Kerko: a
Sinan Gashi: Shtegtimi një dorëshkrimi
E enjte, 28.05.2020, 01:00 PM
SHTEGTIMET E NJË DORËSHKRIMI
Ose: Si ndodhi që dorëshkrimi i romanit të
vetëm të shkrimtarit Gjerasim Qiriazi "Pengu i kaçakëve" të gjendet
në Bibliotekën e Universitetit të Kembrixhit në Angli
Nga Sinan
GASHI
Histori e veprës së gjetur
Njëqind vjet iu desh rrugëtimit të
dorëshkrimit të romanit "Pengu i kaçakëve" të shkrimtarit tonë
Gjerasim Qiriazi, për të komunikuar me lexuesin e kombit të vet. Madje - madje
për këtë vepër as që dinte kush deri në ditët e vona, por përmendeshin të
dhënat e tjera për aktivitetin e rrallë të tërë familjes Qiriazi nga Tërnova e
Manastrit të Maqedonisë, e cila kishte dhënë burra e gra të shquara
intelektuale të dalluara në aktivitete ardhetarie, si: Gjerasimi, Gjergji,
Parashqevia e Sevastia. Ata gjithçka patën dhënë për çështjen kombëtare qoftë
duke u angazhuar në programin e saj, qoftë duke hartuar e shkruar libra që
shërbenin për shkollat e para, qoftë duke udhëhequr drejtpërdrejt hapjen e
shkollave në gjuhën tonë. Ndër të tjera dihej se Gjerasimi merrej me krijimtari
të mirëfilltë letrare, por assesi që kishte lënë në dorëshkrim një roman.
Ndonëse fati i shkrimtarit ishte mjaft i rëndë dhe me plot peripeci, sikurse
gjasonte me fatin e veprës së tij.
Dorëshkrimi, pra, nuk dihej se si ishte
zhdukur ose si ishte gjetur nga ndonjë zyrtar anglez që kishte shërbyer atyre
viteve të mbrapshta në tokën shqiptare dhe ishte sjell në Angli. Sqarimin për
diçka të tillë na e arsyeton gjetja e dorëshkrimit, madje në gjuhën angleze. Ky
roman ishte botuar në gjuhën angleze në Londër nga J.W. Berdi nga shoqata
Religious Tract Society, më 1902. Vepra sigurisht se e kishte jetuar kohën e
vet dhe e kishte mbuluar heshtje mjaft e gjatë, kur këtë dorëshkrim, jo shqip,
por anglisht, e gjeti Nikolas Smith në Bibliotekën e Universitetit të
Kembrixhit. Kështu në 100-vjetorin e vdekjes së Gjerasim Qiriazit ky roman i
përkthyer në gjuhën tonë nga Edmond Seferi u botua nga Shtëpia Botuese
"Kartë e pendë" e Tiranës.
Ç'tematikë ka kjo vepër
Vepra është një kronikë romancore apo një
roman kronikë, ku përshkruhet realisht jeta gjashtëmujore e autorit Qiriazi në
mesin e kaçakëve shqiptarë, të cilët e kishin arrestuar dhe e mbanin peng për
kompensim material. Ai me gjithë vuajtjen që hoqi u njoh nga afër me format e
vrazhdta të një jete, si edhe me tragjikën shekullore të shqiptarit. Ai shpreh
në vepër tri arsye pse ata lanë jetën e ngrohtë familjare: ikja nga gjakësit
dhe hakmarrja si motiv, shmangia nga shërbimet e huaja ushtarake dhe mungesa e
kushteve jetësore, pra kushtëzimi i varfërisë. Vepra është ndërtuar në
dymbëdhjetë kapituj dhe nis me kapjen rob të autorit, pastaj përshkruhen netët
e para me kaçakët, përjetimi i së dielës së parë me ta, të ndjekur nga
ushtarët, sqarimi se përse dalin njerëzit kaçakë, përshkrimi i vuajtjeve
personale, në shërbim të një kaçaku, jeta në shpella, kalimi në kasolle,
shikimi i një drite pas dyzet ditësh dhe përfundon me ditën e lirimit, që në të
vërtetë janë titujt e kapitujve të romanit.
Për të qenë më bindës duhet thënë se fillesa
e ngjarjes është e datës 12 nëntor 1884, kur ai kapet rob në rrugën Manastir -
Korçë, kur Qiriazi bënte ecejaket për detyra atdhetare e arsimore. Kështu nis
vepra - kronikë, por përshkrimet plot ndjenjë ngjyrosin artistikisht veprën dhe
e bëjnë tërheqëse për lexim.
Krajatat që hoqi mes kaçakëve Gjerasim
Qiriazi janë të rënda, ngjethëse, më shumë kur kihet parasysh personaliteti i
ndjenjës së hollë intelektuale që fati e hodhi mes personave të pagdhendur e
batakçinj. Kjo pjesë e jetës së autorit - personazh sqaron shumëçka në raportet
e shoqërisë shqiptare të kohës, kur injoranca ishte në përqindje të shtuar
krahas asaj të vetëdijësimit kombëtar. Kjo ishte ngatërresa dhe hutia që
krijohej kur insistohet për organizimin e prezentimin e çështjes sonë në
përmasa ndërkombëtare të zgjidhjes së drejtë të fatit tonë.
Presonazhi – autor torturohet me ëndje nga
ata, duke e bartur zvarrë nëpër fshatra, duke e vendosur në kasolle, në ahure e
shpella, pa e ditur se ku e shpienin. Shpesh ia lidhnin sytë me shami, shpesh
ia dyllosnin veshët që të mos dëgjojë e të mos dijë se çka bënin dhe ku
shkonin. Kishte raste kur maltretohej me të rëna e të shtyra, kur ndiente
dhembje nga këmbët e enjtura e të mavijosura nga udhëtimet kohë e pa kohë, në
terrene të thepisura e në lëvizje të mëshehta.
Sa e rëndonin vuajtjet personale Qiriazin, po
aq e lëndonte shpirtërisht gjendja e mjerë e shqiptarëve, të cilët i kishte
pllakosur padituria, mosorganizimi, të cilat krijonin një mjegullnajë jetësore.
Vazhdon ngjarja me ngjyrime e inskenime të
ndryshme veprimi, përplot provokacione, deri në 28 prill 1885, kur ai lirohet
pasi i sjellin treqind lira si kushtëzim. Me këtë datë edhe mbarojnë vuajtjet
fizike si, duke ia vënë gurin në qafë për ta mbytur në lumë natën ose duke e tërhequr
zvarrë me një copë litari në qafë, i cili nga një intelektual i hershëm
përfundon në një mjeran fizik, me rroba të leckocura sa i duken edhe mishtë,
por moralisht i pathyeshëm qoftë edhe në momente kur i jepet lajmi për
pushkatim në një natë të errët.
Fragmente tekstesh si dëshmi të konstatimeve të autorit
Kur përfundojnë rrëfimet për ngjarjet, në
veçanti kur heroi i veprës është me kotësinë e tij, shpreh edhe diçka nga
botëkuptimet e tij për jetën, për njerëzit, për fenomenet. Në aso rastesh
shprehen konstatime të kohëzgjatjes aktuale për kohë të tëra. Ja disa nga ato
për ta përmbyllur shkrimin dhe njëkohësisht për t'i saktësuar konstatimet e
mëparme lidhur me këtë roman dhe autorin e tij: "A ka ndonjë që nuk vjedh,
nuk gënjen e nuk lakmon? (...) Gënjeshtra, hajdutëria dhe lakmia maten me kute
të ndryshme dhe shpesh fajtorët rrinë rehat në shtëpitë e tyre e gjëllojnë në,
mes të atyre që gërthasin për drejtësi". Apo: "Poshtërsia, sado e
ëmbël t'i duket të ligut, mbaron me turp e rrënim për të tërë”. Një rast
tjetër: "Ata hanin bukë e djathë sa herë t'u donte qejfi, kurse për mua
linin kothere që m'i hudhnin në prehër sikur të isha ndonjë qen. Kur më grinte
uria, kërkoja bukë, por me frikë të madhe, se shpesh në vend të bukës më jepnin
dajak".
Dhe së fundi: "Bora poshtë meje shkriu,
por për fat isha mbi degë. Ata fjalosëshin për gjahun e zënë dhe ëndërronin me
kënaqësi për paratë që do i merrnin. Unë isha zhytur thellë në mendime, duke
vuajtur për Shqipërinë e gjorë, që kishte fatin e zi të rriste bij të tillë..."
Biografike
Gjerasim Qiriazi (1858-1897) u lind në
Tërnovë të Manastirit të Maqedonisë. Si gjashtëvjeçar u regjistrua në shkollën
greke. Si trembëdhjetëvjeçar punoi çirak te një këpucar. Kolegjin Amerikan e
kreu në Samakov të Bullgarisë. Punoi për shoqërinë British and Bible Sociaty, e
cila merrej me shqipërimin e librave fetarë. Më 1884 kaloi në Stamboll, ku
pasuroi aftësitë intelektuale e gjuhësore, ngase ra në kontakt me atdhetarë të
devotshëm, e në veçanti me Konstantin Kristoforidhin. Me lejen që e nxori me
ndihmën e Naim Frashërit në Stamboll, motra e tij Sevasti Qiriazi, që kishte
mbaruar Fakultetin Amerikan për vajza, hap shkollën e parë shqipe për vajza në
Korçë më 1891. Pasi që e përjetoi rëndë
vdekjen e gruas nga tuberkuloza, e cila ia la një djalë, ky iu përkushtua më me
ngulm shkrimit dhe arsimit shqiptar. Jetën e përmbylli në Athinë, në ditën e
dytë të janarit të acartë nga tuberkulozi.
Veprën e parë "Hristomathi e udhëheqës
për çdo shtëpi shqiptari" e botoi në Sofje më 1902, me pseudonimin “Një
mëmëdhetar”, ndërsa romani "Pengu i kaçakëve", i mbetur dorëshkrim,
që konsiderohej deri vonë i humbur.