Faleminderit
Fran Gjoka: Kryeinfermierja Gjela Bushi, një nga përfaqësueset më dinjitoze të brezit të saj
E diele, 08.12.2019, 05:00 PM
Kryeinfermierja Gjela Bushi, një nga përfaqësueset më dinjitoze të brezit të saj
“Të
shkruash për njeriun që e meriton, është respekt e mirënjoheje”. Viktor Hygo
Shkruar:
Fran Gjoka
Janë sot me qindra mjekë e infermjerë veteranë, disa
edhe me flokë të thinjura e supe të kërrusura nga vitet, që mbajnë peshën
e rëndë të viteteve të punës intensive, ndaj them me plot gojë se bluzat e
bardha duhet të kenë të drejtën e inkurajimit shpirtëror dhe materjal. Njerëz
të tillë, që punojnë me pasion dhe sakrifikojnë shumë nga vetja, pa dyshim kanë
krijuar sot portretin e tyre, ndaj të shkruash për ta është jo vetëm një
obligim, por dhe një nder dhe refleksion ndaj asaj që kemi lënë jashtë vëmendjes
apo kemi neglizhuar.
Kemi nevojë të lexojmë apo të dëgjojme për to në mediat e
shkruara dhe televizive, pasi, shpeshherë, në mendjet e shkruara përfliten disa
për marrje rrushfeti dhe, padrejtësisht, nën këtë akuzë përfshihen të gjithë. Kjo
sigurisht nuk është e drejtë, sidomos kur jemi dëshmitarë të asaj pune të madhe
dhe përkushtimi të disave prej tyre, që janë shembull qytetarie dhe ndershmërie
në jetë, në punë, në marrëdhënie me njerëzit, me pacientët apo të tjerë, duke
rrezatuar përherë dritë dhe bukuri shpirtërore.
Nisur nga dëshira që të vë në dukje lëto vlera, mora penën
sot të shkruaj për znj.Gjela Bushi, e
cila gjatë gjithë jetës profesionale ka lënë gjurmë të pashlyera në profesionin
e saj të vështirë. E lindur dhe e shkolluar në Gjegjan të Pukës, nga një
familje e thjeshtë, por e ndershme dhe arsimdashëse. Nga ky trung familjar,
janë edukuar cilësitë e karakterit të saj.
Pasi mbaroi shkëlqyer arsimin 8-vjeçar, pushteti vendor i
asaj kohe e dërgoi Gjelën në shkollën e mesme 4-vjeçare të Infermierëve në
Shkodër, shkollë me një kontribut të madh në fushën e ndryshimeve të mëdha në
shëndetësinë shqiptare. Adoleshenca e katër viteve të saj në Shkodër nuk ishte
aspak e lehtë, por Gjela gjithnjë veçohej si vajzë me plot reflekse premtuese
për të ndjekur rrugën e lodhshme të profesionit të nderuar e të respektuar të
bluzave të bardha. Pas dy viteve pune intensive, si infermiere në spitalin
Gjegjan, Pukë, vjen në rrethin e Lezhës, ku martohet me intelektualin dhe
financierin tashmë të njohur Tonin Bushi, i cili për afro 40-vjet, po tregon vizion
dhe aftësi drejtuese e menaxhuese, duke shërbyer me korrektësi në detyrën e
shefit të financës pranë spitalit rajonal Lezhë.
Infermieria e nderuar, Gjela Bushi, në një moshë të re
punoi për 12- vjet rrjesht fshatrave të rrethit të Lezhës, si Zejmen, Pllanë,
Tale, Rrilë. Me një vrull rinor, me shpirtin e sakrificës, me një botë
shpirtërore plot humanizëm dhe një bagazh dijesh e përvoje të fituara, ajo
shpalosi aftësi të rralla në profesionin e infermierës dhe të mamisë në fshatra,
duke ngritur vazhdimisht me punën e saj prestigjin e figurës së infermierës.
Pushteti vendor i vitit 1991 e emëroi Gjelën
kryeinfermiere të Poliklinikës Qëndrore Lezhë dhe, për 28 -vjet pune intensive
drejtuese e menaxhuese, ajo demonstroi sjelljen e një profesionisteje shumë të vlerësuar, madje një shembull për të
gjithë punonjësit e Poliklinikës Rajonale Lezhë. Ajo e udhëhoqi punën e saj,
gjithnjë me pjekuri mendimi dhe me aftësi
profesionale, me këshillime të urta e me një buzëqeshje të sinqertë, derisa
doli në pension. Kryeinfermierja Gjela Bushi, mbetetet një nga përfaqesueset më
dinjitoze të brezit të saj, që la gjurmë për nga vullneti i pashterrshëm për të
aplikuar gjithçka të mirë dhe moderne në profesionin e saj humanitar. -Gjatë
punës sime 40-vjeçare, - shprehet Gjela, - gjithmonë jam përpjekur të mbajë
parasysh bindjen se “Sa me tepër ligësi të durosh në jetë, aq më tepër e keqja
vdes në botë”. Kam qëndruar korrekte në mardhëniet me njerëzit, duke u shërbyer
me përparësi ditën e natën.
Kujtimet e qindra pacientëve për këtë punonjëse të
nderuar të shëndetësisë janë të shumta. Të gjithë e mbajnë mend kur ajo punonte pa u lodhur, me
orar e pa orar, gjithnjë duke dhënë modelin e një infermiereje dhe të një
njeriu me vlera humane të vërteta. Shumë njerëz mbajnë mend momentet kur ajo
priste dhe u shërbente pacientëve që kishin nevoja urgjente, edhe me fjalën e
saj të ngrohtë, edhe me profesionalizmin e saj, duke u dhënë ndihmën e parë dhe
duke ndihmuar në shërimin e shpejtë të tyre.
Për 28 vjet me radhë ajo drejtoi, si kryeinfermjere Poliklinikën
e qytetit të Lezhës derisa doli këto ditë në pension.
Duke parë vizionin intelektual dhe emancipues të saj prej
shumë dekadave, e dalluar për organizimin dhe menaxhimin e punëve, Gjela është
dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popollor të asaj kohe. Për punë të mira në
shërbimin mjekësor ndaj pacientit ka marr titullin “Mirënjohje e qytetit të
Lezhës”, dhënë nga pushteti vendor “Për kontributin si infermiere e njerëzve në
nëvojë”. Gjithnjë Gjela ka krijuar rreth vetes dhe në shërbimin që drejtonte një
emër të mirë, duke marrë falenderime dhe mirënjohje qoftë nga qytetarët, ashtu
dhe nga institucionet e shëndetësisë, si për shembull nga Shoqata e Infermierëve
të Shqipërisë, nga Drejtoria e Shërbimit spitalor Lezhë, etj.
Rëndësi të vazhdueshme ajo i ka dhënë gjithnjë trajnimit
dhe vet kualifikimit por dhe të ekipit që
drejtonte, duke u thelluar përherë në informacionet e reja. Në këtë aspekt, ajo dhe vetë ka kryer disa
kurse trajnimi e specializimi brenda dhe jashtë Shqipërisë: në Zvicër, Kroaci e
Slloveni, e ku njohuritë e fituara i kanë shërbyer për ngritjen e nivelit të
punës së saj drejtuese dhe konkrete me pacientët. Në bisedë Gjela thotë: “Nuk
është e rëndësishme të jesh por, kryesorja është çfarë je dhe çfarë punësh të
mira bën në jetë për shoqërinë në përgjithësi dhe komunitetin tënd në veçanti”.
Pyetjes time, nëse ndryshimi i saj ka ardhur vetvetiu nga
mundësitë që i janë afruar, Gjela me modestinë që e karakterizon përgjigjet
sinqerisht se është një kombinim midis formimit profesional, por dhe i
mundësive që i janë ofruar nga shteti dhe shoqëria që ajo ka përfaqësuar. E në
vazhdim do të thoshim se thjeshtësia është një karakteristikë e dukshme e Gjelës,
duke vënë në radhë të parë veprën, përkushtimin në shërbim të njerëzve, veçanërisht
atyre në nevojë. Në këtë kuptim, asnjëherë ajo nuk shfrytëzoi nevojat dhe hallet
e njerëzve për të përfituar prej tyre, ndaj, gjatë gjithë jetës qëndroj dinjitoze,
e ndershme dhe e pastër në ndershmërinë
dhe karakterin e saj, gjithnjë besnike “Betimit të Hipokratit”, për të mos
diferencuar asnjëherë njerëzit sipas miqësisë e shoqërisë, por gjithmonë duke i
shërbyer me pasion profesionit të saj të nderuar.”
Kurdoherë, Gjela me bashkëshortin e saj Tonin Bushin,
investuan shumë nga vetja, duke rritur, edukuar dhe shkolluar dy djem të
mrekullueshëm Elsonin dhe Renaton. Me mësimin dhe edukimin e dy prindërve, ata
u rritën dhe u shkolluan, njëri për gjuhë të huaja në Londër, dhe tjetri për
mjekësi të përgjithshme dhe më vonë po
specializohet për mjek ortoped në Shqipëri.
Këta dy pasardhës shikojnë te prindërit e tyre modelin e devotshëm,
një baba shembullor dhe një nënë që përsonifikon modelin njerëzor, figurën e
një nëne të dhimbshme dhe të dashur për nipin dhe mbesën e saj, një edukatore e
përsosur me cilësi të spikatura individuale, që rrezaton veçse dashuri dhe mirësi
me nuset e nipat e mbesat e saj. Teksa e pyet ku e gjen qetësinë, ajo me
buzëqeshje të përgjigjet se e gjej te dy djemtë me dy nuse të mrekullueshme, me
nipin dhe pse është larg, me mbesën që e kam këtu në Shqipëri e që i quan me
plot gojën “ëmëbëlsirat e shpirtit”.
Nuk mund të portretizohet një figurë e shëndetësisë vetëm
me disa rreshta të shkruar. Kontributi i heshtur ndër vite dhe mirënjohja e
njerëzve dhe kolegëve të saj janë për Gjela Bushin, kënaqësia më e madhe e
jetës dhe e punës për tërë ato dekada vetmohimi dhe përkushtimi.
Mendoj se protagonistes sonë do t’i shkonte shumë mirë
shprehja se: janë ca medalje që “varen” në shpirt e jo në xhaketë, dhe, Gjela,
tashmë i ka vënë me kohë “medaljet” në shpirtin e saj për mardhëniet me
njerëzit, për kulturën dhe korrektësinë, për profesionalizmin dhe përkushtimin,
ndaj dhe Gjela Bushi mbetet kurdoherë një shembull i lartë i punonjëses së
nderuar të mjekësisë shqiptare.