Mendime
Albert Zholi: Gazetat, gazetarët, realiteti dhe politika
E enjte, 23.10.2008, 04:29 PM
Gazetat, gazetarët, realiteti dhe politika
Çdo të mërkurë gazeta “Telegraf” pret mendimet e gazetarëve, publicistëve, intelektualëve mbi rolin e gazetarisë në shoqërinë e sotme shqiptare. Cili është roli i gazetarisë ?
A është gazetaria shqiptare në rolin dhe misionin që i ka vënë vetes ? A është gazetaria sot një shembull për të tjerët dhe a po e realizon ajo qëllimin për propagandimin e kulturës, etikës, i gjuhës së bukur, i mendimit të lirë dhe të edukuar, mendimit të papërlyer me interesin ?
Ju mirëpresim në:
gazetatelegraf@yahoo.com
Albert Zholi
a_zholi@yahoo.com
Ju ftojmë në këtë debat të hapur
Natasha Lako
Unë kam punuar në gazetari, ku dhe pse kohët e fundit jam tërhequr paksa, nuk largohem asnjëherë përfundimisht. Fjala përfundimisht nuk ekziston sepse, unë kam mbaruar për gazetari dhe diploma ime është për gazetari. Më është e hequr e drejta e ushtrimit të profesionit tim në këtë fushë në vitin 1975-1976. Unë këtë 13 maj mbusha 60 vjeç. Babai im është arrestuar më 27 maj të 1950 ku më la mua 2 vjeç e gjysmë. Kjo gjë më bëri, dhe më hoqën që unë të mos punoja në gazetari, sepse gazetari ishte gjithmonë më afër pushtetit qendror në atë kohë.
E vuaj më shumë sot, sepse nuk ia kisha treguar asnjeriut dhe tani më duket e pamoralshme që ta tregoj.. Po dua të theksoj se edhe gazetaria e sotme është ajo gazetari që mendonin ato atëherë. Nuk është akoma e pavarur plotësisht. Mendoj që duhet të merren më shumë vajzat në këtë fushë, sepse shoh veten time me atë profesionin tim të hequr. Femra nuk e ka ende vendin që i takon në gazetari.
Moikom Zeqo
Mendimi im për gazetarinë është se pluralizmi solli një gazetari të larmishme brenda vitit 2000 kur gazetaria kishte edhe karakter kritik, opozitar, ku ishte vërtetë pushteti i katërt, që tentoi të krijoj opinion publik që është i domosdoshmi në një vend pluralist (që të përfillej ky opinion publik).Por mendoj se pas vitit 2005, mediat nuk janë të lira. Mungon liria e kritikës në media. Mungon liria e krijimit të vërtetë të opinionit publik ku shpesh edhe analistë, të cilët kanë lexuar bëjnë hartime dhe jo analiza të vërteta. Ose merren me persona të caktuar dhe nuk merren me thelbin social të fenomeneve dhe duket se pushteti i tyre varet nga media të caktuara sipas pushteteve financiare. Ka ndodhur dhe një fenomen tjetër që më duket shumë i çuditshëm, ku pothuajse disa gazeta dhe mediat nuk paguajnë bashkëpunëtorët e kualifikuar.
Sulejma Mato
Në shumë gazeta shihet pozicionimi. Edhe mendimi është privatizuar në Shqipëri. Janë disa figura që i konsiderojnë analistë pa emra. Janë mijëra intelektualë brenda dhe jashtë vendit ku nuk kanë vend në shtypin e ditës. Unë jam larguar vetë, ku punoja në gazetën Ballkan, ku pata probleme me njerëzit aty pasi bëra një shkrim për ushtarakët dhe nuk kam shkruar më. Shpesh nga politikanë dhe botues të veçantë mendohet se duhet shkruar sipas mendimit të tyre, të shkruhet si mendojnë ata, dhe nuk pranojnë mendimin tjetër. Kjo është një prej sindromave të gazetarisë. Së sotme.
Faslli Haliti
Po e ndjek rregullisht, por lexoj, kryesisht suplementet letrare dhe faqet e kulturës. Jashtë shkrimeve letrare, lexoj ato që më interesojnë dhe që janë të domosdoshme për t’u orientuar në jetën e përditshme, pasi gazetaria e sotme e ka humbur deri diku pavarësinë.
Kështu që më mirë merrem me librin dhe letërsinë në përgjithësi.
Në letërsi ka inflacion botimesh. Ky inflacion cenon cilësinë. Botohen libra shumë të dobët, për të mos thënë libra koti apo pseudo libra. Por më e keqja është se cilësinë e dobët ne e shohim vetëm te libri i tjetrit dhe jo te libri ynë. Libra të dobët boton secili nga ne. Cilësia e dobët s’duhet pare vetëm te krijuesit periferikë, por në radhë të pare te krijuesit e talentuar të cilët nuk duhet t’ia lejojnë vetes të botojnë një libër të dobët nga ngutja apo transkurimi i lexuesit. Mediokri, kritikon mediokritetin, pa përfshirë veten në të. Në radhë të parë, cilido nga ne, krijuesit, duhet të shoh, të kritikojë dhe të luftojë mediokritetin te vetja, në krijimtarinë e tij, sado i pakët, sado në sasi minimale të jetë ky mediokritet në krijimtarinë e tij.. I talentuari nuk lufton për eliminimin e të talentuarve, por lufton që të zërë vend e të radhitet krahë tyre. Kadare, nuk i luftoi,
Naimin, Migjenin, por i studioi, i vlerësoi ata gjer në shkallën më sipërane, prandaj u bë i barabartë me ta. Pa male, s’ka maja, thotë populli. Kadare është maja më e lartë e vargut malor të letërsisë shqipe.