E premte, 02.05.2025, 11:46 PM (GMT+1)

Mendime

Kostaq Xoxa: Paradoksi i kosovarëve enveristë

E enjte, 23.10.2008, 09:34 PM


Paradoksi i kosovarëve enveristë

Nga Kostaq Xoxa
 
Romani i Lenit, i shndërruar në një tregim (ngjarje e vërtetë)

Antikombëtarizmi enverist në shitjen e interesave të Kosovës është i pamohueshëm

Rrallë-herë në histori një popull krenar autokton, si ai i Kosovës, tregoi një shpirt aq të lartë moral flijimi, një vendosmëri të pashembullt, një përballim aq dinjitoz ndaj plojave të bandave të Arkanit të armatosura nga Millosheviçi, sa në tërbimin antishqiptar të 1999-s. Kur akademikët serbë shtrojnë “legjitimitetin” e Kosovës, se ajo u përket si krahinë, bien në një kundërthënie të dukshme: asnjë shtet në botë nuk vret në masë shtetasit e vet, siç ngjau në Tivar, fill pas Luftës II Botërore. Asnjë shtet në botë nuk djeg shtëpitë e veta, si në ’99-n. Madje ndëshkon çdo vrasje të qytetarëve të vet. Çon para gjyqit çdo zjarrvënës kundër shtëpive të shtetit të vet, nëse nuk është një shtet bashibozuk. Por ky shtet nuk e quan veten të tillë. Është një shtet me akademi, që mëton se është shtet ligjor. Ato veprime joligjore janë një provë më tepër se Kosova është mall i huaj jo vetëm për Millosheviçin, por edhe për pseudodemokratët pas tij, me paragjykimet kolonialiste anakronike të paraardhësit të tyre, kasapit të Ballkanit.
Kosovarët, në raste të panumërta u përgjysmuan si familje, u vranë pleq e fëmijë, u përdhunuan gra. Nuk e kanë të drejtën morale të mëtojnë që t’i kenë qytetarë të tyre familjet e përgjysmuara, të afërmit e pleqve dhe fëmijëve të masakruar, gratë e përdhunuara prej serbëve. Përse Enveri e kërcënoi shifrantin Islam Kadesha, kur ky i pruri lajmin mortor të vrasjes së 5000 shqiptarëve të Kosovës në Tivar? Vetë I. Kadesha dëshmon se i kishte thënë se lajmin do ta mbante sekret dhe do t’i ikte koka nëse do të dilte prej tij ndonjë fjalë! Por a mbahet e fshehtë shtiza, e futur në thes? Përse regjimi i Enverit dhe i Nexhmijes i trajtuan mizorisht djemtë më të mirë të Kosovës që u arratisën për të shpëtuar nga UDB-ja dhe ranë nga shiu në breshër? Kjo pyetje duhej t’i bëhej tani Nexhmijes, për të nxjerrë në dritë të diellit hipokrizinë e saj të “dashurisë” për Kosovën, kur dëshmitë dhe faktet tregojnë kryepingulthi të kundërtën! Por nuk iu bë! Do të dilte açik tradhtia kombëtare e çiftit perandorak...U vërtetua, madje, edhe ajo e pabesueshmja: një turmë kosovarësh pa tru, të informuar keqazi, pa ndjenja kombëtare në atë det kombëtare, - manifestuan në sheshet e Kosovës për shitësin e saj antishqiptarit Tito dhe emisarëve të tij, nga ana e Enver Hoxhës së “Bashkim-vëllazërimit” (Bashkim-skllavërimit, në emër të internacionalizmit proletar!). Turpi mbi këta enveristë!Ende nuk e dinë sesa e pabesë ka qenë diktatura shqiptare për thyerjen e kufirit Shqipëri-Shqipëri, teksa kosovarët e kishin më të lehtë të shkonin në Svicër, në Gjermani, në Francë e kudo gjetiu! Nexhmija nuk mund të përligjet se s’dinte gjë ndaj kosovarëve. I shoqi i saj e quante të dënueshme të flitej për Kosovën dhe për kosovarët. Këto nuk mund të mohohen.
Raste konkrete të nëpërkëmbjes së kosovarëve/Leni ishte një gocë tepelenase prej një familjeje atdhetare. Kjo familje shihej me sy të mirë nga regjimi i Enver Hoxhës. Jo se i ati kishte qenë pjesëmarrës aktiv në ngritjen e flamurit, më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Porse, me pak fjalë, se quhej familje lufte pas Luftës II Botërore. Por édhe se të katër vëllezërit e saj kishin bërë shkollë ushtarake dhe ishin oficerë.
Në vitin 1965, kur mbaroi studimet universitare për Histori, Leni ishte 22 vjeçe. Qé vajzë 18-vjeçare kur i filloi këto studime në atë kohë, që do të ishte pikënisja e aktit të dytë të jetës së saj: Fillesa e një tragjedie, me fillim ndryshimin e biografisë. Jeta e kësaj labeje me karakter të fortë e ndryshoi tërësisht qëndrimin e regjimit kundër saj. Vetëm me të e pati mllefin, jo me familjen e saj. Këtë nuk e preku. Por qé një mosprekje e kushtëzuar, kuptohet: vajza duhej bërë hasha édhe nga familja, ndonëse familjarët e kishin si dritën e syve. Mëkati i Lenit nuk ishte për ndonjë fjalë mëkatare, as për ndonjë qëndrim politik të ri të dyshimtë; por thjesht për arsye sentimentale! E pabesueshme? Mundet. Por ja që u dashurua me një kosovar prej Peje. - E çuditshme! - do të thoshte një shoqja e saj e fakultetit, që s’merrte vesh shumë nga kriteret e Nexhmijes. -Me siguri që ai kosovari nga Peja do të ketë pasur biografi të keqe… - tha njëra nga mbesat e mia binjake, që shpesh më lexon prapa krahësh kur shkruaj në kompjuter, veçanërisht kur tema ngjan si letrare. Në këtë rast më bëhet pullë edhe binjakja tjetër. Zakonisht nuk ndahen njëra nga tjetra. Janë si motrat siameze! -Biografia … si ta marrësh, - u thashë. Ju tani sapo e keni mësuar këtë fjalë. Jeni ende të vogla. Babanë e atij djalit ia kishin vrarë serbët! -Epo atëherë ai djali paska pasur biografi të mirë, - thanë të dyja. Dhe ikën me vrap, se po u bënin zë shoqet, që poshtë dritares.
Leni kishte shoqe të ngushta Naimen dhe Zymën, që ishin arratisur nga vendlindja, nga Peja, dhe ishin shoqe shkolle me atë pejanin që iu shmang mbikëqyrjeve të UDB-së dhe kapërceu kufirin me kokën në trastë, për të përfunduar në hetuesitë shqiptare: -Përse ike nga vendi yt? Mos ke vrarë njeri? Përgjigjja qé e thjeshtë, se nuk durohej dot serbi; por nuk ishte bindëse: “Atëherë do të kesh vjedhur diçka, ose do të kesh rënë në borxh dhe ia ke mbathur, që mos të të rrasnin në burg!”.
Zhgënjim mjaft i madh për një numër të shumtë kosovarësh që u shpëtuan kthetrave të UDB-së antishqiptare dhe ranë nën tiraninë e Sigurimit të Shtetit shqiptar. Pas një hetuesie, shpesh me fraza idiote si ato që pamë, thyerësit e kufirit i priste Çerma e Lushnjës, Semani i Fierit Karavastaja, Memaliaj, këneta e Maliqit dhe shumë rrethina të tjera të vendit, larg njëra-tjetrës, se mos jetësohej komploti kundër regjimit të Enver Hoxhës! Hetimet nën rrogoz vazhdonin me muaj. Sigurisht nga kolonia serbe e Kosovës vinin të dhëna se të internuarit ishin prej familjesh atdhetare, që nuk e duronin dot zgjedhën serbe. Megjithatë regjimi i Enverit dhe i Nexhmijes ishte dyshues. Meqë të arratisurit nga Kosova ishin intelektualë e kriza për mësues në fshatrave të largëta ka qenë kronike dhe persona me gjimnaz të kryer ose të pakryer bëheshin mësues, nuk ishin të paktë ata të ardhur nga Kosova që e kalonin testin e parë, që ngarkoheshin të bënin punën e mësuesit në këto fshatra. Megjithatë ata e ndjenin peshën e mosbesimit dhe të përndjekjes nga një regjim totalitar shqiptar, që persekutonte shqiptarët e përtejkufirit verior. Pas hetuesisë, i shpërndanin si zogjtë e korbit larg njëri-tjetrit, që të mbeteshin të vetmuar. Edhe ata që kishin mundur të merrnin të drejtën e studimit në universitet, kishin marrë këshilla “mirëdashëse” që të mos bashkoheshin dhe të mos kishin takime me kosovarë të tjerë (të të njëjtit ideal)! Sipas njërit prej tyre, Gjokë Dabajt nga Tivari, në fakultetet tona ishin 115 të rinj nga trevat e Shqipërisë nën Jugosllavi. Në një stërvitje të vitit 1967 bënë një dallim ndër kosovarët: U dhanë uniformat, por jo armët, ndryshe nga të tjerët, vendalinjtë! “Një absurditet që vetëm në kombin tonë mund të ndodhte”, - thotë Gjoka. Ndër protestuesit ishte edhe i zgjedhuri i Lenit, Namik Luci. Shoqet më të ngushta të Lenit, Naimja dhe Zyma, ishin krenare për këtë dashuri të sinqertë ndërmjet labes dhe pejanit. Ato ia njihnin karakterin, e dinin se do të bëhej njëri ndër inxhinierët kimistë më të mirë e më të zot të të gjithë Shqipërisë dhe ia njihnin burrërinë për të qenë i besës gjer në vdekje. Në Laç kishte lënë nam për inovacionet e zgjidhjen e problemeve shkencore e teknike. E thërrisnin në Kombinatin metalurgjik të Elbasanit kur kishte ndonjë avarí, si specialistin që kishte dhënë prova të shkëlqyera për industrinë kimike. Kishte bërë debate të forta me ministrin përkatës dhe këmbëngulja e këtij shkencëtari kishte triumfuar, paçka se meritat i merrte ministri, që u ngjit gjer në rangun e anëtarit të Byrosë Politike! Kemi ecur pak prapa në kohë dhe, duke vazhduar edhe më tej, mbrojtja më e mirë që i kishin bërë kur e kishin rrasur në qelí si komplotist dhe sabotator, qé ajo e një dashamiri me pozitë që kishte thënë: “Namik Luci do të ishte bërë milioner, sikur të kishte vajtur në Perëndim, me aftësinë e tij si shkencëtar.
E tani, duke iu rikthyer kohës, me këtë shkencëtar na ishte dalldisur labja Leni, disa vite më parë. Me këtë pejan, studiues si vetë ai, që kishte gjetur belanë nga UDB-ja, se ishte paksa impulsiv, si njerëzit e ndershëm në përgjithësi, që të mos i fshihte në sirtar ndjenjat e tij kombëtare dhe urrejtjen e tij ndaj UDB-së. Jo më kot kosovaret Naime dhe Zyma, shoqet më të ngushta të Lenit, e kishin si vëlla.
*
Leni nuk u thye nga këshillat e babait plak, përvoja e të cilit iu shpalos vajzës së shkretë për pasojat që do të kishte. Ajo i kishte marrë parasysh të gjitha. Kishte marrë në sy edhe se do të shkëputeshin prej saj edhe ata që e donin më shumë: familjarët e saj, babai dhe e ëma, që e donin më tepër se veten, të vëllezërit që e kishin të përkëdhelurën e tyre...
Dhe kështu ngjau...
Letërsi: Një ngjarje e vërtetë dramatike, në kujtimet e një kosovari/“...Edhe unë u martova, si miku im i ngushtë, Namik Luci, me një vajzë nga Jugu. Dhe ndodhi që të dyja bashkëshortet tona patën thuajse të njëjtat pasoja, për shkak të zgjedhjes për burrë “një të arratisur”. Edhe ime shoqe nuk dëshiron të flitet për privacionet e saj. Por për vuajtjet e Leni Lucit nuk mund të hesht. Mjafton të tregoj për vdekjen e foshnjës së saj 6-muajshe, së cilës ia vuri emrin Esat Myftari , shok i Namikut, me shumë vëllezër, por që s’kishte motër. Vogëlushja u quajt Luljeta. Lindi e bukur, e shëndetshme, me flokë të zez, me sy bojëqielli dhe me buzë të kuqe. Namiku u mrekullua. E mori në duar pothuajse sa lindi dhe i tha Lenit: -“Ma rrit mirë, se i ngjan nënës sime (Ryvës)". Luljeta rritej. Namiku studionte për provimet dhe vajzën e mbante në gjoks, - siç thoshte Leni, - ndofta për të ndjerë aromën e nënës së tij. Nuk e di si mësonte, se nuk ia ndante sytë. Një provim e la për në vjeshtë, se donte të rrinte pranë vajzës, kujtonte Leni .
Por gjatë pranverës buzët e kuqe të Luljetës do të nxiheshin: vuante nga zemra. Më 8 shtator vogëlushja vdiq. “Unë dhe vajza do të ishim të vetme në spital”, - kishte thënë Leni... - “nuk ia rrita dot vajzën e bukur, me sy bojëqielli, si të nënës së vet...”
Kujtimet e njërit prej dëshmitarëve janë tronditëse: -Luljeta vdiq në Tepelenë, në vendlindjen e Lenit. Dhe asaj nuk kanë ardhur për ta qarë e për ta varrosur foshnjën, as të vëllezërit, as e motra, as të kunatat. E kam gjetur Leni Lucin fillikat vetëm, pranë foshnjës së ngrirë, statujë, në një dhomë të ftohtë të spitalit! -“Prindërit nuk dua t’i lajmëroj, se dihet... Namikun nuk dua ta lajmëroj se nesër ka provimin dhe, po e humbi, e humbet fakultetin; vëllezërit i kam lajmëruar që mbrëmë, por asnjëri prej tyre nuk më erdhi.”. Kështu më tha Leni kur, pas punës (së krahut, ndonëse ishte intelektual), pata shkuar për të pyetur nëse ishte më mirë vajza. Leni për mua ka qenë një grua e rrallë, me karakter të fortë, një heroinë, për të cilën nuk ka dekorime dhe as që mund të ketë, sepse një stoicizëm i tillë e tejkalon çdo masë që mund të përfytyrohej. Foshnja e vdekur ka ndenjur edhe një natë mu aty, në atë dhomë të ftohtë të spitalit, e mbuluar me dhembjen e nënës, pa lot e pa të bërtitura (I lutem lexuesit ta lexojë edhe njëherë pjesën e fundit të kësaj fjalie). Të nesërmen e kemi çuar në varreza pejanen e pafat vetëm tre veta: Profesor Iusuf Qetkaj nga Podgorica, unë Gjokë Dabaj nga Tivari dhe e ëma, pikë e re, që sapo i kish kaluar të njëzetat. Ndërsa dajat e foshnjes, tezja e foshnjes, atyre të cilëve u takonte të ishin atë ditë pranë së motrës, nuk mundën dot të vinin. Dihet përse, por nuk kuptohet përse! Dhimbja për atë foshnje, që u varros në atë mënyrë, as sot nuk më është larguar. Gjatë asaj jave kam shkuar disa herë tek ai varr i vogël. Kam çuar atje një gur në formë pllake, që e kisha marrë prej Vijoset, gdhenda me daltë në të emrin e vajzës dhe ia vura të koka”.
Përsiatje e një pene që të rrëmben/Se ç’penë e fortë është ajo e Gjokës prej Tivari, dëshmohet me lart. Duhet ta kesh zemrën prej guri që të mos mallëngjehesh për Luljetën gjashtëmuajshe, për vdekjen e saj të vetmuar dhe për pikëllimin e nënës së mjeruar, e cila s’ka për t’i harruar kurrë ato orë të një nate të pambaruar kur ajo, fillikat e vetme, mbeti pranë foshnjes së ngrirë, statujë, në një dhomë të ftohtë të spitalit. Këto orë të pambarueshme duhej një penë si ajo e intelektualit kosovar për t’i përshkruar, bash nga ai që ishte shpifur nga dy horra shqiptarë se paska thënë në mencën e punëtorëve intelektualë të krahut, që buka bie erë mjaltë. E kjo dashka të thotë se bukës së misrit, me të cilën ishin ushqyer gjatë të gjithë dimrit, i vinte era e kundërt, domethënë era mut! I akuzuari, përkundrejt këtyre shpifjeve të përbindshme e disa të tjera si këto, për të kryqëzuar një shqiptar të zjarrtë për shqiptarizmin, nuk e donte më jetën: Grevë urie! Tivarasi triumfator ndaj atyre atdhemohuesve që donin të mbulonin me gjethe fiku, me karta turpi, atë masakër që ngjau në Tivar kundër mijëra kosovarëve të pafajshëm, të grumbulluar pabesisht në gërxhet e Tivarit, ku vrasësit serbë vërtetuan edhe njëherë sesa armiqësorë ishin ndaj kolonisë së tyre shqiptare nën kthetrat serbe. Njëri ndaj shkrimtarëve tanë me famë botërore, kandidat i padyshimtë për Nobelin e afërt, paçka se të ndërfuturit gjithandej antishqiptarë po intrigojnë që të mos ngjasë një ngjarje e tillë fatlume për të gjithë shqiptarët, me përjashtim të atyre që përftuan luftën civile, brenda Luftës së madhe për çlirim kombëtar, në Shqipëri. U ka djegur ajo shakaja e hidhur e shkrimtarit tonë të madh se mos, vallë, ajo fjala serpes (gjarpër, në latinisht), rrjedh nga fjala serbë, për ato të zeza që i kanë punuar dekadash popullit tonë! Këtë realitet mortor të një kolaboracionizmi protitist nga ana e atdheshitësit tonë E. Hoxha, vetëm Nexhmija me një takëm antishqiptarësh të tjerë mund të kenë kurajën që ta mohojnë, me arsyen e mosarsyes të Don Kishotit të Mançës. Qëndrimi i saj antikosovar është shprehur në mënyrë të papërgënjeshtrueshme nga këto të dhëna përbuzjesh ndaj atdhetarësh të vërtetë, përbuzje për të cilën Zonja e Zezë nuk ka asnjë fjalë pendese në buzët e saj!
Një portret i skalitur me fjalí që s’do të harrohen, kur diktaturën që vuajtëm do ta mbulojë pluhuri i harresës/Folëm për Lenin, por më pak për pejanin gojëmbël, atdhetarin e flaktë kosovar, shkencëtarin që s’do të harrohet në kujtesën e një gjerdani kosovarësh me 33 shkrime. Këta i kanë kushtuar Namik Lucit një vëllim prej 355 faqesh, të përgatitur nga bashkëshortja e tij së cilës Zoti i kishte dhënë një energji të admirueshme dhe i kishte dhuruar katër djem pas Luljetës së shkretë. Djemtë u rritën të mirë, me karakter dhe të ndershëm si i ati. Namiku, ndonëse u terrorizua nga një hetuesí e stërgjatë si komplotist dhe si përgatitës i një atentati të hamendësuar kundër stalinistit E. Hoxha dhe u dënua me 18 vjet privim lirie, bëri shtatë vjet burg dhe u lirua nga triumfi i demokracisë ndaj diktaturës, më 7 shkurt 1991 , duke habitur miqtë që s’kishte në gojë asnjë fjalë mllefi dhe urrejtjeje për ata që i kishin marrë shpirtin në qelí. Me njërin prej tyre e kishin parë edhe duke pirë një kafe në lokal dhe e kishin kritikuar shokët e tij që e donin dhe e admironin. Por Namiku u kishte thënë se ata komandoheshin édhe në mizorinë e tyre! Më 7.01.1993 u deklarua i pafajshëm nga Plenumi i Gjykatës së Kasacionit. Vdiq më 7 mars 1998, si pasojë e asaj hetuesie barbare. Si nuk iu dha ndonjërës prej intervistuesve të Nexhmijes, që ta pyesnin édhe për mizorinë ndaj kosovarëve që arratiseshin prej trojeve të stërgjyshërve për t’iu shmangur UDB-së e jo për t’i shërbyer asaj si agjentë!
Por le të shohim portretin që i është bërë nga tivarasi, ai që i skaliti emrin Luljetës kërthi, në varrin e vogël: “Makinat shtrydhëse-bluarëse janë të shumëllojshme, por të shtrydhurit dhe thërmimet janë thuajse njëlloj. Ato makina e thithin dhe e përpijnë frutin në hinkën e vet, e mbërthejnë përbrenda midis vjaskave, dhëmbëve a gurëve të vet. Dhe, sakaq, e shpurdhin (i përpëlitin grimcat – K.X.) dhe i shndërrojnë në hi. Hyn kokrra e mollës ose veshi i rrushit dhe bëhet bërsí. Ne shqiptarët jemi ndodhur dhe vazhdojmë të ndodhemi midis ingranazheve të tilla bluarëse. Ata që jetojnë brenda kufijve të 1913-s, bluhen lemerishëm, jo vetëm prej dhëmbëzave të zgjatura së jashtmi, por edhe duke shtypur e shtrydhur njëri-tjetrin. Ata miliona shqiptarë që janë lënë jashtë kufijve nga Kongresi i mallkuar i Berlinit dhe nga konferenca e mallkuar e Londrës, në vitet 1878 dhe 1913, janë lënë atje pikërisht për këtë qëllim: për t’u shtypur, për t’u zgërlaqur e për t’u shpurdhur përfundimisht, duke prodhuar prej tyre uthull, alkool, ose thjesht ushqim për kafshët (Ia arrijnë, s’ia arrijnë, është tjetër gjë). Kurse të tretët, ata që mundohen të ikin prej mokrave të tilla popujbluarëse, ata që kërcejnë nga hinka për t’i shpëtuar shtrydhjes, kapen me mënyra nga më të ndryshmet dhe rrasen me forcë brenda në makinat e shfrytëzimit. “Ingranazheve të tilla të bluarjes është tepër e vështirë t’u shpëtojë çdo njeri. Por, nga ana tjetër, édhe ingranazhet, qofshin prej çeliku të kromuar apo silikate nga më të fortat, e kanë të vështirë t’i thyejnë e t’i thërmojnë disa lloj frutash, që saktësisht mund të quhen fruta mullinjshkatërrues. Kështu ndodh që vetë ingranazhet shkallmohen dhe kokrra të tilla nuk copëtohen; sepse ato bërthamën e vet ose thelbin e tyre e kanë prej diamanti të mirëfilltë. Namik Luci ka qenë një produkt njerëzor i tillë me fortësi si të diamantit, i cili ka nxjerrë jashtë përdorimit mekanizmat e makinerisë bluarëse, duke mbetur vetë përjetësisht i patjetërsueshëm, i pabluajtshëm. Ai ka qenë vërtet shpirtmirë, i butë, tolerant, i arsyeshëm. Veçse ka qenë njëkohësisht édhe i pathyeshëm. Dhe kjo, sigurisht, vinte nga pjekuria e tij mendore dhe nga karakteri i fortë”.
Indoktrinimi: A ka ndonjë shkollë në Rumani me emrin e N. Çausheskut?/Suzana Gërvalla, bashkëshortja e heroit të qëndresës kosovare ndaj kolonizatorëve serbë, Jusuf Gërvallës, erdhi në Tiranë, pas vdekjes së Jusufit, të cilin e qau e gjithë Kosova dhe Shqipëria. Agjentura jugosllave i vrau familjes së heroit edhe dy vëllezër, atdhetarë dhe të paepur si Jusufi. Suzana u trajtua si kosovarët e tjerë nga pabesia e çiftit perandorak. Natyrisht, duke ruajtur disa forma hipokrizie nga ana e Nexhmijes dhe e të shoqit. Në kujtimet e veta, të shkruara në periudhën e demokracisë, Zonja e Zezë nuk di, së paku, as të maskojë djallëzitë e saj dhe të të shoqit dhe as të fshehë pabesitë e saj. Mundohet ta presë mirë sipërfaqësisht, duke u mburrur se ky çift ia mbajti në shkolla fëmijët (!), por edhe Suzanën së cilës i pranuan kërkesën për të shkuar në shkollë të lartë “jo duke punuar e me korrespondencë, por si studente të rregullt” (!) (N.H:”Jeta ime me Enverin”, f.248). Bën shaka, apo tallet? Po si s’mendon se fare mirë në Svicër do ta mbanin me vilë vetjake dhe me mundësitë për të ndjekur fakultetin e Historisë, mbase duke i vënë edhe shoferin në dispozicion që ta çonte e ta sillte? Po në faqen 148 (meriton të citohen këto faqe budallallëqesh!) Nexhmija shkruan: “Suzana u tregua mendjelehtë dhe kishte një mendim të madh për vete, nga fakti që ishte gruaja e Jusuf Gërvallës”. Suzana, përkundrazi, u tregua mendjemprehtë dhe mendjelehta del në shesh ashiqare Nexhmija vetë, siç do ta shohim. Sa për atë copëzën se “kishte mendim të madh për vetveten”, në të vërtetë, edhe në këtë rast, është e kundërta. Do ta shohim edhe këtë.
E fillojmë me mendjelehtësinë e Nexhmijes: “Kjo familje gjeti një ambient të ngrohtë jo vetëm nga kosovarët që banonin në Shqipëri, por edhe ...”. Sa për Kosovarët, le të kafshojë gjuhën shoqja Nexhmije. E pamë sesi u quajtën hajdutë dhe borxhlij nga Sigurimi ynë! E pamë si e pësoi atdhetari dhe shkencëtari Namik Luci. “Unë, personalisht, nuk lashë përvjetor të vrasjes së Jusufit pa i shkuar Suzanës në shtëpi. Që në fillim u dërgova fëmijëve disa dhurata nga xhaxhi Enver, që të gëzoheshin (...). Kur martoi djalin, unë shkova e urova” (249). Dhurata e lodra marrin edhe më varfanjakët në Perëndim, nëpër vendet e veçanta të kishave (sot i sjell Gabi, këtu, për pesë lekë!). –E urova! – thotë. Për këtë duhet cenuar dinjiteti dhe besueshmëria e asaj së cilës i bën një urim? Apo për shkollën që nuk e bëri natën(!). A mos pagoi Enveri ndonjë samtim nga xhepi, kur sot i dhurohen vajzës 1500-2000 euro për nj vit studim në shkollë private? Ç’mburrje megalomanësh janë këto, a e kupton këtë kjo mendjelehtë që quan tjetrën mendjelehtë? Nuk vonon faqja 250 që Nexhmija ta demaskojë keqani vetveten: “Me të mbaruar studimet në Histori, ajo kërkoi të punonte në një sektor të aparatit të K.Q. për Kosovën(...) ku kanë punuar në kohë të ndryshme historianë me përvojë shkencore (përvojë antiatdhetare militantësh dhe lakenjsh të besuar, që s’dinin çdo të thotë fjala shkencë!). Ajo nuk ishte as anëtare e Partisë së Punës. (Kulmi! Me mijëra e mijëra anëtarë të tillë mallkonin veten se ishin anëtarë të PPSH-së, kur iu tronditën themelet komunizmit- por kush ishte ai që kishte kurajën të refuzonte!).
-Po, ja, e bëj që tani kërkesën, - i kishte thënë Suzana, që e mori – me të drejtë - si shenjë mosbesimi, mobesim që i kishte bërë kosovarët e tjerë të hanin dhé e baltë në atdheun e tyre, që nuk ekziston sipas Manifestit Komunist! “Por letrës së saj Enveri iu përgjigj se ajo mund t’i shërbente më mirë Partisë dhe Shqipërisë, lidhjeve tona vëllazërore me bashkatdhetarët brenda e jashtë Kosovës, duke mbetur ashtu siç ishte, e shoqja e Jusuf Gërvallës”.
Si nuk e kupton Nexhmija se e ka diskredituar Enverin në këtë mënyrë? Suzanës do t’i hidhte hi syve Enver Hoxha sesi mund t’i shërbehej më mirë Shqipërisë? A ishte e vështirë që Suzana të kuptonte se kishte të bënte më një mospranim copë, të mbështjellë me fraza të sheqerosura? Mos duhej shumë mend për të kuptuar mosbesimin ndaj gruas së një heroi të Kosovës, mosbesim i cili spikaste në mënyrë revoltuese, pavarësisht nga rrenat dhe nga mashtrimet për “lidhje vëllazërore bashkatdhetarësh brenda e jashtë Kosovës”? A thua se nuk ishte kuptuar trajtimi i Kosovës dhe i kosovarëve, kur shqiptarët kishin nxjerrë atë talljen që tashmë e njeh i madh e i vogël: “vëllezërit kinezë dhe miqtë kosovarë?”. Mirë thotë Kadareja se diktatura do të donte të gjente edhe autorët e barcaletave që ia nxirnin bojën, veçse nuk ia arrinte, se ato ishin anonime dhe eja e gjeje fillestarin! Suzana ishte e mprehtë dhe jo mendjelehtë që të mos dinte sesi binin nga shiu në breshër kosovarët që u shpëtonin kthetrave të UDB-së dhe binin nën hekurat e Sigurimit të Shtetit. Ky refuzim që ajo, tanimë si historiane, të punonte në sektorin e Kosovës, kishte domethënien e vet: Dilnin të palarat! Suzana duhet të kuptuar qartësisht se ata që punonin në atë sektor, mund të ishin gdhë si shkencëtarë, se s’kishte nevojë për shkencë të madhe që të zbulohej tradhtia e E. Hoxhës ndaj kombit tonë!
Faqja 250 e një libri kujtimesh të shformuara e të falsifikuara, përmban edhe fraza si këto: “Jam çuditur shumë kur dëgjova se djali dhe vajza e saj ishin futur në grevë urie me studentët dhe kërkonin t’i hiqej emri i Enverit Universitetit të Tiranës. Dhe kjo, jo pa miratimin e nënës së tyre. (Dhe prapë përmend shkollimin e fëmijëve!). Pa shih, pa shih! Kërkoka edhe në demokraci emrin e Enverit në Universitet! Mirë thonë se komunistëve po t’u japësh dorën, të marrin krahun! Po a ka dëgjuar ky person, që jeton me iluzione, ndonjë universitet në kohët e tanishme, me emrin e Adolf Hitlerit? A ka ndonjë institucion në Rumani me emrin e Nikolae Çausheskut? Dhe shpreh marazin e saj që Suzana “u hapi derën disa liderëve të Partisë Demokratike”. Edhe Leni u bë eksponente e PD-së vendore, me bashkëpunimin e zjarrtë të të shoqit, Namik Lucit, që ishte përndjekur padrejtësisht dhe që pati fatin e keq të mos e gëzonte shumë demokracinë, nga humbja e parakohshme e jetës, si pasojë e torturave të Sigurimit tonë.
Emrat e Suzana Gërvallës, Namik Lucit dhe Lenit do të kujtohen me mirënjohje nga populli i Kosovës, kur emri i Nexhmijes do të jetë harruar. Kur të jemi pjesëtarë të denjë të NATO-s dhe të BE-së, diktaturat dhe mendësitë e tyre do të stopohen te ne, si kudo në botën e lirë, dhe manifestuesit e diktaturës enveriste në Kosovë do të kujtohen dhimbshëm për marrëzinë e tyre për të përkujtuar një tiran. Akoma nuk dinë këta trutharë se Lirinë Kosovës nuk ua dha as Enveri, as Miladini, as Dushan Mugosha, por Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara? Enveri dhe emisarët e Titos i dhanë Shqipërisë vetëm luftën civile, terrorin përmes luftës së klasave, dhunimin e fjalës së lirë, mjerimin e tallonat, bunkeret e marrëzishme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx