kurshumlia e sotme), ka gjurmë të
lashta qytetërimi, që nga periudha romake. Në rrethinën e qytetit ekzistojnë
tri banjo: Prolom, banja e Kurshumlisë dhe banja e Lukavës.[6]
Për ekzistimin e një banje të vjetër që nga
koha romake në mes të Kushumlisë dhe Prepellacit shkruan edhe Mil. J.
Nikollajeviq.[7]
ç. Xehetaria në Mbretërinë
e Dardanisë
Koha e zhvillimit intensiv të jetës në kështjella
dardane në këto anë dhe ndërtimeve të hershme të fortifikimeve sigurisht se
duhet kërkuar kah fundi i shekullit të V
dhe shekullit të IV para erës sonë, pra në kohën e lulëzimit të mbretërisë
Dardane. Në këtë periudhë metalet fisnike si ari dhe argjendi përdoreshin për
përpunimin e stolive të ndryshme. Këto stoli shërbenin edhe si mjet shkëmbimi
me qytetet e zhvilluara në Greqi dhe qytetet tjera të Gadishullit Ilirik. Sipas
studiuesit rumun Nicolae Densusianu fjala për plumb të bardh Chassiteros sipas
Herodotit erdhi nga pjesët ekstreme barbare, andaj ky autor shkruan se terminologjia
e lashtë metalurgjike është me origjinë barbare.[8]
Duke e ditur se grekët e vjetër i quanin barbarë fiset ilire dhe trakët mund të
pohojmë se përpunimi i metaleve kishte zanafillën te proto-ilirët, shumë kohë
para se të formohet shteti grek. Edi Shukriu shkruan se E. Çershkovi kishte
vënë re lidhje më të shpeshtuara dardane me botën helene në shekullin e VI para
erës së re. Në bazë të të dhënave të pakta dhe gjetjeve në shpatijet e kalasë
së Tenezhdollit dhe në Gumnishtë të Artanës (NovoBërdës), Çershkovi ka
konsideruar se këto lidhje kanë qenë të imponuara nga eksploatimi i pasurisë së
bollshme xehetare. Kjo dëshmohet edhe me gjetjet arkeologjike në rrënojat e
vendbanimit pranë zgafelleve xehetare të Artanës.[9]
Nga të dhënat që dihen deri më tani për dardanët
mund të pohojmë se edhe dardanët i kanë farkuar monedhat e veta. Madje duket se
në Dardani janë farkuar tipet më të hershme të monedhave të emituara e të
ashtuquajtura monedha “barbare”.[10]
Shkrimtari antik Plini shkruan se meshkujt
mbanin mbi llërë (rrathë ari) që vinin nga Dardania, andaj edhe quheshin dardane.[11]
Ndonëse sipas përshkrimit gjetjet nga Artana
i përkasin periudhës helenistike mund të flitet për një kontinuitet të eksploatimit
të xeheve që në faza të hershme në Artanë dhe në Veletin.[12]
Gërmimet arkeologjike mundësuan që të njihemi
me veglat e punës si: dalta, kazma, qyskia, enë, kopça, varëse, stoli etj., si
dhe me varreza që u zbuluan në lokalitete dhe vendbanime xehetare që dëshmojnë
rolin e xehetarisë në zhvillimin ekonomikë të këtyre vendbanimeve.
Nga shekulli IV para erës së re qyteti
Damastion farkoi monedhat e veta që
zgjati deri më 320 para erës së re, që dëshmojnë për përdorimin e hershëm të
monedhave si shkëmbim në këto troje.[13]
Në Dardani shfrytëzimi dhe përpunimi i
metaleve ka pasur një zhvillim të madh në kohën e lulëzimit ekonomik dhe kulturor
të Ilirëve. Për këtë dëshmojnë monedhat e shumta të zbuluara gjatë gërmimeve
arkeologjike të qytetit xehetar Damastion, për të cilin thuhet se ka pasur si
simbolikë të mineraleve dhe qytetit xehetar Çekiçin dhe Qyskinë.[14]
Damastioni ishte njëri ndër qytetet e hershme
i cili u ngritë në shekullin V para erës së re afër minierave të argjendit, por
ende nuk është e sigurtë vendndodhja e tij në Kosovë.[15]
Në rrethinën e Janjevës dhe Prishtinës janë
gjetur monedha të qytetit xehetar Damastionit.[16]
Zbulimi i këtyre monedhave në pellgun xehetar
të Kishnicës, Badovcit, Shashkocit, Janjevës dhe në rrethinën e Prishtinës mund
të na shtyjnë të mendojmë se qytetin ilir Damastion duhet kërkuar në këtë rajon.
Nëse bazohemi në mendimet
e studiuesve tanë si: Zef Mirdita, Edi Shukriut, Jahja Drançollit etj., dhe atyre
të huaj si: Emil Çershkov, Fanulla Papazoglu, Dusanic etj mund të pohojmë se
qytetin ilir Demastionin duhet kërkuar në Dardani, e pikërisht në lokalitetet xehetare
në rrethinën e Prishtinës, Janjevës dhe Artanës si dhe mund të konstatohet se
kjo trevë pa tjetër duhet të ketë qenë në mos kryeqendra (sipas mendimit tim)
gjithsesi qendër primare për ekonominë dardane. Rëndësia e këtij territori të Dardanisë
dëshmohet edhe nga ekzistimi i shumë qyteteve të zhvilluara të cilat te
studiuesit e ndryshëm na paraqiten gjithnjë në lidhje me eksploatimet xehetare.
Me gjithë mendimet e kundërta rrethë ubikimit
të këti qyteti duke ndjekur metodën e rrahur deri më tani, Zef Mirëdita mendonë
se Demastionin duhet ta kërkojmë
në trevën qendrore të Dardanisë, respektivisht në trevën e sotme të Kosovës. Në
vitin 1961 në jugperëndim të Janjevës në vendin e quajtur “toka e bardhë”
janë zbuluar mbeturinat e një vendbanimi antik. Kjo trevë bashkë me Artanën dhe minierat e Kishnicës
janë të njohura si vende xehetare, dhe duhet theksuar se në këtë trevë janë
gjetur më së shumti monedha të Demastionit, pastaj edhe Straboni si edhe
Palimpsesti i Vatikanit i përmendin xeheroret e argjendit të cilat gjindeshin
në afërsi të Demastionit.
Pikërisht këto të dhëna na bëjnë ta kërkojmë atë në afërsi të Kishnicës
respektivisht Janjevës apo të Prishtinës.[17]
Mendoj se mendimi i dr. Zef Mirditës për
ubikimin e Demastionit në
pjesën qendrore të Kosovës, e pikërisht në Gallap është i qëlluar duke u bazuar
te gjurmët xehetare të cekura më lartë në rrethinën e Janjevës, Artanës
dhe të Prishtinës, por kësaj duhet ti shtohet edhe fakti
se pjesa verilindore e Artanës është shumë e pasur me lokalitete xehetare dhe
gjurmë të lashta antikiteti për të cilat nuk është shkruar nga autorët bashkëkohor,
pasi nuk janë bërë hulumtime të duhura në këtë trevë.
Duke pasur për bazë gjurmët e xehetarisë në
anën përendimore të Artanës, por edhe vendet e cekura më lartë në
anën verilindore si dhe gjetjen e monedhave të Demastionit në rrethinën e Artanës, por dhe afër
Leskocit, kemi arsye të plotë që këtë qytet Ilir ta kërkojmë në Gallap e
pikërisht në rrethinën e Artanës. Rëndësia
e rajonit xehetar të Ulpianës, Vendenisit (Gllamnikut), Soçanicës, Bollasicës,
Artanës, Shkupit, Vranjës, Leçes, Rogoznës dhe minierave tjara në Dardani u
shtua në periudhën e eksploatimit të mineraleve dhe ndërtimit të kështjellave të
para në territoret dardane. Mendoj se Ulpiana si qendër e rëndësishme urbane
dhe ekonomike ishte e lidhur drejtpërsëdrejti me minierat e rajoneve përreth
vendbanimeve xehetare si: Artana, Vendenisi, Bërveniku, Vushtrria, Vërbani etj.
Pasuria minerare e këtyre rajoneve dëshmohet edhe me rrënojat e kështjellave
ilire e më vonë romake të këtyre anëve. Rrënojat e kështjellave në anën Juglindore
si: Janjevë, Veletin, Vogoçincë, Gadime, Vrellë, Kishnopole, Terpezë Gërnçarit,
Binçës, Vërbocit, Surçinës, Cërrnicë etj., si dhe rrënojat e kështjellave në
anën verilindore si Grashtica, Siçeva, Rimanishta, Tenezhdolli, Vendenisi,
Keqekolla, Hertic Herticë, Prapashticë, Hajkobillë, Strezoc, Bugjenicë,
Busevatë, Koliqi, Batllava, Baraina, Braina, Gradishta në fshatin Marec,
Artana, Gllama, Tupallë, Gradishta Siarinë, etj., tregojnë për rolin që e
kishte xehetaria në zhvillimin ekonomik dhe rëndësinë e nxjerrjes së xehes së arit, argjendit, dhe
hekurit në rrethinën e këtyre
lokaliteteve.
Duhet theksuar se xeheroret
e Kosovës janë shfrytëzuar që nga periudhat e para të shfrytëzimit të metaleve,
dhe si duket në antikë meqë xehetaria në tërë viset veriore dhe lindore të
Kosovës dhe rrafshit të Dukagjinit ishte degë mbisunduese e ekonomisë, ato
ndikuan edhe në zhvillimin e qyteteve në këto anë gjatë fazave të mëvonshme historike.
Nga këto të dhëna mund të supozojmë se në
galeritë e xeheroreve ilire do të kenë vazhduar veprimtarinë e tyre xehetare
edhe romakët, ku galerit e eksploatimit të xeheve që nga kjo periudhë janë
ruajur deri në ditën e sotme
d. Shfrytëzimi i minierave në Dardani në periudhën romake
Pasi që dardanët e
pranuan sovranitetin dhe e ndanë pushtetin me romakët u shtua intensiteti i
punëve në minierat e Dardanisë.
Rezervat e mëdha të xeheroreve në rrethinën e
Ulpianës dhe rajoneve tjera të mbretërisë së Dardanisë ishin një nga shkaqet
kryesore të lakmisë nga romakët për këto
anë.
Bazuar në zbulimin e zgjyrave në shumë
lokalitete në rrethinën e Ulpianës, mund të pohojmë se banorët e këtyre
rajoneve që nga parahistoria janë marr me veprimtari xehetarie.
Ulpiana është themeluar në qendër të
trevës më të pasur me minerale. Kur është
fjala për Ulpianën mundë të supozohet edhe fakti se ka mundur të trashëgohet
bërthama e një vendbanim,i të vjetër i themeluar nga vendasit, themelimi i të
cilit mundë të ketë lidhje me fillet e veprimtarisë xehetarie të këtyre anëve.[18]
Ulpiana ishte qyteti më i rëndësishëm i kohës
antike. Si qendër administrative dhe e menaxhimit xehetar, Ulpiana u ngrit nga
një qendër pararomake dardane.[19]
Me ardhjen e Perandorisë Romake së bashku me
ta erdhën edhe disa familje te pasura senatoriale të cilat kishin për synim
përfitimin nga minierat e Dardanisë, këtu mund t’i përmendim familjet Pontie
dhe Furie. Këto dy familje, pra Pontie dhe Furie, i gjejmë edhe në Mezinë e
Epërme, të pasur e të rrethuar me skllevër aktivë të liruar në Maqedoni dhe
Dardani (posaçërisht në Thesalonik, Stob, Skupit, Ulpianës etj). Ulpiana
ishte zemra e latifondeve të Pontijve dhe Furijve. Duke u bazuar në të dhënat gjeografike, epigrafike,
historike, arkeologjike farefisi i Furive
dhe Pontëve ka qenë i angazhuar në miniera, dhe çështja
kryesore e Pontijeve ishte në eksploatimin e minierave te hekurit. [20]
Xehetaria dardane në tërë pjesën lindore të territorit të saj ishte degë dominuese e ekonomisë, krahas
me përtëritjen e xeheroreve na shfaqen zejtarët e mjeshtrive të ndryshme.
Zhvillimin ekonomik nga kjo fushë e dëshmojnë edhe vendbanimet e qendrave më të
mëdha, ato u ndërtuan më afër burimëve të lëndëve të para minerare. Ky proces potencohet edhe në aktet juridike, të cilat i
lidhnin për qendrat e xeheroreve. Bazuar në gjetjet arkeologjike është vështirë të flasim se cilat degë të zejtarisë kanë
qenë të përfaqësuara nëpër vendbanimet romake në territorin dardan, arsyeja
është se një numër i vogël eksponatesh të importuara është vështirë të dallohen
prej atyre vendëse. [21]
Midis materialit të Ulpianës, gjejmë eksponate
të plastikës metalike dekorative, stoli, kopça dhe prodhime tjera nga metalet,
të cilat ndoshta mund të jenë punuar nëpër ato vise ku bëhej eksploatini i
xeheve.[22]
Sipas dëshmive të shqiptarëve autoktonë që me
shekuj jetuan në rrethinën e Prishtinës, Ulpiana si vendbanim i rëndësishëm u
zbulua pas kolonizimit të Kosovës me kolonë serbë. Pas Luftës së Parë Botërore
tokat e shqiptarëve që u konfiskuan u ndanë për kolonë të sjellë nga rajonet
tjera të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe serb nga diaspora. Pas vendosjes
së kolonëve edhe në Ulpianë që nga viti 1919, filluan edhe ndërtimet e shtëpive
të tyre. Pjesa dërmuese e ndërtimeve që u bënë për kolonë përreth këtij
lokaliteti, u bënë me gurë që u morën nga kështjellat e vendbanimit të
Ulpianës. Deri në këtë kohë shumë mure të objekteve të Ulpianës ishin mbi
sipërfaqe të tokës. Kolonët përveç gurëve që i morën hasën edhe në shumë
objekte lëvizëse me vlerë si: enë të ndryshme, stoli, lugë, shandan, varëse,
kopça dhe artefakte tjera nga metalet e ndryshme, stella dhe gjetje tjera që e
tërhoqën vëmendjen e arkeologëve për të hulumtuar këtë lokalitet.
Gjatë kohës së sundimit
të perandorit Trajan ishte periudha e zhvillimit të madh të xehetarisë në mbarë
Gadishullin Ilirik. Këtë e pohon edhe Emil Çershkov, kur shkruan se Gjurmë të
sigurta të eksploatimit të xeheve në periudhën romake janë që nga fillimi i
shekullit të II të erës së re, në kohën e perandorit Trajan.[23]
Perandori romak Trajani (98-117) kishte parë
rëndësinë e këtyre viseve të pasura me metale fisnike, dhe për këtë arsye mori
masa të reja për zgjerimin e veprimtarisë xehetarie të cilën e kishin filluar
më parë vendasit.[24]
Ndërtimet dhe zhvillimi i vendbanimeve më të
mëdha gjatë sundimit romak është bërë në rajonet e pasura me xeherore siç janë:
Nishi, Justiniana Prima, Shkupi, Ulpiana, Soçanica etj. Lokalitetet e
rëndësishme dhe vendbanimet tjera në pellgun xehetar të Albanikut, Rogoznës,
Dukagjinit, Artanës, Vranjës, Karadakut etj., ishin të lidhura me pasurinë
minerare të këtyre anëve.
Minir Dushi shkruan se në miniera punimet
profesionale i kanë udhëhequr procuratores
metallorum kurse “Comes metallorum per Illyrium”, ka qenë njëfarë byroje
mbikëqyrëse që ka udhëhequr me të gjitha minierat, selia e së cilës si duket ka
qenë Ulpiana.[25]
Romakët në xeheroret e rajonit të Ulpianës
nxirrnin kryesisht ar, argjend, hekur dhe plumb. Gjatë gërmimeve arkeologjike
në lokalitetin e Ulpianës janë gjetur sarkofogë të plumbit dhe sende të imëta
të punuara prej argjendi e plumbi çka dëshmojnë se njëri nga faktorët kryesor
për zhvillimin ekonomik të këtij qyteti ishte pa dyshim xehetaria.[26]
Supozohet se edhe në këtë qytet është farkuar
edhe një monedhë e moçme “Metallum Ulpianum”, kushtuar punëtorëve të këtyre
minierave. Gjatë gërmimeve në këtë lokalitet deri më tani janë gjetë disa ekzemplarë
të kësaj monedhe.[27]
Romakët e vjetër pas
depërtimit në tokat ilire u mahnitën me teknikën që e përdorte popullata ilire
në shfrytëzimin e mineraleve të bakrit, hekurit, argjendit dhe arit.[28]
Dihet se hekuri për herë
të parë u prodhua në Azi të Vogël, dhe sigurisht që Ilirët ishin të parët në
Evropë që e prodhuan hekurin sepse nga fjala në gjuhën ilirishte „Isarnon“, ka
prejardhen edhe fjala „Iron“ në gjuhën angleze, dhe „Eisen“ në gjuhën gjermane
për hekurin.[29]
Në Ulpianë gjatë gërmimeve arkeologjike në
vitin 1959 janë zbuluar fragmente të një furre të montuar në tokë.[30] Furra
e zbuluar, Sarkofogët e plumbit, pllakat katërkëndëshe të plumbit të zbukuruara
me ornamente figurative të cilat ju ngjitëshin orendive të drurit, gjetja e një
gjysmë shablloni prej Steatitit për përpunimin e këtyre pllakave, kopça të
argjendta të cilat tash gjenden në Muzeun popullor të Beogradit. Të gjitha këto
gjetje tregojnë për rolin e xehetarisë në jetën dhe zhvillimin e qytetërimit të
Ulpianës.[31]
Duke i pasur për bazë faktet e cekura më lartë
Zef Mirëdita shkruan se Ulpiana dhe Soçanica janë vendbanime urbane të
karakterit xehetar, me të gjitha karakteristikat e arkitekturës antike, por me
organizim municipial.[32]
Galeri të minierës në kodrinën Grab të Janjevës
dh. Gjurmë të zgjyrës dhe
galerive në rajonin e Ulpianës
Gjurmët e zgjyrës së metaleve janë të shumta
në luginën e lumit të Kishnicës, në liqenin e Badovcit, Suteskë, në përroin e
Butocit, Busi, Slivovë, Llabian etj. Edhe në anën e rrjedhës së lumit të
Prishtinës zgjyrë të metaleve dhe galeri hasen edhe në lokalitetin “Ugria” në
fshatin Grashticë (Gjytet), Siçevë pranë lumit nën kështjellë të këtij fshati,
në të dya këto lokalitet ka vendbanime të periudhës antike dhe kështjella.
Mbi Janjevë te Guri i Bardhë, Dheu i Bardhë,
në fshatin Bukovicë, Shesharkë, Hanroc, Brus,
ka gjurmë të galerive. Në kodrinën e Gradinës së Janjevës vërehen tri hyrje të galerive dhe
mbetje nga shkrirja e metaleve. Zgjyrë ka edhe në lumin Pranja të Janjevës, në
Gradishtë, Shashkoc, Veletin e vende tjera përreth.
Hyrje të galerive në Gradishtë të Janjevës
Në rajonin e Brusit, në lumin e Androcit në vendin Uji i Kuq ka shumë zgjyrë, te Prroni i Deqit në Badoc, në kodrën Gvozdenik të fshatit Shashkoc, në rrethinën e Janjevës sidomos te vreshtat dhe në potesin “Toka e Bardhë” dhe po thuaj gati në të gjitha përroskat e Malësisë së Gallapit. Në rrethinën e Ulpianës, në Zhegoc, në fshatin Mirash, në Gadime të Poshtme, në Akllap, Sllovi, Vogoçicë në lokalitetin Selishta nën kala dhe vazhdon deri në fshatin Akllap në lokalitetin Trohallë ku janë gjetur tulla dhe tjegulla që dëshmojnë se ka ekzistuar një vendbanim i lashtë. Zgjyrë vërehet se ka edhe mbi kala te Vogocincës që nga lagjja e Ismajlajve, Qukollëve e deri në Verbicë e Bilincë. Në lokalitetin mes Cërrnicës dhe Gumnishtës ka zgjyrë, andaj lokaliteti afër Gumnishtës dhe kalasë quhet Shlaken e që emri rrjedhë nga gjuha saksone për zgjyrën. Të dhënat nga terreni dëshmojnë se nga lokalitetet me zgjyrë të këtyre anëve në vitet 60 të shekullit XX është bartur zgjyra nga fshatarët dhe është grumbulluar në fshatin Babush, prej nga është dërguar në shkritoren e Trepçës.
Në Gvozdenik
zgjyra është e zezë në të gjelbërt dhe e përzier me mbetje të argjendit.
Në Veletin hasen mbetje të vjetra të zgjyrës në ngjyrë të gjelbërt. Në
Gvozdenik për nga përbërja më së shumti ka xehe Siderit, Piroluzit, Sfalerit
dhe Galenit të argjendit. Në vendin e quajtur Shkrijim dhe Vapnenc
te lokaliteti i quajtur Ceove janë katër vende me zgjyrë të tubuar deri në madhësi
prej 2,5m. Zgjyra e këtij lokaliteti përmban galenit dhe grimca të arit dhe
argjendit.[33] Në hyrje të Janjevës
kodrina në të djathtë quhet GRAB, për ekzistimin e xehes në këtë kodër banorët kanë
ditur që nga Ilirët.[34]
Në verilindje të Janjevës në mes të
Kuretishtës dhe Strazhes në një shtrirje sipërfaqësore të madhe ka mjaftë
mbetje të zgjyrës. Në fshatin Llabian gjenden themelet e objektit të vjetër të
doganës.[35]Zgjyrë ka edhe në Pozhoran
dhe fshatra tjera të kësaj ane.
Këto të dhëna në këtë rajon dëshmojnë për
zhvillimin e xehetarisë në këto anë si dhe rëndësinë që e kishte kjo fushë në
zhvillimin ekonomik të qytetit dardano-romak të Ulpianës.
Në miniera punonin kryesisht xehetarët nga
popullata autoktone ilire dhe skllavë. Zhvillimi i xehetarisë ndikoi edhe në
zhvillimin e zejtarisë. Në bazë të rezultateve nga zbulimet arkeologjike mund të
supozojmë se në vendin e Ulpianës do të ketë ekzistuar më parë ndonjë lokalitet
i mëhershëm ilirë apo edhe më i lashtë nga kohën e gurit.[36]
e. Gjurmë të lashta të xehetarisë
në rajonin e Artanës
Kur është fjala për xeheroret e Kosovës
atëherë në vend të parë vihet territori xehetar i Artanës, si një zonë xehetare shumë e rëndësishme për kohën.[37]
Në lagjen e sotme të Plaviqve të fshatit Bostan në komunën e Artanës në malin e vogël dhe
të madh, nën kodrën e Vajdenices në
rrethinën e para-lagjes së këtij fshati edhe sot vërehen zgafellet e galerive
me rreth 10 m thellësi. Gjatë gërmimeve në afërsi të zgafelleve në thellësi rreth
8m janë vërejtur përforcues sigurie të drurit. Në mes të Ravnishtes dhe
Grozniqecit në vendin e quajtur te Birat, kodra ka gropa të thella.[38]
Qarje e tokës pranë hyrjeve në
galeritë e Artanës
Përveç gjurmëve të shumta të zgjyrës në
përroin e thartë pranë fshatit Boston dhe rreth lumit të këtij fshati, në
vendin e quajtur Birat, prej ku shtrihet varoshi i Artanës, në rrethinën e
Grozniqevcit gjurmë të shumta të zgjyrës hasim edhe në shumë lokalitete të
kësaj ane. Në Tërniqevc, në lumin e fshatit Krilevë, Kremenatë, Pirevë, Tygjec,
Bolec, nën fshatin Leshtar ka zgjyrë metalesh ndërsa në fshatin Rahovicë
mendohet se ka qenë punëtoria kryesore. Në fshatin Leshtar gjinden themelet e
kullës që janë ruajtur në gjatësi prej 8 m dhe gjerësi 6.5 m në të cilën
mendohet se qëndronte roja e xeheve. Kulla të tilla kishte edhe në disa vende
tjera në rrethinën e Artanës, dy prej tyre janë në fshatin Krilevë.
Faktet e pamohueshme tregojnë se në rajonin e
Artanës janë ruajtur shumë toponime të kohës iliro-shqiptare, që janë
trashëguar me shekuj si: Kodra e kishës, Lugu i camit, Gropat binake, Bullaj
etj. Nga burimet e mëvonëshme mesjetare është vertëtuar se pjesa dërmuese e
punëtorëve që punuan në miniera të Artanës kishin emëra shqiptar si: Gjon,
Progon, Tanush, Gjin, Lekë etj. Llukë Bogdani ishte një poet i dalë
nga shkolla shqipe e Janjevës dhe Trepçës i cili qe vrarë nga osmanët në
vitin 1687. Të gjitha këto flasin për vazhdimësinë e shqiptarëve në këto troje.[39]
Edhe toponimet shkrijim dhe Vapnicë
në rrethinën e Janjevës, si dhe toponimi Birat pranë Artanës janë dëshmi që
argumentojnë se minatorë Iliro-shqipëtar punuan në këtoi miniera edhe gjatë
mesjetës.
Zgjyrë e regjistruar në rrethinën e Artanës
Përveç Llukë Bogdanit të cekur më lartë, nga
Artana shquheshin Martin Segoni, Valerian Novobërdasi dhe Gjon Vaji, Gjon
Progoni etj.[40]
Në bazë të burimeve të mbledhura nga terreni
del se ana veriore dhe lindore e Artanës nuk ka qenë mbrapa për
nga zhvillimi i xehetarisë krahasuar me anën perëndimore dhe jug-lindore, ku
mund ti cekim gjurmët xehetare në fshatrat Grashticë, Keqekollë, Koliq, Ballaban,
Bervenik, Brainë, Herticë, Prapashticë, Dabishec, Hajkobillë, Grexhenikë,
Rahavicë, Krilevë, Marec, Kremenatë, Strezoc, Meshinë, Bolec, Leshtar, etj.
Në fshatin Krilevë janë evidentuar pesë
lokalitete me zgjyrë metalesh. Në mes të fshatit një arë është quajtur ara e Samakovës, banorët lokalë dëshmojnë se në
këtë arë kishte sasi të madhe të zgjyrës. Zgjyra nga kjo arë deri në kohët e
vonshme është përdorur si çakëll për shtruarjen e rrugës Krilevë-Strezoc. Në
lokalitetin e quajtur Rapuha, dhe te
mulliri i Maliqit në Krilevë ka mbetje zgjyre. Në hyrje të Rapuhës nga
ana lindore në largësi rrethë 2km, afër rrafshëlartës së Barës gjendet
zgjyrë e lokalitetit xehetarë, kurse në hyrje të Rapuhës nga ky drejtim
edhe sot nga banorët e fshatit Krilevë ruhet mikrotoponimi te vorret e Ilirëve, ndërsa në Rapuhë është
vertetuar se ka themele të
objekteve të banimit dhe keramikë.
Në anën perëndimore të Rapuhës gjendet
një vend shkrirje xehesh në vendin e quajtur Bulaj në fshatin Marec, rrethë
3 km largësi prej Rapuhe.
Rapuha dhe gjyteti i Marecit në anën e Asoit, Gllogovicë Hyrje e galerisë në kodrën veriore të Artanës
Në anën veriore në pikën kufitare të fshatrave
Prapashticë-Marec-Gllogovicë dhe Krilevë po ashtu gjendet zgjyrë
në vendin e quajtur Roga e verdhë në distancë prej Rapuhe
afër 2 km, kurse në rrugën Rapuhë-Roga e verdhë për gjatë rrjedhës së
ujit janë ruajtur mikrotoponimet, stanet e rimit dhe varret e
gjytetit.
Nga Roga
e verdhë, kodra që ngritet në anën lindore quhet gjyteti i Gllogovicës,
kurse në anën perëndimore gjyteti i Marecit. Nga Roga e verdhë në anën veriore
ngritet Quka ose Kodra e madhe, nën këtë kodër në anën lindore gjenden themele
te vjetra të objekteve dhe të një kishe të lokalitetit të quajtur Selishtë. Në
gjytetin e Gllogovicës jane gjetur monedha, themele dhe një statujë e mermerit
e papërpunuar. Në këtë lokalitet mbi kishën dhe burimin e quajtur Vrella, në
vendin e quajtur Asoi ekziston një galeri e minierës që popullata e fshatit e quan
Bira e Asoit. Kjo zgafelle e
galerisë deri vonë kishte qenë e thellë disa metra.
Zgjyra e gjetur ne Rapuhë është vërtetuar se
në përmbajtje të saj ka përqindje të arit dhe argjendit.
Minir Dushi shkruan se burime tjera me
përmbajtje të arit gjenden në rajonin e Artanës, në sendimentet aluviale të
lumit të Marecit, afër Prekocit, te përroi i Bostanit etj.[41]
Ukshin Zajmi shkruan se në oborrin e Hysni
Haxhollit në lagjen Bullaj të Marecit ka themele të vjetra. Hysniu gjatë
ndërtimit të shtepisë së re ka hasë në një vrimë të thellë. Në livadhet e kësaj
lagjeje ka mbetje të grumbulluara nga shkritoret e moçme që popullata lokale
lokalitetin e quan Samakova.[42]
Si pas banorëve lokal është bartur brez pas brezi thinja se xehet janë nxjerr
tek Arat Hazirit në Lugun e Kanjushës dhe tek Lugu i Kumpulsë në largësi prej
200 m nga zgjyra e grumbulluar. Zgjyrë metalesh në lagjen e Bullajve ka edhe
mbi shkollën e fshatit pran toponimit kisha që popullata e quan Samakova e
Muratit. Nga ky lokalitet në largësi vi ajrore 1000 m në anën veri-lindore
shtrihet Gjyteti i Marecitsi dhe Kulina e Krileves.[43]
Dihet se pas shkatërrimit të Ulpianës nga
dyndjet e barbarëve rëndësia e xehetarisë gjatë mesjetës kaloi në Artanë dhe
qytetet përreth Artane.
Duke i pasur parasyshë gjurmët e xehetarisë në
përrojet e Marecit dhe fshatrave tjera përreth si dhe gërmadhat e vendbanimeve
dhe gjytetet në anën veriore të Artanës mendoj se edhe Prizrencin qytet
mesjetar duhet kërkuar në Gjytetin e Marecit.
Nga lagjja e Bullajve, rrjedha e ujit në të djathtë pikërisht te Përroi i madh nën Gradishtë dhe nën Qukën e Qelnasit ka zgjyrë metalesh.
Zgjyrë ka edhe në lagjen e Haxhajve, Metajve, dhe Hajdarajve. Në fund të Përroit të madh nën Gradishtë ka themele që dëshmojnë për një vendbanim shumë
të vjetër. Mendohet se fillet e qytetërimit në rrethinën e Artanës janë
pikërisht në këtë hapësirë. Zgjyrë të metaleve në këtë fshatë ka pothuaj në të
gjitha lagjet dhe përrockat; ajo vërehet në sipërfaqe përgjatë gjithë rrjedhës
së lumit që nga lagjja e Kllokoqëve e deri ne Krilevë, pastaj në lagjen e
Pacollëve, Makollëve, te Përroi i Zi
dhe lokalitete tjera.
Në Kodrinën e Bërskovicës që gjendet në
lagjen e Balajve të Prapashticës në
kufi të fshatit Marec, që shtrihet në mes të lokaliteteve të shumta xehetare
dhe në distancë prej rreth 5 km nga gjyteti i Marecit, Keqekollës dhe 3 km prej
kodrës së Gomurit, mendojë se ndodhej Bërskova mesjetare. Kjo e dhënë
vërtetohet edhe nga burimet raguzane ku Jahja Drançolli shkruan se kontaktet e
para raguzane me Prishtinën i gjejmë të shënuara në fund të viteve të
shtatëdhjeta të shekullit XIII. Në këtë kohë bujari raguzan me origjinë ilire Gregorius Marini de Petrana emërohet konsull
në Bërskovë. Për të arritur në Bërskovë, Gregorius kalon mes vendesh tjera edhe
nëpër Prishtinë.[44] Bërskova ishte një
vendbanim i shpërndarë pranë minierave të pasura me argjend ku për herë të parë
u vendosën raguzanët si minatorë të njohur të kohës në këto anë. Po ashtu në anën jugore të Bërskovës në
kufijtë e fshatit Marec dhe Prapashticë një kodrinë e quajtur Lutesh (vend i
lutjeve), bri rrugës së antikitetit që vinte nga Nishi nëpër Justiniana Prima
afër Medvegjës së sotme për në Ulpianë, dëshmon për pranin e arbërorëve në këto
anë.
Nga Roga
e verdhë në anën veriore, mali në fshatin Prapashticë sot quhet mali i Strakës, në fund të këtij mali ka zgjyrë
metalesh dhe themele te vjetra. Në këtë fshat mbetje të zgjyrës së metaleve gjenden
edhe në përroin përgjatë rrugës së vjetër nën xhaminë e fshatit në drejtim të
fshatit Keqekollë.
Gjurmë të eksploatimit te xeheve vërehen edhe
në kodrën e quajtur Gomuri në fshatin
Prapashticë. Në këtë kodër vërehet se ka pasur galeri xehesh. Në anën jugore
nën këtë kodër ka gjurmë banimi të një lokaliteti të vjetër të quajtur Nekshur ku vërehen copa zgjyre, tjegulla
dhe keramikë. Prej shkollës në lagjen Balaj në fshatin Prapashtic, Nekshuri për
gjatë rrjedhës së lumit që qon në fshatrat Dabishec, Hajkobillë, Rahovicë,
Gregjenik, Rahavicë, Kremenat, Meshinë, Krilevë, Strezoc e vende tjera ka
zgjyrë metalesh.
Nga hulumtimet e vonshme gjeologjike është vërtetuar
se rezervat e mineraleve Strezoc-Guri i keq në fshatin Hajkobillë dhe shkëmbinjtë
kuarcor-silicor te vendbanimi “te Guri i keq” i kanë të gjitha karakteristikat
e një vendbanimi metamoforo sedimentar të përmasave të mëdha dhe me cilësi të
njëtrajtshme. Këto veçori kanë ndikuar që ky vendbanim të renditet në grupin e
parë, në pajtim me rregulloren për klasifikimin dhe kategorizimin e rezervave
të shkëmbinjve silicit të ish Jugosllavisë. Sipas analizave kimike kuarcitet e
vendbanimit “Guri i Keq” shquhen për nga cilësia e lartë.[45]
Gropat e mbetura nga galeria e minierave në fshatin Hajkobillë
Edhe në rrjedhën e lumit të fshatit Kremenatë
ka sasi të mbetjeve nga shkrirja e metaleve, zgjyrë metalesh hasen edhe në
Meshinë dhe Tugjec.
Zgjyrë të mbetura nga përpunimi i metaleve në
fshatin Dabishec dhe Hajkobillë
Lokalitetet me gjurmë të xehetarisë vazhdojnë
edhe në fshatrat tjera që lidhen me rajonin e Bujanocit si: Desivojcë në lagjen
e Bunjakëve te rrafshi i lumit të dhive ka galeri, ndërsa te mulliri i Rrahman
Bunjakut ekziston toponimi Samakova (zgjyra),
pastaj në Gjyrishec, Zhujë, Poliqkë, Lisockë, Kranidell, Qarr, Sedllarë,
Rogocicë etj.
Zgjyrë të metaleve në këto anë ka edhe andej
kufirit të sotëm të Kosovës në rrjedhën e lumit Jabllanica si: Petrilë, Vrapcë,
Tullarë, Gërbac lokaliteti Samakova
dhe stanet, në Siarinë lokaliteti Gradina dhe Bunari i Rimit, Sfircë e fshatra
tjera ne drejtim te Vranjës.
Nga hulumtimet e terrenit është vërejtur se
në të gjitha fshatrat dhe përrockat në anën veri-lindore të Artanës ka gjurmë
të përpunimit të xeheve, që dëshmojnë për një trevë mjaftë të zhvilluar gjatë
antikitetit dhe mesjetës. Kjo dëshmohet edhe me numrin e madh të fortifikimeve
në këto anë.
f. Gjurmë të zgjyrës dhe
galerive në rajonin e Gjilanit të sotëm
Rrethina e Gjilanit është shumë e pasur me
xehe. Në viset e Karadakut ekzistojnë rezerva të mëdha të xehes së hekurit, e
cila është eksploatuar qysh nga periudha e mesjetës[46].
Është me rëndësi të theksohet se masivi malor i Karadakut (Mal i Zi i Shkupit)
ishte i pasur me minerale dhe u shfrytëzua edhe në kohë më të herëshme se
mesjeta.
Sipas hulumtimeve të vitit 1979, ishte
konstatuar kjo gjendje; zona Pidiq – Çelik
ishte e pasur me bakër, plumb dhe zink; zona e Pogragjës, e pasur me
bakër dhe kallaj; zona e Seferit, e pasur me bakër, plumb dhe zink; zona e
Strazhës, me bakër, plumb dhe zink; zona e Poneshit, e pasur me bakër, plumb
dhe antimon[47].
Në këto vise edhe sot i kemi dëshmitë e
eksploatimit dhe përpunimit të xeheve që nga periudha e antikitetit e sidomos
nga ajo mesjetare. Mbeturina të materialeve të shkrira (popullata e kësaj ane i
njeh si shnakla) dhe hasen kudo rreth vendbanimeve: kalasë së Pogragjës, në
Çelik- rreth vendbanimit të vjetër dhe kalasë së Resulës (vendësit e njohin
edhe si “Kalaja e Rimit”), në Gllamë përgjatë vendit të quajtur “Udha e
mbretit”, në Nasalë, në Zhegër, në Shpal (Kishnapole), e sidomos në Zhegoc.
Prej metaloideve në zonat e lartpërmendura hasim; kaolin, magnez, shkëmbinj të
leucitit, (në rajonin mes Pogragjës dhe Llofcës) etj. Nga banorët e malësisë së
Karadakut përmendet posaçërisht fshati Çelik në pjesën perëndimore të fshatit
Zhegër. Ky vendbanim antik, pos me kalanë dhe varrezat e vjetra, ishte i njohur
edhe për nxjerrjen e metalit të hekurit deri më 1912.[48]
Zgjyrë të mbetura nga përpunimi
i metaleve në fshatin Pogragjë, komuna e Gjilanit
Rrëzë kodrave mbi vendbanimin e Vërbocit mundë
të dallohen me dhjetëra gropa xehesh, ndërsa në luginën e lumit të Letnicës përveqmbeturinave
të ndryshkura të gropave, gjenden edhe gjurmët e objekteve metalurgjike antike
të ndërtuara buzë lumit. Gjurmë të gropave gjenden edhe në afërsi të fortesës së
fshatit Terpezë dhe Cerrnicë. Gjurmë të shumta hasen edhe në jug-lindje të
Gjilanit në Lololeq, te fortesa e Koprivnicës, Hogoshit, Malishevës së Gjilanit
etj.[49]
Zgjyrë metalesh vërehen edhe ne fshatin
Uglar, në Pogragjë, Llovcë dhe lokalitete tjera përgjatë rrjedhës së Moravës së
Bincës.
Në Malin e Zi të Shkupit dhe fshatrat në
komunën e Vitisë, zgjyrë metalesh ka edhe përgjatë rrjedhës së lumit Gërncar-Letnicë,
në Dubëlde, Bincë mbi lagjen e Shushve, në Gashicë gjatë rrjedhës së lumit,
Pozhoran e fshatra tjera.
Në zonën tjetër me vendbanime të vjetra dhe
të pasura me minerale dhe monumente të shumta në malet e Zhegocit, dallohet
edhe lugina në fshatin Gadime, ku bëhej shkrirja e xehes[50].
Mund të pohojmë se eksploatimi i xehes në këto anë kishte filluar që nga periudha
iliro-romake për të vazhduar gjatë tërë mesjetës e këtej. Në aspektin ekonomik
përmendet edhe fshati Shpal (Kishnapole), i cili pos Gradinës dhe kishës së
Shën Palit, ka edhe vise të pasura me xehe, të cilat po ashtu janë eksploatuar
që nga periudha e hershme historike.
Gjurmë xehetarie në fshatin
Shpal, komuna e Gjilanit
Se territori mes Gjilanit dhe Bujanocit ishte
vend i pasur me xehe, janë dëshmi gropat dhe galeritë të cilat janë shembur që
moti dhe mezi shihen, mirëpo ato janë dëshmi se që nga periudha antike e
mesjetare, këto vise ushtronin një veprimtari të tillë[51].
g. Gjurmë të xehetarisë në
rrethinën e Vendenisit dhe Bërvenikut
Në rrethinën e Vendenisit (Gllamnikut) dhe
qytetit mesjetar Bërvenikut ka gjurmë të shumta për të dëshmuar eksploatimin e
mineraleve që në kohë shumë të vjetra.
Edhe në distancë prej rreth 30 km në anën
veriore të Ulpianës, pikërisht në rrjedhat e lumit Llap ka mbetje të zgjyrës së
metaleve dhe galeri.
Mbetje të zgjyrës që nga kohët iliro-romake
në këto anë vërehen duke filluar që nga lagjja e Gexajve (Shpella e
Argjajtë-Argjendit) në fshatin Prapashticë.
Ky lokalitet xehetar shtrihet mes Gradishtes së Marecit në rrjedhën e
lumit të lakuar (Kriva rekës) dhe Gjytetit
të Rimit Keqekoll-Prapashticë, që shtrihet në rrjedhën e lumit Llap.
Vlenë për ta cekur se edhe në pjesën perëndimore
të fshatit Velegllavë të komunës së Dardanës ekzistojnë toponimet Gropat e
Argjanit dhe Roga e Argjanit që kanë të bëjnë me minierat e argjendit. Zgafella
të mineraleve ka te Bjeshka e madhe në kufi me fshatin Marocë.[52]
Në distancë të vogël nga Shpella e
Argjendit në Prapashticë, pikërisht mbi lagjen e Kaçotëve të fshatit
Keqekollë ka zgjyrë metalesh, zgjyrë metalesh kishte edhe në këtë lagje shumë
afër Kroit të Kikollit që ndryshe nga
banorët lokal njihet edhe si Kroi i
gjytetit. Në Sukën e Prapashticës në kufi me fshatin Nishec po ashtu është
një shpellë që mendohet se dikur moti ishte galeri për nxjerrjen e metaleve.
Mbetje zgjyre janë hasur edhe te përroi nën xhaminë e fshatit Prapashticë dhe
në përroin e fshatit Nishec.
Zgjyra e metaleve e regjistruar gjatë viteve të pesëdhjeta në Keqekollë
Gjatë përnjohjes së terrenit në fillim të
viteve 50 të shekullit XX, vetëm në fshatin Keqekollë u regjistruan gjashtë
pika të grumbullimit me zgjyrë të metaleve. Në Ballaban po ashtu kishte sasi të
madhe zgjyre përgjatë shtrirjes së shtratit të lumit, pastaj te Përroi i
Gomurit në Ballaban dhe në të djathtë në mes të fshatit vërehen edhe galeritë e
nxerrjes së xeheve. Edhe përgjatë përroit të Glacit në fshatin Koliq ka zgjyrë.
Zgjyrë e metaleve në fshatin
Ballaban
Zgjyra nga pikat e grumbullimit të
Keqekollës, Ballabanit dhe të Hajkobillës ne vitet 50 të shekullit XX u bartë
dhe u dërgua në shkritoren e Trepçës.
Zgjyrë në këto anë hasen edhe në Batllavë,
Bërvenik, Brainë, Kalaticë, Metërgoc, Turuçicë, Nasoc, Herticë te Kullat dhe në Bjeshkën e Halilit dhe fshatra tjera. Në anën e djathtë të fshatit
Herticë vërehen shumë galeri dhe puse të vjetra minerare, që dëshmojnë
shfrytëzim intenziv dhe të fuqishëm në këtë lokalitet që në kohën iliro-romake.[53]
Zgjyrë të shumtë është vertetuar se ka edhe në fshatin Merdare, Matarovë dhe
fshatëra tjera tej kufirit të sotëm të Kosovës të cilat lidhen me minierën e
Lecës dhe Justiniana Primës (Caricingradi). Zgjyra e Matarovës, Merdarës dhe e
Herticës pas analizave të bëra është vertetuar se përmbanë përqindje të
konsiderueshme të metaleve fisnike të argjendit dhe arit.
Edhe në fshatërat rreth Vendenisit është
vertëtuar se ka pasur eksploatim të mineraleve si në: Tenezhdoll, Rimanishtë ku
është vërtetuar se ka pasë galeri dhe vendbanim të vjetër në lagjen e
Musliajve, pastaj në Sharban dhe fshatëra tjera të kësaj ane.
h. Gjurmë të xehetarisë në rajonin
lindor të Trepçës
Gërmimet arkeologjike dëshmuan se edhe në
luginën e lumit Ibër, Soçanica ishte qendër urbane xehetaro-metalurgjike për
eksploatimin dhe përpunimin e xeheve.[54]
Rajoni minerar i Trepçës bënë pjesë në grupin e rajoneve më të pasura me
minerale në Evropën juglindore. Ne po veçojmë të dhënat për gjurmë të xehetarisë
në lokalitetet e komunës së Vushtrrisë dhe malet e Shalës të kësaj komune, e të
cilat mund të ishin të lidhura në aspektin ekonomik dhe administrativ edhe me
qytetin e Ulpianës.
Në rajonin e sotëm të Trepçës, ka mjaftë shumë
gjurmë të eksploatimit të mineraleve. Në fshatin Mazhiç, në lokalitetin Lugu i
birave dhe te Lugu i Rudarit, vërehen hyrje të galerive dhe zgjyrë. Gjurmë
hasen edhe në gjytetin e Rashanit, Duboc, në fshatin Bare, Tërstenë, Gumnishtë,
Skromë dhe fshatra tjera të komunës së Vushtrrisë. Në fshatin Gumnishtë, pikërisht
në lokalitetin e quajtur Katunishta ka zgjyrë metalesh dhe themele të
vendbanimit të lashtë. Në Qukën e këtij fshati janë gropat e mineraleve, Bira e Kasejt, Birat e pëllumbave, Kodra e gropave, Lugu i Hyjnicës që dëshmojnë ekzistimin e galerive të xeheroreve. Në
kodrinën Boka të këtij fshati, rreth
200 m në juglindje të kishës së vjetër është një sondë vertikale e minierës.
Sondë galerie vertikale në fshatin Gumnishtë, komuna e Vushtrrisë
Edhe në fshatin Majac të komunës së Podujevës
ka gjurmë xehetarie. Në kodrinën e këtij fshati, në lokalitetin te arat e Rrahit ekzistojnë gropat që popullata e
fshatit i quanë Gropat e Majdenit. Në
arat e Rrahit janë gjetur tulla dhe
tjegulla të ndryshme si dhe tuba të ujësjellësit të vjetër. Gjurmë të
vendbanimit ka edhe në luginën e Klisyrës
dhe në lagjen e Berishajve. Në oborrin e Daut Berishës në vitin 1974 gjatë
hapjes së pusit në thellësi prej 3 m janë hasur gjurmë të një vendbanimi të
djegur, kurse gjatë hapjes së themeleve për të ndërtuar shtepinë në thellësi
prej 1.5 m janë hasur themele të vjetra me gurë të mëdhenj që dëshmojnë për një
vendbanim të lashtë.
i. Gjurmë të zgjyrës në Bollasicë
dhe në rrjedhën e burimit të lumit Llap.
Gjurmë të shumta të eksploatimit të xeheve ka
edhe në Bollasicë, në lokalitetetet pranë burimit të lumit Llap. Në anën
lindore të Bollasicës në kodrinën Quka e rovinave ka gropa të galerive, në anën
veriore në qukën e gropave po ashtu ka gropa që dëshmojnë për nxjerrjen e
mineraleve por vërehen edhe themelet e një kulle. Në lokalitetin Prollutnik por
edhe në fshatin Shtitaricë ka zgjyrë metalesh dhe galeri.
Zgjyrë të metaleve në fshatinë
Bollasicë, komuna e Besianës
Zgjyrë vërehet se ka edhe në livadhin e Dedisë
dhe te lugu i Kullës së Bollasicës, pastaj në vendin ku bashkohen rrjedhat e
ujit nga lugu i Kullës dhe Vrellës së Bollasicës dhe vazhdon teposhtë përgjatë rrjedhës
së lumit në Marincë, Bollostenë, Tërnavuicë, Murgullë, Prepellaz, Pollatë e
fshatra tjera të kësaj ane. Mbetje të zgjyrës janë dëshmuar edhe në
fshatrat në veri të Bollasicës tej
kufirit të sotëm të Kosovës si: në Shtavë, Merrqi, Trebinje e fshatra tjera që
vazhdojnë më tutje dhe lidhen me minierën e njohur të Rogoznës mes Mitrovicës
dhe Tregut të Ri (Novi Pazarit). Edhe pse xehetaria në trevën e Kosovës nuk është
hulumtuar, kjo nuk e mohon mundsinë e eksploatimit të mëhershëm të arit,
hekurit e të argjendit në rajonet Albanik-Artanë.[55]
Burime tjera me përmbajtje të arit gjenden në
rajonin e Artanës, në sendimentet aluviale të lumit të Marecit, afër Prekocit, përroi
i Bostanit etj.[56]
Po thuaj në të gjitha këto lokalitete edhe
sot mund të ndeshen mbetje punimesh minerare në formë hendeqesh, pusesh,
galerish, pastaj produkte të shkrirjes së xehes, zgjyrë dhe gjurmë të
vendbanimeve rreth minierave.
[1] Nikola ?olak, Ive Mazuran, “Janjevo”, Zagreb,
2000, fq. 13
[2] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë
shekujve”, Dardania Sacra 1, Prishtinë, 1999, fq. 84
[3] Emil ?ershkov, Revista kulturore dhe
shkencore “Përparimi”1-2, Prishtinë, 1964, fq. 75
[4] Po aty fq.75
[5] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë shekujve”, Dardania Sacra 1, Prishtinë, 1999, fq.92
[6] Gazeta, “Danas”, Beograd 01.07.03.
[7] Mil. J. Nikolajevi?, Severna stara Serbija, Beograd, 1892, fq.61
[8] Nicolae Densusianu, Historia life and Work, Part 7-ChclI.10, the Pelasgian Empire (the pelasgian
language) XlI.10.II. Elements of barbarum Latin language, (libër elektronik).
[9] Edi Shukriu, “Dardania Paraurbane”, Studime arkeologjike të Kosovës e Dukagjinit, Pejë 1997, fq.49
[10] Edi Shukriu, “Kosova Antike”, Prishtinë, 2004, fq.82.
[11] Edi Shukriu, Dardania Paraurbane, Studime arkeologjike të Kosovës e Dukagjinit, Pejë 1997, fq..106
[12] Edi Shukriu, “Kosova Antike”, Prishtinë,
2004, fq.49
[13] Po aty fq.82.
[14] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë
shekujve”, Dardania Sacra 1, Prishtinë, 1999,
fq.92
[15] Emil ?ershkov, Revista kulturore dhe
shkencore “Përparimi”1-2, Prishtinë, 1964, fq.82
[16] Emil ?ershkov, Revista kulturore dhe
shkencore “Përparimi”1-2, Prishtinë, 1964, fq.76
[17] Zef Mirdita: “Studime Dardane” Prishtinë 1979, fq. 104
[18] Emil ?ershkov, “Romakët në Kosovë dhe
Municipiumi DD Soçanica”, Prishtinë, 1973, fq.
32-33
[19] Edi Shukriu, “Kosova antike”, Prishtinë,
2004, fq.108
[20] S.Dušani?, “Starinar”,Nr. 56, Beograd, 2006,
fq.92.
[21] Emil ?ershkov, “Romakët në Kosovë dhe
Municipiumi D.D te Soçanica”, Muzeu i
Kosovës, 1973,
Prishtinë,
54
[22] Po aty, 54
[23] Emil ?ershkov, Revista kulturore dhe
shkencore “Përparimi”1-2, Prishtinë, 1964, fq.76
[24] Jahja Drançolli: “Raguzanët në Kosovë”,
Prishtinë 1986, fq 205
[25] Minir Dushi, “Dardania Sakra 1”, Prishtinë,
1999, fq.88
[26] Emil ?ershkov, Revista kulturore dhe
shkencore “Përparimi”1-2, Prishtinë, 1964, fq. 77
[27] Po aty, fq. 77,78
[28] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë
shekujve”, Dardania Sacra 1, Prishtinë, 1999,
fq.85
[29] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë
shekujve”, Dardania Sacra 1, Prishtinë, 1999,
fq.85
[30] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë
shekujve”, Dardania Sacra 1, Prishtinë, 1999,
fq.78
[31] Po aty, fq. 78
[32] Zef Mirëdita, Studime Dardane, Rilindja,
Prishtinë, 1979, fq. 115
[33] Nikola ?olak, Ive Mazuran, “Janjevo”, Zagreb,
2000, fq Po aty fq. 13
[34] Po aty fq. 13
[35] Nikola ?olak, Ive Mazuran, “Janjevo”, Zagreb,
2000, fq Po aty fq.18
[36] Emil ?ershkov, “Revista kulturore
Përparimi””, nr.1-2, Prishtinë 1964 fq.76,77
[37] Prof.dr Skender Rizaj “Kosova gjatë shekujve”
XV-XVI-XVII fq.114 Prishtinë 1982
[38] Vojisllav Jovanovi?, Sima ?irkjovi?, Emina Ze?evi?,
Vujadin Ivanishevi?, Vesna Radio,
“Novo Brdo”, Beograd, 2004, fq.18
[39] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë
shekujve”, Dardania Sacra 1, Prishtinë, 1999,
fq.85
[40] Jahja Drançolli fejton “Kontributi shqiptar në humanizmin e
Rilindjes Evropiane”
Revista javore, “KOHA “, 06. Korrik 1994.
[41] Minir
Dushi, A.SH.A.K., “Mineralet e Kosovës”, Vëllimi i II, Prishtinë, 2009, fq. 66
[42] Ukshin Zajmi, http://www.forumishqiptar.com/showthread.php?p=2132129
[43] Ukshin Zajmi, http://www.forumishqiptar.com/showthread.php?p=2132129
[44] Jahja Drancolli, Raguzanët në Prishtinë gjatë
shekujve XIV-XV, Vjetari nr. XVIII_XIX,
Arkivi i Kosovës, Prishtinë, 1984, fq.10
[45] Minir Dushi, A.SH.A.K., “Mineralet e
Kosovës”, vëllimi i II, Prishtinë, 2009, fq.141,142
[46] Kosova
dikurë e Sot, Beograd, 1973, fq.. 674.
[47] Rasim
Rexhepi, Seferi ndër shekuj – monografi, Gjilan 2005, pp. 13-14.
[48] Faik
Sahiti, “Dorëshkrim”, “Monografia e Gjilanit”, Gjilan, 2011
[49] Emil ?ershkov,
‘Romakët në Kosovë dhe Monicipiumi D.D. Soçanicë”, Prishtinë, 1973,
fq. 31
[50] Tefik
Zymberi,“Dielli nuk vritet“, Gjilan 2002, fq. 35. J. Osmani, Vendbanimet... op
cit fq.
176.
[51] Emilj
?erškov, “Romakët në Kosovë dhe municipiumi D.D. te Soçanica”, Prishtinë
1978, pp. 51-52.
[52] Hysen Këqiku, “Velia Glaua” , Gjilan, 2001,
fq.46-52
[53] Minir Dushi, “Pasuritë minerare të Kosovës, Vëllimi
I”, Prishtinë, 2009, fq. 251
[54] Qazim
Lleshi, “Revista Kulturore Përparimi”, nr. 11-12, Prishtinë, 1964, fq. 715,716
[55] Edi Shukriu, “Kosova Antike”, Prishtinë,
2004, fq.49
[56] Minir Dushi, A.SH.A.K., “Mineralet e
Kosovës”, Vëllimi II, Prishtinë, 2009, fq.66