E shtune, 27.04.2024, 03:14 PM (GMT+1)

Mendime

Edmond Ismailati: Mllefi dhe realiteti

E enjte, 06.11.2008, 11:00 AM


Mllefi dhe realiteti

 

Nga Edmond Ismailati

 

Meqë të tërë po ndjekin një tip, një modë për të shkruajtur romane, monografira, artikuj, kundër apo pro diktatorit Enver Hoxha, s'ngeli njeri pa shkruajtur. Të shkruajnë me mllef apo me të shara, është normale vetëm për ish të arratisurit, kush ka qënë në burg politik ose ato familje të internuara apo me pjestarë të pushkatuar nga diktatura enveriane. Por ç'kanë këta që kanë qënë me universitete e specializime jashtë shtetit që nga koha e Enverit dhe e shajnë si puna e Sali Berishës (që na u bë sikur na u ngjall prapë Enveri). Pasi ky është kryepasardhësi më i denjë i Enverit. Vetëm diktatorët dalin nga tre katër herë në ditë në televizor duke peruruar musllike çezmash e avlli shkollash, duke përdorur një fjalor me tone dhunuese. I tillë është edhe fenomeni Berisha, që për mos t'u dukur si çakërr i vetëm, në krye të Kuvendit na ka vënë një femër që shan mparë e prapë më keq se burrat (do ishte mirë të kishte një palë poture shajaku, një qylaf e të ngjishte brezit ndonjë kobure të ndryshkur nga ato të Kara Mahmut Bashë Bushatlliut.). Me metodat që po praktikon na u bë PD tamam si PPSH, ku e ka bunkerizuar partinë, duke mbajtur peng edhe politikën shqiptare me këto atavizma. Ai duhet të japi llogari për fajet, proçkat dhe zullumet e tij, bile edhe në lëmin akademik, na është ulur këmbëkryq në krye të vendit dhe manaxhon paratë dhe fatet e popullit shqiptar, një pjesë të të cilit duket sikur i ka hedhur trutë e gomarit.

 

    Por në reagimin "Një përgjigje telepatike "xhaxhit" Ramiz Alise " z. Arben Llalla shprehet : “Xhaxhi” Ramiz Alia me shkrimin e tij të botuar në gazetën PANORAMA më 13.10.08.(të ribotuar edhe në disa gazeta përtej kufirit shtetëror të Shtetit Shqiptar) na kujtoji se ishte gjallë, shëndosh e mirë dhe se ende është i dashuruar me figurën e diktatorit Enver Hoxha. Në shkrimin e tij “xhaxhi” Ramiz gënjen kur thotë se Enver Hoxha ishte Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë NÇL, sepse sipas dokumentave të vetë sistemit komunistë kemi mësuar se Komandant i Përgjithshëm ishte gjeneral Spiro Moisiu. Ndërsa Enver Hoxha ishte komisar.

 

     Sa për lajthitjet se Enver Hosha nuk ka qënë komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare (UNCL), kjo nuk tregon veçse në rastin më të mirë një injorancë të këtyre njerëzve që bëjnë këto deformime. Është më mirë që kur nuk dihet diçka, o të shpenzohet kohë per të gjetur fakte dhe t'i studiosh ato, ose të heshtet. Kur shohim këtë fenomen kur i kemi dëshmitarët gjallë dhe librat e dokumentat kapicë dhe i bën hasha, vajhalli po të flasim për 500 apo 1000 vjet më parë, kur për historinë, p.sh. e mesjetës së hershme të Shqipërisë flitet vetëm me hipoteza, apo deshmi te terthorta pasi nuk ka dokumenta, pothuajse hiç. Këta persona janë diletantë të këqinj të historisë (se ka edhe amatorë të historisë që nganjëherë nuk i lënë gjë mangut profesionistëve).

 

    Është çudi që bëhen spekullime kur janë akoma njerëzit gjallë pa le që ka edhe dokumenta me bollëk që faktojnë të gjitha ngjarjet.Është e ditur dhe e vërtetë se historiografia komuniste ka bërë shumë retushime fotografish e faksimilesh dhe në mjaft raste edhe ka falsifikuar apo shtrembëruar dokumente, fakte historike dhe ka bërë vlerësime të njëanshme personalitetesh, duke glorifikuar disa, e mjaft të tjerë duke i denigruar a lënë në harresë, duke mos lënë mënjanë edhe një politizim të skajshëm të evenimenteve historike. Duhet ditur që ekziston edhe shprehja e njohur botërisht se "historinë e bëjnë fitimtarët". Kjo vlen për të gjitha kohët dhe vendet. Por mos doni që në emër të të ashtuquajturit "rishikim të historisë" të bëni të njëjtën gjë që bëri edhe historiografia komuniste? Kjo do të ishte një sakrilegj edhe më i rëndë e krejt i papranueshëm, sidomos kur fut hundët në këto punë akademike politika e mbrapshtë dhe pushteti i sotëm okult që përpiqet me të gjitha mjetet të verë nën thundrën e tij gjithçka e kudo e mbi këdo që s'i vete pas avazit. Apo mos doni të shpikni "heronj të një lloji tjetër e t'u ngrini ndonjë lapidar të lyer me gëlqere me bojë blu?

 

     Meqë ra rasti, do të ishte me vend që mbi pllakën e varrit të ish kryeshikasit, "gjeneralit" famëkeq gestapovist të kryebajraktarit S. Berisha, B. Gazidede (që me hyqmin e Perëndisë doli jashtë qarkullimit njerëzor këto ditë), krahas çallmës së mullahut të gdhendej edhe svastika naziste e shoqëruar me gërmat "SS", mbase edhe "Kuadratura e rrethit" që ai si matematikan i madh e ''zgjidhi'' me sukses.

 

     Pastaj me analet e historisë së "rishkruar" të vihej mirë në dukje "kontributi historik dhe i shkëlqyer" për mbarë kombin shqiptar i merhumit Bashkim, duke harruar të nënvizohet se zoteria në fjalë i ngjiste për kijamet gjeneralit Pinoçet dhe ishte "bir në shpirt" i mullah Salahudin Berishës.

 

     Edhe sa për dijeni: Më 10 korrik 1943, në Labinot të Elbasanit u krijua shtabi i përgjithëshëm i ushtrisë NCL shqiptare. Aty morën pjesë Enver Hoxha, Haxhi Lleshi, Baba Faja Martaneshi, Abaz Kupi, Spiro Moisiu, Mustafa Gjinishi, e disa të tjerë, të cilët ishin antarët e shtabit të përgjithshëm. Ky shtab u bë për të organizuar më mirë luftën partizane. Shtabi i përgjithshëm si komandant të tij zgjodhi major Spiro Moisiun dhe komisar politik të tij Enver Hoxhen. Kaq.

 

     Major Spiro Moisiu ishte një oficer karriere i cili kishte mbaruar akademinë ushtarake në Itali. Ai qe edhe pjesëmarrës në luftën italo-greke ku dezertoi me batalionin e tij shqiptar i cili ishte inkuadruar në ushtrinë fashiste që sulmoi Greqinë. Pastaj i'u bashkua lëvizjes NCL ku një sërë komandantësh të çetave e batalioneve partizane ishin pa parti, nacionalistë, bile edhe zogistë (si Abas Kupi) por që vetëm mjaftonte të ishin patriotë dhe antifashistë. Meqë në zjarrin e luftës partia komuniste pati ndikim të madh, u bë forca udhëheqëse e lëvizjes antifashiste NCL por edhe luftonte më shumë, jo me llafe por me vepra gjë që u vlerësua edhe nga misionet ushtarake aleate.

 

   Atëherë partia komuniste vendosi edhe komisarët politikë nëpër njësitë partizane. Pra major Spiro Moisiu si ushtarak me përvojë ishte komandant i shtabit të përgjithshëm për çështje taktike dhe operative gjatë luftimeve. Kurse Enver Hoxha ishte komisar politik i shtabit të përgjithshëm. Nuk kishte në këtë kohë komandant të përgjithshëm të UNCL. Pra ky ishte një post politiko-ushatarak.

 

     Më 24 maj 1944 u mblodh kongresi i Përmetit ku për herë të parë u dhanë gradat ushtarake për UNCL dhe Enver Hoxha u zgjodh komandant i përgjithshëm me gradën gjeneral kolonel i UNCL shqiptare. Pasi në tërë vendet e lindjes sekretarët e parë të partisë koministe u bënë njëkohësishtë edhe komandantë të përgjithshëm të ushtrisë partizane, si Tito në Jugosllavi etj.

 

 

    Që mos të zgjatemi shumë, me që thoni dhe vetë që edhe dokumentat e sistemit komunist tregojnë se E. Hoxha nuk ka qënë komandant i përgjithshëm, po ju këshilloj të shfletoni dhe të lexoni "Dokumente të shtabit të përgjithshëm të UNCL" , "Historia e Luftës ANCL", etj, etj, (n.q.s. nuk i kanë djegur në turrat e druve si në mesjetë), bile këto evenimente i njohën edhe aleatët perëndimorë, anglo-amerikanë të cilët madje dërguan misionin e tyre ushtarak pranë shtabit të përgjithëshëm të UNCL shqiptare me në krye gjeneral brigade Devis. Pra më ngelet ta përsërit edhe një herë se është tjetër mllefi, por kjo i takon atyre që i ka burgosur rregjimi komunist dhe i familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre nga ekstremizmi i pashembullt i luftës së klasave. (Me kujtohet një broshurë më se qesharake e botuar aty nga fillimi i viteve 90' ku E.Hoxha përshkruhej si shkurtabiq, i zeshkët, beter i shëmtuar dhe plot hynere të tjera të këtij lloji. Kuptohet librushka "biografike" përfundoi në koshin e plehrave dhe autori u bë gazi i botës). Kujtoni se kjo ishte koha e supërmllefit.

 

    Nuk flitet me tani me ironira te tilla si "xhaxhi" Ramiz, pasi u bënë bajate këto punë, se e kemi jetuar edhe vete atë kohë edhe sot ku ben hyqëm "xhaxhi" Saliu. Se historia nuk bëhet me mllef, se nuk kemi dalë këtu që të mburim e lavdërojmë edhe Enver Hoxhën (edhe këtë kishim mangut!), se e dimë çfarë ka bërë. Mund të t'i numuroj edhe më mirë nga ju se i kam hequr mbi kurriz.

 

     Për të mos marrë gjithë shkrimin tuaj në analizë, po veçoj se "se nuk është ndërtuar asnjë kilometër rrugë automobilistike'', gjë që nuk është e vërtetë, pasi janë shtruar rrugë urbane e rurale, gjithandej. Njerëzit e asaj kohe sidomos në malësitë e Veriut, siç pohojnë vetë ishin aq të izoluar e "prapa dynjasë" sa bënte vaki që një katund nuk e njihte një tjetër nga i cili e ndante ndonjë mal me gërxhe. Madje janë ndërtuar edhe qytete të reja që deri dje nuk ekzistonin si p.sh. Memaliaj, Maliqi, Ballshi, Prrenjasi, Fushë-Arrëz, etj. Nga ndonjë kovahçanë apo punishte primitive sapuni a duhani që kishte në atë kohë u ndërtua një industri komplekse, me metalurgji të zezë e me ngjyra. Nga pisha e kandili, vendi u elektrifikua plotësisht duke shpënë dritën elektrike e radio deri edhe në skërkat me të humbura ku rronte udhëheqësi i sotëm legjendar e i pamposhtur i popullit shqiptar Sali Berisha.

 

    U ndërtua një rrjet i tërë hekurudhor duke u lidhur edhe me botën e jashtëme (Jugosllavinë), hidrocentrale të mëdha të ndërtuara me zgjidhje inxhinjerike të krahasueshme edhe me vendet evropiane. U ngrit një arsim masiv anembanë vendit, me Universitet e Institute shkencore, Akademi shkencash, një shëndetsi falas që mbulonte gjithë vendin, e me teatro profesioniste, Kinostudio filmi me 14 filma artistike në vit që i'a kalonte edhe mjaft vendeve të zhvilluara evropiane (e lëmë për një moment politizimin e skajshëm e ideologjinë që i sundonte), u bën edhe ne me teatër të Operas e Baletit ku mund të shihje "Bohemën", "Traviatën" e ''Rigoleton" e famshme të Verdit të intepretuara me mjeshtëri nga tenorët, basët e sopranot tona të talentuara, me Akademi të arteve të bukura e orkestër Filarmonike, me ansamble të mrekullueshme folklorike profesioniste e amatore që u shquan edhe nëpër botë me një zhvillim masiv të shumë llojeve të sportit e infrastrukturës së tij me stadiume, pallati sportit e palestra (kur u ndërtua pallati modern i sportit "Partizani" në Tiranë ishte më i madhi në Ballkan). Patëm edhe një ushtri moderne për kushtet dhe kohën me tanke, raketa, nëndetse e aeroplanë supersonikë (qe hajdutet dhe injorantët e Saliut i shitën për skarp për një copë bukë) e me një gadishmëri luftarake që radhitej nga të parat në botë (pas shteteve si Izraeli, Vietnami etj). Ato gra që dikur mbanin vandakun me shkarpa mbi kurriz dhe pas i ndiqte "agaj" hipur mbi gomar, u bënë më pas inxhiniere e mjeke, juriste e pedagoge universiteti, oficere e shkrimtare.

 

    E dimë edhe më pas që sistemi komunist po dështonte në Bashkimin Sovjetik që e shpiku e jo më në një vend të vogël, të varfër, të pocaqisur e të izoluar si Shqipëria që i kishte hasmë të gjithe që nga shovinistët e tërbuar fqinjë e mbarë botën perëndimore që nuk na shihte dot me sy për shkak të regjimit komunist e të Enver Hoxhës që u matufos dhe në vend të hapej me botën e çoi vendin me një kokëfortësi kriminale drejt greminës ekonomike e sociale në emër gjoja të marksizem - leninizmit që u bë një dogmë ideologjike si ato të mesjetës. Natyrisht që kjo gremisje e Shqipërisë i gëzonte pa masë skifterët shovinistë grekë, serbë e dreqi me të birin, sidomos kur panë se si e pocaqisën e plaçkitën dhe e shkatërruan me një kokëfortësi "demokratike" gangsterët politiko - ordinerë që morën pushtetin pas shëmbjes së komunizmit. Vini ju lutem në analet e historisë që do të "rishkruhet" edhe se si u shkatërrua me një zell të madh edhe shërbimi i zbulimit dhe kundra zbulimit shqiptar (nuk bëhet fjalë këtu për sigurimsat e rëndomte e xhahilë të MPB (Ministria e Punëve të Brendshme) i cili do nja 50 vjet të riparohet dhe si u shitën sekretet e shtetit shqiptar nëpër miq e armiq "për një copë bukë".

 

    Vini edhe këto mysybete kur më1997 katundarët shisnin në pazar gjizë e presh të ambalazhuara me ... hartat operative e strategjike sekrete të shtabeve të ushtrisë shqiptare. Nga kjo siguria e shtetit shqiptar shkoi në 100% ! Mos harroni të shtoni se dolën edhe kërma të tilla si Vasil Bollanot që na u bënë papritur "grekë", që shpallën Himarën tokë greke e valëvitnin flamurin grek në vend të atij shqiptar e ku dolën"shkencëtarë" të famshëm që shpallën se Shqipëria kishte 600 mijë grekë, nja 300 mijë vllehë (çobenër), nja 400 mijë magjypë a evgjitë, dhjetra mijra sllavë gjithfaresh, pale çifutë me bollëk e turli racash të tjera të panjohura. Pa na u shpikën edhe lloj - lloj fesh të panjohura e të padëgjuara më parë si "dëshmitarët e Jahovait" e të tjera qyfyre të këtij lloji. Mund të shtoni edhe se gjuha e njësuar shqipe nuk bën më dhe duhet zëvendësuar me një më të "fisme" pasi atë e vuri E. Hoxha e gomarllëqe të tjera si këto.

 

     Mund të shtoni në këtë histori të "re" e të "lavdishme" se në kohën e diktaturës më të poshtër që ka parë bota nuk njiheshin ca lloj fenomenesh si SIDA, droga, kazinot e kumarit, grabitësit me maska, autobombat, firmat piramidale, trafikimi i organeve të njeriut, vetëvrasja e njerëzve me ushkurin e brekëve apo me helme minjsh se s'kanë të hanë bukë, një strehë ku të fusin kokën e të lajnë borxhet. Dhe në vend t'i bini gomarit i bini samarit, d.m.th. në vend t'i bini berishizmit fanatik që ka 18 vjet që na mbiu mbi sy e s'la zullum pa bërë (pa harruar edhe ca plehra "socialistë'') merreni me kërma politike si Naxhmije Hoxha e matufë të këtij lloji.

 

     Ato të stërthënat e tollonave e të tjera muhabete si këto nuk kanë punë të sillen këtu se janë të stërditura e i kemi hequr vetë mbi kurriz. Nuk kemi dalë këtu për të bërë apologjinë e sistemit komunist se i dimë, i kemi vuajtur edhe i kemi jetuar ato kohë të mbrapshta. Por Sali Berishën kush e bëri o të lutem shumë, i lindur dhe i rritur në atë sistem komunist, ''prof. Dr" kaq të ditur, pale trim, te zgjuar e kaq te mencem, në cilat shkolla, por Partia mëmë dhe Enveri që e shau dhe e çvarrosi, e bëri edhe komunist të devotshëm e fanatik 24 karat e çoi edhe për specializim në Francë. Shkurt ky njeri si i thonë një fjale ''ha bukën e turkut e bën duvanë e kaurrit''.

 

    Çdo të thuash, edhe për presidentin Bamir Topi i cili është edhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të RSH dhe që nuk është hiç ushtarak por nga profesioni është veteriner, për të mos zënë në gojë njerëz si puna e Fatmir Mediut që ishte minister i mbrotjes dhe larg të qënit politikan, pale ushtarak. E pamë, se si e ''ndriti'' me Gërdecin e u bë objekt si trafikant fishekësh nga gazeta amerikane "The New York Times". Ky është një dallkauk i Salihit si edhe shumë bashibozukë e derdemenë të tjerë politikë. Të cilet Salihi përpos të tjerash ka edhe një mik me kokë si njefarë Fazlliu, për të cilin është kail ta shkërmoqë prapë shtetin e palatuar mirë shqiptar.

 

     Mire do te ishte te kujtonim shprehjen "Nuk ka figurë më të keqe dhe më të fëlliqur se komunisti i devotshëm që bëhet antikomunist i vendosur" të Vacllav Havelit ish presidentit dhe shkrimtarit disident çek. Dhe njeriu më tipik që i shkon kjo sentencë është tamam Sali Berisha, me mentalitetin dhe autoritarizmin që ngjet kryekëput me atë komunist por i veshur me kostum "demokrat".

 

    Nuk më mbetet tjetër, por të them me keqardhje se këta lloj "sharësish" të regjimit komunist qe bejne te tilla proçka e hedhin bajga majtas e djathtas mund i'u bien vetë mbi kokë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora