Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tradhëtoi partinë, nëna e mallkon: Helm t’u bëftë qumështi që të kam dhënë

| E premte, 12.06.2020, 07:03 AM |


1967/“T’u bëfshin gjarpër në mushkëri të mirat tona”

Djali i një familjeje arratiset në Jugosllavi. Si plot raste, jugosllavët që bashkëpunonin ngushtë me regjimin e Enverit, e kthejnë në Shqipëri. Familja e djalit 20 vjeçar i bën një letër gjykatës, ku kërkon që djali të dënohet sa më ashpër. Djali i tyre mallkohet, quhet “dezertor”, “i padenjë”, “bastard”, ndërsa ata vetë thonë se janë “ish prindërit” e tij. Letra tregon më së miri depersonalizimin e njeriut në regjimin komunist

Nga Kastriot Dervishi

Gjykatës Popullore të Qarkut Tiranë

Ne prindërit e dezertorit X. Y., i parashtrojmë asaj të ndershmes gjykatë, sa poshtë vijon:

Së pari ndjejmë përgjegjësinë tonë për edukimin e këtij fëmije. Ne e ndjejmë thellë dhe e quajmë të pamjaftueshme punën tonë edukative përderisa ai mori rrugën e tradhtisë; d.m.th. te ky fëmijë nuk bëri efekt edukimi prindëror por zuri vend puna e armikut.Sinqerisht e ndjejmë thellë dhe na vret ndërgjegjja që puna dhe mundi ynë për rritjen e këtij fëmije shkuan kot.

Së dyti, ne i kërkojmë drejtësisë popullore që të tregohet e pamëshirshme në masën e dënimit karshi tij, jo vetëm për fajet kundër shtetit dhe popullit, për tradhtinë që bëri, por edhe për faktin që ai mori nëpër këmbë nderin dhe dinjitetin tonë familjar. Ne e rritëm dhe e selitëm që të bëhej si gjithë rinia e vendit tonë, bir besnik i partisë, atdheut dhe popullit tonë dhe jo bastard, vegël e armiqve tanë. Përse ti bir i padenjë i familjes tonë kur dëgjove këshillat dhe porositë tona të vazhdueshme se cila ishte rruga që duhej të ndiqje për t’u bërë bir i denjë i partisë dhe popullit tënd?

Përse nuk zgjodhe shokët që të rekomandonim ne, por u bashkove me llumin e shoqërisë që të shpuri në tradhti? Përse këshillat tona të drejta dhe të sinqerta nuk t’u ngulën mirë në tru, por zunë vend në kokën tënde fjalët e bukura plot helm të armiqve që të shpunë në këtë rrugë? Përse ti bir bastard nuk ndoqe rrugën e partisë, rrugën që ndjek gjithë rinia jonë heroike, gjaku i pastër i partisë tonë që po bën mrekulli në ndërtimin e shoqërisë tonë socialiste?

Përse u ndave nga familja dhe more rrugën e arratisë së tradhtisë dhe shkove në vend të huaj, te Titua? Mos vallë atje do të gjeje prindërit, vëllezërit a ndonjë nga të afërmit e tu? Asnjëri. Mos vallë atje do të gjeje kopshtin me lule që të premtuan armiqtë? Jo vetëm vuajtjet dhe mjerimet që po heq ai popull nga shtypja dhe shfrytëzimi i kralit të ri. Ne si prindër të indinjuar nga akti yt i poshtër kërkojmë që ti të ndëshkohesh rëndë, sepse nuk ta kishim borxh këtë njollë të zezë, këtë turp që na bërë.

Nuk ta kishim borxh dhe nuk ta falin gjithashtu këtë njollë gjithashtu farefisi prej disa dhjetëra të tjerë që për këtë parti dhe për këtë pushtet kanë luftuar me armë në dorë kundër armiqve të brendshëm e të jashtëm dhe në gjokset e tyre shndrisin dekoratat e luftës e të punës. Nuk ta falin dëshmorët e fisit tënd që dhanë gjakun dhe jetën e tyre për këtë ditë. Ne jemi të vrarë sinqerisht në ndërgjegje, jo se na vjen keq për ty që do të ndëshkohesh, por sepse nga familja dhe fisi ynë të dalë një bastard, një tradhtar. Ta kuptosh mirë ti bir i padenjë i familjes sonë se akti tënd i ulët nuk na dobëson, nuk na ndan nga partia jonë e shtrenjtë dhe nga pushteti ynë i dashur, me të cilin jemi të lidhur si mishi me kockën, përkundrazi na bën më të fortë, t’i duam më shumë dhe të jemi më të egër e më të ashpër karshi armiqve tanë.

Unë si nënë të mallkoj: Helm t’u bëftë qumështi që të kam dhënë nga gjoksi im i pastër.

Unë si baba të them: t’u bëfshin gjarpër në mushkëri të mirat tona prindërore. Ta dija se do urreja në këtë shkallë, kisha për ta këputur kokën vetë.

Ne ish prindërit e tu, të bëjmë thirrje dhe të këshillojmë: të realizosh mirë dhe drejt në ndërgjegjen tënde poshtërinë që ke bërë karshi atdheut, shoqërisë dhe familjes. Të tregohesh i sinqertë dhe t’i hapësh zemrën drejtësisë popullore për fajet që ke bërë. Të bësh kthesë rrënjësore nga rruga jote e përbuzur dhe e ndyrë se shoqëria jonë është e madhe dhe zemërgjerë, e ashpër karshi armiqve, por kur e sheh se ata që gabojnë i kuptojnë dhe i realizojnë fajet e tyre, bëjnë kthesë sinqerisht, u jep dorën dhe i afron, në të kundërt, ju këput kokën si minjtë. Ju lutemi kërkesa jote të kihet në konsideratë për ndëshkimin e tij

Me nderime dhe respekt...(emrat e tyre)

Tiranë 25.5.1967

Marrë nga www.55news.al