Mendime
Këze (Kozeta) Zylo: Gjuha shqipe është ashti i identitetit tonë në Diasporë dhe kudo
E diele, 26.10.2008, 11:08 AM
Gjuha shqipe është ashti i identitetit tonë në Diasporë dhe kudo
Këze (Kozeta) Zylo
Nga Këze (Kozeta) Zylo
Problemi i hapjes së shkollave shqipe në emigrim, gjithmonë më ka shqetësuar, më ka ngacmuar shpirtin, s’me ka lene te qete, sepse gjuha shqipe është ashti i identitetit tonë.
Menjëherë pas rënies së diktaturës, ikja kuturu e shumicës së njerëzve, vetëm e vetëm t’i shpëtonin “ishullit më të bukur” në botë, bëri që Shqipëria të digjte se brendshmi veten, dhe vatra e saj të ngelej me ndonje thëngjill tek tuk të ndezur.
E thënë shkurt hemorragjia e trurit në mëmëdheun tonë të shumëvuajtur, ka lënë pasoja gati-gati të pakurueshme, ndoshta do t’i duhen dekada të tëra për ta ndaluar këtë hemorragji!
Theksoj se dhe pse kjo inteligjencë e mërguar ndodhet si zogjtë e korbit e shpërndarë në të gjithë botën deri dhe në Honolulu, ka mjaft intelektuale qe nuk e kanë gjetur veten të integruar me dinjitet dhe me kulturë në vendet ku ata kanë emigruar. Kjo për arsye të ndryshme: që nga më madhoret dhe deri me bajatet, i ka lënë shpesh këta inetelektualë në një mjerim gërryes shpirtëror. E them këtë, pasi nga biseda të ndryshme dhe leximet e përditshme të gazetave, vë re që problemet që trajtohen rreth emigrantëve më së shumti janë dëshpëruese, vecanërisht në Europë, pasi atje nuk gëzojnë të njëjtin status që mund të gëzojnë emigrantët e Amerikës, fal kushtetutës së saj si një nga kushetutat më demokratike në botë.
Lind pyetja se duke pare këtë dëshpërim të intelektualëve të emigruar, vecanerisht ata të moshës së mesme, a mundet të kenë një muzë, një shpërthim për grupime dhe lobe të fuqishme shqiptarësh, për të trajtuar problemin akut, sic është trajtimi i gjuhës shqipe në Diasporë?
Pohoj se hapja e shkollave shqipe të përfshira në strutkturat shtetërore të shkollave publike, dmth brenda programit të tyre, deri tani nuk rezulton, në këtë rast po flas për Amerikën, pasi këtu punoj dhe jetoj më shumë se një dekadë.
E gjithë kjo bën që ne akoma nuk kemi kulturën e bashkimit, por si individë mund të kemi ecur në disa aspekte të jetës, sidomos në biznese restorantesh, apo në kompani ndërtimi dhe pastrimi.
Individët veç e veç nuk mund të sjellin ndonjë dobi për Kombin, shumë-shumë mund të sjellin ndonjë punësim në pagesën më minimale të ndonjë emigranti, ose të shkruhet ndonjë artikull rëndom për bizneset e tyre.
Mirëpo, ku është gjuha shqipe, ku është institucionalizimi i saj në Diasporë, a kanë nevojë fëmijët e emigrantëve që ta mësojnë nëpër shkolla gjuhën e ëmbël shqipe?
Kurrë një popull nuk mbijeton në rast se humbet gjuhën e tij, por kjo mund të ndodh në rast se ne vazhdojmë ta lëmë në harresë këtë problem aq delikat për Kombin tone!
Domosdoshmëria e shkollave shqipe në Diasporë
Fluksi i madh i emigrantëve shqiptarë në Amerikë, vecanërisht ata me lloto dhe me azil përbëjnë shumicën më të madhe të Diasporës.
Emigracioni i tyre pas viteve 90-te në vendin më demokratik të botës, prurje që po afron gati dy dekada nuk duket se është bërë përpjekje serioze, për të hapur ndonjë shkollë shqipe ku të paktën të jetë deri në programin e fillores, nga klasa e parë deri në të katërt!
Në fakt nuk bëhet fjalë as për ndonjë kopsht, edukim parashkollor për të mësuar fëmijët e emigrantëve që lindin dhe rriten këtu, ose për ata fëmijë që i kanë lënë përgjysmë shkollat në Shqipëri.
Përpjekjet e disa intelektualëve apasionatë për gjuhën shqipe kanë arritur shumë-shumë vetëm në kurse gjuhësore, ose në programe që mësojnë në fund të javës, kur nxënësit kanë nevojë që të pushojnë dhe të bëjnë detyrat për ditët e ardhshme.
Këto stërmundime të këtyre mësuesve dhe patriotëve duhen falënderuar, por gjithesesi këto ngelen sporadike pasi nuk janë në programin bazë të shkollave publike, nuk janë të përfshira brenda studimit të programuar shtetëror, ne vendet ku ata kane emigruar.
Këtu në Amerikë janë disa komunitete që kanë shkollat e tyre, si shkollat ruse, kineze, hebrej, latine, me këmbënguljen e punës së tyre ata kanë arritur që t’i cojnë fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën e vendeve nga kanë ardhur të parët e tyre dhe kështu bën që prindërit t’i ndjejnë më mirë frytet e punës.
Nuk ka më kenaqesi më thoshte një mikja ime me origjinë nga Ukraina, kur vajza ime 7 vjece komunikon me gjyshërit në Odesa të Ukrainës fare lirshëm dhe pse ajo është lindur dhe po rritet këtu, pasi ata kane hapur kopshte, shkolla ku mësojnë dhe flasin rusisht brenda programit arsimor shtetëror në Amerikë.
Por në këtë aspekt nuk është vetëm se vajza ukrainase po komunikon lirshëm me gjyshërit e saj, por ajo që do të theksoja është se fëmijët e tyre me origjine ruse nuk po humbasin identitetin, ata e kanë krenari të thonë që në dimë të flasim dhe gjuhën e të parëve tanë, dhe ta ruajmë atë me fanatizëm dhe pse jetojmë dhe punojmë këtu në Amerikë.
Mikja ime i çon femijët e saj në shkollë ruse, ku edukimin e tyre e marrin në gjuhën përkatëse.
Po ne si Diasporë c’duhet të bëjmë?
Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë për hapje shkollash shqip, vecanërisht në vendet ku ka më shumë emigrantë të grumbulluar. P.sh. këtu në New York ka një numër të konsiderueshëm emigrantësh që punojnë dhe jetojnë me dekada të tëra.
Gjithashtu ndodhet dhe nje numer arsimtarësh të diplomuar për mësuesi dhe në lëndën e gjuhës shqipe, cka do ta bënte dhe më të lehtë përzgjedhjen e mësuesve për të ushtruar këtë profesion, që bëhet dhe më fisnik jashtë Mëmëdheut tonë të shumëvuajtur. Por këto projekte nuk janë të lehta, ato duan punë, këmbëngulje, durim dhe një njohje të thellë të ligjeve në arsim, në shtetin ku jeton. Projekti kërkon në radhë të parë të miratohet si projekt nga një komision i posaçëm nismëtar me njerëz që janë integruar me dinjitet e kulturë në vendet ku jetojnë dhe pastaj të kërkohet në rrugë ligjore për vendin dhe hapjen e shkollës shqipe.
Këtu në New York dhe kudo ku emigrojnë shqiptarë, nuk mungojnë dhe biznesmenët që mund të sponsorizojnë këto shkolla, por nismëtarët duhet të dinë të punojnë me ta dhe të bashkëpunojnë ngushtë, pasi vetëm bashkimi i të gjithë Diasporës sjell për momentin qoftë dhe hapjen e një shkolle shqipe shtetërore.
Hapja e shkollës shqipe me miratim në rrugën shtetërore sjell dhe hapjen e shkollave të tjera kudo, pasi shqiptarët kanë dy shekuj që po emigrojnë në Amerikë dhe fatkeqesisht gjuhën shqipe ja lëmë spontanitetit, rutinës, fjalëve, kurseve dhe asgjë më shumë!
Nëse ne do të vazhdojmë kështu me mendësi secili për vete, ka rrezik që ta humbasim si të folurin dhe të shkruarin shqip, veçanerisht ndër fëmijët e lindur këtu, atëherë kjo do të humbasë ngadalë identitetin pa e kuptuar, ashti i së cilës është gjuha shqipe në Diasporë dhe kudo!
2008
New York