Kerko: a
Qazim Namani: Kisha e familjes Boletini nuk është serbe
E shtune, 20.06.2020, 05:55 PM
KISHA E FAMILJES BOLETINI NUK ËSHTË SERBE
Nga Dr. Qazim NAMANI
Kur bëjmë fjalë për kishën e familjes së Boletinëve në
fshatin Boletin, na ofrohen burime të ndryshme shkencore. Të dhënat e
trashëguara te popullata autoktone shqiptare flasin për një kishë të vogël, që
njihet si kishë shqiptare, por që sipas literaturës së vonshme serbe, atë kishë
kinse e paska ndërtuar një serb i panjohur në shekullin e XIV. Realiteti dhe të
dhënat për këtë kishë flasin krejt ndryshe, sepse dihet se ajo ishte një
faltore e vogël, një kohë e braktisur dhe pa pronar të saj legjitim, pas
pushtimit të Kosovës nga ushtria serbe në vitin 1912 e deri në vitin 1954.
Procesi
gjyqësor për njërën nga 27 parcelat e familjes Boletini që shtriheshin në anën
e djathtë të rrugës Mitrovicë-Rashkë.
Familja Boletini nuk kishte hequr dorë nga pronat e veta
dhe në vitet e tridhjeta të shekullit XX e kishte filluar kontestin ligjor.
Megjithatë, në vitin 1954 i ishin konfiskuar pronat e familjes së Boletinëve,
të cilat i ishin dhuruar kësaj faltoreje (tashmë serbe) në vitin 1956, kur edhe
shpallet “Manastir Ortodoks i Grave”, duke ndërhyrë me ndërtime të objekteve
tjera gjatë viteve 1990 e deri me tani. Kontesti gjyqësor në mes familjes
Boletini dhe Manastirit lidhur me këto prona për pasardhësit e kësaj familje,ende
nuk është i mbyllur.
Të dhënat nga terreni lënë të kuptojmë se kjo faltore
ishte një kishë e vogël e familjes Boletini e që nga mesi i shekullit XIX
shërbente si faltore për komunitetin hebre, që gjatë shekullit XIX familja
Boletini e kishte sjellë në fshatin e tyre për t’u ndihmuar në udhëheqjen e
biznesit të njohur që kishte familja Boletini në atë kohë. Gjatë shekullit XIX,
sidomos pas ndërtimit të hekurudhës në qytetin e Mitrovicës, ishin vendosur
mjaftë shumë familje hebraike nga Prishtina, Artana, Prizreni dhe qytete tjera.
Udhëpërshkruesit e huaj, që gjatë shekullit XIX kaluan
nëpër treva të banuara me shqiptarë, na ofrojnë të dhëna për ruajtjen dhe
mirëmbajtjen e kishave të tyre nga vetë shqiptarët edhe pse shumica prej tyre
tani më e kishin pranuar fenë islame. Në mesin e këtyre udhëpërshkruesve, madje
ka edhe misionarë të mbështetur nga shteti serb, i krijuar në vitin 1878. Edhe
pse këta misionarë kanë shkruar për objekte të kultit me qëllim të përvetësimit
të tyre, prapë nuk kanë mundur t’i shmangën të vërtetës për kontributin e
shqiptarëve në ruajtjen e kishave dhe manastireve. Todor P. Stankoviqi (Konsull
i Serbisë në Prishtinë), duke udhëtuar prej Preshevës në drejtim të Bujanocit
për t’u kthyer në Gjilan,njofton se një shqiptar e ruante një manastir në
Pqinjë afër Vranjës. (Shih Fig. 1, teksti në gjuhën serbe).
Fig.1
Manastiri
i shqiptarëve në Pcinj afër Vrajës, të cilin e ruanin shqiptarët në fund të
shekullit XIX,edhe pas pushtimit të kësaj treve
Todor Stankoviqi, i lindur në vitin 1852 në qytetin e
Nishit, prej vitit 1871 e deri më 1874 punon redaktor i shkrimeve në gjuhën
serbe në gazetën “Prizren” që asaj kohe botohej në gjuhën turke dhe serbe në
qytetin e Prizrenit. Gjatë kësaj kohe ai bashkëpunojë me konsullin rus Ivan
Jastrebovin, Milosh S. Milojeviqin dhe me shumë misionarë pansllavistë, që
vepronin në territoret shqiptare. Gjatë aktivitetit të tij kishte kryer shumë
detyra të rëndësishme kulturore dhe politike në Prizren, Shkup, Selanik,
Manastir dhe Prishtinë. Aktivitetet e tij kryesisht ishin në shërbim të shtetit
serb, kishës ortodokse serbe duke falsifikuar objektet e kultit dhe duke manipuluar me popullatën ortodokse shqiptare
dhe vllahe me qëllim të asimilimit të tyre.
Todor Stankoviqi në Prishtinë ishte emëruar konsull në
korrik të vitit 1890, pas vrasjes së konsullit të mëparshëm Lluka Marinkoviqit
në muajin qershor po të atij viti. Prej vitit 1892 e deri në vitin 1895
emërohet konsull në Shkup, ndërsa në vitin 1897 prapë kthehet konsull në
Prishtinë. Stankoviq tërë aktivitetin e tij e zhvilloi sipas udhëzuesit
shpirtëror dhe mësuesit të tij Milosh. S. Milojeviq që të merr informata për të
gjitha objektet e kultit e veçmas ato në anën e majtë të hekurudhës
Mitrovicë-Gjilan dhe të shënohen si kisha dhe manastire ortodokse serbe.
Për kishën në Boletin gjejmë të dhëna edhe nga T.
Stankoviq, i cili në vitin 1897, kishën e kishte vizituar. Ai e përshkruan
kishën si të vogël, por thotë se kisha ishte e vjetër,kurse altari ishte
ndërtim i ri. Ai shkruan se kisha ishte braktisur para 40 viteve. Atë e ripërtëriu
një fshatar prej fshatrave përreth me mbiemër Ostojiq. Stankoviq shkruan se banorët
i kishin thënë se meritat për renovimin e kishës i takojnë Fiqa Haxhi Jakiqit
dhe djalit të tij Jakovit. Ata, thotë ai, ishin me origjinë nga Prizreni, por
para 25 viteve ishin shpërngulur në Mitrovicë. Jakovi edhe tash përkujdeset për
mirëmbajtjen e këtij manastiri, shkruan Stankoviq. (Shih fig. 2, teksti në
gjuhën serbe).
Fig. 2.
Renovimi i kishës së Boletinëve nga hebreu Fiqa Haxhi Jakic dhe djali i tij
Jakovi
Si dëshmi mund të merren varrezat e hebrenjve në Zhazhë
dhe vetë emri i një hebreu të serbizuar që e mbante emrin Avram, i cili e
kishte shtëpinë afër me këtë faltore dhe deri në vitin 1966 kishte jetuar në fshatin
Boletin. Kjo familje hebraike jetonte shumë pranë kullës së Boletinëve,
përkatësisht te “Guri i Tupanit”,
vend ky prej nga familja Buletini me tupan i sinjalizonte banorët përreth në
raste festash apo tubime të tjera.
Todor Stankoviqi ishte një misionar pansllavist, i cili
sikurse Milosh S. Milojeviqi, kishin bërë shumë udhëtime nëpër vendbanime
shqiptare dhe mision të tyre e kishin që t’i falsifikonin dëshmitë për kishat
dhe objektet e kultit të shqiptarëve, duke i regjistruar si kisha dhe manastire
ortodokse serbe.
Todor Stankoviqi e kishte vizituar kishën në Boletin në
kohën kur kisha serbe ishte fuqizuar mjaftë shumë në territoret e Ballkanit
perëndimor. Në trevat veriore shqiptare jashtë kufijve administrativ të shtetit
serb, që nga viti 1830, kur Serbia e kishte autonominë e saj, kisha ortodokse
serbe e përkrahur përmes misionarëve dhe klerikëve, sipas ideve të projekteve
pansllaviste, ishte kundër klerikëve grekë dhe ndikimit të Patriarkanës së
Stambollit, që vepronin në trevat shqiptare.
Njëherësh, Jagosh Gjillas shkruan se gjatë shekullit XIX
Patriarkana e Stambollit gëzonte privilegje të mëdha në Perandorinë Osmane. Në
territoret shqiptare qendra e kësaj propagande ishte bërë Mitropolia e
Prizrenit, andaj përmes murgjve dhe popullatës vllahe i mbanin në mbikëqyrje
kishat në Prizren, Ferizaj, Lipjan dhe qytete tjera të trevave veriore
shqiptare. Kishat ortodokse në këto treva prej vitit 1830 e deri në vitin 1896
ishin në duar të grekëve dhe liturgjia në to mbahej në gjuhën greke (Shih fig.
3, teksti në gjuhën serbe).
Fig. 3.
Dëshmia se kishat ortodokse në Prizren, Ferizaj e Lipjan prej vitit 1830 e deri
1896 ishin në duar të klerikëve të emëruar nga Patriarkana e Stambollit
Todor Stankoviqi kishën në fshatin Boletin e viziton me
datën 14 gusht të vitit 1897, ku merr pjesë në festën e popullatës së krishterë,
që mbahej më 15 gusht. Me këtë rast ai popullatën e Mitrovicës dhe
pjesëmarrësit nga fshatrat dhe qytetet tjera i quan pa të drejtë serb. Pas
hyrjes së tij në kishë, ai e përmend kryqin dhe ikonën brenda kishës, ndërsa në
dhomën tjetër që ai e quan dhoma e grave, ai e vëren një statujë të punuar prej
mermerit të bardhë, që përfaqëson Shën Mërinë ulur në fron duke e mbajtur Jezu
Krishtin. Todor Stankoviqi duke e parë këtë statujë femre në kishën e Boletinit,
në përshkrimin e tij e quan këtë kishë për herë të parë si Manastir. Sipas
burimeve është vërtetuar se skulpturat kryesisht janë gjetur në kisha katolike
(Shih Fig.4, teksti në gjuhën serbe).
Fig. 4.
Dëshmia kur Todor Stankovic e viziton kishën në Boletin, dhe për herë të parë e
quan manastir
Në manastirin e Sokolicës është një skulpturë e punuar
prej mermerit të bardhë ku paraqitet Shën Mëria në një ulëse duke e mbajtur
Jezu Krishtin në prehër. Në literaturën serbe thuhet se kjo skulpturë në
Boletin është sjellë prej manastirit të Banjskës, kinse për ta ruajtur prej
ushtrisë turke. Kjo nuk mund të jetë e vërtet kur pikërisht në këtë kishë
shekuj me radhë ishte bërë traditë të kremtohej festa e Zonjës së Bekuar me 15
gusht nga popullata shqiptare katolike e rajonit të Shalës me rrethinë.
Madhësia e kësaj skulpture është 106x67,50 cm, mendoj se kjo skulpturë është
punuar në mesjetën e hershme.
Festa e të Ngriturit të Shën Mërisë në Qiell, është festë
që i kushtohet nënës së Jezu Krishtit. Kjo festë kremtohet çdo vit më 15 gusht.
Kjo festë është pajtore e Kishës së Zojes Cërnagore, përkatësisht Zojës së
Letnicës, apo Zoja e Karadakut të Shkupit, që Karadak njihet territori Viti –
Gjilan – Preshevë – Kumanovë – Shkup – Kaçanik - Viti. Po është pajtore e
Famullisë së Të Ngriturit të shën Mërisë në Qiell, që kremtohet edhe në Zym, që
në ato anë njihet si Zoja e Hasit, Kisha e Zojes së Berishës në Dobërdol të
Klinës, Zoja e Grudës në Malësi të Madhe, etj.
Këtë festë e kremtojnë edhe ortodokset, por 13 ditë më
vonë, pra pikërisht më 28 gusht. Nga kjo del se kremtimi i festës së Shën
Mërisë në Boletin, që festohet më 15 gusht, është dëshmi se kjo kishë ishte e
besimit katolik e që ishte përvetësuar nga ortodoksët sllav.
Në anën tjetër, do theksuar se këtë festë e kremtojnë
edhe ortodokset, por 13 ditë më vonë, pra pikërisht më 28 gusht,por që kremtja
e festës së Shën Mërisë në Boletin, edhe sot vazhdon të festohet më 15 gusht,
pra dëshmon se kjo kishë ishte e besimit katolik, por që është përvetësuar nga
pushteti serb pas pushtimit të Kosovës.
T. Stankoviq shkruan se kisha në Boletin shtrihej në mes
të fshatrave me popullatë shqiptare dhe do të ishte e dhimbshme të shkatërrohej
nga çdo sulm i mundshëm dhe nga vizitorët e shumtë, por ajo ishte e mbrojtur
prej vëllezërve Ahmet dhe Isa Boletini. Shqiptarët nga fshati Boletin e ruanin
Isa Boletinin, kishën dhe pronat e tij, ku shtëpia e parë e tij ishte 800 m
larg kishës, ndërsa shtëpia e dytë 100 m. (Shih: Fig. 5 teksti në gjuhën serbe).
Nga kjo e dhënë kuptojmë se deri në atë kohë kjo kishë ishte në mbrojtje të
familjes Boletini.
Fig. 5.
Dëshmia se shqiptarët nga Boletini e ruanin kishën e tyre.
Bazuar në të dhënat e cekura më lartë mund të pohojmë se
kisha në fshatin Boletin ishte e familjes Boletini dhe kishë e ritit katolik.
Të dhënat materiale dhe burimet historike për territorin
e sotëm të Kosovës dhe më gjerë, ku jetonte popullata autoktone shqiptare,
dëshmojnë bindshëm se popullata shqiptare që nga ndarja e kishës, përkatësisht
nga viti 1054, i kishte përqafuar të dy konfeksionet, atë ortodokse dhe atë katolike,si
dhe kishte bashkëjetuar me to deri në shekullin XIX-XX, kur besimtarët e besimit
ortodoks, nën ndikimin e propagandës së Patriarkalës së Stambollit,
përfundimisht u asimiluan në shekullin XIX.
Duhet të theksojmë se për Kishën në Boletin, madje edhe
në literaturën dhe në burimet serbe, vetë autorët serb dëshmojnë se ky objekt i
kultit vetëm duke filluar nga viti 1956 është quajtur zyrtarisht “Manastir i Grave”.