Kerko: a
Ryzhdi Baloku: Nëntori i Pavarësisë në kujtesën kombëtare
E shtune, 30.11.2019, 11:35 AM
NËNTORI I PAVARËSISË NË KUJTESËN KOMBËTARE
Nga
Ryzhdi Baloku
Sa
herë që vjen muaji nëntor, shqiptarëve kudo që janë, ua përkujton Nëntorin e
Pavarësisë dhe sakrificat kombëtare për çlirim nga robëria shekullore, të shumë
patriotëve që u flijuan për atdhe.
Nëntori
i Pavarësisë në kujtesën kombëtare, shënon një sërë ngjarjesh historike për
popullin shqiptar.
Kjo
datë e rëndësishme na kthen kujtesën në 28 Nëntorin e vitit 1443, atëherë kur
në Krujë u ngrit Flamuri i Arbrit, që me krenari na përkujton epokën e
lavdishme të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, flamur ky që do të përjetësohet
me kthesën e madhe historike të vitit 1912, e që në memorien tonë kombëtare na
përkujton themeluesin e shtetit shqiptar, mendjendriturin dhe vizionarin e
madh, shkëlqesinë e tij - Ismail Qemal Bej Vlorën, dhe patriotët tjerë shqiptarë,
të cilët kontribuuan në themelimin e këtij shteti, si: Hasan Prishtina, Isë
Boletini, Mit'hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica dhe
shumë patriotë të tjerë, të cilët s'kursyen asgjë nga vetja e tyre për
pavarësinë e Shqipërisë.
Ky
nëntor i datës 28 na përkujton edhe shumë atdhetarë të tjerë shqiptarë, të
cilët e derdhën gjakun e tyre për dalje nga zgjedha e egër e Perandorisë
Osmane, ditë kjo e shumëpritur pas pesë shekujsh të sundimit otoman, për të
cilën liri u sakrifikuan dhe u flijuan shumë gjenerata.
Në
memorien e gjeneratës pak më në moshë, ende është e freskët kujtesa për dy
organizata ilegale që u zbuluan në Kosovë nga UDB-a jugosllave në vitin 1964,
pjesëtarët e të cilave u burgosen dhe u dënuan me shumë vite burg të rëndë. Pra
kjo datë e përkujton "Organizatën për bashkimin e trojeve shqiptare"
në krye me Remzi Balokun dhe "Lëvizjen revolucionare për bashkimin e
shqiptarëve" në krye me Adem Demaçin, të cilat lëvizje në atë kohë, pos
aktiviteteve të shumta ilegale, për çdo "28 Nëntor" kanë shpërndarë
afishe dhe i kanë ngritur flamujt kombëtarë nëpër shumë qytete të Kosovës,
simbol ky që ishte ndaluar rreptësisht nga pushteti jugosllav i kohës.
Pos
ngjarjeve të cekura nga kjo periudhë jo e largët dhe një numri të konsiderueshëm
atdhetarësh si: Metush Krasniqi, Sylë Shala, Ali Aliu, Hyrije Hana, Kadri
Kusari, Teki Dervishi, Ramadan Shala etj., në Kosovën heroike të kësaj ane të Shqipërisë etnike, 28
Nëntori do të na përkujtojë, pos tjerash edhe, sakrificat e atdhetarëve të
viteve: 1968, 1981, 1989, 1990, 1997 dhe 1998, datë kjo që do të na përkujtojë
me pietet komandantin legjendar Adem Jasharin dhe Ushtrinë Çlirimtare të
Kosovës.
Kjo
datë e shenjtë, 28 Nëntori, na përkujton lavdinë tonë kombëtare, kudo në
hapësirat shqiptare, atë lavdi që buron në gjakun shqiptar, i cili asnjëherë
nuk pushoi së derdhuri për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Ky
flamur i shqiptarëve me shqiponjën e zezë dykrenore në sfondin e kuq, simbolikë
e gjakut, kur tani është ngritur dhe valon lirshëm në madhështinë e qiellit të
hapur e të pafund, me krenari na kthen mbrapa në kujtesën kombëtare për të
shprehur admirimin tonë për burrat fisnikë, që me përkushtim e sakrificë, na
sollën lirinë e na ruajtën qenien tonë kombëtare.
Kjo
liri e arritur, ka nevojë të kultivohet me një përkushtim të vazhdueshëm ndaj
çështjes kombëtare, dhe ushtrimit të kujtesës për të kaluarën tonë, si një
parakusht për ta çuar kombin drejt ardhmërisë dhe idealit shekullor të
shqiptarëve për të jetuar në një shtet.