E shtune, 27.04.2024, 07:36 PM (GMT+1)

Mendime

Thanas Gjika - Mendime për librin e dytë të Mërgim Korçës

E diele, 02.11.2008, 06:26 PM


Thanas Gjika

POLITIKANËT DHE HISTORIANËT DUHET TË JENË ATDHETARË DHE TË MORALSHËM

Mendime për librin e dytë të Mërgim Korçës

Autori i dy përmbledhjeve me shkrime analitike Histori të Pashkruara (2005) dhe Hedhje Drite Rreth Shtrembërimesh Historike (2008) është ingjinieri mekanik i talentuar Mërgim Korça, djali i atdhetarit të pavlerësuar ende Dr. Xhevat Korçës, luftëtar i çetave te Rilindjes, themelues i gjimnazit shtetëror të Shkodrës dhe Ministër i Arsimit në Qeverinë Merlika.

Mërgim Korça është një rast i rallë midis intelektualëve shqiptarë të mbas Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse ishte bir i një të dënuari si armik i popullit, i cili i pati dhënë fund jetës burrërisht në grevë urie në burgun e Burrelit; dhe vëlla i një të arratisuri (Genci ishte arratisur ne vitet ‘50-te dhe ishte vendosur në SHBA), Mërgimi arriti jo vetëm të mbijetonte, por dhe t’i imponohej qeverisë diktatoriale. Këtë sukses ai e ariti përmes punës së tij këmbëngulëse për projektime e zbatime projektesh origjinale për makineri bujqësore, në të cilat spikaste talenti i tij prej projektuesi e konstruktori mekanik. Për shkak të biografisë së tij, Mërgimit nuk i u dha e drejta të punonte në institucionet qendrore të mekanikës në Tiranë, as iu dhanë tituj e grada shkencore. Mirëpo, për rezultatet dobiprurëse të punës së tij, iu akordua titulli i lartë shkencor Punonjës i Shquar i Shkencës dhe i Teknikës, me urdhër të Enver Hoxhës, i cili në këtë rast e shkeli parimin e luftës së klasave i detyruar nga nevojat e mëdha që kishte bujqësia për mekanikën bujqësore. Ky titull nuk shoqërohej me rritje rroge a privilegje të tjera. Në gusht të vitit 1990 Mërgimi me gruan dhe vajzën u detyruan të shpërnguleshin në SHBA pranë Gencit në Detroit MI, ku mundën të ingranohen në jetën e këtij atdheu të ri.

Jetën nën diktaturë, Mërgimi e jetoi nën shpatën e Demokleut, si bir i një familjeje të dënuar e persekutuar prej regjimit komunist. Ai u muar me punën e tij si teknik e ingjinier mekanik, duke e treguar me punë të ndershme origjinën patriotike e intelektuale të familjes dhe jo me fjalë mburacake. Mërgimi punoi me gjithë forcat e veta mendore e fizike, natyrisht jo për forcimin e diktaturës, por sepse ishte edukuar në familje të punonte me përgjegjësi e ndershmëri dhe sepse e ndjente se vetëm duke arritur që të ishte shumë i nevojshëm, mund të mbijetonte.

Duke shfrytëzuar mundësitë e shumta që i dha jeta amerikane, ai, krahas punës për të jetuar filloi të hartonte e botonte shkrime të ndryshme për të shprehur idetë dhe vlerësimet e veta për jetën shqiptare që nga vitet e Luftës së Dytë Botërore deri sot. Si qytetar me ndërgjegje të lartë ai ka bërë objekt kryesor të shkrimeve të veta: krimet që ka bërë kupola komuniste e Shqipërisë, shtrembërimet e historiografisë sonë të indoktrinuar, demaskimin e qëndrimeve të ngurosura jo evoluese të ish pushtetarëve komunistë mbas 1991-it, si dhe suksese të jetës shqiptare mbas 1991-shit në fusha të ndryshme të kulturës, artit, letëtsisë etj, . Qytetaria e guximshme e Mërgimit nuk është një tipar i ri i shfaqur në vitet e mbasdiktaturës, si mund të mendohet për disa prej nesh që kemi filluar të shprehemi kundër bëmave të diktaturës vetëm në kohën e pluralizmit.

Përgjigja që z. Korça i dha këto ditë në forumet mediatike z-njës Nexhmie Hoxha, ku ai ia kujton përmbajtjen e letrës falenderuese që u detyrua t’i shkruante ai me gruan e tij shokut Enver më 1981, duke ia përmendur me nëntekst përgjegjësinë e torturave që i pati bërë të ndjerit S. Selfo (babait e vjehrrit të tyre), është dëshmi që tregon guximin e bashkëshortëve Korça që në vitet kur lulëzonte diktatura. Ky guxim i tyre e ka pasur burimin tek dy faktorë: së pari në njohja e së vërtetës mbi krimin dhe mosmirënjohjen e diktatorit Hoxha ndaj babait të tyre; dhe së dyti tek ndershmëria e tyre e cila nuk i lejonte të shkruanin një letër falenderuese hipokrite.

Mërgimin e ka revoltuar dhe vijon ta revoltojë fakti se mbas shkërmoqjes së diktaturës, shkenca zyrtare shqiptare nuk ka bërë aq sa duhet për të rivlerësuar drejt shumë ngjarje e persona të shquar të kulturës, letërsisë dhe politikës shqiptare mbi të cilët gjatë viteve 1944-90 u hodh vetëm baltë e u dhanë dënime të padrejta.

Ky autor bie në sy për njohuri enciklopedike, punë prej studiuesi sistematik, kujtesë te vecantë, guxim, etj; veti që i ka vënë shumë mirë në dukje dhe hartuesi i parathënies së librit të dytë, prof. Ardian Ndreca.

Po e themi që në fillim se ky autor me shkrimet e tij ka kontribuar ndjeshëm në shkundjen e historiografisë sonë prej skemave të politizuara nga ideologjia marksiste leniniste. Përmes analizave të fakteve jashtë ideologjisë partjake, me arsyetime logjike të pakundërshtueshme, studiuesi Korça ka arritur tek disa të vërteta historike, tek të cilat shkenca zyrtare nuk ka mbritur akoma.

Shkrimet e hartuara gjatë viteve ’90-të deri më 2005, ku autori vlerëson Patër Anton Harapin, Baba Rexhebin, Nënë Terezën, Patër Gjergj Fishtën, Mustafa Merlika Krujën, Qazim Koculin, etj, i mblodhi në librin e parë, kurse shkrimet e këtyre viteve të fundit i mblodhi në vëllimin e dytë për të cilin po ndalemi posacërisht.

Nisur nga fakti se udhëheqja e PS nuk po jepte rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2005, por po përpiqej të mashtronte duke synuar të shpallte një rezultat 50 me 50 për qind, analisti Korça tregon mungesën e moralit të komunistëve shqiptarë dhe pasuesve të tyre, kësaj radhe duke sjellë disa kujtime të veta të gjashtëdhjet viteve më parë, nga votimet tragjikomike të 2 dhjetorit 1945.

Që herët në mëngjez të asaj dite, në Tiranë si në tërë Shqipërinë, daullet dhe gajdet filluan të buçisnin për të krijuar atmosferën e fitores së zgjedhjeve edhe pse ato nuk kishin filluar dhe rezultatet nuk dihej si do të delnin. Mirëpo rezultatet e zgjedhjeve ishin paravendosur prej udhëheqjes së partisë: fitore 99 % për kandidatët e Frontit Demokratik. Në shtëpinë e Mërgimit shkuan nga ora 9 e mëngjezit kaçatorët dhe i thirrën nënës së tij të shkonte sa më parë se zgjedhjet po mbaronin. Gruaja e Xhevat Korçës dhe nëna e Gencit, të cilët i kishte burgosur pushteti i ri që në nëntor 1944, nuk e lëshoi sferën e votimit tek kutia e Frontit që ishte e mbështjellë me kadife jashtë e brenda, por tek kutia tjetër prej kompesatoje, e pambështjella. Sfera bëri zhurmë tuk-tuk-tuk derisa zuri vend. U kuptua se ajo votoi kundra…

Mbas disa orësh, tek kjo pikë votimi kishte shkuar shoku Bedri Spahiu dhe kishte thënë se këto mbrockulla (për sferat), nuk mund ta shprehin vullnetin e popullit. Sipas porosisë së tij, në mbrëmje në atë pikë votimi, si kudo në Shqipëri, sferat e të dy kutive ishin bashkuar në një për t’u numëruar si vota të Frontit, sepse rezultati i paracaktuar 99 % për Frontin nuk duhej të ndryshohej. Kështu mbyllet shkrimi i parë i librit duke theksuar se farsa e zgjedhjeve të vitit 2005 është fundi i atij fillimi të turpshëm të zgjedhjeve komuniste të dhjetorit 1945.

Duke marrë në analizë fjalët dhe sjelljet në parlament të disa personaliteteve socialistë ose socialdemokratë, z. Korça arrin në konkluzionin e pranueshëm se Skënder Gjinushi me shokë paskëshin qenë organizatorët e tragjedisë shqiptare të 1997-ës, përderisa ai thërret në parlament: … do të përsërisim ’97-ën në rast se PD-ja nuk tërhiqet nga pozicioni i saj! Pasi sqaron përkufizimin se c’është një socialist sipas filozofëve autoritarë, Mërgimi tregon se ndryshimi i emrit të partisë komuniste shqiptare nga PPSH në PSSH, ishte një veprim i padrejtë, jo ligjor, sepse dështimi i sistemit socialist si teori dhe praktikë e mbështetur në parime kundër normave dhe instikteve njerëzore, tregoi se kjo parti kishte dalë vetiu jashtë lojës politike. Me një fjalë PPSH-ja në vitin 1991 duhej nxjerrë jashtë ligjit, dhe nuk duhej të vijonte jetën politike duke ndërruar emrin në PS e duke mbajtur në gjirin e vet militantët e PKSH / PPSH-së, shumë prej të cilëve ishin përgjegjës për katastrofën shqiptare.

Një problem që ka shqetësuar jetën shqiptare paskomuniste është dhe problemi i evolucionit të ishkomunistëve. Gjatë viteve 1991-2008 vihet re se shumica e komunistëve që nuk u dënuan nga partia shtet gjatë viteve 1943-91 kanë bërë një evolucion të pakët përsa i përket ndërgjegjësimit të tyre lidhur me gabimet dhe krimet që u kryen gjatë vjetëve të diktaturës. Shumë komunistë të thjeshtë që mbajtën mbi shpatullat e tyre një peshë të rëndë të punës që kryhej në Shqipëri, mbasi kuptuan më tërësisht të vërtetën e bëmave të PKSH / PPSH i flakën teserat e PPSH-së dhe nuk pranuan të merrnin ato të PSSH-së. Midis tyre Mërgimi lavdëron mikun e tij, të ndjerin prof. Xhelo Murraj. Shumë anëtarë të PS, mbas leximit të disa librave e shikimit të disa filmave dokumentarë ku pasqyrohet jeta e dhunshme nën diktaturë, sot prononcohen hapur kundër tyre. Për fat të keq, shumë të tjerë ruajnë ende të njëjtat bindje si para 1990-ës, duke mos e kuptuar se detyra e cdo të gjalli është të evoluojë, sepse vetëm të vdekurit nuk evoluojnë.

Autori vlerëson me shumë respekt e dhimbje gjithë ata ish komunistë të përvojtur, që kanë evoluar dhe dijnë të tregojnë se idealet e tyre për liri e demokraci u shkelën dhe se lufta e tyre për të shporrur diktaturën nazifashiste shkoi dëm, mbasi udhëheqja e PKSH-së ndërtoi një diktaturë akoma më të egër. Në këto radhë ai veçon shokun e tij të fëmijërisë Skënder Bulkun dhe shokun e klasës së parë gjimnaz z. Bardhyl Belishova.

Mirëpo krahas rasteve të tilla, të cilat i përgëzon, Mërgimi shprehet plot zemërim kundër atyre kuadrove të lartë të PKSH / PPSH-së që nuk duan të reflektojnë për vuajtjet që i shkaktuan popullit. Z-nja Nexhmia Hoxha, është më kokëforta, ajo vijon të mashtrojë e të mbulojë të vërtetën, pa ndjerë asnjë përgjegjësi ndaj krimeve të kryera prej shtabit udhëheqës të partisë. Ajo nuk ka kurrajën t’i kërkojë të falur popullit, por ka guximin të vijojë mashtrimet e gënjeshtrat. Më 2004 ajo i kërkoi shoqes së saj të shkollës, z-njës Nermin Vlora Falaski për t’i bërë një vizitë në pallatet e Laprakës për t’i treguar se si jetonte në kushte të vështira e varfëri… Dhe Mërgimi që e dinte shumë mirë si z-nja Hoxha me bashkëshortin e saj ia persekutuan gjyshen dhe nënën Nerminit, pjesëtarë të familjes së Ismail Qemalit, shfryn me duf kundër hipokrizisë duke treguar sesi ai kishte parë në aeroportin e Milanos njërin nga nipat e z-njës Hoxha, të shoqëruar nga disa badiguardë, çka zbulon gjendjen e vërtetë ekonomike të klanit Hoxha…

Po kaq i madh është zëmërimi i autorit edhe ndaj z-njës Liri Belishova, e cila në një intevistë dhënë në shtyp dhe në një miting organizuar në QNK, u përpoq të bënte katarsën e vet duke kërkuar të falur duke pranuar disa nga krimet e bëra prej drejtuesve të diktaturës ku ajo bënte pjesë, duke justifikuar veten se nuk e njihte jetën, se nuk e dinte c’krime bëheshin në Bashkimin Sovjetik, se ai që rron në parajsë nuk di c’është ferri, se ishte e droguar prej propagandës komuniste, etj, etj.

Për t’iu përgjigjur z-njës Belishova, Mërgim Korça sjell rastin e Edipit mbret prej tragjedisë homonime të Sofokliut. Kur mësoi mbreti Edip se cfarë krimi kishte kryer, për t’ia shprehur popullit pendimin e vet, nxori sytë, braktisi kolltukun mbreror dhe u largua nga Teba për të jetuar në vende të tjera si lypsar i mjerë.

Bibël jepet gjithashtu një rast i pendimit të një djali plangprishës, i cili mbasi kërkoi t’i jepej pjesa e pasurisë që i takonte, u largua nga qyteti i vet dhe shkoi e prishi pasurinë në vende të largëta. Kur mbeti keq e mos më keq, u pendua për atë që kishte bërë dhe shkoi i ra në gjynjë babait të vet duke i thënë: mëkatova o atë, por të lutem më prano të jetoj e punoj si një shërbëtor i yt...

Mirëpo udhëheqja partiake e Shqipërisë, nuk e ka lexuar letërsinë klasike greke dhe as Biblën, prandaj këto raste pendese nuk i di dhe kur ia tregon nuk do që t’i marrë për modele katarse për veten e vet. As tani mbas 17 vjetësh, kur jo vetëm krimet e saj 46-vjecare janë bërë të njohura prej mbarë popullit, por edhe kur plani mashtrues i Ramiz Alisë për zbatimin e Katovicës në kushtet shqiptare është zbuluar dhe demaskuar keq nga vetë rezultatet si dhe nga shkrimet e analistëve si z. Eugjen Merlika me shokë.

Mërgim Korça ka pasur fatin të rritej duke dëgjuar prej babait, nënës e miqve të familjes, pranë vatrës ose në tavolinën e bukës, histori të shumta mbi veprimtarinë patriotike të babait të tij dhe të miqve të tij si Mustafa Merlika Kruja e Qazim Koculi me shokë. Për këtë arsye ai nuk mund ta lejojë më gjatë fajësimin e rëndë që i është bërë prej historiografisë marksiste qeverisë së Mustafa Merlika Krujës, si qeveri Kuislinge, qeveri kolaboracioniste e tradhëtare, etj, qeveri në të cilën Xhevat Korça kishte punuar me devocion si Ministër i Arsimit dhe luajti rol për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë e territoret e tjera shqiptare që iu bashkuan Shqipërisë etnike. Kjo qeveri e cila dallon dukshëm prej qeverive të tjera shqiptare që u krijuan gjatë pushtimit italo-gjerman, sipas Mërgimit duhet vlerësuar ndryshe, sepse ashtu e meriton.

Para disa vjetësh, drejtoresha e Institutit të Historisë së Shqipërisë, prof. Ana Lalaj, erdhi në SHBA dhe shpalli se historiografia e re shqiptare ka evoluar dhe ka botuar tekste të reja për Historinë e Shqipërisë. Mirëpo sqarimet e saj treguan se në këto tekste, patriotët si Mustafa Merlika Kruja, Lef Nosi, etj, vlerësohen për veprimtarinë e tyre të hershme patriotike, por kritikohen si kuislingë e kolaboracionistë të pushtuesit. Kjo deklaratë e prof. Lalaj dhe disa mendime të botuara në shtypin e Tiranës nga profesorë të tjerë, ku është shprehur hapur ideja se të gjithë qeveritarët e kohës së pushtimit fashist vijojnë të konsiderohen tradhëtarë, e revoltuan z. Korça dhe e detyruan t’i futej punës për të dhënë një shpjegim objektiv lidhur me vlerat e vërteta të Mustafa Merlika Krujës si patritot, pa u ndalur në vlerat e tij si gjuhëtar e aspekte të tjera, të cilat ia pranojnë sot si merita edhe historianët e Tiranës.

Përvec artikullit të botuar në librin e parë për vlerat e Mustafa Merlikës, në vëllimin e dytë z. Korça ka botuar disa shkrime për të dhënë interpretimin e vet për bashkëpunimin e Mustafa Merlikës me pushtuesin Italian. Këtu ky studiues arrin ta çlirojë historiografinë shqiptare nga tabuja, nga gogolët, e krijuar prej shkencës së ideologjizuar prej partisë shtet, e cila fjalët Kolaboracionist (bashkëpunëtor) dhe Kuisling i pati përdorur të ngjyrosura me cilësinë e tradhëtisë.

Çdo qeveri e politikan, ve në dukje z. Korça, ka për detyrë të kryejë në kushtet konkrete lidhje, kompromise e bashkëpunime me forca të ndryshme politike e qeveri shtetesh të tjera. Një qeveri quhet patriotike në rast se në rrethanat kur ajo sundon, arrin të krijojë lidhje, bashkëpunim e kompromise që japin rezultate positive në zhvillimin e vendit të vet.

Përmes analizës së shumë të dhënave të mbledhura me kujdes në letërkëmbimin 11-vjeçar të Mustafa Merlikës me Patër Paulin Margjokaj (botuar si libër më vete tani vonë) dhe përqasjes së shumë koncepteve politike, z. Korça sqaron se qeveria Merlika nuk ishte aspak një qeveri tradhëtare që luajti me kartën e patriotizmit, por ishte realisht një qeveri patriotike që në kushtet e pushtimit Italian dha rezultate positive për jetën e popullit shqiptar. Krahasuar me qeveritë e tjera evropiane të quajtura Kuislinge, qeveria Merlika, thekson autori, dallon prej tyre në shumë aspekte:

Për herë të parë në historinë e Shqipërisë qeveria Merlika, duke krijuar Shqipërinë etnike, zgjidhi problemin kombëtar që kishte mbetur i pazgjidhur që nga ndarja e kufijve të 1913-ës;

Nuk i dorëzoi judenjtë (cifutët) e territorit të vet tek forcat naziste, por i shpëtoi ata duke i pajisur me pashaporta shqiptare, fakt për të cilin historia dhe enciklopedia e popullit jude e ka përmendur Mustafa Merlika Krujën;

Sipas kushteve që vuri Xh. Korça për të pranuar të bëhej ministër i saj, kjo qeveri hoqi mësimin e italishtesh nga shkollat fillore dhe detyroi qeverinë italiane të lironte nga internimi në Ventotene të gjithë arsimtarët patriotë shqiptarë si Safet Butka me shokë.

Hoqi sëpatat e Liktorit dhe shënjën e familjes Savoja nga flamuri kombëtar shqiptar;

Mustafa Merlika e kishte kundërshtuar propozimin e qeverisë italiane për bashkimin e Shqipërisë me mbretërinë italiane që para se të pushtohej Shqipëria;

Mustafa Merlika zbulohet prej autorit të librit, përmes shumë faktesh si NJERI me moral të lartë e botëkuptim patriotik par exellance, që kishte mbajtur qendrim objektiv si ndaj miqve dhe armiqve të vet, etj.

Kështu analisti Korça sqaron se qeverinë Merlika e quajtën qeveri kuislinge e tradhëtare tutorët e PKSH-së, udhëheqësit e PK Jugosllave, të cilët e patën atë halë në sy derisa e shkatërruan, mbasi ajo i shkëputi Jugosllavisë Kosovën dhe territoret e tjera shqiptare të marra padrejtësisht më 1913...

Lexuesi e kupton se bashkëpunimi i qeverisë Merlika me Italinë fashiste në vitet 1941-42, kishte qenë më largpamës, më frutdhënës e më patriotik sesa bashkëpunimi (kolaboracionizmi) i qeverisë së Enver Hoxhës me Jugosllavinë komuniste në vitet 1944-48, kur për qejf të druzhe Titos u shkatërrua Shqipëria etnike, u ndalua vepra e poetit kombëtar At Gjergj Fishta, u burgosën e u pushkatuan patriotët shqiptarë dhe klerikët që kishin luftuar shovinizmin sërbomadh, etj.

Libri i dytë i z. Korça ka dhe shumë artikuj e analiza të tjera me vlera të shumta shkencore, analitike, letrare, politike, morale, etj. Prej tyre dua të ve në dukje analizën që studjuesi i ka bërë kapitullit më të përfolur të Kanunit të Maleve, atij të Gjakmarrjes. Analiza është krejt e veçantë sepse lexuesit autori i ve integralisht nenin që trajton dhe pastaj interpretimin sipas tij. Kështu analiza e z. Korça të detyron të largohesh nga vija e fëlliqur e trajtimit të Kanunit sipas udhëzimeve të PPSh-së, e cila Kanunin e quante turpin e kombit tonë, dhe të krenohesh se je shqiptar, trashëgimtar i popullit që në kushtet e mospasjes qeveri, ishte qeverisur për qindra e mijra vjet me Kanunin e vet si tërësi ligjesh e kodesh, duke ruajtur qetësinë, regullin e moralin.

Po ashtu nuk dua t’i mbyll vlerësimet e mia për këtë vëllim pa përmendur dhe kritikën që autori u ka bërë drejtuesve të Teatrit të Operas dhe Baletit për sopranon shqiptare Ermonela Jaho. Me një kompetencë profesionale, që dëshmon kulturën e tij të gjerë, kësaj radhe në fushën e kritikës muzikore, të muzikës lirike, autori ve në dukje vlerat e kësaj këngëtareje edhe parashikon me bindje se ajo do të jetë një Maria Callas e Shqipërisë. E këtë po e vërtetojnë tashmë sukseset e saj në skena nga më prestigjozet e botës, ku me ç’rast z. Korça e pati quajtur këtë soprano Ambasadore të Shqipërisë në botë.

Për nivelin e lartë të të shkruarit, për vlerat e shumanshme që kanë shkrimet e z. Mërgim Korça, për kthjelltësinë e të arsyetuarit, etj ua rekomandojmë si punë me shumë vlera shtëpive botuese, fondacioneve, si dhe Ministrisë së Arsimit, që të nxitin dhe ndihmojnë autorin të realizojë së shpejti botimin në mijra kopje të një përmbledhjeje me shkrimet më problemore të botuara gjatë këtyre 18 vjetëve si dhe kujtimet e tij, të cilat ka filluar t’i hartojë.

Prof. asc. Thanas L. Gjika.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora