Mendime
Lek Previzi: Burgje e kampe e tane Shqipnia
E merkure, 05.11.2008, 10:10 AM
Lek Previzi:
“BURGJE E KAMPE E TANE SHQIPNIA”
Burgjet që krijoi Enveri,
S’i ka toka, si’ ka ferri
Të hyn frika, të hyn tmerri !
Kampet që krijoi partia,
T’hyn llahtari e lemëria !
Burgje e kampe e tan Shqipnia!
Ngjeshun njerzit në biruca,
Gjysma pleh e gjysma lluca,
N’pranga e zinxhirë mbërthye,
Sakatue krejt kockash thye,
Muret rreth me gjak përlye !
Vijnë xhelatët si lugetën,
Me dajak ta marrin jetën,
N’fund minierave t’pllakosin !
Mes kënetave t’rroposin :
Ma tha balta dhe moçale,
Hap tunele e hap kanale,
Porsi n’kohnat e Faraonit,
Porsi skllavët e Tutankomit.
Porsi n’koh t’xhelat Neronit !
Enver Hoxha faqe zi,
Shiti veten në Rusi,
E kthej vendin n’Siberi.
Prej Berati n’Tepelenë,
T’internuemit morën dhenë :
Humben varret nëpër prroskat,
Ma s’iu gjenden as dhe kockat !
Burgje t’zeza nga çdo anë,
Si në Shkodër e n’ Tiranë,
N’ Gjinokastër dhe në Vlonë,
Edhe n’maje t’Kuçit thonë..
Mes të Korçës e t’Përmetit,
N’ Portpalermo anës detit,
Me i kallun tmerr miletit.
Qendra e burgjeve në Burrel :
Kush po hyn gjall nuk po del,
Siç pat shkrue Dante Aligieri,
Përmbi derën e atij ferri,
Ku pat hy si një udhëtar,
Për me pa gjithë atë llahtar !
Por njaj Dante i madh poet,
Ferr të tillë s’kish ku me gjet,
Përmbi tokë dhe jo n’humnerë,
S’e kish njohun ai Enverë !
Kur kujton të hyn llahtari :
Burg të Spaçit dhe Qaf Bari,
Kur atje revolta plasi,
Mitrolozi zu t’kërcasi :
Djemt e ri jan pushkatue,
Për një letër që kan shkrue.
Njat Koprenckën djal të ri,
Vet të tretin e kan gri.
Sa të tjerë në dhe kan hy,
Pse kërkuen t’shtrejtën Liri,
Rreth Flamurit kuq e zi !
Burrgje, burgje u ba Shqipnia,
U ba nami u ba kërdia,
Mbetën t’shkreta sa e sa shpija,
Po qan nana e qan fëmija !
Kshtu po don parti lubia !
Edhe kosovarët e shkretë,
Që fort mirë na ishin rrejtë,
Për me u kthye te bac Enveri,
Që po u dukej fjalë sheqeri :
E qe besa i zu sherri,
Nga tigani ranë në zjarr,
Përfunduen në burgjet varr.
Prej partisë gjetën belanë,
Disa jetën humbën e lanë,
Tjerë në kampe e shkuen jetën,
Deshën lirinë e prangat gjetën !
Baca Enver, mor Baca Enver,
Paske qenë veç dreq e sherr,
Përfundove drejt e n’ Ferr,
Njaj kryedjalli t’pret me nder :
Kish kërkue e kund nuk gjeti,
Kriminel t’ tillë hukubeti,
Ndihmës që ta ketë pas veti !
Njikto vargje i kam rreshtue :
Gjith sa thashë dhe kam diftue,
N’kurriz tim i kam provue,
Dokument me i paraqitë
Për një kohë edhe një ditë,
Kur të shkruhën historitë !