Kerko: a
Jahja Drançolli: Si sot, në vitin 1789, George Washington mori detyrën e presidentit të parë të SHBA
E enjte, 30.04.2020, 12:00 PM
Jahja Drançolli:
Si
sot, në vitin 1789, George Washington (1732-1799), pas angazhimeve ushtarake
afro 40-vjeçare për Atdheun, mori detyrën e presidentit të parë të SHBA. Pas
rizgjedhjes me 1792 (i mbështetur 100% nga elektorati), hodhi poshtë nominimin
për mandatin e tretë, dhe së këtejmi vendosi një traditë të shërbimit maksimal
në dy mandate presidenciale!
Nga
viti 1753 Washington ishte në detyra të ndryshme ushtarake. Në kohën kur
marrëdhëniet midis Anglisë dhe kolonive filluan të përkeqësohen, ai u përfshi
edhe në jetën politike dhe mori pjesë në Kongresin e parë të famshëm
Kontinental në Filadelfia më 5/V/1774. Pas përplasjes së parë të trupave
angleze dhe amerikane, Washington u emërua Komandant i Lartë Ushtarak nga
Qeveria Revolucionare në Kongresin e Dytë Kontinental në Filadelfia
(10/V/1775). Megjithëse, Washington nuk kishte përvojë të luftonte me ushtrinë
në një fushë të gjerë beteje, guximi dhe përkushtimi i tij kontribuan ndjeshëm
në fitoren përfundimtare. Përkundër një ushtrie të pajisur dhe të stërvitur
dobët, si dhe intrigave e të zilisë dhe të tradhtisë, Washington ngadhënjeu më
1781 në Yorktown dhe ushtria amerikane hyri në New York më 25/XI/1783. I
kënaqur me arritjet, në mbrëmjen e Krishlindjës (1783), u kthye në pronën e tij
në Mount Vernon, për tu angazhuar në bujqësi për katër vjet. Meqë, pas Luftës
Amerikane për Pavarësi, çështja e unionit është imponuar gjithnjë, Washington u
përfshi sërish në jetën politike. Ai u zgjodh unanimisht në janar 1789 si
Presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara, dhe mori detyrën më 30/IV/1789 për
mbetur në dy mandate deri më 4/III/1797. Gjatë gjithë kësaj kohe, ai e menaxhoi
shtetin e ri me kujdes, duke u ngritur atë mbi mosmarrëveshjet e partive dhe
duke kapërcyer dallimet dhe mosmarrëveshjet midis shteteve federale. Vendosi
konventa veprimesh për Presidentin dhe ekzekutivin që nuk përcaktoheshin
specifikisht në Kushtetutë. Në politikën e jashtme, sipas traktatit të vitit
1795, ai vendosi marrëdhëniet me Britaninë, si dhe shpalli neutralitetin e
SHBA-së në luftërat europiane dhe nuk pranoi të bashkohej me aleancat
ndërshtetërore, të cilave u bëri thirrje në mesazhin e tij të lamtumirës
(Farewell Address) më 19 shtator 1796. Me mbarimin e mandatit të tij ai u
tërhoq në pronën e tij!