E diele, 28.04.2024, 01:11 AM (GMT+1)

Mendime

Pas intervistës në gazetën ''Lajm'' ish truproja e parë e Ibrahim Rugovës Elez Nikçi kërcënohet me vrasje!!!

E enjte, 06.11.2008, 01:48 PM


PAS INTERVISTËS NË GAZETËN "LAJM" ISH TRUPROJA E PARË E IBRAHIM RUGOVËS ELEZ NIKÇI KËRCONOHET ME VRASJE !! Gazeta "LAJM"

Ultra Exclusive

Ish- truproja e parë e Presidentit Rugova, Elez Nikçi, flet për herë të parë për një gazetë shqiptare (1)

Të panjohurat nga jeta afër Rugovës

Elez Nikçi, ish- truproja e parë i ish- Presidentit Ibrahim Rugova, shpjegon pse policia ka marrë nën kontroll ish- Rezidencën në Velani, pjesëtarët e së cilës ende e ruajnë atë. Shpalos të vërtetën pse kurrë nuk janë zyrtarizuar dhe nuk janë trajnuar zyrtarisht si truproje të Presidentit dhe përse fajin për këtë nuk e ka pasur vetëm Shtylla I e UNMIK-ut, por edhe njerëz brenda Presidencës. Ai tregon me dhimbje që familja Rugova po keqpërdoret nga njerëz që kanë përfituar në emër të saj. Pse nuk është zbardhur dosja në polici mbi hetimet rreth sulmeve mbi Nikçin dhe eskortën e Presidentit? Cilat janë lidhjet e Ukë Rugovës me Ramë Marajn dhe cilat janë aferat e njerëzve të Presidencës dhe postet e tyre?

Intervistoi : SERBEZE HAXHIAJ

Prishtinë, 14 mars - Është përshkruar si person i rrezikshëm, VIP dhe kriminel, që kontrollon biznese, madje edhe dhunues, por pa iu argumentuar ndonjëherë këto. Ka qenë njeriu ndër më të afërmit të ish- presidentit Ibrahim Rugova, që nuk ka bërë vetëm punën e sigurimit të tij personal.
Tani kur merr rrogën e buxhetit, ende pa status të zgjidhur, duke jetuar ende nën kërcënime dhe shantazhe, kur është përcaktuar t’i kthet përfundiomisht profesionit të tij të artistit si profesor baleti, Elez Nikçi ka çfarë të thotë për punën e tij në sigurimin e ish-presidentit Rugova. Ai ka shpjeguar për “Lajm” prapaskenat dhe detyrat e tij private dhe zyrtare...
Flet me admirim për familjen e presidentit, veçanërisht për anën e dhimbshme të mbylljes së tyre, njerëzit që kanë qenë hija e keqe e presidencës dhe ata që kanë keqpërdorur besimin e presidentit dhe familjes së tij. Shpalos diçka nga mjegulla që është krijuar rreth lidhjeve të Rugovës dhe njerëzve që sot kanë dosje në polici, gjykata dhe në Grupin e Krizave.
Nikçi pranon se pak mjegull në gjithë këtë ka lënë edhe heshtja e Presidencës.
“Ndonëse kam qenë në shërbim të njeriut të parë të shtetit, kemi qenë të trajtuar si njerëz privatë. Kjo për fajin e UNMIK-ut. Qysh kur më ka sjellë Adnan Merovci në vendin e tij, ne kemi pasur telashe të mëdha”.
Vite më vonë ai thotë se ka mësuar se pas luftës ka qenë 24 orë i përcjellë prej shërbimeve të ndryshme.
“Kur kanë dalë prej rrjeteve, ata njerëz të këtyre shërbimeve më kanë treguar se për çfarë më kanë përcjellë. Në vendet e tjera edhe kur dalin rekrutët nga shërbimet, e ruajnë sekretin, këtu ndodh e kundërta. Kanë qenë edhe njerëz të SHIK-ut, edhe të Sigurimit të Atdheut, por edhe të tjera”.
Në fillim, ai thotë se kishte problem me afrimin e njërëzve që do të ruanin kryetarin. Askush nuk vinte, kishin frikë.

“Rugova kritikohej politikisht me arsyen se ka kundërshtuar luftën. Unë s’jam ai që duhet të flas për këtë, por Rugova ka lënë dëshmi që do të dalin se sa ai ka ndihmuar luftën dhe oragnizimin e saj”.
Nikçi shpejgon se ka qenë shumë e rëndë kur njerëzit ia kanë kthyer shpinën nga frika. Ata që ishin treguar të gatshëm të ruajnë Rugovën ishin vëllezërit Geci nga Llausha e Skenderajt.
“Halil Geci na tha sa njerëz ju duhen, unë ua sjell. Ai e solli një vëlla të tyre dhe tre djem të tjerë, ish- ushtarë të UÇK-së. Unë isha njohur më herët me familjen e presidentit pasi ishim edhe të një gjaku. Pastaj unë kisha punuar në zyrën e Lidhjes së Shkrimtarëve.
Prej këtu kishte filluar koha e vështirë për mua”.
Zbehet kur flet për shantazhet dhe të këqijat që ka përjetuar ai dhe familja e tij pas vitit 2000, kur kishte marrë rolin e truprojës së parë.
“Shantazhet kanë filluar që nga dita e parë që kur unë jam infiltruar në sigurimin e presidentit. Ma kanë plagosur gruan më 17 tetor 2000. Ky rast nuk është zbardhur kurrë, sikurse edhe rastet e tjera. Pastaj m’i kanë keqtrajtuar fëmijët. Gjithçka është bërë me qëllim që të më largojnë dhe të mos e ruaj kryetarin”.
Pjesë e kësaj, sipas tij, janë edhe lidhjet me Xhavit Halitin.
“Unë e kam njohur Xhavit Halitin prej viteve të hershme, ka qenë mik imi. Kam shkuar në pushim me të. Kur ka qenë ai në lëvizjen popullore, unë kam ndarë para prej xhepit për lëvizjen. Megjithatë, parimi partiak na ka ndarë pak. Ka ndodhur që fotot e mia me Xhavitin ia kanë dërguar Presidentit, duke i thënë shikoje Elezi çka bën. Por, Presidentit nuk i ka bërë përshtypje kjo”.
Ai tregon se pas vrasjes së Xhemail Mustafës, policia e UNMIK-ut i kishte ofruar sigurim kryetarit të LDK-së.
“Rugova e kishte refuzuar për të vetmen arsye se neve na donte më tepër dhe ndihej më rehat me ne. Ata e respektuan vendimin e tij”.
Megjithatë, as pas zgjedhjes President situata nuk kishte ndryshuar. Fajtor pse nuk kishte mundur të jetë kurrë person zyrtarisht në punën e sigurimit të Rugovës thotë se kanë qenë Shtylla I e UNMIK-ut, por edhe njerëz brenda Presidencës.
“E kemi pa gazepin. Kur vinte çështja e armës me leje, neve na i jepnin për tre muaj, kurse dy muaj me herët duhej të lajmëroheshim për të zgjatur afatin.
UNMIK-u zvarriste çështjen e zyrtarizimit tonë. Megjithëse ne privatisht vazhdonim të trajnoheshim. Shkollimi përmes OSBE-së në Vushtrri, në këtë rast nuk mund të realizohej. Vinte në pyetje aspekti politik, e në këtë rast kjo s’mund të ndodhte, sepse Presidenti nuk kishte këshilltar për siguri”.
Ai mohon që Ramë Maraj të ketë qenë këshilltar i presidentit për siguri, thirrjen e tij publike në këtë post ai e quan keqpërdorim.
“Maraj nuk ka qenë kurrë këshilltar i presidentit për siguri. Presidenti ka pasur 5 këshilltarë. Maraj mund të jetë thirrur dhe të ketë bërë kartëvizita krye në vete, por zyrtarisht nuk e ka pasur kurrë këtë rol”.
Numëron 5 këshilltarë dhe thotë se ndoshta Rugova tërthorazi e ka ditur edhe për thirrjen e Marajt.
“Presidenti nuk është marrë me këtë, por me gjëra më të mëdha”.
Pranon se nuk ka qenë personi përgjegjës vetëm për siguri, por edhe si njeriu që është marrë edhe me kundërzbulim.
“Jam marrë edhe me preventiva, është dashur të pengoj të mos ndodhin disa gjëra. Më kanë sulmuar për shkak se i kam penguar të realizojnë qëllimet e tyre....”.
Megjithatë, pranon se ka pasur gjëra që i kanë rrëshqitur nga dora...
“Nuk kam pas forcë logjistike të di paraprakisht për ato gjëra çfarë po ndodhnin. Nuk kam qenë instrument institucional, për këtë kanë ndodhur shumë gjëra negative. Po të isha instrumnet institucional, unë i kisha arrestuar.
Nuk kam mundur ta ndal asnjë njëri t’i them çfarë po do. Unë nuk kam pasur lidhshmëri me policinë, nuk kam mundur të hyj në radiolidhje për të kërkuar ndihmën ose që thjesht policia të zërë kryqet”.
Ende është e paqartë për Nikçin pse kur në fund Shtylla I e UNMIK-ut dha pëlqimin për trajnimin dhe zyrtarizmin e pjesëtarëve të sigurimit dhe kur ai kishte përgatitur edhe vënien e antenave në Golesh dhe vende të tjera, njeriu që thirrej si shefi i sigurimit të Presidencës, Qefser Baholli, e kishte anuluar këtë.
“Nuk e di pse Baholli e ka bërë këtë. Nuk e di pse ai ende e ka zyrën në Velani dhe në emër të kujt thirret kur largon njerëz nga puna. Ai nuk ka qenë kurrë shef i sigurimit të Presidencës”.
Thotë se Sheremet Ahmeti kurrë nuk e ka thirrur për asgjë.
“Kjo ka qenë papërgjegjësi totale e Ahmetit. Unë e shoh si anë negative këtë veprim të tij. Pastaj komunikata e zëdhnësit mbi tentimatentatin në presidentin ka qenë skandaloze”.
Për herë të parë Nikçi dëshiron të zbardhë misterin e marrjes nën kontroll të Presidencës nga policia në mars të vitit të kaluar.

Në numrin e nesërm:

* Kush e solli Mujë Ukën në Presidencë dhe pse nuk kallëzon ai sesi u paguan nga 300 mijë euro 6 vetura të blinduara, që kushtonin nga 100 mijë euro, dhe përse 2 nga to kurrë nuk arritën në Presidencë?
* Përse nuk u kthye kurrë vetura e presidentit mbi të cilën ra mjeti shpërthyes më 15 mars 2005?
* Pse u suspendua polici amerikan David Wens dhe dy policë të SHPK-së që zbardhën rastin e tentimatentatit?
* Pse e izoluan familjen e Rugovës?
* Pse vihet në lidhje me Ramë Marajn Ukë Rugova dhe pse sipas Nikçit familja Rugova i ngjan asaj Jashari për nga persekutimi e sakrifica?

SQARIM I REDAKSISË SË GAZTËS "LAJM"

Pse nuk botohet vazhdimi i dytë i intervistës së paralajmëruar me Elez Nikçin?

Me kërkesën decidive të Elez Nikçit, vazhdimi i dytë i intervistës së tij dhënë gazetës “Lajm” u tërhoq nga botimi me arsyetimin se atë dhe familjen e tij kjo do ta rrezikonte me jetë. Kërkojmë ndjesë nga lexuesit dhe keqardhje për Nikçin.


PAS INTERVISTËS NË GAZETËN "LAJM" ISH TRUPROJA E PARË E IBRAHIM RUGOVËS ELEZ NIKÇI KËRCONOHET ME VRASJE !! Gazeta "LAJM" (info@besiana.de | 16 Mar. 2006 15:26)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora