Kerko: a
Tradhëtoi partinë, nëna e mallkon: Helm t’u bëftë qumështi që të kam dhënë
E premte, 12.06.2020, 08:03 AM
1967/“T’u bëfshin gjarpër në mushkëri të mirat tona”
Djali
i një familjeje arratiset në Jugosllavi. Si plot raste, jugosllavët që
bashkëpunonin ngushtë me regjimin e Enverit, e kthejnë në Shqipëri. Familja e
djalit 20 vjeçar i bën një letër gjykatës, ku kërkon që djali të dënohet sa më
ashpër. Djali i tyre mallkohet, quhet “dezertor”, “i padenjë”, “bastard”,
ndërsa ata vetë thonë se janë “ish prindërit” e tij. Letra tregon më së miri
depersonalizimin e njeriut në regjimin komunist
Nga
Kastriot Dervishi
Gjykatës
Popullore të Qarkut Tiranë
Ne
prindërit e dezertorit X. Y., i parashtrojmë asaj të ndershmes gjykatë, sa
poshtë vijon:
Së
pari ndjejmë përgjegjësinë tonë për edukimin e këtij fëmije. Ne e ndjejmë
thellë dhe e quajmë të pamjaftueshme punën tonë edukative përderisa ai mori
rrugën e tradhtisë; d.m.th. te ky fëmijë nuk bëri efekt edukimi prindëror por
zuri vend puna e armikut.Sinqerisht e ndjejmë thellë dhe na vret ndërgjegjja që
puna dhe mundi ynë për rritjen e këtij fëmije shkuan kot.
Së
dyti, ne i kërkojmë drejtësisë popullore që të tregohet e pamëshirshme në masën
e dënimit karshi tij, jo vetëm për fajet kundër shtetit dhe popullit, për
tradhtinë që bëri, por edhe për faktin që ai mori nëpër këmbë nderin dhe
dinjitetin tonë familjar. Ne e rritëm dhe e selitëm që të bëhej si gjithë rinia
e vendit tonë, bir besnik i partisë, atdheut dhe popullit tonë dhe jo bastard,
vegël e armiqve tanë. Përse ti bir i padenjë i familjes tonë kur dëgjove
këshillat dhe porositë tona të vazhdueshme se cila ishte rruga që duhej të
ndiqje për t’u bërë bir i denjë i partisë dhe popullit tënd?
Përse
nuk zgjodhe shokët që të rekomandonim ne, por u bashkove me llumin e shoqërisë
që të shpuri në tradhti? Përse këshillat tona të drejta dhe të sinqerta nuk t’u
ngulën mirë në tru, por zunë vend në kokën tënde fjalët e bukura plot helm të
armiqve që të shpunë në këtë rrugë? Përse ti bir bastard nuk ndoqe rrugën e
partisë, rrugën që ndjek gjithë rinia jonë heroike, gjaku i pastër i partisë
tonë që po bën mrekulli në ndërtimin e shoqërisë tonë socialiste?
Përse
u ndave nga familja dhe more rrugën e arratisë së tradhtisë dhe shkove në vend
të huaj, te Titua? Mos vallë atje do të gjeje prindërit, vëllezërit a ndonjë
nga të afërmit e tu? Asnjëri. Mos vallë atje do të gjeje kopshtin me lule që të
premtuan armiqtë? Jo vetëm vuajtjet dhe mjerimet që po heq ai popull nga
shtypja dhe shfrytëzimi i kralit të ri. Ne si prindër të indinjuar nga akti yt
i poshtër kërkojmë që ti të ndëshkohesh rëndë, sepse nuk ta kishim borxh këtë
njollë të zezë, këtë turp që na bërë.
Nuk
ta kishim borxh dhe nuk ta falin gjithashtu këtë njollë gjithashtu farefisi
prej disa dhjetëra të tjerë që për këtë parti dhe për këtë pushtet kanë luftuar
me armë në dorë kundër armiqve të brendshëm e të jashtëm dhe në gjokset e tyre
shndrisin dekoratat e luftës e të punës. Nuk ta falin dëshmorët e fisit tënd që
dhanë gjakun dhe jetën e tyre për këtë ditë. Ne jemi të vrarë sinqerisht në
ndërgjegje, jo se na vjen keq për ty që do të ndëshkohesh, por sepse nga
familja dhe fisi ynë të dalë një bastard, një tradhtar. Ta kuptosh mirë ti bir
i padenjë i familjes sonë se akti tënd i ulët nuk na dobëson, nuk na ndan nga
partia jonë e shtrenjtë dhe nga pushteti ynë i dashur, me të cilin jemi të
lidhur si mishi me kockën, përkundrazi na bën më të fortë, t’i duam më shumë
dhe të jemi më të egër e më të ashpër karshi armiqve tanë.
Unë
si nënë të mallkoj: Helm t’u bëftë qumështi që të kam dhënë nga gjoksi im i
pastër.
Unë
si baba të them: t’u bëfshin gjarpër në mushkëri të mirat tona prindërore. Ta
dija se do urreja në këtë shkallë, kisha për ta këputur kokën vetë.
Ne
ish prindërit e tu, të bëjmë thirrje dhe të këshillojmë: të realizosh mirë dhe
drejt në ndërgjegjen tënde poshtërinë që ke bërë karshi atdheut, shoqërisë dhe
familjes. Të tregohesh i sinqertë dhe t’i hapësh zemrën drejtësisë popullore
për fajet që ke bërë. Të bësh kthesë rrënjësore nga rruga jote e përbuzur dhe e
ndyrë se shoqëria jonë është e madhe dhe zemërgjerë, e ashpër karshi armiqve,
por kur e sheh se ata që gabojnë i kuptojnë dhe i realizojnë fajet e tyre,
bëjnë kthesë sinqerisht, u jep dorën dhe i afron, në të kundërt, ju këput kokën
si minjtë. Ju lutemi kërkesa jote të kihet në konsideratë për ndëshkimin e tij
Me
nderime dhe respekt...(emrat e tyre)
Tiranë
25.5.1967
Marrë nga www.55news.al